Në një kohë kur GJKKO do të vendosë nëse do ta arrestojë, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se procesi ndaj tij është pa asnjë fakt, dokument apo firmë. Në një dalje për mediat, ai sulmoi Ramën se ka marrë pushtetin e çdo institucioni.
“Sa herë që më jepet rasti të bisedoj me të rinjtë, është një pyetje e sinqertë që gjithmonë ngrihet, qofshin këta të rinj demokratë, qofshin të rinj indiferentë, qofshin të rinj të bindjeve të tjera. Kjo pyetje bashkëjeton sot me çdo të ri shqiptar. Kjo pyetje mundon secilin prej jush pasi përgjigjja ende nuk është e qartë. Prandaj fjalën time sot do e nis duke u përpjekur t’i jap përgjigje kësaj pyetje që qëndron si barrierë sot mes jush dhe të ëndrave tuaja, të ardhmes tuaj. Kjo pyetje famëkeqe është: pse është kaq e vështirë t’ia dalësh në Shqipëri? Ose e formuluar ndryshe: pse nuk po ia dal dot në këtë vend dhe po largohem prej tij? I sigurt kam që çdo i ri e ka pyetur veten për këtë para se të marrë rrugët e dheut. Arsyeja pse unë nisa fjalën time me këtë pyetje është se përsëri, pavarësisht nga rezultati dramatik i situatës, pyetja kërkon një përgjigje të saktë. Të rinjtë ikin sepse shkollimi i tyre po degradon dhe ky është një realitet.
Për të rinjtë, formimi, qoftë universitar, qoftë parauniversitar, qoftë profesional, është i një rëndësie shumë të madhe për të ardhmen e tyre. Por studimi i fundit ishte vërtetimi i atyre konstatimi në qindra e mijëra raste se arsimi po degradon me shpejtësi të madhe. Studimi i fundit i PISA-s gjeti se Shqipëria, në 9-vjeçarin e kësaj qeverie pësoi rënien më të madhe në botë. U rendit e para në degradimin e arsimit. U kthye në vitet 2000.
Imagjinoni nxënësit tanë në arsimin parauniversitar përgatiten jo për vitet 2024, por për vitet 2000. Përgatiten për 20 vite mbrapa. Përgatiten për kohën pothuajse të fillimit të internetit apo para internetit.
Rënie katastrofale. Rënie me pasoja shumë të rënda. Natyrisht, do të ishte e padrejtë në qoftë se do pranonim se vetëm arsimi është shkaku i këtij largimi masiv të të rinjve, i shkretimit të vendit në raport me ju, me moshën tuaj, Shqipëria po shndërrohet në një shkretëtirë. Besarti dha disa statistika tronditëse, asnjë luftë, asnjë gjendje nuk ka larguar nga ndonjë vend të rinjtë sa ç’janë larguar këto 10 vite. Përveç arsimit, shpeshherë ju ndodh në mënyrë absurde ju fajësojnë ose vetëfajësojnë, sepse qeveria ka ushqyer një frymë shfuqizuese ndaj jush. Qeveria bën gjithçka që ju të mos ndjeheni të fuqishëm. Ndaj i mëshon me propagandën e saj se janë çuna dhe vajza kafenesh, se janë zdromsa, janë dembela.
Në një kohë kur asnjëra nga këto nuk është e vërtetë. Në një kohë kur kapacitetet tuaja intelektuale janë absolutisht të klasit të parë dhe kjo është e faktuar. Jo me ju, por me studimet e para gjenealogjike dhe antropolitike të shqiptarëve. Askush dhe asnjëherë nuk e ka vënë ndonjëherë në diskutim inteligjencën shqiptare.
Këtu ngjallet një frymë antirini e qëllimshme dhe me këtë frymë synohet të largohet rinia nga Shqipëria.
