Lulzim Basha, ish-kryetar i PD, në vijim të takimeve me qytetarët, tha se në 14 maj qytetarët shqiptarë dhanë një mesazh shumë të qartë, duke bojkotuar zgjedhjet.
Gjatë takimit në Kamëz, Basha tha se numri më i madh i qytetarëve foli me bojkot në 14 maj, duke shtuar se kjo është edhe partia më e madhe në zgjedhjet e fundit.
Ndërsa shprehu kritika të forta ndaj ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2008, Basha tha se pa asnjë diskutim kjo situatë e sotme, e ka burimin pikërisht në çimentimin që iu bë pushtetit me këto ndryshime.
Basha tha se politika është i vetmi instrument që mund të ndryshojë gjërat, edhe pse në popull është rrënjosur idea se politika është fajtore për gjithçka.
“Ne na duhen zgjidhje realiste për problemet, nuk na duhen zgjidhje populiste. Politika është instrumenti për të ndryshuar gjërat, të mirë ose të keqe e bëjnë njerëzit që marrin vendimet”, tha Basha.
Ai tha se sot nuk jemi peng i gënjeshtrave, jemi përpara një momenti të madh ndryshimi, por duhet të mësojmë nga gabimet që kemi bërë.
“Duhet tu kthejmë qytetarëve fuqinë e votës dhe këtë mund ta bëjmë vetëm përmes listave të hapura”, tha Basha.
“Sali Berisha nuk është i vetmi që është shqetësuar nga turi im i takimeve, ka shumë që janë shqetësuar, pasi ato duan që debatin ta mbajnë vetëm ata të 3. Ato duan monopol mbi mediat, mbi ekonominë, mbi politikën, e duan Shqipërinë çifligun e tyre. Ata të tre janë të shqetësuar nga ajo shumica që në 14 maj foli me bojkotin e tyre. Unë kam dalë të flas për vettingun politik, për listat e hapura dhe për kufizimin e mandateve. Pse i djeg kaq shumë kjo atyre të treve?”, tha Basha.
Në vijim ai shtoi se vetting i politikanëve do tregojë se kush është peng dhe kush e mban peng.
“Le të shikojmë pasuritë, jo vetëm të politikanëve por edhe të rrethit familjar dhe të shikojmë sa e justifikojnë pasurinë që kanë. Por ata të tre nuk e duan, sepse kjo cënon sistemin e tyre, sepse ata e ndajnë bashkë dhe e kontrollojnë këtë system”, tha Basha.
Në vijim të akuzave ndaj Berishës, Basha tha se me akuzat që më drejton ose synon të shmangë vëmendjen nga humbja e 14 majit, ose e ka humbur fare, dhe pasi shpartalloi armiqtë e jashtëm, tani po shpartallon edhe ata të brendshëm.
“Për mua Berisha është kapitull i mbyllur”, tha Basha.
Discussion about this post