Zv.kryeministrja Belinda Balluku nuk u shqetësua aspak nga kritikat e Komisionit Europian për procedurat dhe teknologjinë e përzgjedhur nga qeveria shqiptare për djegien e plehrave. Në një takim me ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Kristianë Hohman, gjatë dorëzimit të Progres-Raportit për vitin 2021, Balluku u shpreh e bindur se qeveria që ajo përfaqëson do të vijojë të paguajë kompaninë koncesionare, pavarësisht se dy nga tre tyre janë nën sekuestro dhe pronarët e tyre janë në kërkim për korrupsion dhe pastrim parash.
Historia e inceneratorëve në Shqipëri besohet se përbën një prej aferave më të mëdha korruptive në 30 vitet e pluralizimit në vendin tonë. Prej vitit 2014, qeveria ka miratuar kontrata koncensionare për ndërtimin e landfillëve dhe inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, me një kosto që përllogaritet në mbi 400 milionë euro. Koncensionet janë fituar nga kompani me pronarë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. “Albtek Energy”, në pronësi të Stela Gugallja, fitoi pa garë të drejtën për ndërtimin e inceneratorit në Elbasan, me një kosto koncesionare 22 milionë euro. “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos fitoi të drejtën për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Fierit, me kosto koncesionare 30 milionë euro. “Integrated Energy BV”, ku ka rol thelbësor Klodian Zoto, fitoi kontratën për ndërtimin e inceneratorit të Sharrës në Tiranë, me kosto ndërtimore 128 milionë euro.
Kompanitë kanë fituar gjithashtu të drejtën që të shfrytëzojnë mbeturinat për prodhim energjie, duke përfituar në këtë mënyrë dhjetra milionë euro të tjera. Asnjë prej impianteve të përpunimit të mbetjeve nuk punon aktualisht. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), po kryen hetime mbi kontratat koncesionare të inceneratorëve në Fier dhe Elbasan. Ndërkohë, nuk është prekur aspak procedura e inceneratorit të Tiranës, e cila është më e rënda dhe dyshohet se brenda saj janë përfshirë zyrtarët më të lartë qeveritarë.
Kontrata për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Sharrës në Tiranë është nënshkruar në gusht të vitit 2017. Ajo parashikonte që pranë tij të depozitoheshin mbeturinat e bashkive që përbënin Qarkun Tiranë. Por, dokumentat zyrtarë dëshmojnë që vetëm bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj, ka shprehur dakordësinë për të kryer pagesat për depozitimin e mbetjeve urbane pranë landfillit privat.
Diçitura: Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është i vetmi në Qarkun Tiranë që ka shprehur dakordësinë për ndërtimin e inceneratorit në Sharrë
Bashkitë e tjera, edhe ato përtej qarkut Tiranë, u detyruan nga qeveria që të frynin financat e ‘Integrated Energy BV”, nëpërmjet manovrave tejet të dyshimta.
Emergjenca e sajuar
Në fillim të vitit 2020, qeveria “Rama”, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbetjeve, e drejtuar në atë kohë nga Alqi Bllako, vendosi mbylljen e vend-depozitimit të mbetjeve në Porto Romano të Durrësit. Ky landfill ishte shndërruar në një problem serioz për jetën dhe shëndetin e banorëve rreth tij, pasi prej vitesh nuk kishte pasur investime në rehabilitimin e tij. Por, me mbylljen e Porto Romanos, qeveria nuk caktoi asnjë vend tjetër për depozitimin e mbetjeve të bashkive të Qarkut të Durrësit. Shumë shpejt, brenda pak muajve, Durrësi, Shijaku dhe Kavaja, u përfshinë në një emergjencë mjedisore. Kontenierët e mbeturinave në qytete dhe zona periferike nuk pastroheshin prej muajsh, pasi kompanitë e mbledhjes së tyre nuk kishin ku t’i depozitonin pas mbylljes së Porto Romanos.
