Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e përjavshme me gazetarët deklaroi se PD do të falë të gjitha gjobat e vendosura për energjinë elektrike, ujin e pijshëm dhe ndërtimet pa leje për kategori të caktuara qytetarësh, si pensionistët, familjet në nevojë dhe ato me të ardhura të ulëta.
Berisha e quajti të paligjshëm projektligjin e socialistëve mbi gjobat për ndërtimet pa leje, duke përmendur një vendim të Gjykatës Kushtetuese që siç tha, e shpalli atë antikushtetues. Sipas Berishës, qeveria aktuale ka vijuar praktikën e padrejtë të vendosjes së gjobave, ndërsa PD garanton kthimin e çdo shume të paguar padrejtësisht nga qytetarët. Berisha u bëri thirrje qytetarëve të mos paguajnë këto gjoba dhe premtoi falje të plotë në rast se PD merr pushtetin.
Kryedemokrati premtoi se qeveria e ardhshme e Partisë Demokratike do të diferencojë çmimet e energjisë elektrike, duke vendosur tarifa të ulëta për ata me të ardhura minimale dhe nevoja bazike, ndërsa çmime më të larta do të aplikohen për ata me të ardhura të larta.
Akuzat për Olsi Ramën
Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi Olsi Ramën, vëllanë e kryeministrit Edi Rama, për udhëtim të përsëritur me makinën e klanit të Xibrakës, një grup kriminal i përfshirë në aktivitetin e drogës. Ai publikoi përpara gazetarëve të dhëna të cilat tregojnë se Olsi Rama ka udhëtuar pesë herë me makinën me targën AA653DM, dhe theksoi se ky informacion është në kontrast me deklaratat e Olsi Ramës, i cili kishte thënë se kishte udhëtuar vetëm një herë me këtë makinë.
Berisha ka kërkoi që qytetarët të jenë të informuar mbi këto udhëtime dhe ka sugjeruar se Olsi Rama është i lidhur me grupe kriminale. Ai përmendi gjithashtu dhe përdorimin e dy pasaportave nga Olsi Rama, një shqiptare dhe një amerikane, si pjesë e aktivitetit të tij të dyshuar.
Kryedemokrati, Sali Berisha iu drejtua kryeministrit Rama me pyetjen se pse, Olsi kaloi në Morinë, një pikë kufitare, në ditën e arrestimit të një grupi kolumbianësh me një makinë pa targë, duke thënë se Olsi mund të ketë qenë duke u përpjekur të fshihte identitetin e tij.
Berisha gjithashtu akuzoi edhe Edi Ramën, për përpjekje për të mbrojtur vëllain e tij, duke e konsideruar atë si kreun e grupit kriminal. Ai theksoi se, ndonëse Rama mund të përpiqet të mbrojë Olsin, ai është i përfshirë thellë në këtë çështje.
Berisha premtoi se do të publikojë të dhëna që përfshijnë udhëtimet e Olsi Ramës dhe shtoi se agjencitë ndërkombëtare të luftës kundër krimit do të dërgojnë dosjen e tij për hetim.
“Dje Edi Rama doli nga strofulla i tmerruar. Është në koshmar dhe për të mos u paraqitur në interpelancë për të shkelur Kushtetutën, për të mos ardhur në interpelancë për gjobën më të madhe në histori që i bëri Shqipërisë me 120 milionë euro të Beketit, gjobë personale e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, e dokumentuar. Sikundër reagim për të justifikuar mosparaqitjen e tij, shpalli se nuk paraqitem me Gazment Bardhin po nuk doli Olsi i fajshëm apo i pafajshëm në lidhje me Xibrakën. Tani, ju lutem të informoni qytetarët se Olsi është një nga kokat më të rrezikshme të Xibrakës. Olsi Rama ka mashtruar publikun, ai ka deklaruar se ka udhëtuar vetëm njëherë me makinën e klanit të Xibrakës, njëherë në Selanik”.
Me datë dhe orë, Berisha përmendi udhëtimet e vëllait të kryeministrit Edi Rama, që sipas tij e përfshijnë në dosjen Xibraka.
“Tani unë do paraqes këtu datat dhe orët e 5 udhëtimeve, të cilat nuk janë 5, por janë shumë më tepër. Por unë kam zgjedhur këto për të paraqitur të Olsi Ramës me makinën e famshme të drogës dhe të klanit të drogës, me të cilën udhëtonte Gentian Gjonaj, Gentian Xhixhaj dhe Ermal Hoxha. E kishin si makinë të tyre. Por meqenëse Olsi Rama ka bërë mashtrimin publik se ka udhëtuar me këtë makinë vetëm njëherë, në një kohë kur ai ishte mish e thua me Ermal Hoxhën dhe Gentian Xhixhajn, unë po rikujtoj këtu datat në të cilat ai ka udhëtuar me këtë makinë.
1. Olsi Rama hyn nga jashtë me makinën AA653DM me datën 8.6.2014 në orën 14.13 minuta.
2. Olsi Rama udhëton me makinën me këtë targë me datën 13.7.2014, ora 18.06.
3. Olsi Rama me makinën AA653DM me datën 6 qershor 2014, ora 13.30.
4. Olsi Kristaq Rama, se përdor dy pasaporta ky trafikant, edhe pasaportën shqiptare, edhe atë amerikane se është shtetas amerikan, Olsi Rama me makinën AA653DM me datën 8.8.2014, ora 18.35.
5. Olsi Kristaq Rama ka udhëtuar me makinën me targë AA653DM në datën 11 korrik 2014 në ora 15.46.
Pra, personi që thotë kam udhëtuar njëherë me këtë makinë, unë kam të regjistruara këtu 5 herë, por ekzistojnë edhe data të tjera”, u shpreh Berisha.
SPAK troket në derën e Erion Veliaj
I pyetur nga gazetarët rreth hetimit të SPAK drejt kryebashkiakut Veliaj, Berisha hodhi akuza për mashtrime dhe korrupsion, duke e lidhur atë me një operacion që ai e quan “diktuar nga revolta popullore” dhe “mosbindja civile”. Sipas Berishës, Veliaj ka manipuluar dokumente për të marrë përsipër pagesat për djegësin e Tiranës dhe ka kërkuar arrestimin e Arben Ahmetajt, i cili e kishte kundërshtuar këtë projekt. Berisha e cilësoi Veliajn si një person të pandëshkueshëm dhe e lidh atë me disa skandale korruptive.
Gjithashtu, lideri demokrat akuzoi drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, për konflikt interesi. Berisha përmendi emrin e Klajdi Meçes, një bashkëpunëtor sipas tij i ngushtë i Veliajt, duke thënë se ai ka lidhje të ngushta edhe me Dumanin.
Berisha vuri theksin mbi lidhjet sipas tij të dyshimta të Dumanit dhe Veliajt dhe tha se qytetarët do të vazhdojnë të protestojnë deri në momentin që ata të ndëshkohen për veprimet e tyre.
Lulzim Basha
Kryedemokrati foli edhe për Lulzim Bashën të cilin e cilësoi si “vëllain siamez” të Taulant Ballës. Berisha tha se, Basha është i lidhur ngushtë me Ballën dhe se kjo lidhje është e thellë, duke theksuar se ata janë mpleksur shumë me njëri-tjetrin përmes disa çështjeve. B
erisha e bëri këtë koment duke cilësuar ngushtësinë e lidhjeve politike mes dy figurave, duke përmendur edhe një lajm të njohur, atë të makinës “Toyota Yaris”, si një pjesë të kësaj lidhjeje të dyshimtë.
Discussion about this post