Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, tha nga salla e Parlamentit se OLAF vihet në lëvizje për çdo denoncim që bëhet, ndërsa u shpreh se nuk ka asnjë mbyllje programi nga Bashkimi Europian me AZHBR.
Krifca tha se janë pezulluar fondet, por jo se është ndërprerë programi. Krifca nuk i dha përgjigje pyetjes së deputetes Jorida Tabaku nëse ka një fryrje kostosh 30-50% për kompanitë që kanë marrë fonde nga AZHBR.
Krifca në fjalën e saj në Kuvend tha se korrupsion ka edhe në Gjermani, ndërsa shtoi se do të bashkëpunojmë me OLAF për të përmirësuar çdo problematikë.
“Ne nuk kemi një raport ende nga OLAF. AZHBR në kohën e PD ishte harem, ndërsa në kohën e LSI ishte si hambar votash”, tha Krifca. Ajo tha se puna në AZHBR është bërë me një objektiv shumë të qartë: ligjshmëri, transparencë dhe zhvillim.
Duke e cilësuar si gjueti shtrigash akuzat për korrupsion me fondet e BE-së, Krifca akuzoi opozitën se kur ishte në qeveri e kishte kthyer AZHBR në një kënetë që qelbte.
“U ndesha me shumë neveri retorikat e ditës së djeshme sepse hidheshin baltë mbi institucion dhe me njerëz që janë përkushtuar. Çdo fjalë u përdor nga opozita si barut për t’i vënë flakën gjithçkaje të mirë që kemi bërë. Dje, nuk ka pasur një lajm të ri. Lajmin se AZHBR ka qenë nën hetim, është i bërë publik që prej shkurtit në 2021.
Lajmi i vetëm ka qenë njoftimi për pezullimin e pagesës së radhës si një masë e përkohshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Bujqësisë në Bruksel. Në atë letër nuk përmendet fjala korrupsion. Në këtë pikëpamje unë nuk mund të komentoj dhe as nuk mund të parashikoj asgjë nga këto rrethana. Mund t’iu siguroj që sistemi i menaxhimit të fondeve dhe procedura e ndjekur nga Agjencia janë pikërisht ato që janë të akredituara nga BE.
Nëse këto procedura të verifikuara nga jashtë brenda, janë cenuar apo për shkak të zhvillimeve të ndryshme imponojnë përmirësimin e tyre, jemi te interesuar për të bashkëpunuar bashkë me OLAF për të bashkëpunuar menjëherë dhe për të korrigjuar veprimtarinë e institucionit. Programi nuk është ndaluar, ai është në funksion. Gjermania, Holanda, Spanja janë disa nga shtetet e mëdha që kanë pasur probleme me fondet e OLAF.
Kjo nuk do të thotë që ka korrupsion. Kudo ka vend për përmirësime të vazhdueshme. AZHBR është bërë pjesë e këtij hetimi, duke i vënë në dispozicion çdo dokument, apo informacion. Nuk thuhet në asnjë moment që ka korrupsion, por thuhet se ka dyshime për korrupsion. Unë i kam ofruar disponibilitet të plotë OLAF. Ne jemi krenarë për punën e bërë. Kemi ngritur një model menaxhimi si asnjë institucion tjetër. Ju ftoj të gjithë ju deputetëve që të shikoni punën që është bërë nga AZHBR”, tha Krifca.
Në replikë me ministren Krifca, deputetja Tabaku tha se nuk është aspak normale që del ministrja nga foltorja dhe sulmon opozitën, ndërkohë që akuzohet nga BE për shpërdorime dhe abuzime me fondet e qytetarëve europianë.
“Moj zonjë, ti ke qenë në krye të AZHBR, OLAF të akuzon për shpërdorime fondesh, ti vjen këtu dhe akuzon opozitën. Moj zonjë jep përgjigje për abuzimet me fondet, sepse i keni përdorur për inceneratorët, për aferën 430 mln euro, që ai kolegu juaj të arredojë shtëpinë”, tha Tabaku.
Në vijim deputetja demokrate u shpreh seish-ministri Arben Ahmetaj, ka përdorur buxhetin e shtetit si bankomat.
“Sot Parlamenti duhet të diskutonte për rendin e ditës. Unë dua ta falenderoj përfaqësuesin e KLSH për gjetjet në kohë të raportit, që është bërë bazë për hetimin e SPAK. Raporti ka zbuluar që Ahmetaj dhe Veliaj kanë abuzuar me buxhetin e shtetit për inceneratorët. Kolegët socialist kanë ndryshuar ligjin e koncesioneve për të mbrojtur Ahmetajn. Një shtet i tërë i ka dalë për zot tre personave në kërkim.
Sot kushdo që vijon e nuk jep përgjigje, vijon bëhet pjesë e këtij krimi me buxhetin e shtetit. Sot po i dilni krah taksës së korrupsionit. Ish-zv.kryeministri arredonte shtëpitë me fondet e buxhetit të shtetit dhe e përdorte buxhetin si bankomat. Në seancën e fundit të dhjetorit kam ngritur shqetësimin për fondet e IPARD për bujqësinë.
Ajo që ka ndodhur dje është një damkë turpi mbi AZHBR-në. Ka cënuar rëndë imazhin. Unë nuk e di se për sa para akuzohet qeveria shqiptare. Si ka mundësi që është krijuar një skemë piramidale dhe qeveria nuk ka pasur informacion.
Shqipëria sot ka një damkë që është e vështirë të hiqet. Relativizimi nuk ndihmon askënd. Shqiptarët presin informacion se çfarë ka ndodhur me fondet e AZHBR-së”, është shprehur Tabaku.
Discussion about this post