Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, hapi mbrëmjen gala “Më të mirët 2023” të organizuar nga FSHF për të vlerësuar emrat më të spikatur të viti 2023.
Ai është ndalur te arritjet e institucionit të futbollit, por edhe te kualifikimi historik në Euro 2024, si dhe atë që pritet më tej.
“Kualifikimi në Europian ka qenë ngjarja më e bukur e vitit 2023, madje e gjithë historisë së futbollit shqiptar. Çdo ditë që kalon e ndjej suksesin e kombëtares dhe aq më shumë jam falënderues çunave të ekipit, por edhe stafit, për atë që na kanë dhuruar, për krenarinë që na kanë dhënë”, tha Presidenti i FSHF.
Në vijim ai u shpreh se “jemi vend relativisht i vogël, por një komb i madh dhe jam i bindur se kjo skuadër i ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm kombit shqiptar”.
“Thirrja ime është shijojeni suksesin tuaj, Europianin, bëni atë që keni bërë në kualifikuese dhe jam i bindur që do na bëni më shumë krenarë. Ne jemi në shërbimin tuaj, jemi me ju gjithmonë.
Përveç bashkëpunimit të vazhdueshëm, kërkoj t’i kthehemi ndryshimeve të Ligjit të Sponsorizimit. Ky ligj do ta bënte më të bukur pjesëmarrjen masive në sport, do të rriste cilësinë, më të suksesshëm pjesëmarrjen ndërkombëtare, do ta bënte futbollin degë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare.
Kam ndjesinë që kjo kërkesë e jona do të realizohet”, u shpreh Duka.
Fjala e Presidentit të FSHF
I nderuar President i Republikës, z. Bajram Begaj, i nderuar Kryeministër, z. Edi Rama. Të nderuar Ministra. I nderuar President i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Fidel Ylli. Të nderuar miq që na keni ardhur nga jashtë, ambasadorit të UEFA-s, Gianluca Zambrota. President i Federatës së Kosovës z. Agim Ademi; President i Federatës së Maqedonisë së Veriut z. Muhamet Sejdini. Të dashur anëtarë të FSHF-së! Miq e të ftuar.
Mirëmbrëma e mirë se keni ardhur sonte në këtë natë shumë të rëndësishme festive, falënderuese e vlerësuese të futbollit shqiptar!
Jam vërtet shumë i lumtur që në këtë fund viti takohemi jo si zakonisht, siç jemi mësuar të shihemi e të takohemi me njëri-tjetrin në fusha apo stadiume futbolli, për të luajtur apo sfiduar njëri – tjetrin në 90 minuta apo për të parë një ndeshje. Sonte jemi këtu për të festuar, vlerësuar e falënderuar më të mirët e këtij viti të suksesshëm që po mbyllim.
Përbërja e kësaj salle dëshmon pa asnjë diskutim magjinë e lojës sonë, dashurinë për të dhe vlerat e saj bashkuese.
Viti 2023 është një nga vitet më të suksesshme, mbase më i suksesshmi në historinë e Futbollit Shqiptar, në të gjitha drejtimet: infrastrukturë, organizim, masivizim, kualitet e rezultate. Unë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që kanë punuar e kontribuar për këto arritje.
Si fillim të gjithë futbollistët e futbollistet tona, profesionistë e amatore, për punën e kontributin e tyre, në aktivitetet kombëtare dhe ato ndërkombëtare, për djersën e derdhur e për kënaqësinë e emocionet që na kanë dhuruar, gjithashtu dhe stafet e tyre Teknike e administrative.
Drejtuesit e klubeve, akademive e shoqatave të cilët ia kanë kushtuar jetën futbollit.
Arbitrat, të cilët kanë kontribuar e sakrifikuar vërtet shumë për garat në vend, por kanë marrë dhe vlerësim kombëtar e ndërkombëtar. Çdo kush ndihet mirë kur sheh çdo javë në kompeticionet europiane emra arbitrash Shqiptarë. Sot numërojmë 22 arbitra Shqiptarë me stemën e FIFA-s.
Më lejoni të falenderoj Komitetin Ekzekutiv dhe administratën e FSHF-së, për të gjithë seriozitetin e treguar dhe projektet e realizuara me sukses gjatë këtij viti për ta çuar futbollin përpara. Ka qenë vërtet një vit i vështirë dhe i lodhshëm për ju, por ia ka vlejtur.
Gjatë vitit 2023, FSHF ka organizuar 13 531 ndeshje futbolli, me një mesatare 722 ndeshje në javë, ku janë aktivizuar 20324 futbollistë, 1990 më shumë se një vit më parë e 1498 zyrtare: trajnere, stafe mjekësore, arbitra, delegatë e vëzhgues.
Pra, 21822 mijë njerëz janë të përfshirë në lojën tonë të cilët krijojnë një ekonomi futbolli, që konsumon e kontribuon në ekonominë shqiptare.