Në qershor të vitit 2020, Bashkia e Durrësit shpalli e para gjendjen e emergjencës mjedisore dhe kërkoi ndërhyrhjen e qeverisë për zgjidhjen e situatës. Kabineti qeveritar deklaroi në atë kohë se kishte gjetur mirëkuptimin e kompanisë koncensionare të landfillit të Sharrës, për të pritur mbeturinat e Durrësit. Në atë kohë u tha që ky shërbim do të kryhej pa pagesë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një shprehje se “nuk ka drekë falas”. Edhe kjo marrëveshja “falas” mes Bashkisë së Durrësit dhe kompanisë private nuk ishte aq falas.
E njëjta zgjidhje “falas” u gjet edhe për situatën e vështirë të krijuar me mbetjet në Shijak dhe Kavajë. Një vit më pas, përfundoi “dashamirësia” e kompanisë private dhe tashmë erdhi radha për të diskutuar mbi faturat. Bashkia e Durrësit ishte sërish e para që ndërmori hapat për të gjetur zgjidhje për plehrat. Këshilli Bashkiak diskutoi për tre variante-dy ishin për landfille në territorin e Durrësit dhe varianti i tretë ishte depozitimi i mbetjeve në Sharrë të Tiranës.
Për secilin variant, kostot ishin të papërballueshme për institucionet lokale të Durrësit dhe kërkohej ndihma e qeverisë. Kjo e fundit, në rolin e diktuesit, detyroi Bashkinë e Durrësit që të lidhte kontratë me shoqërinë “Integrated Energy BV”. Vetëm nëse nënshkruhej një marrëveshje e tillë, qeveria do të ndihmonte Bashkinë e Durrësit me fonde për pastrimin dhe depozitimin e mbeturinave. Në këto kushte presioni qeveritar, Bashkia e Durrësit vendosi të lidhje marrëveshje me kompaninë “Integrated Energy BV”. Kontrata është 10-vjeçare dhe kosto 50 milionë euro. Për shkak të kësaj marrëveshjeje, Bashkia e Durrësit ka parashikuar trefishimin e tarifës së pastrimit për qytetarët dhe bizneset, me qëllim që të sigurojë fondet për të likujduar faturat e lëshuara nga koncesionari i Sharrës.
Diçitura: Bashkia e Durrësit ka parashikuar trefishimin e të ardhurave nga tarifa e pastrimit për periudhën 2023-2025, duke rritur detyrimin për familjet e bizneset
Deri më tani, Bashkia e Durrësit ka paguar mbi 2 milionë euro për depozitimin e mbetjeve në Sharrë.
Diçitura: Pagesat e Bashkisë së Durrësit për depozitimin e mbeturinave në Sharrë (Burimi: spendingdata.al)
E njëjta situatë u zhvillua edhe me bashkitë e Kavajës dhe të Shijakut, pjesë e Qarkut Durrës dhe që u gjendën nën emergjencë mjedisore pas mbylljes së landfillit të Porto Romanos. Në Tetor 2020, Bashkia e Kavajës nënshkroi marrëveshjen me kompaninë koncesionare të Sharrës, “Integrated Energy BV”, për depozitimin e mbetjeve në Tiranë. Bashkia e Kavajës është një prej institucioneve lokale në vështirësi ekstreme ekonomike dhe qeveria mendoi në Maj të vitit 2022 që të zhvillonte një procedurë për marrjen nën administrim të saj, duke ia hequr të drejtën e drejtimit kryetarit të zgjedhur, Redjan Krali. Madje, në Korrik të këtij viti, Ministria e Financave shpalli edhe garën për Administrator Qeveritar të Bashkisë së Kavajë. Megjithatë, në Tetor, qeveria u tërhoq nga kjo procedurë, megjithëse situata financiare e Bashkisë së Kavajës vijon të jetë shumë e vështirë. Por, megjithë këto vështirësi, administrata lokale e Kavajës ka kryer rregullisht pagesat për koncesionarin e Sharrës, të cilat deri më tani kanë arritur në vlerën e rreth 1 milionë eurove, sipas të dhënave të portalit “spendingdata.al”.
