GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Breaking Views

Artan Sako ndërtoi “Qukës- Qafë Plloçë” që u shemb, Gentian Gjyli i dha edhe 330 MLN lekë për mirëmbajtjen e saj

15:04 - 27/11/25
në Breaking Views, Fact-Checking & Analize, Kryesore2, Të fundit, Të Gjitha
Kohë leximi: 8 min
A A
Artan Sako ndërtoi “Qukës- Qafë Plloçë” që u shemb, Gentian Gjyli i dha edhe 330 MLN lekë për mirëmbajtjen e saj
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Edhe pse nën hetim, ish-drejtori i ARRSH (i pezulluar para disa ditësh nga SPAK) ka firmosur një tender korruptiv që do t’i kushtojë rëndë në dosjen e përbashkët me zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Agjencia e Prokurimit Publik publikoi dje kontratën e tenderit të mirëmbajtjes së Rrugës Qukës-Qafë Pllocë. Tenderi është bërë qysh më 28 tetor 2025, një muaj pasi u inaugurua rruga.

Tenderi

Shkelja që shkëlqen si diamant është se paratë e mirëmbajtjes i jepen sërish kompanisë 2T me pronar Artan Sakon që ka ndërtuar rrugën! Ndërkohë, që rruga u shemb, Gentian Gjyli ka vazhduar me programin që i ka dhënë ish-shefja e tij Belinda Balluku dhe e ka shpallur fitues Artan Sakon.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, pavarësisht se rruga është shembur dhe kërkon rindërtim, i drejtohet kompanisë “2 T” shpk të Artan Sakos, që të paraqitet për të nënshkruar kontratën. Po ashtu njoftohet edhe subjekti mbështetës “APIS CONSTRUCTION” shpk, e cila në fakt nuk është gjë tjetër, por filial familjar i Sakove.

Ky drejtori u ngjan personazheve të një filmi komik, ku disa ushtarë japonez, shumë vjet pas mbarimit të Luftës II Botërore, qëndronin në llogore në një ishull të Paqësorit dhe vazhdonin “luftën”, se nuk e dinin që Japonia kishte kapitulluar.

Më konkretisht, kontrata ka si objekt “Mirëmbajtje me performancë e segmentit rrugor Qukës – Qafe Plloçë” me fond limit: 31,819,342 lekë, pa TVSH. Vlera është përllogaritur edhe me monedhën evropiane 328,406.87 Euro pa TVSH. Kohëzgjatja e marrëveshjes kuadër ose afati për zbatimin e saj është 12 muaj.

Tenderi i paracaktuar për Sakot

Haptazi ky tender ka qenë i paracaktuar për kompaninë e kryetarit të Bashkisë Tepelenë, Gramos Sako, që është në emrin e vëllait të tij Artan Sako.

Sipas dokumenteve të tenderit, kompania e Sakove është shpallur fituese megjithëse kishte ofertë më lartë se kompanitë e tjera pjesëmarrëse. Komisioni i ka skualifikuar ofertat më të ulëta dhe ia ka dhënë tenderin Sakove pa meritë.

Kështu operatori ekonomik “REJ” shpk ka bërë ofertën 24,334,300.00 Lekë pa TVSH.

Kompania fituese “2T” e Sakove ka bërë ofertën me vlerë 29,359,200.00 Lekë pa TVSH.

Firma “ALB-BUILDING” shpk ka propozuar ta bëjë mirëmbajtjen me 26,311,400.00 Lekë pa TVSH. Po ashtu  “DELTAREX” shpk ka ofertë më të ulët, 23,864,516.00 Lekë pa TVSH.

Ndërsa operatori ekonomik “RSM COMPANY” shpk ka ofertën 21,385,400.00 Lekë pa TVSH.

Punimet e Sakove pa cilësi, shembet rruga

Shembja e lotit 3, segmentit më të kushtueshëm të rrugën Qukës-Qafë Pllocë, vetëm një muaj pas inaugurimit, nxjerr në pah korrupsionin me paratë e tenderit.

Ndërtimi i segmentit është bërë nga kompania “2 T” shpk, që zotërohet me letra nga vëllai i krybashkiakut të sapozgjedhur të Tepelenës, Gramos Sako (ish komandanti i Gardës).

“2T” shpk bashkë me firmën arabe “Raëafed Al Torok” morën rreth 75 milionë dollarë për të ndërtuar segmentin 9.5 kilometër të lotit 3.

