Kreu i Grupit Parlamentar i PD-së së Rithemelimit, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat, i ka bërë thirrje kreut të SPAK Altin Dumanit, që të rihapë dosjen e Xibrakës.
Bardhi shprehet se pjesëtari i organizatës kriminale në Xibrakë, që është i paidentifikuar, është Olsi Rama. Kjo, sepse në dosje është një 45-vjeçar, që ngjan me Olsi Ramën dhe ai ka përdorur të njëjtën makinë me trafikantët e që nuk është identifikuar nga policia.
“Të hapet sërish dosja Xibraka, të hetohet roli i Olsi Ramës për laboratorin e drogës. I drejtohem kreut të SPAK Altin Dumani, prova është dosja. Ndërsa për Edi Ramën kam një pyetje se përse krerët e organizatës kriminale përdorën me Olsi Ramën të njëjtën makinë.
Thelbi i çështjes është se çfarë bën Olsi Rama në të njëjtën makinë, ku kanë udhëtuar edhe kriminelët. Është koha që kryeministri të provojë mjerimin e së vërtetës dhe të çlirohet nga banditët dhe trafikantët”, deklaroi Bardhi.
Bardhi ka zbardhur 10 fakte që provojnë përfshirjen e Olsi Ramës në dosjen ‘Xibraka’, ku në pikën 10, nga verifikimi i sisitemit TIMS rezulton se vëllai i Kryeministrit të Shqipërisë, Olsi Rama, ka dalë jashtë territorit shqiptar, me date 07/11/2014, një ditë përpara mbërritjes në Shqipëri, të dy shtetasve kolumbian Cesar Adolfo Avila Gutierrez dhe Ëalther Moren Morena, të cilët me njohuritë e tyre kimike bënë të mundur fillimin e procesit të përpunimit të kokainës. Sipas gjykatës shqiptare rezulton se një person i paidentifikuar, ka bërë të mundur ardhjen në Shqipëri të tyre në datën 08/11/2014.
FAKTI 1 – DOKUMENTI I PROKURORISË SË KRIMEVE TË RËNDA PËR NDARJEN E ÇËSHTJES.
Pra, sipas dosjes penale policia ka identifikuar çdo person të përfshirë, përveç një personi që shoqërohej me drejtuesit kryesorë të grupit. Ajo i di pamjen personit, i di fiks moshën, por nuk i ka gjetur dot emrin!
Ky person i paidentifikuar nga policia, një ditë përpara operacionit për arrestimin e grupit, pra më 13 janar 2015, ka qenë prezent në bazën e grupit kriminal, në një nga zonat e Tiranës, sëbashku me drejtuesit kryesorë të grupit kriminal. Nga raportet e shërbimit të grupeve policore të vëzhgimit personi pa emër përshkruhet, po citoj: “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurtra”, përdorues automjetit me targa AA653DM.
Vëllai i kryeministrit Edi Rama është i datëlindjes 09.09.1969 dhe në vitin 2014-2015 ka qenë ekzaktësisht 45 vjeç. Por do të ishte qesharake të akuzosh dikë vetëm për shkak të moshës dhe të pamjes.
Nuk do ta bëja nëse nuk do të disponoja të dhëna se Olsi Rama, sipas provave të sistemit TIMS, është ekzaktësisht përdorues i automjetit me targa AA653DM.
FAKT 2 – FOTO E TIMS-IT TË OLSIT DHE GRUPIT ME AA653DM.
Nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton gjithashtu se Olsi Rama, vëllai i kryeministrit dhe anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Xibrakës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj kanë përdorur disa herë, së bashku dhe veç e veç, automjetin me targa AA653DM.
Gjatë periudhës Prill – Dhjetor 2014, kur u planifikua dhe u zbatua plani për ngritjen e laboratorit të kokainës, automjeti me targa AA653DM është përdorur për hyrje-dalje nga Shqipëria nga Olsi Rama, Genci Xhixha (bosi i grupit kriminal), Ermal Hoxha (anëtar i grupit kriminal) dhe Gentian Gjonaj (anëtar i grupit kriminal). E ndërsa tre të tjerët janë identifikuar nga Policia, duke përshkruar edhe automjetet me të cilët kanë lëvizur gjatë takimit me grupin kriminal në bazën e tyre në Tiranë, 45 vjecari, përdorues i automjetit me targa AA653DM nuk është identifikuar me emër. Pra, policia dhe prokuroria, i vendosin në dosje moshën fikse të personit, por jo emrin!
Përdorimi i një automjeti nga i njëjti grup personash, tregon ndër të tjera besimin dhe miqësinë e ngushtë që kanë katër personat e sipërcituar me njëri-tjetrin.
