Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka thënë se kompanitë serbe kanë përfitime të mëdha nga “Ballkani i Hapur”. Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “Ballkani i Hapur” është tendencë e Serbisë për hapje të Ballkanit ndaj Rusisë dhe Kinës.
Iniciativa e mini-Schengen që tashmë ka marrë emër të ri duke u quajtur “Ballkani i Hapur”, ka filluar të hapë edhe një “luftë” të re tregtare mes Kosovës e Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, deklaroi se kompanitë serbe kanë përfitime të mëdha nga “Ballkani i Hapur”. Ai deklaroi, si shembull, faktin se janë 5,300 kompani nga Serbia që punojnë vetëm në Maqedoninë Veriore.
Vuçiç ka thënë se ky është vendim historik, dhe nëse vendet që marrin pjesë në të do të jenë në gjendje ta zbatojnë atë, mbetet për t’u parë.
“Shpresoj se do të kemi sukses në këtë. Shpresoj se do të kemi aq pasion dhe besim në zbatim. Ka shumë për të bërë në një vit e gjysmë. Ju duhet të shkoni jo vetëm për ta harmonizuar sistemin e TVSH -së, ju duhet të shkëmbeni. Ka një milion gjëra për të bërë dhe administratat tona duhet ta bëjnë këtë, për t’i lejuar njerëzit të mos i shohin kufijtë kur udhëtojnë në Maqedoninë e Veriut ose në Shqipëri”.
Vuçiç tha se dyert e “Ballkanit të Hapur” janë të hapura për të gjithë, por shtoi se “ne nuk po e ndjekim askënd”. Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën deklaroi se nisma “Ballkani i Hapur” (Open Balkan) më shumë i ngjan një “Ballkan të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët për vendet e rajonit.
Sipas Kurtit, kjo nismë, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duhet të shoqërohet edhe me ballafaqimin me të kaluarën të Serbisë, dhe të presidentit të saj, Aleksandar Vuçiç. Ai shtoi se Serbia ka shkaktuar katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20.
“Nuk mund të them se jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’, pasi që duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës të cilët, siç e dimë të gjithë ne, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por edhe jo pak prej tyre edhe në pushtet”, tha Kurti.
Në këtë forum, që është mbajtur javën e kaluar nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nga Qeveria e Kosovës është thënë se janë kundër kësaj lëvizje.
“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Më tutje Qeveria u ka bërë thirrje liderëve të rajonit që t’i përkushtohen vetëm agjendës evropiane.
Kurse, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë të enjten në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që u mbajt në Shkup se nuk e kupton se pse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk i janë bashkuar atij, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në iniciativën e bashkëpunimit ekonomik rajonal, të njohur deri edhe si “mini-Schengen”.
Por Rama tha se e di se për çfarë arsye nuk po merr pjesë Kosova në iniciativën që tani ka ndryshuar emër.
“E di për çfarë mendohet Kosova dhe në këtë pikë jam absolutisht me një qëndrim të kundërt, sepse për mua të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi dhe ta bëjnë maksimumin për veten e tyre, për njerëzit e tyre, për shoqëritë e tyre dhe për të gjithë së bashku”, ka thënë Rama.
Ai u shpreh se e shkuara duhet të lihet pas dhe se ajo nuk duhet ta determinojë të ardhmen. Për vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të mos iu bashkuar kësaj nisme, atë ditë foli indirekt edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke thënë se disa mendojnë vetëm për zgjedhjet e ardhshme.
“Gjithmonë do të kemi oponentë ndaj kësaj iniciative. Gjithmonë do të ketë dikush që do të kërkojë për teori konspiracioni, që nuk mendojnë për ekonominë, të cilën nuk mendojnë në afat të gjatë dhe ata të cilët mendojnë vetëm për zgjedhjet e afërta që vijnë”, ka thënë Vuçiç.
Para tij, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaef e ftoi Kurtin dhe liderët tjerë të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen kësaj nisme. “Nisma është e hapur për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë. Ne të gjithë jemi Ballkan Perëndimor dhe evropian. Ta krijojmë një vizion për zhvillim real për të përfituar të gjithë qytetarët tanë”, është shprehur Zaev.
Kryeministri i Kosovës kishte deklaruar vitin e kaluar se “mini-Schengeni” mund të jetë vizioni i Serbisë për një Jugosllavi të re. “Më duhet të jem i sinqertë se mini-Schengeni ballkanik nuk është realitet, më shumë është ide se sa projekt. Për të bashkëpunuar gjashtë vendet e rajonit ne kemi kornizën e Procesit të Berlinit. Në këtë kuptim edhe nuk ka ndonjë gjë të re. Mini-Schengeni ballkanik ka rreziqet e veta, kam thënë se ai paraqet Jugosllavinë e katërt, të cilën Serbia e do, kjo është intenca e Beogradit”, shprehej Kurti.
Por Kosova ishte zotuar në marrëveshjen e Uashingtonit për t’iu bashkuar iniciativës së “mini-Schengenit”, por Kurti që nga fillimi e ka pozicionuar veten si kritik i mprehtë i këtij projekti. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është në të njëjtën linjë.
Në Samitin e fundit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Kurti madje deklaroi se “mini-Schengeni” nuk ekziston më. “Nuk ka më mini-Schengen, ka treg të përbashkët rajonal dhe këtë e ka marrë Procesi i Berlinit, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut”, ishte shprehur Kurti.
Më 29 korrik, në Shkup u takuan kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Të tre liderët ftuan vendet e rajonit që t’i bashkohen nismës së “mini-Shengenit”, që mori emërtimin e ri “Ballkani i Hapur”. Në këtë takim nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sipas Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit, “Ballkani i Hapur” ka për qëllim të krijojë një treg të përbashkët për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor./ MONITOR