Diçitura: Pagesat e Bashkisë së Kavajës për depozitimin e mbeturinave në Sharrë (Burimi: spendingdata.al)
Bashkia e Shijakut ka një situatë paksa më ndryshe se sa ajo e Durrësit dhe e Kavajës. Administrata e këtij qyteti ka nënshkruar kontratë një-vjeçare për depozitimin e mbetjeve në Sharrë dhe gjatë vitit 2022 ka shpallur dy herë tenderin për depozitimin e mbetjeve, me fond limit rreth 250 milionë lekë të vjetra. Në të dyja herët, tenderi është anuluar për mungesë ofertash. Procedura tenderuese është thuajse “fiktive”, pasi vend-depozitimi i mbeturinave më i afërt për Shijakun, pas mbylljes së Porto Romanos, është ai i Sharrës në Tiranë.
Diçitura: Bashkia e Shijakut ka anuluar dy herë tenderin për depozitimin e mbetjeve, për shkak të mungesës së ofertave
Pra, shpallja e një tenderi, kur dihet fituesi, krijon premisat për t’u konsideruar “fiktiv”. Por, çuditërisht, “Integrated Energy BV” ka zgjedhur të mos marrë pjesë në tenderin e Bashkisë së Shijakut. Mesa duket, kompania private po detyron institucionin e drejtuar nga Elton Arbana që të nënshkruajë kontratë shumë-vjeçare, duke shmangur në këtë mënyrë tenderat e përvitshëm. Megjithatë, Bashkia e Shijakut vijon të depozitojë mbetjet në Sharrë, me një çmim të njëjtë për të gjithë të tjerët, 29 euro për ton mbeturina.
Diçitura: Vendimi i Bashkisë Shijak për nënshkrimin e Marrëveshjes me kompaninë “Integrated Energy BV” për depozitimin e mbetjeve në Sharrë
Tarifa e fryrë
Aktualisht, në landfillin e mbetjeve në Sharrë depozitojnë mbeturinat bashkitë e Tiranës, Durrësit, Kavajës, Shijakut dhe Vorës. Të gjitha këto bashki paguajnë tarifën 29 euro për ton mbeturina, çmim që përfshin depozitimin dhe incenerimin e mbetjeve urbane. Por, kompania “Integrated Energy BV” nuk e ka ndërtuar ende impiantin e djegies së mbetjeve. Sipas parashikimeve optimiste të qeverisë, impianti mund të përfundojë në vitin 2024, ndërkohë që janë tejkaluar të gjithë afatet kontraktuale. Pra, në Sharrë aktualisht kryhet vetëm depozitimi i mbetjeve, ndërkohë që njësitë e qeverisjes vendore paguajnë edhe për incenerimin, një proces që nuk zhvillohet. Këtë anomali të rëndë e ka konstatuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport auditi mbi Inceneratorin e Tiranës, të publikuar në Shtator të këtij viti.
“Prej vitit 2018 deri aktualisht, është paguar tarifa prej 29 euro/ton mbetje urbane për incinerimin e mbetjeve për një shërbim ende të pakryer, duke qenë se incineratori ende nuk është përfunduar si objekt industrial për djegien e mbetjeve urbane…”, thuhet në raportin e KLSH-së.
Po ashtu, audituesit kombëtarë shprehen se “Mungesa e dakortësisë me shkrim e bashkive të tjera të Qarkut Tiranë përveç Bashkisë Tiranë, provokon në të ardhmen kosto financiare për këto bashki, mos përfshirja e të cilave mbi këtë argument do të sjellë mungesë efektiviteti për realizimin e projektit të Incineratorit të Tiranës”. Pavarësisht problematikave të theksuara, në ndjekjen e procedurave për nënshkrimin e kontratës, por edhe në aspektin financiar, qeveria është e vendosur për të vijuar pa ndërprerë pagesat e plota për një shërbim që nuk kryhet.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post