Prokuroria e Tiranës deklaroi për median amfora.al se “OLAF ka depozituar një kallëzim pranë Prokurorisë së Posaçme për skandalin IPARD”.
“…ka regjistruar procedimin penal nr. 7471, të vitit 2022, për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal”, bëri me dije Prokuroria e Tiranës për hetimin që ka nisur.
OLAF e depozitoi kallëzimin fillimisht në Prokurorinë e Posaçme në qershor 2020 dhe dy vjet më vonë ajo shpalli moskompetencën dhe ia përcolli dosjen Prokurorisë së Tiranës, e cila bëri me dije se, “…ky procedim penal vijon ende të jetë në fazën e hetimeve dhe pa emër autori të regjistruar në ngarkim”.
Përmes një përgjigjeje Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) sqaroi se zakonisht nuk jep komente për rastet që mund të trajtojë.
“Kjo për të mbrojtur konfidencialitetin e çdo hetimi të mundshëm dhe të proceseve të mundshme gjyqësore që pasojnë, si edhe për të garantuar respektimin e të dhënave personale dhe të drejtave procedurale”, u përgjigj zyrtarisht zyra e OLAF.
Të dhënat tregojnë se IPARD në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut është kthyer në një burim fuqizimi për kompanitë e mëdha dhe nuk po ndikon në mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve dhe blegtorëve, për të cilët programi duket gjithmonë e më i largët.
Në vitin 2018 Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në Shqipëri, u akreditua për Programin IPARD II, për të shpërndarë grante përmes buxhetit me vlerë 94.6 milionë euro, prej të cilave 71 milionë euro janë kontribut nga Komisioni Evropian dhe 23.6 milionë euro janë kontribut kombëtar nga shteti shqiptar.
Por teksa Shqipëria priste të niste këtë vit fazën e tretë të programit, Komisioni Evropian mori një masë ekstreme dhe vendosi pezullimin e përkohshëm të programit të mbështetjes së bujqësisë, bazuar në dyshimet se ka pasur korrupsion në shpërndarjen e granteve, referuar nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).
Nëse dyshimet vërtetohen, Shqipëria rrezikon të mos e vijojë më fazën tjetër të IPARD, që parashikon grante deri në 146 milion euro, ndërsa nga analizimi i përfituesve në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut ekspozohen lidhje me politikën, administratën publike dhe krimin.
Në Shqipëri nga një kampion i analizuar prej 126 përfituesish (nga 510 përfitues në total), të cilët vetë AZHBR i ka promovuar përmes një broshure në internet dhe në faqen e saj, rezultojnë persona me rekorde kriminale, të lidhur me politikën, biznese jo tërësisht funksionale dhe skema familjare përfitimi.
Zbatimi i programit të mbështetjes së fermerëve në Shqipëri u realizua nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), pjesë e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe grantet financoheshin 75% nga fondet e BE-së dhe 25% nga fondet e Buxhetit të Shtetit.
Media Amfora analizoi një kampion me 126 biznese që përfituan nga Programi IPARD II në Shqipëri dhe rezultoi se në vitet që ai nisi zbatimin tërhoqi pas vetes aplikime nga kompani dhe persona “që e zbuluan vonë pasionin për bujqësinë”.
50 biznese që përfituan nga fondet IPARD, nga 126 subjekte të analizuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezultoi se janë regjistruar për herë të parë në vitet e nisjes së programit, 2018-2021, duke pasur si subjekt tregtar fushat që mbështet programi.
“Mendoj se kjo flet qartë për klientelizëm në përcaktimin e përfituesve, të cilët në shumë raste nuk kanë lidhje të forta dhe të qëndrueshme me aktivitetin bujqësor apo agro-industrial”, komentoi eksperti i politikave bujqësore, Prof. Dr. Ndoc Fasllia.
“Por thjesht në saj të njohjeve personale dhe lidhjeve me nivelet e larta të politikës dhe administratës, kanë arritur të përfitojnë mbështetje nga ky program”, shtoi Fasllia, njëkohësisht pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Elvis Rroshi e drejtoi Bashkinë e Kavajës nga viti 2011 deri në vitin 2016, kur ju ndërpre mandati për shkak të falsifikimit të formularit të dekriminalizimit dhe fshehjes së një dënimi nga drejtësia në Itali, për veprën penale të përdhunimit, të kryer në vitin 1995. Më pas ai u dënua nga Gjykata e Tiranës me 60 orë punë në komunitet, për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit.
Kur u largua nga drejtimi i bashkisë, Rroshi duket se zbuloi pasionin e tij për bujqësinë dhe më 5 gusht 2019 themeloi kompaninë, “KAVALJON”, që mendohet se ka qenë emri i vjetër i Kavajës. Ai aplikoi në IPARD dhe fillimisht mori 70.178 euro, për një serrë diellore, projekt që nisi më 4 maj 2021 dhe më vonë mori edhe 180.309 euro, për të nisur më 28 korrik 2021 rikonstruksionin e një godine me qëllim transformimin në bujtinë.
