Oligarku i sigurimeve Avni Ponari gllabëron me tender pa garë fondin e ushtrisë për sigurimin e makinave. Megjithëse autoritet kontraktues është Komanda e FA, tenderi është organizuar nga Operatori i blerjeve të Përqendruara, një institucion që varet nga ministri Blendi Gonxhe.
Bëhet fjalë për prokurimin nga Komanda Mbështetëse e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura me objekt “Sigurim i detyrueshëm i mjeteve motorrike të Komandës Mbështetëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura” Për këtë qëllim komanda ka në dispozicion Fondin Limit 11 874 204,00 lekë.
Dyshimet se tenderi është i kurdisur
Ky tender ishte anuluar një herë më parë, pasi ishte shpallur më 15 shtator 2025 dhe duhet të ishte mbajtur më 25 shtator. Nuk mundëm të mësojmë arsyet e anulimit të tenderit, por kjo ishte shenja e parë se procedura po zhvillohej pa transparencë.

Tenderi është rishpallur më 31 tetor 2025 nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara dhe duket se ka qenë i paracaktuar që ta fitojë kompania “SIGAL” e Avni Ponarit.

Shoqëria e Avni Ponarit ka bërë ofertën sa 99.99% e fondit limit. Sipas dokumenteve operatori ekonomik “SIGAL INSURANCE GROUP” sh.a., e ka ofruar shërbimin me 11,823,366.50 Lekë pa TVSH.
Në tender ka marrë pjesë edhe “SIGMA VIENNA INSURANCE GROUP” sh.a. që ka bërë ofertë më të ulët: 11,764,993 Lekë pa TVSH.

Mirëpo SIGMA është skualifikuar nga komisioni i vlerësimit të ofertave dhe kështu, fituesi është shpallur Avni Ponari. Tenderi duhej të ishte anuluar sërish, sepse oferta e Avni Ponarit është shumë e lartë dhe nuk mund të ketë garë me vetëm një operator. Por përpara oligarkut, OBP e Blendi Gonxhes nuk e diskuton vendimin.

Tenderi “sekret” 600 MLN lekë për sigurinë e Kryeministrit
Muajt e fundit është vënë re se oligarku Avni Ponari po merr pa garë shumë kontrata nga institucionet shtetërore.
Sic kemi raportuar më herët, oligarku i sektorit të sigurimeve ka marrë një kontratë të rëndësishme nga komandanti i Gardës së Republikës, Simon Zereci! Duhet sjellë një makinë e blinduar për sigurimin e kryeministrit Rama gjatë lëvizjeve të tij në rrugë tokësore. Në kontratë nuk përmendet emri i kryeministrit, por kuptohet, se një makinë e tillë që nuk është blerë ndonjëherë në Shqipëri, nuk mund të jetë për ndonjë personalitet tjetër.
Tenderi me tre lote, u nis më 11 mars 2023, nga ish-komandanti Onuzi që largua duke i lënë vendin Zerecit. Ky i fundi i ka fimosur kontratat më 27 tetor 2025. Për lotin 3, që ka për objekt super makinën, është paracaktuar kompania e Avni Ponarit. Lloji i prokurimit është “Procedurë e kufizuar mbi kufirin e lartë monetar”. Nga ana tjetër, duke qenë se flitet për sigurinë e udhëheqësit, tenderi është bërë sipas rregullave të prokurimit të fushës së sigurisë. Më konkretisht, është një tender sekret, ku ftohen kompani të caktuara. Megjithëse në këto procedura duhen ftuar të paktën dy opeatorë pjesëmarrës, Zereci ka thirrur vetëm Avni Ponarin. Tashmë kontrata është firmosur dhe pritet të vijë makina.
Sipas dokumenteve, afati për dorëzimin e mjetit është 2 vjet. Kjo do të thotë se mjeti special po bëhet me porosi nga fabrika dhe do të jetë unik.
E ku mund të gjendej njeri më i besuar se sa Avni Ponari për të sjellë një makinë për sigurinë e kryeministrit?! Prandaj tenderi është bërë me një pjesëmarrës, Avni Ponarin, me një ofertë dhe është mbajtur në mënyrë sekrete.
Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin e Gardës së Republikës Loti III: “Automjet 4X4 (S2) për eskortat e grupeve të shoqërimit të Personaliteteve të Lartë Shtetërore-”, me fond limit prej 49,500,000 lekë pa TVSH ose 498,640.07 Euro pa TVSH

