Në aktivitetin e organizuar nga Partia Demokratike me të rinjtë e “Brain Gain” në Vlorë, gjatë fjalës që mbajti kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi sfidat e mëdha që ka kaluar Shqipëria gjatë viteve të fundit dhe vetë opozita.
Ai e krahasoi situatën e tanishme me periudhën e pas Pavarësisë, duke theksuar se PD ka luajtur një rol kyç në luftën kundër komunizmit dhe përmbysjen e diktaturës.
Në fjalën e tij, Berisha nuk kurseu kritikat ndaj qeverisë aktuale, duke e akuzuar atë për sjellje të ngjashme me ato të diktaturës dhe për keqadministrimin e pasurisë dhe burimeve të vendit. Ai përmendi gjithashtu se, pavarësisht sfidave të mëdha, Partia Demokratike ka qëndruar e fortë dhe e gatshme të përballet me çdo rrezik që i kanoset kombit.
Kryedemokrati Berisha shprehu mirënjohjen për ata që mbajtën vlerat e kombit dhe që qëndruan kundër çdo përpjekjeje për të devijuar drejtësinë dhe lirinë. Berisha kritikoi ndërhyrjen e dyshimtë të forcave të huaja në Shqipëri, duke theksuar se PD mbetet një forcë e frymëzuar nga vlerat e lirisë.
Lideri i opozitës u shpreh se “sot ne jemi në kushte përsëri të vështira dhe askush nuk duhet të ketë iluzion se rrëzimi i diktaturës është një detyrë e vështirë, por çdo njeri duhet të mos harrojë se është plotësisht e mundshme”. “Ne jemi Parti Demokratike, ne jemi parti jo e dhunës, ne jemi parti e vlerave, mosbindjes civile, votës së lirë”, deklaroi kryetari i PD gjatë një takimi me të rinjtë e Brain Gain në Vlorë.
FJALA E PLOTE:
Ju përshëndes shumë, dhe një përshëndetje të përzemërt. Sot unë kam një urim nga zemra për të gjithë qytetarët e Vlorës, për të gjithë shqiptarët, Gëzuar festën e Festave, datën e lindjes, datën e re të lindjes së Shqipërisë moderne, ditën e Pavarësisë. Një ditë kjo në të cilën Ismail Bej Vlora, me një vizion gjenial dhe në kushte tërësisht të kundërta me ëndërrën e tij dhe të shqiptarëve, ngriti në Vlorë flamurin e Skëndërbeut, shpalli Pavarësinë në një akt shpëtimtar të ekzistencës së Shqipërisë, por edhe të kombit shqiptar.
Të dashur miq! Ismail Bej Vlora dhe etërit e tjerë të pavarësisë po të zgjoheshin sot, nuk do të njihnin asgjë nga Shqipëria në të cilën ata shpallën pavarësinë. Shqipëria është vite e vite drite larg. Por nëqoftëse në rrafshin material, fizik, ndryshimet janë vite drite larg, përsëri për fatin jo të mirë, ngjashmëritë janë të pashmangshme. Pas shpalljes së Pavarësisë, vrapuan të ja merrnin pavarësinë Shqipërisë. Përzunë nga vendi babain e pavarësisë. Firmosën traktate për zhdukjen e saj. Shqiptarët krijuan principata në shërbim të të huajve. Hodhi shqiptare u dyndën drejt Vlorës për të përzënë Ismail Qemalin dhe kundra tij.
Natyrisht kjo histori nuk mund të përsëritet kurrë në këtë formë, por e vërteta është se njëlloj si ata që u prinë ushtrive serbe në atë kohë, sot në Tiranë qeveris një shqipfolës, që zbaton në këtë vend pas 112 vitesh pavarësi, zbaton pikë për pikë politikën Çubrilloviçit dhe ka përzënë nga Shqipëria në 10 vite, më shumë shqiptarë se çdo pushtim tjetër deri sot.
Vendin e pasurive më përrallore, më mahnitëse e shndërroi në vendin e kanabisit, vendin e drogës. Shtetin ligjor e zëvendësoi me narkoshtetin. Rikthej arrestimet, burgjet politike dhe përvetësimin e papërmbajtur masiv të pasurive publike, zhyti shqiptarët në mjerin progresiv. I vetmi popull në rajon dhe Europë, në të cili varfëria u rrit nga viti në vit.
Në këtë kontekst në këtë kuadër, PD si forcë politike që përmbysi komunizmin, ishte para alternativës, të jesh apo të mos jesh. Të jesh do të thotë të merrte përsipër misionin e përmbysjes së re. Një diktaturë në të cilën i tërë pushteti ndodhet në duart e padrinos, në të cilin krimi dhe shteti janë një sipërmarrje e përbashkët, siç shifet çdo ditë. Alternativa tjetër do të ishte zhdukja e saj. Por misioni i saj ishte i vështirë. Shumë i vështirë, megjithatë, demokratët u ngritën. U ngritën, e them këtu në kushtet më të jashtëzakonshme. Sepse këtij kuadri real, për ti dhënë një ‘kolpo di gracia’, për ti dhënë goditjen e mëshirës, demokracisë në Shqipëri, mafia shqiptaro-amerikane, pasi i kishte dhënë drejtësinë Edi Ramës, vendosi ti japë dhe opozitën.
