Avokatura e Shtetit, institucioni kyç që ka për detyrë mbrojtjen juridike të interesave të shtetit shqiptar, rezulton ndër institucionet me impaktin më të lartë negativ financiar për buxhetin.
Sipas të dhënave të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), ky institucion renditet i dyti, pas Doganave, në listën e institucioneve që kanë shkaktuar dëmin më të madh financiar, pjesë e rreth 1 miliard lekëve të kategorizuara si të ardhura të munguara.

Gjetjet e auditimit tregojnë për një sërë problematikash strukturore dhe funksionale në mënyrën se si Avokatura e Shtetit administron çështjet gjyqësore dhe detyrimet që burojnë prej tyre. Në vend që të funksionojë si një mekanizëm mbrojtës dhe parandalues për financat publike, institucioni duket se ka dështuar të minimizojë kostot që burojnë nga vendimet gjyqësore, veçanërisht ato ndërkombëtare.

Një nga problematikat më të theksuara lidhet me vonesat dhe mosveprimet në njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) dhe të arbitrazhit ndërkombëtar. Këto vonesa kanë sjellë pasoja direkte financiare, duke përfshirë penalitete dhe interesa shtesë, si dhe përdorim joeficient të fondeve publike.
Nga të dhënat rezukton se aktualisht janë në proces 6 çështje në GJEDNJ kundër Shqipërisë, me një vlerë potenciale dëmshpërblimi prej rreth 17.9 milionë euro. Nga ana tjetër, në arbitrazhin ndërkombëtar, shteti shqiptar përballet me një ekspozim financiar edhe më të lartë: vetëm 4 çështje të humbura arrijnë në një kosto totale prej mbi 180 milionë euro, pa përfshirë shpenzimet e gjyqësorit dhe përfaqësimit që kapin mbi 11.5 milionë euro.
Problemi nuk qëndron vetëm te humbja e çështjeve, por edhe te menaxhimi i tyre. Nga vendimet e arbitrazhit ku Shqipëria ka rezultuar fituese, vetëm një pjesë shumë e vogël është njohur dhe ekzekutuar në sistemin gjyqësor shqiptar, duke kufizuar përfitimet që mund të vinin në buxhetin e shtetit. Ndërkohë, në rastet kur shteti ka humbur, vonesat në ekzekutim kanë sjellë kosto shtesë në formën e interesave.
KLSH vë në dukje gjithashtu dobësi të theksuara në kontrollin dhe mbikëqyrjen e aktivitetit të avokatëve të shtetit. Inspektimet janë kryer në mënyrë të fragmentarizuar, të fokusuara tek individët dhe jo mbi performancën e zyrave në tërësi, duke mos garantuar transparencë dhe llogaridhënie efektive. Në të njëjtën kohë, sistemi elektronik i menaxhimit të dosjeve mbetet i paplotë, pa një panoramë të qartë mbi numrin dhe statusin e çështjeve, çka rrit ndjeshëm riskun për mungesë informacioni dhe vendimmarrje joefektive.
Edhe funksionimi i strukturave kolegjiale brenda institucionit ka rezultuar problematik. Këshilli Konsultativ për Çështjet e GJEDNJ-së dhe Kolegji i Avokaturës së Shtetit kanë zhvilluar pak mbledhje dhe nuk kanë përmbushur rolin e tyre në orientimin strategjik dhe këshillimin juridik, duke dobësuar kapacitetin e institucionit për të mbrojtur interesat e shtetit në mënyrë proaktive.
Në planin financiar dhe administrativ, situata paraqitet po aq shqetësuese. Mungesa e një strategjie të menaxhimit të riskut, mungesa e auditimit të brendshëm dhe e vlerësimit të performancës së stafit, si dhe problemet në ndarjen e detyrave për shkak të mungesës së burimeve njerëzore, krijojnë terren për keqmenaxhim dhe konflikt interesi. Vetëm gjatë periudhës së audituar janë ekzekutuar vendime gjyqësore për ish-punonjës në vlerën 5.6 milionë lekë, ndërsa janë konstatuar edhe pagesa të kryera pa dokumentacion të plotë, duke shkaktuar dëm ekonomik.
Në këtë kontekst, roli i Avokaturës së Shtetit si mbrojtës i interesave të shtetit vihet seriozisht në diskutim. Ligji e përcakton këtë institucion si ofruesin ekskluziv të asistencës juridike për administratën publike, duke përfshirë këshillimin dhe përfaqësimin në procese gjyqësore. Por të dhënat e auditimit tregojnë se në praktikë, mungesa e eficiencës, koordinimit dhe kontrollit ka prodhuar efektin e kundërt: rritje të kostove dhe ekspozim të lartë financiar për buxhetin e shtetit.
Gjetjet e KLSH-së nxjerrin në dukje nevojën urgjente për reformim të thellë të mënyrës së funksionimit të Avokaturës së Shtetit, duke filluar nga forcimi i kapaciteteve profesionale, përmirësimi i sistemeve të menaxhimit të çështjeve, deri te rritja e përgjegjshmërisë institucionale. Në të kundërt, rreziku që ky institucion të vijojë të jetë burim kostosh për financat publike mbetet i lartë.










Discussion about this post