2023 ishte edicioni i dytë i projekti “Uniforma IME”, e cila furnizon me uniformat e lojës çdo njeri që luan futboll dhe i shtati i projektit “Topi YT”. Këto projekte do t’i vazhdojmë ato, jo thjeshtë sepse janë një lehtësi e madhe financiare për fëmijët e familjet e tyre, por edhe një mesazh i qartë solidariteti.
Bashkëpunimi me qeverinë ka qenë i niveleve të mira, projekte të përbashkëta janë implementuar me sukses në infrastrukturë e në edukim.
Pas bashkëpunimeve shumë të suksesshme me qeverinë për ndërtimin e stadiumeve në Elbasan, Shkodër, Kukës e Tiranë, këtë vit e nisëm me konkurset e hapura, për përzgjedhjen e projekteve më të mira të stadiumeve apo komplekseve sportive në Korçë, Durrës e Vlorë, të cilët sot janë në proçes projektimi e prokurimi final. Uroj të nisë puna sa më shpejt.
Gjej rastin të falenderoj qeverinë shqiptare dhe në veçanti kryeministrin Edi Rama, jo vetëm për projektet e reja, por edhe për mbështetjen me fonde financiare për stafin dhe ekipin kombëtar. Dhe besoj se ia ka vlejtur, ky ekip meriton gjithçka.
Një falenderim special për FIFA-n për suportin e dhënë në ndërtimin e kampusit të ri të Kombëtares në “Shtëpinë e Futbollit”, një nga më modernët në Ballkan, pikërisht edhe nga aty ku nisëm rrugëtimin për Euro 2024. Por jo vetëm kaq. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Presidenti Gianni Infantino i premtoi Ministres Evis Kushi projektin pilot të Futbollit në Shkolla, i cili u finalizua dhe është aktiv në 116 shkolla të vendit. Ne e mbështesim me bazë materiale e trajnime me lektor nga FIFA për mësuesit.
Bashkë me Ministren e re të Arsimit, Ogerta Manastirliun (që dua ta uroj publikisht për detyrën, do ta shtrijmë këtë projekt në të gjithë Shqipërinë.
Përfaqësimi ynë në organizatën europiane të Futbollit, UEFA, është si asnjëherë më parë. 20 përfaqësues të futbollit shqiptar janë emëruar në poste e komisione të zyrtarëve të UEFA-s.
Vazhdojmë edhe këtë vit bashkëpunimin për projekte masivizimi, infrastrukture dhe edukimi. Projekti “UEFA Playmakers”, ka bashkuar me lojën e futbollit 2175 vajza të vogla të moshës 5-8 vjeçe. Projektet e edukimit, kualifikimit e certifikimit për trajnerë, stafe Teknike e administrative, Investimi te kapitali njerëzor janë një gur themeli i rëndësishëm për të qenë konkurrues.
Nëpërmjet projektit të 100 fushave, kemi bashkuar fondet e UEFA-s, FSHF-s, individëve, klubeve dhe pushteteve vendore për të ndërtuar fusha të reja në: Vorë, Arbanë për klubin Dinamo, në kompleksin e Kamzës, në Shkodër dhe disa të tjera në proçes.
26 ekipe të rinjsh e të rejash nga Andora, Kosova, Zvicra, Islanda etj, kanë vizituar Shqipërinë në vitin 2023, për të luajtur në 13 kompeticione europiane kualifikuese. Pothuajse, gjysma prej tyre janë pjesë e federatave anëtare të UEFA-s.
Stadiumet e ndërtuara, organizimi perfekt i turneve kualifikuese, eksperienca e fituar, profesionalizmi i treguar, opinionet pozitive të pjesëmarrësve, por edhe zyrtarëve të UEFA-s, bindën Komitetin Ekzekutiv e UEFA-s të na besojë organizimin e kampionatit Europian në vitin 2025 për moshat nën 17 vjeç. Në fakt kemi aplikuar me projekte, tani na duhet shumë punë e shumë mbështetje nga të gjithë që të sjellim në nivelin e kërkuar infrastrukturën, fushat e stërvitjes e mbase dhe ndonjë rrugë aksesi për to.
Faleminderit UEFA, Faleminderit Presidentit Aleksandër Ceferin!
Dua t’i falenderoj Giannin dhe Alexin, edhe për përshëndetjen dhe urimin që na kanë përcjellë e që do të transmetohet më vonë.
Falenderime për të gjithë bashkëpunëtorët që kemi realizuar projektet me përgjegjësi sociale. Ata kanë qenë në qendër të vëmendjes sonë si çdo vit tjetër. Kemi qenë aktiv e kemi organizuar fushata sensibilizuaese për kancerin e gjirit, kemi organizuar mamografinë lëvizëse për kontrollin e kancerit të gjirit për vajzat e përfshira në futboll.