Rikujtoni për një moment Edi Ramën, ministrat e tij, nuk e përmendin kurrë fjalën rini. Nuk ekziston për ta fjala rini. Ekziston vetëm kur i duhet pr të mbushur sheshet në koncerte për qëllime elektorale, por për asgjë tjetër.
Se për Edi Ramën, interesi absolut është se të rinjtë, që nuk mund të pajtohen me një qeverisje të tillë dhe me pasoja të tillë, të largohen nga Shqipëria.
Por në qoftë se ju dhe çdo i ri shtron pyetjen me të drejtë pse nuk ia dalim në këtë vend, në një kohë kur ju garantoj se në çdo vend tjetër që të shkoni në Europë, kurrë nuk do gjeni një tokë me potenciale të jashtëzakonshme si ky vend. Pasuritë e Shqipërisë në kaq sipërfaqe, nuk i ka asnjë vend tjetër.
Potenciali i saj turistik është i pakrahasueshëm sepse ka një kombinim mahnitës të alpeve dhe maleve me brigjet më të bukura që ekzistojnë në rajon. Sepse ka një tokë të pakët, por shumë pjellore. Sepse ka rezerva të mëdha minerale, ka fushat më të mëdha të naftës onshore në Europë.
Pra, jetohet midis gjithë këtyre pasurive dhe megjithatë, Shqipëria nuk jep shansin që ju ta ndërtoni këtu ëndrrën tuaj.
Shqipëria nuk është një vend i mallkuar, por një vend i tradhtuar. I tradhtuar në themelet e lirive dhe të drejtave të tyre. I tradhtuar në ato parime, pa të cilat vendi nuk është më i yti. Pa të cilat, ti detyrohesh të kërkosh një strehë tjetër. Dhe kjo ndodh sot.
Në aparencë, Shqipëria është një vend i lirë, por kjo është absolutisht një liri e rremë. Kjo është një liri e rremë. Shqipëria nuk është një vend i lirë.
Shqipëria sot, njëlloj si në diktaturën komuniste, ka të gjitha të pushtetet e saj në dorën e një njeriu. Pa përjashtim.
U them unë ju, nga memoria dhe eksperienca ime, Shqipëria pati dy diktatorë gjatë diktaturës komuniste, Enver Hoxhën dhe pasardhësin e tij. Enver Hoxha i kishte të gjitha në dorë, por pasaardhësi nuk i kishte të gjitha pushtetet në dorë. Pavarësisht se përpiqej, por sërish nuk i kishte.
Sot Edi Rama ka në mënyrë absolute, në mënyrën më të verbër, çdo pushtet.
Ju jeni dëshmitarë, ndoshta keni ndjekur procesin e tij ndaj meje. Një proces pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë firmë të Sali Berishës në privatizimin e një kompleksi me qindra pronarë, njëri prej të cilëve ishte dhëndri im, Jamarbër Malltezi. Asnjë firmë. Një proces i filluar në vitin 1995, i përfunduar në vitin 2009 në përputhje me të gjitha ligjet e vendit.
Në këtë proces ka diçka shumë të veçantë, ky që ka marrë tokën e tij dhe është një i 500 mijti pronar që ka marrë trojet dhe ka marrë 400 metra nga 1 miliard e 577 milionë e 400 mijë metër katrorë tokë që qeveria, në përputhje me programin e saj, ua dorëzoi pronarëve legjitimë. Ky vihet në gjendje arresti.
Vetë Edi Rama, me firmën e tij, me 4 vendime qeverie, merr nga toka e kësaj familje, të cilët fisnikërisht e kishin dhuruar për shkollë komuniteti, 1500 metër katrorë tokë. Po si i merr? Me 4 firma. Ky që mori 400 metra nuk ka asnjë firmë të Sali Berishës. Kurse ky tjetri, për të marrë 1500 metra, vendos 4 firma njëra pas tjetrës, dhe burgos këtë, njëlloj siç burgosën në vitin 1946, paraardhësit e tij”, tha Berisha.
Discussion about this post