Nga verifikimi i sistemit TIMS, Olsi Rama, ashtu si Genci Xhixha, konstatohet se ka hyrje-daljet më të shpeshta dhe me kohë të shkurtër qëndrimi nga muaji Tetor 2014, në muajin Janar 2015, kohë në të cilën shtrihet periudha e përgatitjes deri në finalizimin e veprës penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
TIMS provon se nga 18 udhëtime me hyrje-dalje jashtë vendit, të automjetit me targën AA653DM, në 7 raste automjeti është përdorur prej Olsi Ramës dhe herët e tjera nga treshja e narko-organizatës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha, Gentjan Gjonaj.
Për fat të keq, për 10 vite me radhë, policia dhe prokuroria kanë dështuar të identifikojnë zyrtarisht të vetmin person të afërt të krerëve të grupit kriminal, që kryente takime me ta në bazën e tyre sekrete në Tiranë, përdorte të njëjtën makinë si ata dhe me ata, ka të njëjtën moshë dhe pamje me Olsi Ramën, i cili faktohet se përdor edhe ky të njëjtën makinë si grupi kriminal dhe 45 vjeçari i paidentifikuar.
Po ashtu, policia dhe prokuroria nuk zbuluan kurrë dhe nuk arrestuan kurrë kreun e organizatës, Genci Xhixhën, i cili u arratis nga Shqipëria në 14 Janar. Një datë kjo që ka një përkim tjetër shumë interesant në TIMS.
Ditën e operacionit, kur kryetrafikanti Xhixha kthehet nga rruga që kishte nisur me drejtim Elbasanin, pasi u njoftua paraprakisht për mundësinë e ndërhyrjes së Policisë në Laborator, Olsi Rama është rregjistruar duke dalë nga kufiri në Morinë pasdite, rreth 40 minuta pas kryerjes së arrestimeve në Xibrakë. Makina me të cilën udhëtonte, jashtë cdo rregulli nuk është rregjistruar në sistemin TIMS, duke lënë çdo dyshim hapur se ai mund të ketë nxjerrë Genci Xhixhën jashtë kufirit të Shqipërisë.
Asgjë nga këto nuk është rastësi. Nuk mund të ketë rastësi në një grup kriminal që ka planifikuar me detaje trafikimin e drogës nga Kolumbia, ngritjen e laboratorit në Shqipëri dhe trafikimin e drogës në Gjermani. Nuk mund të ketë rastësi shoqërimi me vëllanë e kryeministrit dhe përdorimi prej tyre i të njëjtit automjet në kohën e planifikimit dhe ekzekutimit të planit për trafikimin e drogës. Madje për të qenë pak më specifik, në mënyrë që të largohet çdo hamendësim për rastësi. Makina me targën AA653DM nuk është e vetmja që Olsi Rama ka përdorur bashkë me anëtarët e grupit kriminal. Të dhënat tregojnë gjithashtu se ato bashkërisht përdorin edhe automjetet me targa AA393FJ dhe AA030LA.
Por pa i hyrë edhe këtyre detajeve të tjera, që i kam lehtësisht të provueshme, sot, qytetarët duan të dinë pa vonesë nga SPAK-u se çfarë fati ka pësuar dosja e veçuar sekrete me personin e paidentifikuar nga policia, që ka të gjitha ngjashmëritë me Olsi Ramën.
Janë kaq shumë fakte, rrethana dhe indicie në dosjen e hetuar keq të prokurorisë, saqë drejtësia ka për detyrë të rihapë dosjen menjëherë. Të dhënat e TIMS-it që unë publikova sot, do të mjaftonin për të rihapur hetimin e kokainës së Xibrakës, lidhjet e Olsi Ramës me grupin kriminal dhe përfshirjen ose jo të tij në organizatën e trafikut të kokainës.
10 faktet dhe “rastësitë domethënëse” që provojnë përfshirjen e Olsi Ramës në dosjen “Xibraka” janë:
Prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar (9 shtetasë, prej të cilëve 7 shqiptarë dhe 2 kolumbian) nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në datën 08.03.2016 Prokuroria për Krime të Rënda ka ndarë procedimin për “bashkëpunëtorët e paidentifikuar” duke e emërtuar me nr. 335/1 të procedimit, për të cilin ka vlerësuar se kishte nevojë për hetime të tjera lidhur me identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë aktivitet kriminale për të cilët hetimet duhet të vazhdonin.
Në shumicën e raporteve të shërbimit të grupeve policore të vëzhgimit, ku rezulton të jenë identifikuar të gjithë personat e përfshirë, evidentohet githmonë një person i paidentifikuar që përshkruhet si “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurta”. Olsi Rama, vëllai i Kryeministrit Edi Rama, ka lindur më 09.09.1969 dhe në periudhën Dhjetor 2014-Janar 2015 ka qenë 45 vjeç. Nga pamja e fotografisë së tij rezulton gjithashtu se ai është një person “me flokë të shkurtra”.
