Mund të jesh punonjës i thjeshtë, takon Plakun e Krishtlidhjeve, të bën një dhuratë dhe kthehesh në milioner. Në fakt, zoti Mirgen Merollari nuk takoi plakun e shenjtë, por në vitin 2016 e thirri Arlinda Pogaj bashkë me Ergys Senkën, djalin e oligarkut Ylli Senka dhe i dhuruan aksionet e kompanisë së tyre “ARGUS POWER” Sh.p.k.
Ky ishte “fati”! Dhe pastaj historia vazhdon me tendera pa fund nga OSHEE, Porti i Durrësit, Bashkia.
I fundit fare është tenderi i dyshimtë i drejtorit Blendian Dalipi për furnizimin me siguresa të rajonit të OSSH Fier.
Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me objekt “Blerje Izolatorë, Shkarkues TM, Siguresa TM/TU, Bazamant Siguresë TU dhe Fishekë” me fond limit 400 milionë lekë të vjetra pa TVSH.

Tenderi është zhvilluar në 13 tetor 2025, por dyshimet janë se procedura është fiktive me fitues të paracaktuar.
Sipas dokumenteve të Agjencisë së Prokurimit Publik, duhet të shpallej fituese oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim, por komisioni nuk i është përmbajtur këtij rregulli.
Sic kuptojmë, tenderi është zhvilluar me një pjesëmarrës, ndërsa një operator i dytë ekonomik që është regjistruar fillimisht, është tërhequr nga gara duke mos u paraqitur.

Bëhet fjalë për kompanië “ENPI” shpk që kishte bërë ofertën 38,600,000 lekë pa TVSH. Nëse nuk do të tërhiqej nga gara, kjo kompani do të komplikonte vendimmarrjen e komsionit, sepse “ARGUS POWER” Sh.p.k me “pronar” Mirgen Merollarin kishte ofruar vlerë më të lartë: 38,976,600 lekë pa TVSH.
Sipas procesverbalit të komisionit, Operatori ekonomik ENPI nuk u paraqit në momentin e hapjes së ofertave për dorëzimin e mostrave!
Kështu, shpallet fitues “ARGUS POWER” Sh.p.k me adresë në Durrës (Lagja. Nr. 15, Spitalle, Perballë Kampusit Univesitar Durrës. Kodi postar 2009) aty ku ka qenë kompania “HTM” shpk, ku Merollari ishte punonjës.
Nga punonjës i Plator Mehmetit, në pronar i kompanisë së Arlinda Pogajt
Kompania “ARGUS POWER” Sh.p.k. u krijua në 6 maj 2014 në Tiranë me seli tek pallatet “Agimi”. Njëri themelues ishin Ergys Senka (në atë kohë vetëm 24 vjec), por që biznesin e kishte në gjak, sepse është i biri i oligarkut Ylli Senka. Ky do të ishte në këtë kompani 51% të aksioneve. Themeluesja tjetër, që kishte 49% të pjesëve, ishte Arlinda Pogaj.

Kompania po ecte mirë me afro 150 milionë lekë fitime të deklaruara në vit. Megjithatë, për të mos rënë në sy, për shkak se Ylli Senka ishte në qendër të disa aferave, të dy ortakët bëjnë një manovër që ndodh rëndomë në Shqipëri për fshehjen e aktivitetit. Miku që do t’u dilte garant është Plator Mehmeti, eksponent i PS, biznesmen nga Durrësi, drejtor hajdut i OSHEE, i dënuar për korrupsion me tenderat. Mehmeti i prezantoi Arlinda Pogajt Mirgen Merollarin, që e kishte njeri të besuar në kompani.
Më 25 maj 2016, asamblea e ortakëve të shoqërisë ka vendosur: Dhurimin e kuotave te kapitalit të shoqërisë “ARGUS POWER”, në pronësi të dy ortakëve, z.Ergys Senka në masën 51 % dhe znj.Arlinda Pogaj në masën 49 % tek z. Mirgen Merollari; Shkarkimin nga detyra të administratorit z.Ergys Senka. Emërimin e administratorit të ri z.Mirgen Merollari.

Dhe megjithëse u bë pronar dhe administrator i “ARGUS POWER”, Mirgeni do të vazhdonte rutinën e tij të përditshme në kompaninë HTM të Plator Mehmetit.

Dokumenti i mësipërm i vitit 2018 tregon se “pronari” ishte akoma një punonjës i kompanisë së Plator Mehmetit.
Dhe së fundi, duke qenë se e kemi raportuar shumë herë këtë lloj maskimi që përdorin zyrtarët, mund të themi se dhënia me hua emrit për pastrim parash (prestanome) është kthyer në një profesion për shumë njerëz, sepse korrupsioni endemik në Shqipëri ka krijuar shumë pasuri.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post