Por pasi mori në total 250.487 euro, “Rroshi u shpall në kërkim nga AZHBR”! Agjencia konfirmoi për Median Amfora se “KAVALJON” është një nga 10 subjektet që i është kërkuar kthimi i fondeve, pasi nuk ka përmbushur kriteret e zbatimit të programit dhe çështja i ka kaluar gjykatës.
Libonike Nurellari është një ish-anëtare e Këshillit Bashkiak Poliçan për Partinë Demokratike, e cila që prej vitit 2006 merret me vreshtarinë dhe tregtimin e verës. Në Programin IPARD ajo mban rekordin e granteve të përfituara, me 4 projekte të mbështetura, me vlerë totale 383.185 euro.
“Lidhje për sa i përket nepotizmit apo të funksionarëve të ndryshëm shtetërore ka, ndërsa për sa i përket krimit të organizuar, ka qenë vetëm rasti i Iceneratorit të Tiranës, që nxirrte se administratori i saj ishte njëkohësisht përfituesi i një serre”, tregoi, Ervin Resuli, presidenti i “Shoqatës së Mbrojtjes së Prodhuesve Vendor”.
Mollasi është një prej fshatrave të Skraparit, të cilit IPARD i akordoi 4 grante, me vlerë gati 1 milion euro. Edhe këtu bizneset që përfituan u themeluan në periudhën e nisjes së programit dhe në rastin e
kompanisë “Green Revolution”, ajo fitoi 2 herë mbështetje për mbarështimin e kafshëve në fermë, me shumën totale 581.939 euro.
Ndërsa 2 fituesit e tjerë në dukje të ndryshëm, janë pjesë e një skeme përfitimi familjare. 23 vjeçarja Brisilda Xhaferri, nga kampioni i verifikuar me 126 përfitues, mori grantin më të madh, të paktën trefish më shumë se çdo bletërritës tjetër.
Kompania “GOLDEN BEES” sh.p.k (ish-“BLETA E ARTË”) u themelua nga babai i saj në tetor 2018, Apostol Xhaferri, një ndërtues që prej vitit 2005 dhe pas disa modifikimeve të emrit dhe të adresës, 23 vjeçarja që u bë administratorja e kompanisë mori një grant me vlerë 157.624 euro, për “Investim në bletari, shtim të numrit të koshereve, prodhim tregtim mjalti dhe produkte të bletarisë”.
Pas tërheqjes nga kompania që krijoi, babai i saj vijoi i vetëm ëndërrën e IPARD. Ndërtuesi themeloi më 24 shkurt 2022 një tjetër kompani, por kësaj here si “Person Fizik”, të fokusuar tek agroturizmi. Megjithëse ende në hapat e para edhe ai mori nga IPARD 183.870 euro dhe e lidhi kontratën më 4 maj 2023.
Në këtë rast babë e bijë morën nga IPARD 341,494 euro përmes kompanive të krijuara rishtazi. Ndërsa objektivat e Programit IPARD dhe të donatorëve janë për të nxitur konkurrencën dhe maksimalizimin e shpërndarjes së granteve. Por duket se shumë subjekte me dhe pa eksperiencë në bujqësi, kanë marrë “abonenë” e IPARD-it.
Nga kampioni i analizuar me 126 përfitues, rezulton se të paktën 18 subjekte kanë përfituar mbi 2 herë grante nga IPARD II në Shqipëri, ndër to ka pasur edhe përfitues të dy projekteve brenda të njëjtës thirrje.
Ekspertët vendas vlerësojnë së mbështetja e bizneseve të reja është e rëndësishme, por duke ruajtur një raport i cili mban në fokus zhvillimin e bujqësisë dhe të blegtorisë, bazuar në eksperiencën e tyre.
“Mbështetja e bizneseve të reja ose ‘start-up’-eve është një risi pozitive për një përthithshmëri më të lartë të fondeve të IPARD-it, nga fermerë apo blegtorë të rinj”, analizoi Ilir Pilku, një nga 3 ekspertët e certifikuar nga BE-ja në Shqipëri, për “Politikat e Përbashkëta Evropiane”.
Sipas tij në këtë numër ka ndikuar edhe regjistrimi i femerëve që kishin vetëm “NIPT fermeri” dhe nuk kishin hapur më herët një subjekt tregtar, në format si “Person Fizik” apo “Kompani”.