Vendosi ti japë opozitën dhe të fshijë nga analet partinë që përmbysi diktarurën, partinë që u ngrit mbi vlerat e kombit shqiptar, mbi traditën, dinjitetin, atdhetarinë. Pra, në këto momente kritike për vendin, qytetarët më pro amerikanë u ndodhën para një të papriture që nuk e kishin menduar ndonjëherë, por zgjodhën të vërtetën, zgjodhën vlerat, zgjodhën traditën, zgjodhën atdhetarinë. Kaluan dy tre vite, por sot u pa. Pas 5 nëntorit doli me gjithë madhështinë e saj, Amerika e vlerave se ju qëndruat kundër një Amerike tjetër, një Amerike që merrte përsipër të kryente grusht shteti në një vend partner. Që merrte përsipër të krijonte një drejtësi krejtësisht në funksion të diktarotit. Që merrte përsipër të sillte praktikat e shpërbërjes së familjes.
Dua të ndiheni të lehtësuar, se qëndruat për ato vlera të cilat i rikthej në piedestal, kombi i madh, kombi i lirisë. Dhe sot, dhe asnjëherë, ju nuk u bëtë, nuk u shndërruat në anti amerikan, përkundrazi për sa kohë Amerika do të udhëheqë botën e lirë dhe do të shkëlqejë me shembullin e lirisë, PD do të mbetet një forcë e frymëzuar prej saj. U ndala në këtë moment për të theksuar, për të falënderuar me shumë mirënjohje punën e këtij grupi të këtij departamenti Brain Gain, të falënderon Nikolan për aktivitetin që ka organizuar, të cilët me një mençuri të veçantë kanë zgjedhur si kryetemë, vlerat, vlerat që ne besojmë, mbrojtjen e tyre, promovimin e tyre, si kusht për të përmbushur misionin tonë, si kusht për të mos zhgënjyer shqiptarët.
Dhe mendoj se janë këto vlera, të trashëguara, familja, dinjiteti njerëzor, dashuria për vendin, atdhetaria, liritë dhe të drejtat e qytetarëve, të cilat na bëjnë ne, të pamposhtur. Na bëjnë ne të ecim të sigurtë në të drejtën tonë, drejt fitores tonë. Sot ne jemi në kushte përsëri të vështira dhe askush nuk duhet të ketë iluzion se rrëzimi i diktaturës është një detyrë e vështirë, por çdo njeri duhet të mos harrojë se është plotësisht e mundshme. Sot ne kemi një narkodiktaturë, që përsëri ka mbështetje, natyrisht pas 5 nëntorit mbështetësi i tij më kryesor dhe i narkoshtetit në Shqipëri, Xhorxh Soros nuk do të mund të diktojë më për Shqipërinë dhe rajonin politikën e SHBA. Por fuqia korruptive e narkoshtetit është e madhe. Efektet e këtij korrupsioni brenda dhe jashtë janë shumë të mëdha. Aparati represiv i tij bëhet gjithnjë e më i egër. Çfarë duhet të them me këtë, çdo ditë e më aktiv, duhet të bëhet veprimi ynë. Duhet të qëndrojmë me të gjithë forcën, dhëmb për dhëmb.
Të dashur miq! Diktaturat ka vetëm dy rrugë për largimin e tyre, ose me armë, ose me mosbindje civile dhe votë. Ne jemi Parti Demokratike, ne jemi parti jo e dhunës, ne jemi parti e vlerave, mosbindjes civile, votës së lirë. Rruga që kemi nisur është rruga drejt fitores. Hapa shumë të mëdha janë bërë, ishim forca politike, padrejtësisht më e izoluar në Europë, megjithëse mbronim vlerat më të çmuara evropiane në vendin tonë, por ne nuk u tërhoqëm. Ne vazhduam të bindur se po mbrojmë jo vetëm vlera për shqiptarët, specifike, por dhe për të tjerët. Dhe sot mblidhemi në një kohë kur kemi marrë mbështetjen më të fuqishme ndërkombëtare në tërë ekzistencën tonë. Sot regjimi i Tiranës është ndëshkuar ndërkombëtar nga partitë e qendrës së djathtë, sa asnjë regjim tjetër, pas atij të Koresë së Veriut dhe ndonjë diktature tjetër.
Por sot të gjitha këto janë frymëzim dhe kushtrim për ne. Të vazhdojmë sepse e vërteta është, jemi shpresa e fundit dhe kurrë historia nuk do të na falë, nëqoftëse ne nuk shpëtojmë shqiptarët nga kjo narkodiktaturë. Kam shumë besim, jam besimplotë që ne do të realizojmë qëllimet tona. Kjo ditë po të rikthehesh 112 vjet më parë, me vështirësitë e jashtëzakonshme në të cilën Ismail Bej Vlora dhe bashkëpunëtorët e tij, guxuan, ndërkohë që i përkrahte vetëm një shtet në botë, kundër të gjithëve të ngrejë flamurin e Skënderbeut në Vlorë. Në rast se i rikujtojmë trashëgimninë tonë, luftërat e Skënderbeut ndër më të pabarabartat asgjë nuk mund të na pengojë ne, për të arkivuar Edi Ramën në analet e turpit të historisë dhe të regjimit të tij dhe për të rikthyer shqiptarëve, votën e lirë, dinjitetin, fitoren e opozitës. Edhe njëherë gëzuar Ditën e Flamurit. Është radha jonë, është radha jonë. Fitore, fitore!
Discussion about this post