Policia italiane ka arrestuar në qytetin e Astit 37-vjeçarin Aldo (Aleksandër) Baho, nga Elbasani, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare për përfshirje të dyshuar në një grup të strukturuar kriminal dhe ndërmjetësim për një vrasje të mbetur në tentativë.
Arrestimi i Bahos i njohur me nofkën ‘sakati’ u krye në kuadër të operacionit “The Wanted”, pas bashkëpunimit mes Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit dhe Guardia di Finanza në Pisa.
Baho dyshohet se në vitin 2022, në kuadër të grupit kriminal ku bënte pjesë, ka ndërmjetësuar për vrasjen e shtetasit me inicialet L. M., krim i cili mbeti në tentativë.
Njoftimi i policise
Finalizohet një tjetër fazë e operacionit “The Wanted”, në bashkëpunim me homologët italianë. Kapet në Itali, 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, pjesëtar i një grupi kriminal, i dyshuar për ndërmjetësim për një vrasje të mbetur në tentativë.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm ndërmjet specialistëve të Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, dhe shërbimeve të GdF-së në Pisa, Itali, u kap në Asti, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar A.(A.) B., 37 vjeç, lindur në Elbasan.
Më datë 29.09.2026, GjKKO-ja i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Në vitin 2022, shtetasi A.(A.) B. dyshohet se në kuadër të grupit kriminal ku bënte pjesë, ka ndërmjetësuar për vrasjen e shtetasit L. M., krim i cili mbeti në tentativë.
Më 29 shtator 2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja”, e mbetur në tentativë, e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Aleksandër Baho është një emër i njohur për policinë shqiptare dhe atë italiane .Ai është konsideruar si krahu i djathtë i Endrit Alibejt, i njohur me nofkën “Tarzani”, i cili u ekzekutua së bashku me xhaxhain e tij dhe një shtetas turk në dhjetor të vitit 2018, në ngjarjen e njohur si masakra e Bradasheshit.
Baho ka qenë edhe vetë objektiv i një atentati. Më 13 shkurt 2016, ai u sulmua në Itali dhe pësoi dëmtime të rënda shëndetësore. Sipas raportimeve mediatike, pasojat e atentatit i kanë shkaktuar aftësi të kufizuara.
Ai është ndaluar edhe më parë në Shqipëri, nën dyshimet për përfshirje në disa vepra penale, përfshirë edhe vrasjen.
Aktualisht, Interpol Tirana dhe Interpol Roma po vijojnë procedurat për ekstradimin e 37-vjeçarit në Shqipëri, ku ai do të përballet me akuzat për të cilat Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë.










Discussion about this post