Në vitin 2014, Parlamenti miratoi marrëveshje e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për Financimin e Projektit të Ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan – Qukës – Qafë e Plloçës”.

Rruga Qukës-Qafë Pllocë u tenderua e ndarë në tre loti. Loti 3, i cili përfshinte një gjatësi totale prej 9.5 kilometrash, fillimisht ishte parashikuar të kushtonte 25 milionë dollarë. Por paratë për këtë lot firuan shpejt dhe tre vjet më vonë, Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkoi dyfishimin e fondit.

“Me shkresën nr.120, datë 22.01.2017, Drejtori i Njësisë së Menaxhimit të Projektit i ka kthyer përgjigje Kordinatorit të Projekteve të Huaja me tabelën financiare duke e vënë në dijeni se shuma e akorduar nga Fondi Saudit për Zhvillim arrin vlerën 25 milionë USD dhe vlera e kërkuar për përfundimin e projektit është 49,3 milionë dollarë, e konfirmuar edhe nga shkresa me nr.ref A2014-02/2017-75 e Konsulentit,” zbuloi një auditim i kryer nga KLSH.

Fillimisht, ministria e Financave dhe Ekonomisë me shkresën nr. 23447/3 prot., datë 17.06.2020, i kërkoi Fondit Saudit për Zhvillim një kredi në shumën 49 milionë USD për plotësimin e financimit të Lotit 2 në rrugën, Qukës Qafë Pllocë. Por vetëm një javë më vonë ndryshoi kërkesën dhe mori vetëm gjysmën.

Me shkresën nr. 23447/3 prot., datë 25.06.2020, MFE i kërkoi Fondit Saudit për Zhvillim një kredi, por këtë herë në shumën 25 milionë USD për përfundimin e Lotit III.

Por 6 muaj më vonë, kostoja ndryshoi sërish dhe u rikthye tek varianti fillestar. Me shkresën nr. 17876/5 prot., datë 18.12.2020, MFE i kërkon Fondit Saudit për Zhvillim edhe 24 milionë të tjera për financimin e plotë të Projektit (Loti III).

Shtesa prej 25 milionë dollarësh krahasuar me koston fillestare u kërkua pikërisht me motivacionin e stabilizimit të skarpatave të rrugës, ato që u shembën vetëm një muaj pas përurimit të rrugës nga Belinda Balluku.

Rënia e rrugës në lotin 3, ishte paralajmëruar pak muaj më parë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në një raport auditimi, KLSH konstatonte se projektzbatimi për lotin 3 ka rezultuar me mangësi të theksuara.

“Trupi i rrugës sipas projektit origjinal është dhënë kudo i njëjtë, duke mos llogaritur zgjerimet e nevojshme të rrugës, kryqëzimet, vend parkimet, sistemet e kullimit dhe drenazhet, si dhe përforcimin e trupit të rrugës. Paketa e shtresave rrugore është projektuar uniformë, pavarësisht formacioneve gjeologjike-gjeoteknike, kur rruga është në gërmim apo mbushje,” thuhej në raportin e KLSH.

 

Sipas raportit, vizatimet e rrugës nuk përputheshin me udhëzimet e raportit gjeoteknik, përsa i takon kategorisë së gërmimeve të shpateve dhe ndërkohë nuk ishte parashikuar ndërtimi i mureve gabione si masë mbrojtëse për parandalimin e rrëshqitjeve.

“Nga verifikimi në terren rezultoi se pjesa më e madhe e materialit shkëmbor i cili del nga gërmimet e skarpatave është i papërdorshëm pasi copëzohet dhe shkriftohet në prezencë të agjentëve atmosferik. Ky fenomen do të krijojë probleme serioze edhe në lartësinë e skarpatave, pasi do të krijohen fenomene të rrëshqitjes së tyre, sidomos për faktin se për këto skarpata nuk është parashikuar asnjë fenomen mbrojtjeje për rrëshqitje të tyre,” paralajmërohej në raportin e KLSH-së.

Sakot përbindësha të tenderave!

Paralelisht me këtë tender, Sakot morën nga Belinda Balluku tenderin 4.3 miliardë lekë të Ujësjellësit të Lushnjes, që është në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës. Më 30 tetor 2025, kompania “2T” shpk, u shpall fituese megjithëse kishte ofertë më të lartë se konkurrentët.

Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Stacioni i ri i pompave në Gajde, dublim pusi, depo e re dhe plotësim i linjave të dërgimit për njësitë Fiershegan, Allkaj (Cukas, Toshkëz) Krutje (Fier i Ri) Bubullimë Imsht’’. Procedura mori “Flamur të kuq” nga Open Data Albania, që sinjalizon riskun e korrupsionit.

Nga njëra anë kompania “2T” e menaxhuar nga Artan Sako, vëllai i Gramoz Sakos, më 29 maj 2024, u përjashtua me 6 muaj nga tenderat për mashtrime, sërish vazhdoi të përfitojë buxhetin e shtetit. Kështu, Ujësjellësi i Vlorës do t’i jepte kësaj kompanie në 16 tetor 2024 tenderin me objekt “Ndërtim i Rrjetit të Kanalizimeve nga Lungomare deri në hyrje të Radhimës, Vlorë”, punë të cilën akoma nuk e ka mbaruar. Fondi i dhënë, sipas kontratës është 324 329 691,00 lekë. Edhe ky tender është shënuar me “Flamur të kuq”.

Në të njëtën datë me këtë tender, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, “2T” shpk do të merrte tenderin “Ndërtimi i dhomës frigoriferike kufomambajtëse” me fond limit 99 891 705,00 lekë pa TVSH. Ky tender është zhvilluar me vetëm një pjesëmarrës, që ishte kompania e Sakove.

2T është pjesë e dosjes së koncesionit të Sterilizimit, pasi është nënkontraktuar nga kompania koncensionare SaniService pa miratimin e autoritetit kontraktor, Ministria e Shëndetësisë, veprim që ngarkon me përgjegjësi edhe Ogerta Manastirliun, e cila duhet të monitoronte zbatimin e kontratës.

Edhe pse e themeluar në vitin 2000, kompania nisi të shfaqej si fituese e tenderave të mëdhenj publikë në vitin 2013, pas ndryshimit të pushtetit. Këtu shfaqet ndikimi i Gramoz Sakos do të bëhej Komandant i Gardës së Republikës.

Nga viti 2019 dhe më pas kompania do të kishte  me një xhiro vjetore mbi 25 milionë USD. Nga viti 2015 deri në vitin 2022, kompania 2 T ka marrë mbi 170 milionë euro tendera, kryesisht në bashkëpunim me kompani të tjera.

Nga 70 tendera me vlerë mbi 170 milionë euro, 1/3 e tenderave figurojnë me flamur të kuq, që do të thotë pa garë, me garë formale ose duke përjashtuar të gjithë konkurrentët përveç fituesit.

Kompania e vëllait të ish-kreut të Gardës Sako, 2T shpk, e Artan Sakos, rezulton: mbajtëse e 2 koncesioneve; përfituese e të paktën 90 milionë eurove nga tenderat; përjashtuar nga e drejta për të fituar kontrata publike me anë të vendimit e APP-së nr.49, datë 29 Maj 2024, si rezultat i keqinformimit me qëllim kualifikimin në 3 tendera, por pas një muaji ky vendim u pezullua deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata; përfituese e 3.5 milionë euro nga koncesionari i sterilizimit e po në të njëjtën periudhë Artan Sako nëpërmjet kompanisë 2T ka marrë edhe 780.000 euro për konsulencë.

Së fundmi 2 T Shpk u shpall fituese si pjesë e bashkimit të operatorëve për tenderin 3.9 milionë euro prokuruar nga SPAK me objekt: ‘Ndërtim dhe rikonstruksion për godinën e re të SPAK’. 2 T shpk aktualisht është investuar në proces zbatimi në të paktën 8 kontrata paralele në vlerë totale 44.7 milionë euro, të lidhura me ARRSH, FSHZH, Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Lushnjë.

Ndërkohë Dokumentet Standarde te Tenderit, tek shkaqet e përjashtimit, detyrojne operatorët të paraqesin vetëdeklarim për mosangazhimin e Kapaciteteve Teknike në Kontrata të tjera. Sigurisht që komisionet e tenderave nuk kanë bërë asnjë verifikim të kapaciteteve të kompanisë së vëllezërve Sako, por u ka dhënë kontratat pa plotësuar kriteret.

Kompania familjare mbledh punët e lëna nga Sakot

Duke u kthyer tek tenderi i mirëmbajtjes së rrugës së shembur, subjekti mbështetës “APIS CONSTRUCTION” SHPK është një kompani e themeluar në vitin 2014, fillimisht me emrin Global Service Consulting, nga Besnik Binjakaj. Pas regjistrimit, firma kaloi në status pasiv në QKB. Në këtë status qëndroi për plot 7 vite dhe u bë active në vitin 2022. Në qershor të këtij viti, Besnik Binjakaj vendosi që t’ia dhurojë aksionet e tij Ervin Tartarajt. Ky i fundit është një emigrant që jeton në Itali, pronarët e vërtetë janë në Shqipëri.

