Kompania e naftës “Bankers Petroleum” ka humbur përfundimisht betejën për të marrë mbi 20 milionë euro rimbursim nga administrata doganore shqiptare.
Gjykata Kushtetuese ka shuar përfundimisht shpresat e shoqërisë private, e cila prej vitit 2012 synonte të rimbursohej nga shteti shqiptar për taksën e karbonit dhe të qarkullimit, në një vlerë totale prej 2.5 miliardë lekë të reja.
Pak ditë më parë, Kushtetuesja vendosi të mos pranonte kërkesën e “Bankers-it” për rishikimin e një vendimi të dhënë më herët po prej asaj gjykate, në të cilën ishte lënë në fuqi një vendim i Gjykatës së Lartë, që e nxirrte humbës kompaninë që operon në fushën naftë-mbajtëse të Patos-Marinzës, në Fier.
Çfarë kërkonte Bankers?
Shoqëria “Bankers Petroleum Albania” LTD, është shoqëri tregtare, që ushtron aktivitetin për kryerjen e operacioneve të hidrokarbureve. Referuar Marrëveshjen Hidrokarbure, datë 19.06.2004, Shoqëria “Saxon Interna Tonal Energy” Ltd-Albania Branch, palë kontraktore (aktualisht shoqëria Bankers Petroleum Albania LTD pas Marrëveshjes plotësuese të Licencë marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Albpetrol sha. dhe Bankers Petroleum Albania LTD datë 8.12.2008), ka nënshkruar marrëveshjen me shoqërinë “Albpetrol” sh.a., për kryerjen e operacioneve hidrokarbureve sipas përcaktimit të ligjit mbi hidrokarburet në zonën e kontratës – Patos, Marinëz.
Midis Ministrisë Industrisë dhe Energjitikës e përfaqësuar nga Agjensia Kombëtare e Hidrokarbureve, (sot Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore) sipas marrëveshjes plotësuese e licencë marrëveshjes të 8.12.2008, dhe “Albpetrolit” sha., si kompani shtetërore me 100% të aksioneve është bërë një Licencë Marrëveshje në të cilën shoqëria “Albpetrol” sha. është palë në Licencë Marrëveshje për të kryer të gjitha operacionet e hidrokarbureve (zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve – vend burimi Patos Marinëz Albpetroli), duke përfshirë dhe marrëveshjet e të licensuarit, Albpetrol sha, dhe një kompanie të huaj, (ne rastin konkret “Bankers Petroleum Albania” LTD datë 8.12.2008 ), të zgjedhur në përputhje me ligjin e hidrokarbureve.
Diçitura: Marrëveshja Hidrokarbure (fillestare) e nënshkruar në vitin 2004 për vend-burimet e naftës Patoz-Marinëz
Në nenin 3 të Licencë Marrëveshjes është përcaktuar se kjo licencë marrëveshje do të ketë fuqi të plotë ligjore në përputhje me nenin 27 ku sipas kësaj dispozite Licensë Marrëveshje për Zhvillimin dhe Prodhimin e Hidrokarbureve miratohet nga Këshilli i Ministrave, shoqëria “Bankers Petroleum Albania” LTD mban statusin e “Depozituesit të miratuar prodhim” dhe shoqëria Bankers Petroleum Albania është subjekt i përjashtuar nga taksat doganore, akciza, TVSH për produktet energjetike që përdoren në operacione hidrokarbure.
AKBN bazuar në Marrëveshjen Hidrokarbure, dhe në ligjin e zbatuar për hidrokarburet ka konfirmuar se shoqëria “Bankers Petroleum Albania” LTD është subjekt i përjashtuar nga akciza, taksat doganore dhe TVSH për artikujt Gasoil 0.1 dhe Diesel D1 100 ppm, për përdorim në operacionet hidrokarbure.
Rezulton se shoqëria “Bankers Petroleum Albania” LTD, bazuar në marrëveshjet e lartpërmendur, që prej vitit 2008 nuk ka paguar taksën e karbonit dhe taksën e qarkullimit. Deklaratat doganore janë pranuar nga pala e paditur pa asnjë rezervë ligjore apo kundërshtim lidhur me përjashtimin nga pagesa e taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit.
Dega e Doganës Durrës, në vitin 2012, e ka detyruar palën paditëse që si kusht për çlirimin e mallit, për çdo deklarim malli pas vitit 2012 duhej të paguhej taksa doganore përfshirë taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit. Pavarësisht se kjo sasi karburanti pretendohej se do të përdorej nga shoqëria për nevojat e veta në operacionet hidrokarbure. “Bankers Petroleum” ka kërkuar nga Dega Doganës Durrës për të rimbursuar detyrimin e importit për taksën e karbonit dhe taksën e qarkullimit për periudhën 16.05.2012 deri më 24.01.2014 në shumën taksë karboni 730.249.679,16 lekë taksë qarkullimi 1.767.203.726,35 lekë si detyrime importi të përjashtuara nga Ligji.
Dega e Doganës Durrës, në datë 20.02.2014 ka refuzuar rimbursimin e shumave të paguara për llogari të taksës së karbonit dhe taksës së qarkullimit nga kompania private. Po ashtu, një muaj më pas, edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka refuzuar kërkesën e kompanisë së naftës.
Beteja gjyqësore
Pas refuzimeve administrative, “Bankers”, në maj 2014, dorëzoi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës padinë për të fituar të drejtën e rimbursimit.
