Berisha, ka deklaruar gjatë një takimi me përfaqësues të diasporës shqiptare në SHBA se shpopullimi, ekonomia dhe ndikimi i krimit të organizuar janë ndër problemet më të rënda me të cilat përballet Shqipëria.
Berisha tha se, sipas tij, mbi 46% e shqiptarëve janë larguar nga vendi gjatë dhjetë viteve të fundit. Ai e lidhi këtë fenomen me qeverisjen e Edi Ramës, të cilën e cilësoi si një “regjim të drogës”, duke pretenduar se paratë e narkotikëve kanë ndikuar në ekonomi, financa dhe institucione.
“Ky regjim ka një fuqi helmuese të paparë në historinë të, dhe kjo fuqi helmuese është droga”, deklaroi Berisha.
Sipas kreut të PD-së, ndikimi i parave të paligjshme është reflektuar edhe në kursin e këmbimit. Ai pretendoi se gjatë dekadës së fundit euro është zhvlerësuar me 35%, ndërsa dollari me 32% në Shqipëri, duke argumentuar se kjo ka dëmtuar eksportet, bizneset dhe remitencat.
“Me këtë janë shkatërruar, kanë falimentuar me mijëra ndërmarrje”, u shpreh ai.
Berisha e lidhi zhvlerësimin e monedhës me atë që e quajti ndikim të “narkoeurove”, duke argumentuar se paratë e drogës kanë shkaktuar deformime të forta në ekonominë shqiptare.
Në fjalën e tij, lideri demokrat akuzoi gjithashtu qeverinë se krimi i organizuar ka ndikim mbi institucionet shtetërore dhe proceset zgjedhore.
“Kjo nomenklaturë që ka në dorë këto miliarda, kjo vendos për çdo gjë. Vendos ministrat, vendos drejtorët e policive, vendos zyrtarët, vendos zgjedhjet”, deklaroi Berisha.
Ai pretendoi se krimi i organizuar po pengon rotacionin politik në vend dhe i cilësoi zgjedhjet si “farsë”.
Berisha: Nëse shpopullimi vazhdon, shqiptarët mund të bëhen pakicë
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së Berishës iu kushtua shpopullimit. Ai paralajmëroi se, nëse largimi i shqiptarëve vazhdon me të njëjtin ritëm, pasojat demografike do të jenë të rënda.
“Ky shok demografik që kemi pësuar, në qoftë se nuk ndalohet, në pak dekada më vonë ne do jemi pakicë në vendin tonë”, tha ai.
Berisha solli si shembull edhe mungesën e fuqisë punëtore në zona të ndryshme të vendit, duke përmendur raste ku, sipas tij, po punësohen shtetas të huaj për shkak të largimit të shqiptarëve.
Ai kritikoi gjithashtu centralizimin e pushtetit vendor, mungesën e investimeve në zonat rurale dhe dobësimin e shërbimeve publike, duke i cilësuar këto si faktorë që kanë ndikuar në largimin e qytetarëve nga vendi.
Thirrja për diasporën shqiptare në SHBA
Berisha i bëri thirrje diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara që të angazhohet pranë institucioneve amerikane dhe partnerëve ndërkombëtarë për të denoncuar, sipas tij, lidhjet mes krimit të organizuar dhe pushtetit në Shqipëri.
Ai vlerësoi si të rëndësishme qasjen e administratës amerikane ndaj luftës kundër karteleve të drogës dhe tha se opozita do të kërkojë mbështetjen e SHBA-së për forcimin e shtetit ligjor dhe garantimin e votës së lirë.
“Do të bëj gjithçka për paraqitjen e realitetit të Shqipërisë tek partneri ynë kryesor”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se diaspora shqiptare në SHBA ka pasur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e Shqipërisë dhe në çlirimin e Kosovës, duke e ftuar atë që të vijojë angazhimin për zhvillimet politike në vend.
Në përfundim, Berisha tha se pret mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, duke argumentuar se lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës është edhe në interesin e vetë SHBA-së.
Ai deklaroi se do të angazhohet për t’i paraqitur partnerëve amerikanë situatën në Shqipëri dhe për të kërkuar, sipas tij, rikthimin e shtetit ligjor, respektimin e Kushtetutës dhe garantimin e të drejtës së shqiptarëve për të votuar të lirë.










Discussion about this post