Anëtari demokrat i Këshillit Bashkiak Tiranë, Dorian Teliti, foli për arrestimin e drejtorëve të Bashkisë Tiranë, për dosjen “5D”.
Në një lidhje për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se do ishte në nderin e kryebashkiakut Erion Veliaj që të mbante qëndrimin e tij për arrestimin e drejtorëve të përgjithshëm, për të cilët tha se janë krahët e kryetarit të bashkisë dhe më të lartë pas tij.
Teliti kërkoi dorëheqjen e Veliajt.
“Duhet të dalë përballë qytetarëve shqiptarë dhe të mbajë qëndrimin e tij, distancohet apo jo, ka qenë në dijeni apo jo, a ndjen përgjegjësi ligjore, a ndjen përgjegjësi politike, për ta që sot janë denoncuar jo për një procedurë por për dhjetëra. Drejtori që i jep firmës së vetë, dhe fusin të afërmit e tyre si ofertues, kemi shpërdorim të financave vendore dhe kryetari i bashkisë duhet të dalë përballë gjithë qytetarëve dhe të thotë çfarë mendon ai për këtë situatë. Minimalisht duhet të dorëhiqet, nuk është afera e parë, kemi aferën e inceneratorëve dhe shumë afera të tjera, se jemi në mandatin e tretë të Veliajt në krye të bashkisë Tiranë. Përgjegjësinë penale nuk e japim ne, e japin institucionet e drejtësisë, por ne presim që të mbajë përgjegjësinë politike.
Fakti qe kemi denoncuar 11 muaj më parë me këtë kompaninë e famshme “5D”, jemi të kënaqur që janë marrë hapat e parë për ndëshkimin e personave përgjegjës, se ne nuk jetojmë në një republikë drejtorash, por në një republikë parlamentare. Nuk janë drejtorët ata që vendosin, por janë kokat e larta dhe peshqit e mëdhenj të politikës që marrin vendime. Në rast se janë 29 procedura prokurimesh publike, pa përfshirë këtyre lejet e pallateve që janë dhënë ndaj kësaj firme dhe pa përfshirë lejen e hotelit prej 15 milionë euro investim dhe këtu nuk ditkan asgjë as kryetari i bashkisë, as kryetari i KKT që është kryeministri, më vjen keq, por unë nuk jetoj në një republikë që drejtohet nga drejtorët, drejtësia duhet të shkojë te përgjegjësit e vërtetë, kryeministrat, ministrat dhe kryetarë bashkish.
Kur doli lajmi i vendimit të GJJKKO për arrestimin e ish-zyrtarëve të lartë ne ishim në mbledhje të Këshillit Bashkiak, ne pamë që pasi kryebashkiaku mbajti fjalën u distancua nga mbledhja dhe do ishte në nderin e tij të distancohej të jepte qëndrimin e tij dhe të shkëmbenim këndvështrimet tona. Patjetër që nuk bëhet vetëm nga drejtorë, duhet bashkëpunim dhe nga stafet. Ne informacion zyrtar që kemi kërkuar në Bashkia Tiranë, shumicën e rasteve nuk marrim përgjigje se s’duan të zbulohen. Që mund të ketë persona të tjerë përfshirë, patjetër që po. Procedura të tilla kanë me dhjetëra persona që përfshihen. Vendimmarrësit kryesorë janë ata që janë në nivel politik. Ata janë përgjegjësit kryesorë për ekipet që zgjedhin.
Pranë PD është ngritur një grup ekspertësh që nuk merret vetëm me këtë praktikë por është marrë me shumë praktika të tjera, sa herë që konstatojmë i denoncojmë publikisht dhe informacionet që i gjykojmë si vlerë e shtuar për hetimet, i dorëzojmë në SPAK. Uroj shumë që do bëhet drejtësi, ne duam drejtësi që do bëjë drejtësi. Rasti 5 D, inceneratori, janë provat e vërteta nëse do bëjë drejtësi. Apo nëse janë thjeshtë disa zyrtarë që kanë ndërruar ngjyrat e kollares”,
Dosja “5D” çoi pas hekurave ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranë dhe biznesmenë, si Mariglen Qato dhe Redi Molla të cilët i dhanë tendera kompanisë së tyre.
Masa e arrestit në burg është firmosur për ish-drejtorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë Mariglen Qato dhe për ish-drejtorin e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, Redi Molla. Gjithashtu masa e sigurisë arrest me burg është lëshuar dhe për Taulant Tushën, i cili ndodhet tashmë në burg për aferën me inceneratorët.
Masa e sigurisë “detyrim paraqitje” është lëshuar për Eglantina Zere, Enton Punavia, Debora Keçi, Nestor Muhametllari, Julian Zanaj dhe Albano Janku.
Discussion about this post