Fundi i vitit 2021 dhe fillimi i vitit 2022 shënoi një periudhë lajmesh të bujshme në Shqipëri. Në 14 dhjetor 2021, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka përfundoi në burg, i akuzuar për korrupsion dhe përvetësim të miliona lekëve të taksapaguesve.
Në 4 shkurt 2022, edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri kaloi nga salla e gjyqit ku shpresonte pafajësi, për te qelitë e burgut nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa Alqi Bllako u bë një nga të paktët deputetë në detyrë që përfunduan në burg nën akuzat e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën. Ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe u dënua me dy vite e katër muaj burg në korrik të këtij viti, pasi ishte arrestuar një vit më parë, nën akuzat për korrupsion.
Megjithatë, sistemi i ri i drejtësisë vijoi të mbetej në sprovë në Shqipëri, sa i përket pavarësisë nga politika dhe mundësisë për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë.
Fundi i vitit u mbyll me zgjedhjen e një kryetari të ri të SPAK, mes denoncimeve të njëpasnjëshme të ambasadores amerikane, Yuri Kim për “ndërhyrje në proces” dhe një finale që duket se la amerikanët të kënaqur, por pjesën tjetër të vendit në mëdyshje.
Amerikanët goditën gjithashtu socialistët duke “emërtuar” Aqif Rakipin, një aleat të tyre, si person “i përfshirë në korrupsion” për llogari të një “qeverie në Ballkanin Perëndimor”. Partia Socialiste thjeshtë e injoroi lajmin dhe priti që deklarata amerikane të harrohet.
Viti 2022 ka gjasa të mbahet mend gjithashtu si viti kur opozita kaloi nga njëra krizë në tjetrën, ndërsa mazhoranca e kryeministrit Edi Rama e konsolidoi edhe më tej pushtetin.
Media, që në demokracitë liberale mban nofkën “pushteti i katërt”, pësoi zhvillime interesante në kuptimin kinez të kësaj shprehjeje. Një prej televizioneve përfundoi i konfiskuar nga shteti si produkt i parave të pista, ndërsa një hotel i një pronari tjetër mediash u shënjestrua në veprime me vlerë të dyshimtë ligjore nga një agjenci qeveritare, që e shpalli atë ndërtim pa leje dhe e hodhi në erë me dinamit.
Mungesa e transparencës së reklamave qeveritare për median ishte një nga shqetësimet e Raportit të Progresit, një raport kyç i Komisionit Evropian që mat ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit. Sipas raportit, Shqipëria nuk bëri asnjë progres gjatë vitit 2022 sa i përket lirisë së medias.
Inceneratorët” dhe antikorrupsioni
Në muajt e parë të vitit, Partia Demokratike në opozitë arriti të tërheqë vëmendjen e publikut të gjerë përmes një komisioni parlamentar hetimor për aferën e inceneratorëve, ku fakte korrupsioni në shifra marramendëse u bënë publike.
Afera e inceneratorëve përndoqi maxhorancën socialiste deri në fund të vitit, kur një gazetar publikoi ato që i quajti, prova të një krimi të dyfishtë: nga njëra anë, përfitime të paligjshme të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj në formën e hoteleve luksoze të paguara nga biznesmenët e inceneratorëve; nga ana tjetër, mungesë hetimesh nga ana e prokurorëve të angazhuar në këtë çështje.
Ahmetaj i mori akuzat, pa dhënë shpjegime se si emri i tij rezulton në fatura hotelesh të prenotuara me kartë bankare të administratorit të inceneratorëve, Klodian Zoto. Në anën tjetër, prokurorët nuk e mohuan ekzistencën e këtyre provave, por u justifikuan me argumentin se “hetimet vijojnë”.
SPAK mbylli hetimet për koncesionet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan dhe Fier dhe dërgoi dhjetëra të akuzuar në gjyq, por pikëpyetjet mbi rolin e zyrtarëve më të lartë të qeverisë nuk kanë marrë ende përgjigje.
Hetimet vazhdojnë për procedurën e vendimit të qeverisë që siguroi financimin e kontratës së Elbasanit si dhe për rolin që kanë pasur zyrtarë të lartë të ministrive që dhanë përgjigje pozitive për kontratën e paligjshme si dhe për veprime të tjera të dyshuara se përbëjnë pastrim parash nga kompani të tjera, përveç atyre të përfshira nën akuzë.
Gjithashtu, hetimet vazhdojnë edhe për kontratën e Tiranës, ndërkohë që qeveria vazhdon paradoksalisht t’i paguajë faturat e kripura për inceneratorin që nuk ekziston.
Politika e nongratave
Ish-kryeministri dhe ish-presidenti Sali Berisha duket se ia doli të rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike përmes një sulmi frontal kundër trashëgimtarëve që ai vetë kishte zgjedhur. Emërtimi i tij si “i përfshirë në korrupsion madhor” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2021 si dhe nga Mbretëria e Bashkuar më 2022, duket se nuk i diskurajoi demokratët e thjeshtë që ta mbështesnin atë në betejën për të rimarrë partinë, që nuk ka njohur ndonjë udhëheqës tjetër real në gati tre dekada ekzistencë.
Rikthimi i Berishës në krye të PD-së nisi me një proces të cilin ai e quan Rithemelimi, vlefshmëria ligjore e së cilës është duke u shqyrtuar në gjykatë. Ai ia doli të tregojë forcën e vet elektorale në një palë zgjedhjesh të pjesshme për pushtetin vendor, ku kandidatët e tij arritën të nxjerrin në vend të tretë kandidatët e përcaktuar nga Lulzim Basha.