AZHBR-ja bëri me dije zyrtarisht për Median Amfora se nga Programi IPARD II kanë përfituar grante 540 subjekte të shpërndara në katër thirrje, pavarësisht se në të dhënat e publikuara në faqen e internetit [databaza në formatin “Excel” për secilën thirrje] ata kanë raportuar 30 kontrata më pak, pra në total 510 përfitues.
“Theksojmë se Administrata Tatimore ka të regjistruar ndër vite si Prodhues Bujqësor (Fermer) 92.174 individë, duke sqaruar se këta janë regjistruar direkt në AT vetëm për NIPT dhe nuk paguajnë detyrime tatimore”, sqaroi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për numrin e fermerëve që numëron Shqipëria.
“Pjesa dërrmuese e fituesve tek IPARD-i janë ‘start-up’-et dhe nga fermerët që sot numërohen me NIPT pranë tatimeve, është një numër jo fort i këndshëm të cilët arrijnë të aplikojnë tek IPARD-i”, konstatoi presidenti i “Shoqatës së Mbrojtjes së Prodhuesve Vendor”, Ervin Resuli.
AZHBR bëri me dije se në kuadër të Programit IPARD II deri më tani ka hapur 8 procese gjyqësore për kthimin e shumës së përfituar nga subjektet që kanë marrë parapagesë për realizimin e investimit, por që nuk e kanë realizuar brenda afateve të përcaktuara në kontratë ose raste abuzive që janë sugjeruar nga auditimi.
Nga 10 subjekte që ju kërkua kthimi i shumës, 8 nuk ju bindën AZHBR-së dhe ajo i ka dërguar në gjyq sipas radhës, “Aldo Jakupi PF” [Person Fizik], “Fiqiri Sinani PF”, “Mirjan Allka PF”, “Kavaljon SHPK”, “Abas Pere SHPK”, “Vasillaq Xhufka PF”, “Coast to Coast SHPK” dhe “Lorag SHPK”, që përfituan në total së bashku 1.145.760 euro.
Kthimin e fondeve e kanë bërë vetëm “Alb Berati SHPK”, i cili nuk u identifikua dot nga ne në listat e projekteve të AZHBR-së dhe “Altin Gega PF”, që kishte përfituar grantin 14.916 euro.
Në Maqedoninë e Veriut në vitet 2015-2022, janë konstatuar 17 parregullsi dhe për të gjitha janë ndërmarrë procedura specifike. Qeveria dhe Prokuroria Publike nuk zbuluan rezultatet dhe subjektet e përfshira në “procedura”. Megjithatë në mënyrë të pavarur ne gjetëm për IPARD-in 15 padi civile, të cilat kishin përfunduar me vendime gjyqësore të shkallës së dytë.
Në 11 raste, kompani apo individë kishin ngritur padi kundër Agjencisë për shkak të pezullimit nga ajo të projekt-marrëveshjeve si pasojë e parregullsive të ndryshme, përfshirë blerjen e pajisjeve të përdorura, të deklaruara si të reja. Gjykata i dha të drejtë Agjencisë në të gjitha rastet.
“Company Riviera 2008” sh.p.k u themelua në vitin 2008 nga Familja Kola, duke pësuar një rritje të shpejtë të kurbës së të ardhurave pas vitit 2013-të, me ardhjen e socialistëve në pushtet. Vetëm për vitin 2022 ajo regjistroi 5.1 milion euro xhiro.
Të profilizuar në fushën e ndërtimit, vitet e fundit projektet e rindërtimit pas tërmetit shtuan përfshirjen e saj në përthithjen e fondeve publike. Kompania numëron në total 63 tendera që ka përfituar nga buxheti i shtetit, kryesisht nga bashkitë në të gjithë vendin. Ajo arriti të fitonte e vetme 36 tendera dhe 31 tendera i fitoi së bashku me kompani të tjera.
Pa eksperiencë të spikatur në fushën e bujqësisë, ajo i propozoi AZHBR-së ngritjen e një magazine për grumbullimin dhe seleksionimin e fruta-perimeve, me 13 dhoma frigoriferike. IPARD-i i erdhi në ndihmë me 50% të investimit, duke i ofruar 810.469 euro.
Por teksa kompania vijon marrjen e parave nga IPARD-i, për të dytën herë në historikun e saj pas vitit 2014, aksioneve të kompanisë ju vendos sekuestro preventive më 13 shkurt të vitit 2023, deri sa ajo shleu detyrimin ndaj një kompanie tjetër që kishte kërkuar ndërhyrjen e përmbarimit.
“Nga të dhënat e sigurura indirekt për ‘përfituesit e mëdhenj’, rezulton se mbi 50% e tyre kanë si aktivitet bazë ndërtimin, transportin, energjinë etj. dhe nuk kanë patur asnjë lidhje me prodhimin bujqësor”, analizoi për Median Amfora, eksperti i politikave bujqësore, Prof. Dr. Ndoc Fasllia.