Ekipi i të Amputuarëve ka pasur suportin e plotë të FSHF-së për terrenet stërvitore dhe bazën materiale, si dhe mbështetjen financare për pjesëmarrjen në ndeshjet e Nations League për të Amputuarit që u zhvillua në Skoci. Organizata jo fitimprurëse “Faith and Light”, organizatë e cila i vjen në ndihmë personave me aftësi të kufizuara intelektuale, është mbështetur me bazë materiale në kuadër të turneut KIMATA CUP. Në bashkëpunim me COCA-Colën kemi përmirësuar infrastrukturën futbollistike në fshatin SOS. Kemi mbështetur me fonde simbolike për tërmetin vrastar që goditi Turqinë me 6 Shkurt të këtij viti..
Në këtë mbrëmje festive sonte dua të falënderoj padyshim edhe të gjithë sponsorët tanë: Vodafone, Macron, Sigal, Union Bank, Uji Tepelena, VAS Tour, Infinity Destination, të cilët na kanë besuar për promovimin e biznesit të tyre. Padyshim që kemi benefite komerciale të dyanëshme, por ajo që fitojmë më shumë ështe rritja e të interesuarve rreth lojës sonë, si edhe bashkimi i energjive për progres.
Nuk mund të lë pa përmendur edhe lojtarin tonë të 12-të, tifozët e mrekullueshëm. Faleminderit që nuk mungoni në shkallët e stadiumeve në mbështetje të skuadrave tuaja të zemrës dhe ekipeve kombëtare. Mbështetja për ekipin kombëtar që kanë mbushur stadiumet.
Ekipi kombëtar me performancën e tij, me golat e bukur, nga më të bukurit, rezultatet fantastike kundër Polonisë e Republikës Çeke në Air Albania dhe e finalizimi me kualifikim nga vendi i parë i grupit, kanë qenë ngjarja më e bukur e vitit, madje e historisë sonë.
Çdo ditë që kalon aq më shumë e ndjej suksesin e Kombëtares, dhe aq më shumë i jam falënderues futbollistëve aktorët kryesor, Sylvinhos, Dorit, Zabaletes, Bulkut, Salihit, Bozhiqit, e gjithë stafit teknik e administrativ. Për atë që na kanë dhuruar. Për krenarinë që na kanë dhënë.
Ne jemi një vend relativisht i vogël, por një komb i madh dhe unë jam fort i bindur se kjo skuadër: I ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm.
Tani jemi në pritje e përgatitje të europianit dhe thirrja ime për lojtarët e stafin është: Shijojeni suksesin tuaj, shijojeni europianin, bëni atë që keni bërë në eleminatore dhe jam i bindur që do të na bëni më shumë krenarë. Por, sido që të shkojë, ne jemi në shërbimin tuaj, ne jemi ju.
Të nderuar zotërinj, kryesisht KM, përfaqësues të qeverisë e parlamentit të vendit që jeni sonte të pranishëm në këtë Mbrëmje Gala për kampionët tanë, për kombëtaren tonë, për futbollin tonë. Vërtetë kemi bërë hapa përpara, por akoma më shumë mund të bëjmë. Akoma më shumë mund të bëjmë progress.
Kërkoj mbështetjen tuaj që t’i rikthehemi edhe një herë ligjit të sponsorizimit apo edhe disa ndryshimeve të tjera ligjore që të favorizojnë e zhvillimin e sportit në përgjithësi e Futbollit në veçanti. Ky ligj do të bënte të mundur pjesëmarrjen më masive të popullatës në sport, do të rriste shumë cilësinë sportive, do ta bënte më të suksesshme përfaqësimin tonë në arenën ndërkombëtare, e pse jo, do të bënte futbollin një degë të rëndësishme të ekonomisë. Kur themi sponsorizime e bashkëpunim me biznesin, nuk mendojmë vetëm klubet profesioniste, por edhe ato amatore e periferike. Mbetem me shpresë e vazhdoj të besoj në realizimin e kësaj kërkese shumë të rëndësishme.
Siç e thashë edhe në fillim sonte, do të vlerësojmë dhe falënderojme më të mirët e futbollit shqiptar. Trajnerë, futbollistë e arbitra. Ata me punën e përkushtimin, janë shembulli më i mirë për fëmijët e të ardhmen e tyre sportive.
Duke qenë se jemi në kohë festash, dua t’iu uroj Gëzuar Vitin e Ri 2024, shumë shëndet, dashuri e të mira në jetët tuaja. Ju ftoj të gjithëve të jemi më pranë futbollit, më pranë skuadrave të zemrës, më pranë kombëtares shqiptare dhe ta mbështesim atë në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.
Mirënjohje për ju! Falënderime për ju! Urime për ju! Kjo mbrëmje meriton emrin e të gjithë juve.
Discussion about this post