Gjykata e rrëzon padinë në nëntor të vitit 2014. Sipas gjykatës, në nenin 9 të ligjit të posaçëm “Për Taksat Kombëtare”, janë përcaktuar taksa e karbonit dhe taksa e qarkullimit janë përcaktuar në mënyrë shteruese rastet e përjashtimit nga taksat kombëtare. “Rasti i paraqitur nga “Bankers” nuk është parashikuar në mënyrë të veçantë procedurat dhe përjashtimi i subjekteve që kryejnë kërkime në hidrokarbure nga këto detyrime gjatë furnizimit dhe për shkak të veprimtarisë të tyre, pasi janë pajisur me vërtetim ose autorizim nga AKBN, siç përcaktohet në ligjet përkatëse për TVSH-në dhe për akcizën”.
Diçitura: Gjykata Adminstrative Durrës rrëzoi padinë e “Bankers” në nëntor 2014
Kompania private i drejtohet Gjykatës të Apelit Administrativ, e cila i jep të drejtë me vendimin e marrë në Korrik 2017.
Trupa gjykuese e Apelit Administrativ vendosi: “Detyrimin e palës së paditur Dega e Doganës Durrës të përmbushë kushtëzimin e nenit 249 të K. Doganor duke rimbursuar paditësin për detyrimin e importit për Taksën e karbonit dhe Taksën e Qarkullimit për periudhën 16 maj 2012 deri në 24 janar 2014 në shumën 1.767.176. 360 ( një miliard e shtatëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milion e njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e gjashtëdhjetë) lekë dhe Taksën e Karbonit në vlerën 729. 997.660.20 (shtatëqind e njëzet e nëntë milion e nëntëqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë pikë njëzet) lekë si detyrim importi të përjashtuar nga ligji”.
Diçitura: Apeli Administrativ i njohu të drejtën “Bankers-it” për rimbursim, në Korrik 2017
Kësaj radhe është Drejtoria e Doganave që ushtron rekurs në Gjykatën e Lartë. Kolegji administrativ i kësaj gjykate, në Prill të vitit 2022, vendos t’i japë të drejtë administratës doganore, duke shfuqizuar vendimin e Apelit Administrativ dhe duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Durrësit.
Diçitura: Gjykata e Lartë rrëzoi pretendimet e kompanisë private në Prill 2022
Gjykata e Lartë konstaton në vendimin e saj se pretendimet e paditësit (Bankers Petroleum) janë të pambështetura në ligj. “Kjo pasi, siç me të drejtë kanë mbajtur qëndrim në vitin 2012 autoritetet doganore, nuk rezulton që paditësi të jetë përjashtuar me ligj nga pagimi i taksës së karbonit dhe taksës së qarkullimit”.
Kauza e humbur në Kushtetuese
“Bankers-i” tentoi lëvizjen e fundit, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ku kundërshtonte procesin gjyqësor.
Sipas kompanisë private, ajo “është ngarkuar me taksa nga të cilat shprehimisht ka qenë e përjashtuar, marrëveshja e hidrokarbureve ka fuqinë e ligjit, palët kontraktuese dhe çdo institucion shtetëror është i detyruar të zbatojë dispozitat e saj. Ligjvënësi nuk ka dhënë një listë shteruese të rasteve se kur kërkuesja, në cilësinë e kontraktuesit, mund të përjashtohet nga detyrimet doganore, duke përdorur termin “etj”, i cili nuk është rastësor”.
Për kompaninë private, intepretimi i çështjes nga Gjykata e Lartë “shkel sigurinë juridike dhe shtetin ligjor, në drejtim të parimit të barazisë së të drejtave të fituara, vazhdimësisë ligjore, ndalimit të ligjeve me fuqi prapavepruese ose ndalimin e taksimit ose tatimet në rastet kur me akte ligjore është bërë lehtësimi apo përjashtimi i tyre, qartësinë dhe përcaktueshmërinë në normimin e marrëdhënieve juridike, respektimin e pritshmërive legjitime etj”.
Por, Gjykata Kushtetuese, para se të shqyrtonte themelin e çështjes, kreu verifikimin paraprak të padisë. Nga ky verifikim rezultoi se “Bankers Petroleum” kishte dorëzuar kërkesën jashtë afatit ligjor.
Diçitura: Gjykata Kushtetuese vendosi moskalimin për shqyrtim të padisë së “Bankers”, në Dhjetor 2022
Për këtë arsye, një trupë prej gjyqtarësh kushtetues, vendosi moskalimin e çështjes për shqyrtim, me një vendim të marrë në 6 Dhjetor 2022.
Diçitura: Gjykata Kushtetuese rrëzon për herë të dytë kërkesën e “Bankers Petroleum” në Prill 2023
“Bankers” nuk heq dorë dhe dorëzon një tjetër padi në Kushtetuese, ku kërkon rishikimin e vendimit të mëparshëm të kësaj gjykate, me argumentin se duhet ri-llogaritur afati kushtetues për dorëzimin e padisë.
Gjykata Kushtetuese, në 4 Prill 2023, rrëzon kërkesën për rishikimin e vendimit, duke vulosur përfundimisht humbjen e mundësisë së “Bankers Petroleum” për të fituar rimbursimin në shumën mbi 20 milionë euro nga administrata doganore.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post