Si dy pika uji ngjason edhe kompania “KRONOS KONSTRUKSION” sh.p.k., e cila dërgoi tek AZHBR-ja projekt-idenë për të ndërtuar një “magazinë për përpunimin e fruta-perimeve” në Maminas dhe mundi të merrte një mbështetje në shumën 721.558 euro.
Edhe kjo kompani është fituese e 51 tenderave publike, e vetme ose në bashkëpunim dhe ndërsa merrte pagesat e IPARD-it, ajo kishte kaluar disa sekuestro preventive, e fundit prej të cilave u hoq në vitin 2020, deri sa shleu detyrimet e gjobës ndaj Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
“Kompania merret në fakt me ndërtime, me akuakulturë, para 3 vitesh i është futur edhe sektorit të bujqësisë dhe ne e kemi mirëpritur”, i shpjegoi ish-drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, kryeministrit Edi Rama, teksa po e inspektonin investimin më 25 janar 2021.
Kur kryeministri Rama e vizitoi për herë të dytë investimin e përfunduar, më 18 maj 2022, përfaqësuesi i kompanisë i tha kryeministrit për një ambient me banak, tavolina dhe karrige, se:
“Njerëzit që punojnë këtu, njerëzit që do të rrinë jashtë me maune [kamionë], i kemi krijuar mundësinë që edhe të hanë edhe lart të rrijnë, të flejnë”.
“Kjo është mensa e punëtorëve?!”, pyeti kryeministri Rama i habitur.
“Mensa e punëtorëve”, i konfirmoi përfaqësuesi i kompanisë.
“Kjo është mensa më e mirë që kam parë, nuk kisha parë ndonjëherë mensë më të mirë”, u shpreh i habitur në takim edhe i ngarkuari me punë i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Alexis Hupin.
Por “mensa” rezulton se është një ambient shërbimi në ndërtesën që është një trup me magazinën që mbështeti BE-ja. Të vetmit punëtorë të kompanisë që gjenden në “mensë”, nuk janë fermerët apo magazinierët, por kamarierët që shërbejnë ushqimin e gatuar.
“Akomodimi në hotelit tonë, shoqëruar me kuzhinën tradicionale dhe atë moderne, do t’ju dhurojë një eksperiencë të paharrueshme!”, shkruan një nga postimet në faqen në “Facebook”, Kronos Agroturizëm.
“Kronos Agroturizëm”, emri me të cilin promovohet në mediat sociale, rezulton si ambient [gjurmë] që do të ndërtohej edhe në projektin që përfaqësuesi i kompanisë i prezantoi kryeministrit të vendit në janar 2021.
Gangrena e korrupsionit
Inxhinieri Romeno Nazarko a pa veten përpara hetuesve të OLAF disa kohë pasi kishte nisur rrugëtimin drejt ëndërrës së tij, për të mbjellë drurë arrorë në vendlindje, Ersekë.
“Projekt-ideja ime ishtë krijimi i një pemtoreje në rrethin e Kolonjës, në një tokë që unë e kisha marrë me qira për 99 vite, për një sipërfaqe rreth 130 dnym”, tregoi Nazarko.
Pasi 43 vjeçari dorëzoi dosjen e aplikimit në AZHBR në korrik të vitit 2020, nisi një “ping-pong” për plotësimin e kërkesave të njëpasnjëshme të agjencisë.
“Numri i madh i pikave të bënte të mendoje që do e kishe të pamundur sepse koha për t’i plotësuar ishte 15 ditë. Në vendet si Shqipëria që duhet të vish vërdallë për një shkresë, duhej të plotësoje 21 shkresa për 25 ditë, gjë që ishte psikologjikisht e pamundur”, kujtoi inxhinieri.
“Ata kërkonin një nënkontratë nënqiraje nga bashkëpronari im, që ishte pa kuptim pasi unë kisha kontratën e qirasë nga Bashkia Kolonjë dhe s’kam të drejtë ta jap me nënqira”, kujtoi ai, duke shtuar se kjo ishte një tentativë “për ta futur në kurth” sepse kjo lloj kontrate është e paligjshme.
E vetmja shpresë për të mbeti zyra e OLAF-it në Bruksel, me të cilën u lidh përmes aplikacionit “Skype” më 4 maj 2021, duke parashtruar pretendimet e tij.
Të intervistuarit nga ne treguan se ka studio konsulence të cilat nuk ofrojnë vetëm shërbimin e tyre legal, por kanë edhe marrëdhënie korruptive me AZHBR-në, përmes të cilave arrijnë që të finalizojnë marrjen e granteve.
Marrë me shkurtime nga amfora.al
Titulli i origjinalit: Klubi Ekskluziv IPARD”: Kush po i “korr” fondet në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut?
Discussion about this post