Presidenti amerikan Joe Biden ka dënuar ashpër urdhërarrestet e lëshuara kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të tij të mbrojtjes për krime lufte të dyshuara në lidhje me konfliktin në Rripin e Gazës.
Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi urdhër-arrestet, të cilat u miratuan nga një dhomë paragjyqësore në Hagë, pas kërkesave të bëra nga kryeprokurori Karim Khan në muajn maj.
Biden, në një deklaratë të lëshuar të enjten në mbrëmje, e quajti masën “skandaloze”.
“Më lejoni të jem i qartë edhe një herë: Çfarëdo që mund të nënkuptojë ICC, nuk ka asnjë ekuivalencë, asnjë, midis Izraelit dhe Hamasit”, theksoi Biden.
“Ne do të qëndrojmë gjithmonë pranë Izraelit kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij”, shtoi Biden.
Kujtojmë se Gjykata Penale e Drejtësisë mori vendim të enjten për të lëshuar një urdhër arresti për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes të këtij vendi, Yoav Gallant.
Gallant dhe Netanyahu janë nën hetim ndërkombëtar për, sipas Gjykatës Penale Ndërkombëtare, krime lufte në Gaza, ku më shumë se 40 mijë palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori i vitit 2023.
Gjykata ka lëshuar urdhër-arrest edhe për një zyrtar të Hamasit, Mohammed Diab Ibrahim al Masri.
Netanyahu dhe liderë të tjerë izraelitë e kanë dënuar urdhrin e kryeprokurorit Karim Khan, duke iu referuar si i turpshëm dhe antisemitik.
Discussion about this post