Arratisja e 38-vjeçarit Altin Ndoci ndodhi pas një planifikimi disa mujor të detajuar.
Fillimisht i paraburgosuri me një skedë të rëndë kriminale nga SPAK ndërtoi një fabul për një sëmundje akute që e detyronte policinë e burgjeve ta çonte në spitalin e Durrësit dhe jo në spitalin e burgjeve në Tirane. Me pretendimin e krizave në veshka, Ndoci shkoi disa herë në repartin infektiv të spitalit të Durrësit, ku identifikoi hapësirat që do t’i hapnin dyert e arratisë këtë të martë, me ndihmën e bashkëpunëtorëve që e morën me makinë nga ku humbi gjurmët.
Teksa Ndoci me rrezikshmëri të lartë shoqërore endet i lirë, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, firmosi të mërkurën shkarkimin nga detyra të drejtorit të Burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, dhe të gjithë zinxhirit komandues i këtij institucioni. Po ashtu, në pranga kane rënë 8 persona, që sipas Prokurorisë janë përgjegjës për arratisjen e tij. Zv.shefi i Policisë së Burgut të Durrësit, Desdemon Pazaj, shefja e informacionit, Violeta Uka, dhe 5 efektivët që shoqëronin Altin Ndocin ranë në pranga. Po ashtu, u arrestua edhe kryeinfermieri Aulon Çuko.
Punonjësit e policisë së burgjeve akuzohen se nuk kanë zbatuar detyrën, duke mos i vendosur prangat Ndocit në momentin e shoqërimit. Ndërkohë, Aulon Çuko është ndaluar, pasi dyshohet se ka plotësuar fiktivisht dokumentacionin mjekësor, ku paraqitej se Altin Ndoci vuante nga probleme me veshkat, duke justifikuar nevojën për kryerjen e vizitës në ambientet spitalore.
Një kërkesë për të shkuar në tualet pas vizitës ka qenë pikënisja e planit të arratisjes, ku pasi ka shtyrë policin që e shoqëronte, Ndoci ka dalë nga ambientet e spitalit në parking, ku e priste një automjet Audi dhe një mjet tjetër që e shoqëronte. Policia po punon me kamerat e sigurisë për të zbuluar me tej itenerarin e tij. Gjurmët e fundit janë kapur në Spitallë, ku kamerat kanë kapur mjetin me të cilin ai kreu arratisjen.
gijotina.com/










Discussion about this post