Kreu demokrat Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së që drejton, ka kërkuar nga të gjithë anëtarët që të mendojnë ditë e natë se si mund ti përgjigjen armikut që kanë përballë, duke e cilësuar kështu Kryeministrin Edi Rama.
Berisha tha se përderisa Edi Rama mund ti bëjë çdo gjë opozitës, atëherë edhe kësaj të fundit i lind e drejta të reagojë me të gjitha format.
Berisha tha se është skandaloz fakti që imuniteti i një deputeti, aq më tepër lideri të opozitës, hiqet pa u paraqitur asnjë provë dhe asnjë fakt nga Prokuroria, ndërkohë që mbi deputetin vendosen masa kufizuese pa marrë më parë lejen e Kuvendit.
Skandaloz, Berisha ka quajtur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që e konsideroi segmentin më të kapur të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama.
“Kushtetuesja mashtroi në mënyrën më të paimagjinueshme, thonë se 1/5 e deputetëve nuk përfaqësojnë Kuvendin, ndërkohë që Kushtetuta ia njeh si të drejtë kushtetuese”, tha Berisha.
Duke e përcaktuar si një të drejtë kushtetuese, Berisha tha se anëtarët e Kushtetueses vunë përballë fantazinë e tyre.
“Gjatë këtyre dy-tre javëve u zhvillua një proces unik, i veçantë në Shqipëri, në të cilin Edi Rama urdhëroi institucionet e drejtësisë dhe parlamentin të kalojnë nga një shkelje e rëndë në një shkelje më të rëndë të Kushtetutës.
Për të realizuar aktin e sotëm, ai e realizonte pa asnjë lloj të themi, pengese të pakapërcyeshme sepse kudo kontrollin dhe shumicën.
Por përsëri atij nuk i duhej rruga legale, sepse rruga legale mund t’i mbetej e këputur në mes. Për garanci dhe siguri, atij i duhej që në një rast të parë dhe kurrë nuk ka ndodhur në 32 vite, që një deputeti t’i hiqet e drejta e lëvizjes jashtë shteti me një vendim gjykate, duke dhunuar nenin respektiv të Kushtetutës.
Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e parlamentit që kryetari i opozitës të mos pyetet ndonjëherë dhe të sajohet një piramidë mashtrimi dhe nuk pyetet për shkakun e vetëm sepse jo në një gjysmë ore, por në 20 minuta, rrafshon me dritën e të vërtetës atë piramidë.
Nuk ka ndodhur kurrë që të kërkohet heqja e imunitetit dhe arrestimi i një deputeti pa paraqitur në komision të parlamentit, në Komisionin e Mandateve, as edhe një provë, fakt apo dokument të vetëm. Thjesht vendimin e gjykatës, të Skapit dhe me radhë”, tha Berisha
Nuk do zmbrapsemi
Në fjalën e tij në Kryesinë e PD, Berisha tha se opozita nuk do të zmbrapset nga aksioni i saj.
“Në asnjë rrethanë ne nuk mund të zmbrapsemi, ne nuk do zmbrapsemi.
Por në kushte të reja, të diktuara në mënyrë të shpejtë do të thosha nga regjimi, natyrisht kërkohet një ripërshtatje e shpejtë e jona në këto kushte.
Kërkohet nga ne të bëjmë gjithçka që të jemi zëdhënës të atyre që guxojnë.
Edi Rama ka zhytur Shqipërinë, shoqërinë shqiptare në mbretërinë e frikës dhe frika është e njohur se përbën ndjenjën më qendrore në fiziologjinë e ndjenjave njerëzore.
Shpesh, thonë se ai fiton vota. Kjo nuk më rikujton asgjë tjetër veçse marsin e vitit 1991, ne, zona më e varfër, më e mjeruar, zona që jetonte në uri kronike prej vitesh, nuk na votoi.
Nuk na votoi se ajo ishte pajtuar me atë shkallë ekstreme mjerimi, jo se ajo kishte parë qoftë edhe favorin më të vogël nga diktatura. Përkundrazi, e kishte pësuar më rëndë se të gjithë të tjerët. Ata ushqeheshin realisht më keq se të burgosurit në burgjet e diktaturës.
Por më e fuqishme se sa ulërima e urisë, ishte frika tek ata. Ishte frika tek ata.
Ndaj dhe e kam theksuar dhe më parë, kjo frikë, e njohur si strategji, u ngulit me një program të caktuar dhe sot është mjaft e përhapur.
Por nga ana tjetër, askush të mos mendojë se njerëzit janë të qetë, janë të kënaqur të jetojnë me frikë. Jo, çdo njeri dëshiron të çlirohet sa më parë prej saj.
Asgjë nuk çliron qytetarin nga frika më shumë se shembulli personal i qytetarit, demokratit, drejtuesit të PD.
Në këtë kontekst, duhet ta konceptojmë qëndresën tonë, betejën tonë pa kthim, para së gjithash si një betejë të atyre që guxojnë dhe ju garantoj se ata që guxojnë janë shumë herë më shumë nga sa mendojmë ne, nga sa mendojnë drejtuesit tanë.
Si mund t’i identifikojmë dhe t’i gjejmë këta ne? Thjesht, të bëhemi zëdhënës të kërkesave dhe sugjerimeve të tyre.
Ata kanë guximin dhe guximi u bën të mundur atyre të kenë projekte për betejë. U bën të mundur të angazhohen në betejë kundër regjimit.
Kjo është rruga e vetme që ne të shkrijmë akullin e frikës, që ne të rritemi dhe të shndërrohemi siç jemi sot. Sot ne jemi shpresa e vetme për shqiptarët.
Por me një lëvizje të fuqishme në mbarë vendin, ju garantoj se nuk mbetemi forca e vetme e shpresës, por forca më e sigurt e fitores për shqiptarët.
Kjo kërkon gjithashtu që secili nga ju, të dashur anëtarë të kryesisë, të shumëfishojë përpjekjet tuaja, të mendojë çdo ditë se çfarë do t’i bëjmë sot armikut tonë në pushtet.
Ai, faktoi se mund të bëjë gjithçka dhe ne duhet të faktojmë se mund t’i bëjmë çdo gjë.
Rruga është vetëm një: përballja, përballja, përballja me të”, tha Berisha.
Discussion about this post