Sipas dokumenteve, vlera totale përfundimtare e kontratës është 49,200,000 lekë pa TVSH, ndërsa me TVSH shifra e fiksuar mes palëve është 59,040,000 lekë.
Avni Ponari merr 700 milionë lekë qyl nga Ilirjan Celibashi, do të sigurojë votimin elektronik
“Sigurimi i disa sistemeve të informacionit dhe komunikimit që i shërbejnë aplikimit të teknologjisë në zgjedhje”, kështu quhet kontrata mes Ilirjan Celibashit dhe Avni Ponarit. Nuk dihen detajet e prokurimit, se cilat lloje të dëmeve mbulon Sigali, dhe në cilën masë do të jetë dëmshpërblimi. Po ashtu nuk dihet se kush e konstaton ngjarjen dhe si bëhet vlerësimi. Gjithsesi kontrata është lidhur tashmë dhe Thesari i Shtetit do të ketë bërë xhirimin e parave në llogarinë e Sigalit.
Më 17 shtator 2025 është shpallur fituesi dhe palët kishin 5 ditë kohë që t’i firmosnin letrat.
Tenderi nuk ka pasur nevojë të bëhet, pasi kompanitë e sigurimit funksionojnë së bashku si një kartel dhe cmimet i vendosin me marrëveshje. Në këtë tender ka marrë pjesë “SIGAL UNIQA Group AUSTRIA” sh.a me ofertën 68,615,960 lekë pa TVSH; “INSIG” sh.a, me vlerë 69,659,948 lekë pa tvsh dhe “SIGMA VIENNA INSURANCE GROUP” sh.a, me propozimin 69,664,953 lekë pa tvsh. Janë oferta të përafërta, që tregojnë funksionimin në formë kërteli të shoqërive të sigurimit.

Rriten fitimet, ulen pagesat e dëmeve për qytetarët
Nga ana tjetër, megjithëse oligarku Avni Ponari po rrit të ardhurat në arkën e tij, pagesat e dëmeve ndaj qytetarëve të siguruar janë ulur këtë vit në mënyrë drastike.
Kështu, sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, të firmosura nga drejtoresha Mimoza Kaci, dëmet e paguara nga SIGAL në zërin “sigurimi i Jo jetës”, në periudhën janar tetor 2028 janë 1,508,031000 lekë. Ndërsa në 2024 për të njëjtën periudhë u paguan 1,593,237000 lekë. Pra, diferenca është me uljen 5.3% të pagesave.
Megjithëse zë vendin e parë në tregun e sigurimeve, kur vjen puna tek dëmet e paguara të sigurimit motorik, kompania e Avni Ponarit zbret në vendin e dytë me 19.33% të tyre.
Po ashtu, ka një zbritje të totalit të dëmeve të paguara me 15.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkaq, në janar-tetor 2025 ka një rënie të dëmeve të paguara nga SIGAL në zërin MTPL e brendshme prej 2.76%. Akoma më e dukshme është tendenca në ndarjen e kartonit jeshil, ku SIGAL merr 25% tregut dhe qëndron në vendin e parë për të ardhurat, ndërsa për pagesat e dëmeve zbret në vendin e dytë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në janar 2025 ka një ulje të pagesës së dëmeve të zërit “kartoni jeshil” me 53.28%.
Këto të dhëna duhet të ishin baza e vlerësimit nga komisioni i tenderit për sigurimin e makinave të ushtrisë, sepse kjo shoqëri e ka treguar që realisht nuk paguan vlerën e dëmeve, pa llogaritur zvarritjet.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.









Discussion about this post