Dua të bëhem President! Pse mos të bëhem president? Masturbimi personal ka nisur me kohë dhe menjëherë ka shpërthyer satira. Të tërë janë çmendur dhe orgazma ka arritur maksimalen për këdo ndien se mund ta drejtojë këtë shtet. Mjafton një postim, një sondazh, më pas 20 hajvanë që komentojnë, dhe ja: Bac, u kry!
Pamfleti i fundit me objekt zgjedhjen e presidentit së fundmi ka ofruar një tjetër meny “free” në kohë krizash financiare e politike për këtë vend. Ka mbetur vetëm Zogu i Tiranës, Tan Mezja apo ndokush tjetër që nuk ka shpallur veten si kandidat potent për presidentin e ardhshëm të vendit. E në këtë pikë, mjeshtri sërish hodhi në turmën e madhe popull këtë diskurs, thjesht e vetëm për të çuar diku gjetkë në një destinacion asgjëje, procesin pa proces të Presidentit të ardhshëm të Republikës, madje duke fiksuar edhe 4 majin si seancën e parë të zgjedhjes. Satira është e madhe, gëlon aq shumë saqë vetë Rama dëfrehet, Lali ushqen dynjanë, Berisha bën zgjedhje të stilit të tij, teksa në anën tjetër inceneratorët flenë. Flenë madje aq shumë sa për një moment, si kauzë po shkon drejt agonisë. Sepse, i gjati përsëri zgjodhi të dëfrejë, dhe t’i japë një “diazepan” ndryshe pjesës së incenerimit të plehrave që prodhoi politika, por që paguan ky popull.
437 milionë euro, të cilat dalin edhe në kohë lufte nga xhepat e shqiptarëve, që gjithsesi këtë pjesë e lanë mënjanë, pasi po zbaviten me “lodrën” tjetër të Ramës, peshkimin për presidentin. Dhe menjëherë gallata e madhe nisi. Shikon e lexon emra nëpër faqe të ndryshme Facebook-u që vetëofrohen për të drejtuar shtetin. Gdhihen e ngrysen me shpresën se bëhen, dhe se ky vend do i bëjë, por që në fakt i ka zhbërë. Të tërë janë qelibar dhe me parime, të pastër dhe me standarde, dhe e duan karrigen që do lërë Meta për pak muaj. Kanë mbetur vetëm marangozët, parukierët, apo edhe berberët pa ofruar kontributin e tyre legjitim për ta bërë këtë vend. Në fakt, merita e Ramës është fakti se, përveçse spostimit të vëmendjes së gropës së tij me inceneratorët, ofron FREE për dynjanë edhe këtë laborator të çmendur që prodhon kandidatë për të zëvendësuar Ilir Metën që ka shkuar deri në 70 medalje në javë, që nga Nderi i Kombit e deri te Urdhri i Kalorësit, duke i dhënë një impakt të shkëlqyer industrisë së teneqeve, për të ngritur sado pak GDP-në.
Spektakli është spektakolar, me një marzh masturbimi të paparë dhe me një fund të njohur: Një emër tjetër krejtësisht nga politika dhe plotësisht epruvetë e saj do të kalojë për votim. Këta të tjerët, nacionalistët dhe fryma e votuar në postimet pas postimit do të mbesin thjesht e vetëm, pishtarë të pishtarit të madh! Të gjithë duan të bëhen Presidentë! Audicioni ka nisur. Të tërë shkruajnë e lagen me kënaqësinë që po, e meritojnë dhe populli i do, por askush nuk shkruan qoftë edhe një gërmë nëse kanë 20 firmat e deputetëve për të qenë kushtetueshmërisht pjesë e procesit. Të gjithë shkruajnë e ulërasin me të madhe që Kushtetuta do të jetë fanari i tyre, por në asnjë gërmë nuk gjen se si do të shkojnë deri aty për votim. Një idiotësi e gatuar në një kuzhinë ku “majasëlli” është rreziku kryesor pas një menyje të ashpër. Presidenca tashmë është spostuar në facebook. Dhe Rama rri e vështron krijesën e tij të radhës, atë të spostimit të hajvanëve drejt një asgjëje pa asgjë.
Discussion about this post