Banorët e Rrjollit në Velipojë kanë dalë përsëri sot në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e resortit “Blu Borgo” të ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj me pretendimin se ky së bashku me ish-zyrtarin e Kadastrës, Fatmir Shpellza, u kanë grabitur tokën.
Edhe sot banorët janë përplasur me policinë si dhe kanë bllokuar punimet e kompanisë “Gener 2”. Për mediat ata paralajmëruan përshkallëzim të protestave nëse nuk marrin asnjë zgjidhje prej institucioneve të shtetit.
Banorët thonë se do të shkojnë deri në grevë urie derisa SPAK të marrë në dorë çështjen e tyre.
“Ka dy javë që kemi këtë problem pa i dhënë asnjë zgjidhje institucionet shtetërore.. Ne këtë tokë nuk e lëshojmë. I bëjmë thirrje prokurorisë, trajto dosjen që keni prej 1 viti në zyra. I bëjmë gjykatë së Apelit që kemi gjyqin më datë më 19 të na japë të drejtën. I lutemi shtetin shqiptar të vërë dorën në zemër për këtë popull se po kërkon vetëm drejtësi. I bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare ti dilni në mbrojtje këtij populli që shteti i vet po e merr nëpër këmbë.
Hapi i radhës që të gjitha institucionet ndërkombëtare do ju dërgojnë një letër, do të vijojmë tek KLSH dhe të tjera që mund të na japin pak drejtësi. Pastaj nëse nuk marrim asnjë përgjigje, na ngelet të ulemi përpara SPAK në grevë urie deri sa të na marrin në dorë”, tha banorja.
Oligarku Bashkim Ulaj ka marrë statusin e investitorit strategjik nga Qeveria për të ndërtuar “Blue Borgon”, resortin turistik me 33 struktura akomodimi me nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë. Ata kërkojnë të hetohet ish-zyrtari i Kadastrës Fatmir Shpellza, për të cilin pretendojnë se ka falsifikuar në vitin 2016 disa pulla hipotekore lidhur me dokumentet e pronësisë së tokës.










Discussion about this post