Kjo do të vërtetohej vetëm pak muaj më vonë. Fillimisht kur administratore e kompanisë u caktua Gloria Taçe. Më vonë Taçe u bë aksionere me 50 për qind, dhe pak muaj më vonë i shiti sërish aksionet tek Tartaraj.

Pronari i vërtetë i APIS, është Sibjon Çobaj. Gloria Taçe, e cila figuron si administratore e kompanisë është bashkëshortja e tij. Zoti Çobaj është nipi i Sakove. Ai zotëron një rrjet kompanish, përmes të cilave ka krijuar një zinxhir të zhvatjes së fondeve publike.

Njëra prej tyre është Sire Alb, e cila bën projektet e punëve publike, që më pas përfundojnë në duart e Apis dhe 2T. Nga 7 milionë lekë në vitin 2022, xhiro e Apis vitin e kaluar kërceu në 86 milionë lekë, ose gati 900 mijë euro, duke u rritur me 10 herë vetëm në harkun kohor të dy viteve.

Kujtojmë se biznesmeni Artan Sako është person që po hetohet nga SPAK bashkë me drejtorin e ARRSH, Evis Berberi, në lidhje me tenderin e ndërtimit të rrugës Qukës-Qafë Plocë.

©️Copyright Gijotina.com

Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Lajme të lidhura

“Mos na i merrni fëmijët”, Nëna e Martin Canit reagon pas vdekjes së adoleshenti në Durrës
Aktualitet

“Mos na i merrni fëmijët”, Nëna e Martin Canit reagon pas vdekjes së adoleshenti në Durrës

23:17 - 04/12/25
Skema e Ballukut dhe Berberit për “qethjen” e tenderave energjisë, përfituese “Net Group”, miliona euro edhe kompanisë së sanksionuar nga SHBA
Breaking Views

Skema e Ballukut dhe Berberit për “qethjen” e tenderave energjisë, përfituese “Net Group”, miliona euro edhe kompanisë së sanksionuar nga SHBA

22:25 - 04/12/25
Salianji i kundërpërgjigjet Berishës: Takimet i kam bërë me strukturat, PD të riformatohet
Breaking Views

Salianji i kundërpërgjigjet Berishës: Takimet i kam bërë me strukturat, PD të riformatohet

22:10 - 04/12/25
Para
Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Ilir Metës, do vazhdojë të qëndrojë në qeli

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Ilir Metës, do vazhdojë të qëndrojë në qeli

Discussion about this post

TË FUNDIT

“Mos na i merrni fëmijët”, Nëna e Martin Canit reagon pas vdekjes së adoleshenti në Durrës
Aktualitet

“Mos na i merrni fëmijët”, Nëna e Martin Canit reagon pas vdekjes së adoleshenti në Durrës

23:17 - 04/12/25

Florina Cani, nëna e 15-vjeçarit Martinit, i cili u vra një vit më parë në Tiranë nga një bashkëmoshatar, ka...

Lexo më shumë
Skema e Ballukut dhe Berberit për “qethjen” e tenderave energjisë, përfituese “Net Group”, miliona euro edhe kompanisë së sanksionuar nga SHBA

Skema e Ballukut dhe Berberit për “qethjen” e tenderave energjisë, përfituese “Net Group”, miliona euro edhe kompanisë së sanksionuar nga SHBA

22:25 - 04/12/25
Salianji i kundërpërgjigjet Berishës: Takimet i kam bërë me strukturat, PD të riformatohet

Salianji i kundërpërgjigjet Berishës: Takimet i kam bërë me strukturat, PD të riformatohet

22:10 - 04/12/25
Salianji me ironi ndaj Berishës: Rama nuk ikën me muzikë poshtë zyrës

Salianji me ironi ndaj Berishës: Rama nuk ikën me muzikë poshtë zyrës

21:58 - 04/12/25
“Doktor ke shumë servila rreth vetes”, Militanti i PD-Berishës: Në Lezhë jemi pa kryetar partie…

“Doktor ke shumë servila rreth vetes”, Militanti i PD-Berishës: Në Lezhë jemi pa kryetar partie…

20:50 - 04/12/25

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com