Nga kjo e hënë të gjitha gjyqet në vend janë pezulluar për shkak të grevës së shpallur nga avokatët pas incidentit në sallën e gjyqit të Gjykatës së Elbasanit ku u arrestua avokati Ulian Barjami gjatë ushtrimit të detyrës së mbrojtjes së klientit të tij, Maksim Suçi, pjesë e një grupi personash të arrestuar për armëmbajtje.
Ai u ndalua pas një debati në sallën e gjyqit me prokurorin Gjergji Ceka, ku Barjami kundërshtoi provat e paraqitura ndaj klientit dhe deklaroi se do të kallëzonte prokurorin për falsifikim provash.
Më pas ndërhyri gjyqtarja Megi Strakosha, e cila paralajmëroi avokatin për gjuhën e përdorur në sallë.
Prokurori interpretoi këtë deklaratë si kanosje dhe kundërshtim ndaj tij, duke kërkuar ndalimin e avokatit.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë e ka cilësuar arrestimin si të paprecedentë dhe arbitrar, duke theksuar se fjalën e lirë të avokatit gjatë mbrojtjes gjyqësore nuk duhet të trajtohet si shkelje ligjore.
Ndërkaq këtë të hënë u urdhërua lirimi i avokatit Bajrami pas 48 orësh izolimi të tij në qeli.
Por Shoqata e Avokatëve Penalistë nën Drejtimin e Kryetarit Av. Saimir Vishaj mësohet se po përgatit një padi ndaj prokurorit dhe gjyqtares që ishin në sallë dhe që prangosën avokatin.
“Ne kemi 48 orë që ngremë zërin si Shoqata e Avokatëve Penalistë duke e dënuar veprimin e paprecedentë të Policisë së Elbasanit në radhë të parë, dhe të Prokurorisë së Rrethit Elbasan.
Nuk ka ndodhur kurrë që në seancë gjyqësore ose jashtë saj, avokati për arsye të mbrojtjes së tij ligjore të arrijë të bëhet me urdhër-ndalimi, apo Ndalim nga ana e Policisë Gjyqësore.
Ne jemi duke përgatitur një kallëzim si për oficeren e Policisë Gjyqësore, prokurorin dhe për gjyqtaren që ka qenë në seancën gjyqësore.
Eshtë rast rast i paprecedentë ndërsa të gjithë avokatët kanë kaluar në veprime ekstreme duke bojkotuar të gjitha seancat gjyqësore për 5 ditë përsa i përket seancave penale.
Megjithatë, lajm i mirë është lirimi i kolegut tonë sot, i cili është bërë me lirim të menjëhershëm nga Prokuroria e Elbasanit, e cila me këtë lirim shënoi një autogol sa i përket veprimeve të saj të kundërligjshme, sepse lirimi i menjëhershëm tregon që nuk ka fakt penal dhe ndaj avokatit nuk ka asnjë akuzë penale.
Sot ai është i liruar dhe kjo tregon që veprimet e Prokurorisë ishin amatore, të cilat ndikuan jashtëzakonisht keq mbi të gjithë trupën e avokatëve.
48 orë të mbash një avokat, t’i heqësh lirinë në mënyrë të jashtëligjshme pëbën vepër penale nga ai prokuror së bashku me gjyqtaren dhe me oficeren e Policisë Gjyqësore, ku ne si Shoqatë së shpejti do të paraqesim një kallëzim ndaj tyre për “Shpërdorim detyre”, pezullim nga të gjitha veprimtaritë qoftë të OPGJ-së, prokurorit dhe gjyqtares, e cila ka kërcënuar ajo avokatin për ta nxjerrë jashtë nga seanca për të marrë një avokat kryesisht.
Madje, mua më vjen keq për gjyqtaren, e cila ka babanë e saj të dënuar nga SPAK-u mbi 3 vjet për korrupsion dhe vazhdon të jetë në Gjykatë.
Ne duhet të analizojmë sot që të jesh prokuror apo gjyqtar në Republikën e Shqipërisë duhet të jesh në radhë të parë njeri me integritet dhe profesionalizëm, por edhe familja duhet të jetë një familje që ka besim në një masë të gjerë.
Por ti të gjykosh në Gjykatë me babanë të dënuar, pë mendimin tim kjo nuk shkon”, u shpreh ndër të tjera kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj gjatë intervistës së dhënë mbrëmjen e sotme në “Ora News”.
Rrethanat e Faktit:
Dje, më datë 17.10.2025, është zhvilluar seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Maksim Suçi etj., seancë e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, nga gjyqtarja Megi Strakosha, ku akuza përfaqësohej nga prokurori Gjergji Ceka.
Avokati mbrojtës i shtetasit Maksim Suçi, avokat Ulian Barjami, pasi konstatoi provën me video të parashtruar në seancë, ku klienti i tij nuk shfaqej aspak duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, deklaroi se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash ndaj prokurorit, pasi procesverbali me shkrim i sjellë nga prokurori në gjykim përshkruante një situatë ku klienti i avokatit Barjami kishte ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë.
Prokurori Ceka, i irrituar nga ky deklarim, replikoi me avokatin Barjami duke i thënë: “Ti duhet të arrestohesh, do të arrestohesh!”, dhe ndërkohë, i nervozuar, kthente kokën nga punonjësit e policisë prezentë në sallën e gjyqit.
Avokati Barjami replikoi duke deklaruar: “Do të bëj kallëzim, se ke shkelur ligjin.”
Për këto deklarime ndërhyri gjyqtarja Strakosha, e cila i sqaroi avokatit Barjami se duhet të shmangte këtë diskutim dhe të fokusohej në interpretimin e provës në atë moment, pa u marrë me atë se çfarë do të bënte në vijim.
Seanca vijoi e qetë dhe përfundoi normalisht, pa asnjë debat apo diskutim mes palëve.
Prokurori Ceka nuk e la me kaq dhe, me sa duket, ka paraqitur kallëzim ndaj avokatit, me qëllimin në vetvete për ta arrestuar, ashtu siç deklaroi në seancë.
Mbi bazën e këtij kallëzimi, avokati Barjami është thirrur sot, më datë 18.10.2025, në orët e paradites nga oficerë të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, duke i thënë në telefon fillimisht se duhej të jepte vetëm disa sqarime.
Pas shumë orësh i mbajtur në komisariat, në orët e pasdites, rreth 15:00 – 15:30, punonjësja e policisë Zmeralda Mehilli ndalon me iniciativë avokatin Barjami si të dyshuar për veprat penale:
• “Kanosja për shkak të detyrës”,
• “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, dhe
• “Kanosja e gjyqtarit”,
pasi, sipas saj, ka kërcënuar prokurorin e çështjes, Gjergji Ceka, dhe oficerët e policisë gjyqësore që kanë kryer veprime hetimore.
Procesverbali është shkruar dhe nënshkruar nga OPGj-ja Mehilli, sikur është kryer shumë kohë më pas, në orën 17:40, ndërkohë që ndalimi realisht është kryer në orën 15:00.










Discussion about this post