Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se kryeministri Edi Rama do të shkrijë 15 bashki, duke iu referuar seancës plenare që do të zhvillohet ditën e nesërme, ku pritet të votohet drafti i PS për Reformën Territoriale.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Berisha theksoi se ai po bën gjithçka për të qëndruar në pushtet, ndërsa ftoi qytetarët nga e gjithë Shqipëria të ngrihen në protestë ditën e nesërme para Parlamentit.
Duke e cilësuar draftin si një politikë shpopullimi, kreu i PD-së shtoi se qeveria po kryen një akt armiqësie ndaj banorëve të bashkive që preken.
“Kryefjala e sotme është seanca parlamentare e nesërme, në të cilën në mënyrën më kriminale Edi Rama ekzekuton për hir të karriges së tij 15 bashki. Dhe redukton në këtë mënyrë në 41 njësi të qeverisjes vendore, në një vend më malor sa i përket sipërfaqes së mbuluar nga malet se çdo vend tjetër në Evropë.
Kjo politikë shpopullimi, në funksion të pushtetit të tij, kryekëput funksion elektoral, pa asnjë lloj kriteri tjetër është një akt shumë i rëndë, një akt faktikisht shpalljeje armiqësie të hapur ndaj banorëve të këtyre bashkive, të cilët kanë reaguar me qytetari dhe përgjegjësi kundër këtij projekti.
Përveç kësaj, PD në projektin e saj, ka parashikuar 100 bashki dhe e ka lënë të hapur këtë projekt për shtimin në bazë të konsultimeve të bashkive të tjera. Nesër, qytetarët nga mbarë Shqipëria, pavarësisht bindjeve politike, do të bashkohen në protestë për të mbrojtur interesat qytetare. Sepse kundërshtimin për asgjësimin e bashkive e kanë dëshmuar në shumicën e rasteve, qytetarët e të gjitha bindjeve politike.
Është e rëndësishme kjo seancë, në të cilën ne duam t’u faktojmë qytetarëve se ky person i shndërruar në padrinon e vendit nuk ka asnjë interes tjetër për ta, përveç pushtetit të tij. Si të garantojë karrigen dhe mbijetesën mbi krimin monstruoz. Edi Rama po bën gjithçka të mbahet me çdo kusht në pushtet.
Në këtë rast, ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria të protestojnë para atij parlamenti që nuk meriton të ekzistojë, është bërë zëdhënës i interesave më kriminale të Ramës dhe organizatës së tij kriminale.”, tha Berisha.









Discussion about this post