“Në rast se bëhet fjalë për pavarësinë e një kombi, kushti i të gjitha kushteve është identiteti i tij, dhe identiteti i çdo kombi, i kombit shqiptar ka për shtyllë kryesore, gjuhën-kulturën, kulturën dhe gjuhën”, u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi të organizuar nga departamenti “Brain Gain” në nderim të ditës së Pavarësisë së vendit.
Berisha tha se sot është një ditë frymëzimi, sepse në kushtet kur Ismail Qemali dhe etërit e tjerë të pavarësisë shpallën në Vlorë Pavarësinë e Shqipërisë, ishte një akt i guximit të jashtëzakonshëm,
Kreu demokrat tha se, pa pavarësinë e Shqipërisë, nuk do mund të kishte kurrë pavarësi të Kosovës.
“Pa pavarësi të Shqipërisë, shqiptarët kudo që jetojnë në vende tjera nuk do mund të ishin ata që janë sot”, shtoi Berisha.
Sipas tij, një armik i qenies shqiptare, një kryeministër që vlerësohet nga politologët e kohës, si kryeministri më i mirë i Serbisë pas Nikolla Pashiqit, nuk e meriton asnjë ditë karrigen që mban.
Berisha tha se, Edi Rama duhet t’i ketë ditët e numëruara. “Nuk mund të pranojmë kurrë një dhunues të sovranitetit”, theksoi ai.
Pjesë nga fjala e kreut demokrat
Në rast se bëhet fjalë për pavarësinë e një kombi, kushti i të gjitha kushteve është identiteti i tij, dhe identiteti i çdo kombi, i kombit shqiptar, padiskutim ka për shtyllë kryesore gjuhën, kulturën, kulturën dhe gjuhën.
Ndaj edhe në kremtimin e Pavarësisë sonë në këtë dimension, ne i bëjmë një kremtim vërtet fisnik.
Theksoj edhe njëherë, pavarësia është ditëlindja moderne e një kombi. Është ditë frymëzimi, sepse në kushtet kur Ismail Qemali dhe etërit e tjerë të pavarësisë shpallën në Vlorë Pavarësinë e Shqipërisë, ai ishte një akt i guximit të jashtëzakonshëm, ishte një akt i vizionit të jashtëzakonshëm. Ishte një akt kur nga të gjitha fuqitë e mëdha, përveç njërës, të gjithë ishin kundër.
Askush nuk donte përveç Austro-Hungarisë dhe Kontit Berthold, një shtet të pavarur shqiptar në trojet e tij. Qeverinë e Ismail Qemalit nuk e njohën gjer në gusht të vitit 2013. Por në qoftë se ky burrë i madh vizionar nuk do të ngrihej me një guxim mbi kohën së bashku me Isa Boletinin dhe elitën tjetër të kombit të shpallte në Vlorë Pavarësinë, gushti i 2013 do kishte vendosur shpërbërjen, copëtimin përfundimtar të kombit shqiptar.
Ismail Qemali i vendosi fuqitë e botës që nuk donin një shtet shqiptar para faktit të kryer se shteti shqiptar ekzistonte, se Shqipëria ekzistonte si shtet sovran dhe i pavarur.
Në këtë kontekst, po të shkojmë prapa në ato kohëra dhe të mendojmë këtë akt, ky akt kalon në një legjendë të vërtetë. Por ky akt u bë vendimtar për fatin e kombit, aso kohe të ndarë të pushtuar pothuajse në 2/3 e trojeve të tij. Ky akt ka qenë përcaktues për Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Pa pavarësinë e Shqipërisë, nuk do mund të kishte kurrë pavarësi të Kosovës. Pa pavarësi të Shqipërisë shqiptarët kudo që jetojnë në vende tjera në Ballkan nuk do mund të ishin ata që janë sot.
Ndaj edhe, në qoftë se kombe tjera e kanë pavarësinë edhe si dhuratë, apo e kanë ndonjëherë edhe si aksident të historisë, shqiptarët e kanë nga një akt mbinjerëzor i Ismail Bej Vlorës dhe elitës së kombit, atyre luftëtarëve, politikanëve, udhëheqësve popullorë që organizuan kryengritjet e mëdha të Kosovës.