Në takimin e datës 13.01.2015 me pothuajse të gjithë anëtarët e grupit kriminal, “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurta”, që ka mbetur i paidentifikuar, ka qenë përdorues i automjetit me targa AA653DM.
Nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton se Olsi Rama është përdorues i automjetit me targa AA653DM.
Automjeti me targa AA653DM, në drejtimin e të cilit ishte anëtari i paidentifikuar dhe që cilësohet si “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurtra”, rezulton të jetë përdorur edhe nga pjesa tjetër e drejtuesve të grupit kriminal, ku përfshihen Genci Xhixha, Ermal Hoxhën dhe Gentian Gjonaj.
Pra, automjeti me targa AA653DM, që në datën 13.01.2015 në takimin e organizuar mes anëtarëve të organizatës kriminale, drejtohej nga personi i paidentifikuar dhe i cilësuar si “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurtra”, gjatë periudhës Prill – Dhjetor 2014, është përdorur për hyrje-dalje nga Shqipëria, sipas sistemit TIMS, nga Olsi Rama, Genci Xhixha (bosi i grupit kriminal), Ermal Hoxha (anëtar i grupit kriminal) dhe Gentian Gjonaj (anëtar i grupit kriminal).
Përdorimi i të njëjtit automjet më së paku provon një miqësi të konsoliduar mes Olsi Ramës dhe personave drejtues të organizatës si Genci Xhixha apo Gentian Gjonaj.
Dyshimi i hetuesve shqiptar ka qenë se Genci Xhixha është njoftuar paraprakisht për mundësinë e arrestimit dhe është larguar nga territori shqiptar në mënyrë ilegale më datë 14 Janar 2015. Vëllai i Kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, rezulton nga sistemi TIMS të ketë datë nga Shqipëria më datë 14 Janar 2015, në orën 15.38 min, nga pika e kalimit të kufirit “Morinë” në Kosovë, me një automjet që rezulton çuditërisht si asnjëherë tjetër i paregjistruar në sistem.
Nga verifikimi i sistemit TIMS, Olsi Rama, ashtu si Genci Xhixha, konstatohet se ka hyrje-daljet më të shpeshta dhe me kohë të shkurtër qëndrimi nga muaji Tetor 2014-në muajin Janar 2015, kohë në të cilën shtrihet periudha e përgatitjes deri në finalizimin e veprës penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Nga verifikimi i sisitemit TIMS rezulton se vëllai i Kryeministrit të Shqipërisë, Olsi Rama, ka dalë jashtë territorit shqiptar, me date 07/11/2014, një ditë përpara mbërritjes në Shqipëri, të dy shtetasve kolumbian Cesar Adolfo Avila Gutierrez dhe Walther Moren Morena, të cilët me njohuritë e tyre kimike bënë të mundur fillimin e procesit të përpunimit të kokainës. Sipas gjykatës shqiptare rezulton se një person i paidentifikuar, ka bërë të mundur ardhjen në Shqipëri të tyre në datën 08/11/2014.
Nuk ka më vend për vonesa, zvarritje apo fshehje për të hetuar rolin e Olsi Ramës në organizatën e trafikut të drogës së Xibrakës. Prandaj thirrja ime sot shkon për drejtuesin e SPAK z. Altin Dumani, na provoni që në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm, që hetohet dhe vihet përpara përgjegjesisë cilido, qoftë ky edhe vëllai i Kryeministrit. Prova është para jush, prova është kjo dosje.
Ndërsa për Edi Ramën kam një pyetje:
Çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain tuaj Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë?
Kur foli për herë të fundit për këtë çështje, në emisionin “Opinion”, Edi Rama nuk dha asnjë përgjigje. Përdori gjuhë fyese ndaj meje, por nuk u mor me thelbin e çështjes: Çfarë bën i vëllai me të njëjtën makinë, të cilën e përdor në të njëjtën kohë një organizatë kriminale e trafikut të drogës?
Uroj që sot të mos u ikë fakteve.
Ka një shprehje që thotë se e vërteta të jep lirinë, por më parë të bën të ndihesh i mjerë. Është koha që kryeministri të provojë mjerimin e së vërtetës dhe të çlirohet nga pengmarrja e narkotrafikut! Kjo do të ishte vepra më e mirë e tij!
Ndoshta e vetmja vepër e mirë e tij në këto 11 vjet, në interes të Shqipërisë!”,-u shpreh Bardhi gjatë deklaratës së tij.
Discussion about this post