Disa pasuri, të luajtshme e të paluajtshme, në pronësi të Flamur Sinanajt dhe personave të lidhur me të, janë konfiskuar me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Vendimi i gjykatës që ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme vjen pas një hetimi pasuror nga SPAK për biznesmenin Sinanaj, i cili rezulton i dënuar me burg për drogë nga drejtësia belge.
Dënimi në Belgjikë
Prokuroria e Posaçme njofton se bazuar në parashikimet e ligjit nr.10 192, datë 03.12.2009 – “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë” – ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për konfiskimin e pasurive të shtetasit Flamur Sinanaj dhe personave të lidhur me të.
“Shtetasi Flamur Sinanaj, është subjekt i ligjit nr.10 192/2009, pasi në bazë të vendimit nr. 5736 datë 01.12.2010, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor, Antverpen, dega Antverpen, dhoma 8C, është dënuar me 8 (tetë) vjet heqje lirie dhe 5.000 (pesë mijë) Euro gjobë, për kryerjen e veprave penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike, të llojit kokainë’, ‘Mashtrimi’ dhe ‘Falsifikimi i dokumentave’, si pjesë e një organizate kriminale, parashikuar nga legjislacioni penal i Mbretërisë së Belgjikës”, njofton SPAK.
Pasuritë e konfiskuara
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, sqarojnë të njëjtat burime, Gjykata e Posaçme me vendimin nr.1, datë 09.01.2024, (vendim i cili ka marrë formë të prerë në datën 09.04.2024), ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive të luajtshme dhe paluajtshme, si më poshtë:
- Apartament me sipërfaqe 76.5 m2, me adresë rruga “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, blerë sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 70.000 Euro;
- Njësi me sipërfaqe 163 m2, me adresë rruga “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, përfituar sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 280.000 Euro;
- Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 123 m2, në Rrugën “Reshit Petrela”, Tiranë, blerë sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 15.990.000 Lekë;
- 7 (shtatë) llogari bankare në banka të nivelit të dytë në një shumë totale prej 660 854 Euro;
- 3 (tre) llogari bankare në banka të nivelit të dytë në një shumë totale prej 7.574.664 Lekë;
- Motorr Uji “Yamaha”, tipi motor Deti “Jetski”, viti i prodhimit 2016;
- Varkë Vetorizine e përdorur “Yamaha 242X Limited USA”, viti i prodhimit 2017, me gjatësi 7.45 m;
- Automjet, marka “GMC”, modeli SIERRA SLT, tipi Kamion, viti i prodhimit 2011;
- Automjet, marka “Mercedes Benz”, modeli B180CDI, tipi 146, viti i prodhimit 2012;
Çështje në Turqi
Emri i Flamur Sinanajt u përfol gjerësisht në median turke verën e vitit të kaluar, pasi një kërkesë ekstradimi për shqiptarin u refuzua fillimisht nga autoritetet turke.
Në një artikull nga “sozcu”, Sinanaj përshkruhet si krahu i djathtë i boshnjakut Sani Al Murdaa, një nga bosët e drogës në Belgjikë, të cilët në vitin 2019 morën shtetësinë turke pasi blenë shtëpi për 250 mijë dollarë (duke përfituar nga legjislacioni turk për marrjen e shtetësisë). Më vonë, ata u shpallën në kërkim ndërkombëtar nga shteti belg lidhur me një sasi prej 3.2 tonë drogë të kapur në Belgjikë, në 2021.
Më 3 nëntor 2022, Belgjika i kërkoi Turqisë ekstradimin e Sinanajt. Fillimisht autoritetet turke refuzuan me arsyetimin se shqiptari tashmë marrë shtetësinë turke, ashtu si bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij (i katërti lindi në Turqi). Më pas, atij dhe familjarëve iu hoq shtetësia (4 Gusht 2023) nga autoritete turke dhe Sinanaj u arrestua më 7 gusht, teksa ishte me pushime në Bodrum.
Një proces gjyqësor nisi më pas në shtetit turk për ekstradimin e shqiptarit, me këtë të fundit që kundërshtoi ekstradimin.
Biznesmen në Shqipëri
Në një artikull të publikuar në Tetor 2023, gazetari Ismail Saymaz shkruante se “Sinanaj ka hyrë në jetën e biznesit. Transformatorët që solli nga Kina filloi t’i shiste në Shqipëri”.
Referuar të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, ai rezulton pronari me 100 të kuotave të firmës “POWER A4”, themeluar në Shator 2018, me objekt “Import-eksport te materialeve elektrike, telekomunikacionit, sistemeve te alarmit…”.
Në historikun e biznesit në QKB ka një vendimin në Maj 2021 për sekuestron të 100 përqind të kuotave të Flamur Sinanajt në këtë biznes. Vendimi është marrë nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK. Referuar historikut të biznesit, kompania rezulton ende nën sekuestro.
Discussion about this post