Pra, sa më shumë të ndalesh në paravrësinë tonë, ta mendosh, ta studiosh, të lexosh, aq më mahnitëse, aq më mrekulli, aq më magjepsëse dhe më frymëzuese bëhet ajo.
Unë sot isha në Vlorë për të shprehur nderimet e mia në emër të demokratëve shqiptarë të opozitës, por edhe të të gjithë shqiptarëve që i thonë vetes shqiptar, për Ismail Qemalin, për Vlorën, qytetarët e saj për akt shpëtimtar për kombin.
U ndala në familjen Mezini, pasardhësin e Abaz Mezinit, një familje themeluese e qytetit të Vlorës, me kontribut historik në Pavarësi. Abaz Mezini ish-kryetari i parë i Bashkisë së Vlorës, kishte kryesuar komitetin e sigurisë për shpalljen e pavarësisë në qytetin e Vlorës.
E theksova këtë moment se shpallja e pavarësisë u bë në kushtet kur Shqipëria në shumë anë të saj ishte e pushtuar, por ishte elita fisnike e saj ajo që garantoi këtë akt, së bashku me Isa Boletinin që erdhi nga Kosova, me luftëtarët e tij.
Përpara meje, tek varri i të pavdekshmit, Ismail Bej Vlora, kishte vendosur kurorë edhe Pashiqi i Tiranës. Ishte një përdhosje e veprës së ndritur. Ishte një përdhosje e të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për një Shqipëri të pavarur.
Një armik i qenies shqiptare, një kryeministër që vlerësohet nga politologët e kohës, si kryeministri më i mirë i Serbisë pas Nikolla Pashiqit, nuk meriton asnjë ditë karrigen që mban. Fyen ndërgjegjen kombëtare të çdo shqiptari, fyen të gjallët dhe të vdekurit e këtij vendi që kanë dashur dhe që e duan Shqipërinë dhe kombin.
Miqtë e mi, sovraniteti i vërtetë i një kombi jo në pushtim, në aspektin e brendshëm është fuqia e popullit për të konrolluar qeverinë. Kurse sot ky njeri ka rrëmbyer, ka grabitur të gjitha pushtetet në duart e tij. Beteja që bëjnë deputetët e opozitës në parlament është betejë për sovranitetin e Shqipërisë. Është betejë, pikërisht për të ushtruar kontroll në emër të sovranitetit mbi qeverinë.
Nuk ka sovranitet të ëvrtetë pa kontrollin e qeverisë është sovraniteti i brendshëm. Këtë ka rrëmbyer totalisht Pashiqi i Tiranës. Ai kontrollon sot të gjithë ekzekutivin, të gjithë të emëruarit në institucionet e këtij vendi, përvçse një jashtë mandati ka firmën e tij. Kontrollon totalisht pas një seleksioni të bazuar në besimin fetar, në origjinën krahinore, në bindjet politike, kontrollon totalisht drejtësinë.
Kërkon t’i marrë opozitës atë pushtet, atë veto që i garanton Kushtetuta e vendit, me qëllimin e vetëm që të kontrollojë qeverinë. Dhe këtë nuk e lejon, sepse ai është sot kryeministri ndër më të inkriminuarit në botë. Nuk e lejon se ai ka lidhjet ndër më të rrezikshme në Europë. Nuk e lejon, sepse ai vjedh me firmën e tij çdo ditë pasuritë publike dhe fodet publike të këtij vendi. Ndaj edhe ka zgjedhur të shkelmojë sovranitetin e shqiptarëve, të vendosë diktaturën e tij personale.
Sot kjo ditë frymëzon më shumë se çdo ditë tjetër, inkurajon, u jep zemër dhe guxim shqiptarëve të ngrihen, të kemi parasysh kushtet të cilat Ismail Bej Vlora sfidoi të gjitha llojet e armiqësive, e ambcjeve, e kundërshtive që sot ne jemi të pavarur këtu, Edi Rama duhet t’i ketë ditët e numëruara.
Nuk mund të pranojmë kurrë një dhunues të sovranitetit. Një njeri i cili për pasurimin e tij dhe pushtetin personal i ka rrëmbyer vendit, kombit në Shqipëri të gjitha pushtetet, dhe punon ditë e natë kundës gjysmës tjetër të kombit, kundër Kosovës për ç’ka e kanë quajtur me të drejtë Pashiqi shqiptar, apo Pashiqi i Tiranës.
Discussion about this post