Banorët e Zvërnecit dhe Pishë Poros kanë dalë sërish në protestë në Portonovë, duke kërkuar rikthimin e tokave që pretendojnë si prona të trashëguara dhe ndalimin e punimeve në zonë. Ata thonë se prej dekadash ndodhen në procese gjyqësore për pronësinë dhe se vendosja e gardheve dhe nisja e ndërhyrjeve në terren i ka lënë pa akses në bregdetin ku kanë jetuar familjet e tyre. Protestuesit e konsiderojnë situatën si një shpronësim faktik pa zgjidhje përfundimtare ligjore.
Në zonën e Zvërnecit dhe Pishë Poros parashikohet ndërtimi i një resorti gjigant turistik nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila lidhet me struktura investimi ndërkombëtare ku përfshihen Jared Kushner, Ivanka Trup si dhe Ramez e Mohamad Al-Khayyat nga Katari, sipas të dhënave të publikuara mbi projektin. Projekti është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit dhe përfshin investime në shkallë të gjerë, të deklaruara në miliarda lekë, me synimin për zhvillimin e mijëra njësive akomoduese përgjatë bregdetit të Nartës. Punimet paraprake dhe rrethimi i territorit kanë shkaktuar reagime të forta nga banorët dhe aktivistët mjedisorë.
Ndërkohë, zhvillimi i zonës vijon të mbetet i mbërthyer në konflikte pronësie dhe vendime të shumta gjyqësore që prej më shumë se dy dekadash. Banorët pretendojnë pronësinë mbi tokat sipas trashëgimisë dhe ligjit 7501, ndërsa vendime të ndryshme administrative dhe gjyqësore kanë ndryshuar disa herë statusin e pronave në favor të palëve të ndryshme. Situata mbetet e paqartë ligjërisht dhe ende nën shqyrtim në gjykata, ndërsa banorët e shohin zhvillimin e ri si një akt që thellon konfliktin në terren.









Discussion about this post