Katastrofa elektorale e shtyu Lulzim Bashën të japë dorëheqjen, ndërsa një kryesi e përkohshme duhet teorikisht të nisë procedurat për zgjedhjen e një kryetari të ri, në atë që konvencionalisht po njihet si “PD zyrtare” për t’u identifikuar më vete nga PD Rithemelimi apo PD-Berisha.
Berisha duket se efektivisht kontrollon zemrat e demokratëve dhe fizikisht zyrat e Partisë Demokratike. Kundërshtarët e tij kontrollojnë efektivisht grupin parlamentar, ku shumica e deputetëve nuk i binden Berishës.
Ndërkohë, një proces gjyqësor që teorikisht duhet t’i japë celësat e zyrave si dhe vulën e partisë Berishës ose kundërshtarëve të tij, po zgjat pa mbarim. Pasi gjykata e shkallës së parë i dha të drejtë Berishës, gjykata e Apelit e ka shtyrë vendimmarrjen që nga marsi i këtij viti.
Në qershor, socialistët nisën një sulm kundër ish-presidentit dhe ish-aleatit të vet Ilir Meta, duke e akuzuar atë si spiun të Sigurimit të Shtetit, policisë sekrete famëkeqe të kohës së komunizmit, të njohur për burgosje, tortura dhe vrasje të të dyshuarve si kundërshtarë politikë të Partisë së Punës.
Meta i ka mohuar akuzat ndërsa çështja është harruar pas një spektakli të shëmtuar në parlament, ku PS dhe PD Zyrtare bashkuan votat në disa ndryshime ligjore, të cilat në mënyrë të gënjeshtërt u prezantuan në publik si “hapje e dosjeve”.
Arratisja e shqiptarëve
Toka e Premtuar këtë vit doli se ishte Mbretëria e Bashkuar. Shqiptarët që mbërritën për të kërkuar azil në Angli, pasi kapërcyen La Manshin me gomone, ishin së paku 15 mijë vetë, sipas autoriteteve në Londër. Shumica dërrmuese janë të rinj.
Disa sugjerojnë se vala masive e emigrimit, e cila po zbraz Shqipërinë sub-urbane dhe rurale nga rinia, është shkaktuar nga fakti se në një farë mënyre, shqiptarët kanë mësuar ekzistencën e një “problemi” në ligjin britanik, një ligj i vitit 2015 i quajtur “Ligji Kundër Skllavërisë Moderne”, i cili lejon emigrantët të fitojnë azil në rast se provojnë se janë trafikuar.
Minorenët dhe gratë e kanë më të besueshme këtë version. Pra një tetëmbëdhjetëvjeçar shqiptar mund të shkojë në Angli me vullnet të lirë dhe të pretendojë se “është trafikuar”. Kjo është çfarë supozohet. Nga ana tjetër, një avokate për ndihmë ligjore falas në Mbretërinë e Bashkuar vuri në dukje se sistemi i azilit në këtë vend është shumë i rreptë dhe se ai vështirë se mund të abuzohet nga shqiptarët. Ajo vuri në dukje se si, në disa raste që ajo ka mbrojtur, shqiptarët kanë rënë në duart e krimit të organizuar, pasi familjet e tyre kanë rënë në vështirësi financiare për shkak të nevojës për të paguar për kujdes shëndetësor.
Problemi u ngrit në diskutim në nivelet më të larta politike në Mbretërinë e Bashkuar dhe u bë temë debati parlamentar atje, por jo në Shqipëri. Sipas autoriteteve shqiptare, Shqipëria nuk ka kurrfarë problemi të tillë. Por ama, Kisha Katolike beson publikisht se shkaku i largimit është dëshpërimi. Në një ndërhyrje të pazakontë në debatin publik, kisha pyeti klasën politike të vendit: Cili është projekti juaj për këtë vend?
Udhëheqësit aktualë politikë kanë qeverisur vendin që prej tre dekadash, duke alternuar rolet, nga maxhoranca në opozitë dhe anasjelltas.
Rama nuk denjoi t’i përgjigjej pyetjes së Konferencës Ipeshkvnore se “cili është projekti mbi të ardhmen e këtij vendi”, por ai iu përgjigj me veprime konkrete.
Në nëntor, socialistët miratuan me votat e veta në parlament faljen e Portit të Durrësit një grupi kompanish, me të cilën është negociuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qeveria “Rama”. Kompania merr përsipër të ndërtojë pallate dhe një port jahtesh në tokën publike, ndërsa shqiptarëve u lind nevoja të ndërtojnë një port të ri për importin dhe eksportin e mallrave. Rama ka premtuar gjithashtu amnisti fiskale dhe pasaporta të arta për “investitorët e huaj”, dy politika këto që kritikohen nga Bashkimi Evropian dhe që rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një parajsë për të huajt e pasur, por jo për vendësit.
Sfidat për vitin e ri
Pritshmëritë më të mëdha për vitin e ardhshëm duket se lidhen me veprimtarinë e SPAK-ut dhe gjykatës së posaçme antikorrupsion dhe frikën për krizë ekonomike të shkaktuar nga ngërçi i rritjes së shpejtë të interesave të kredive.
Viti i ri 2023 ka gjasa të shënojë një rritje të numrit të zyrtarëve të lartë pas hekurave në historinë e re të vendit, por shqiptarët duket se presin më shumë dhe po kështu edhe diplomacitë e vendeve partnere.
Lufta kundër korrupsionit dhe ndëshkimi i korrupsionit janë synim në vetvete për të frenuar korrupsionin në të ardhmen. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse fushata antikorrupsion do të jenë zanafilla e një beteje sistemike kundër pandëshkueshmërisë, apo viktimë e një drejtësie selektive, që përpiqet të bëjë minimumin e mundshëm në kushtet e presionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar.
Telashi i dytë për shqiptarët më 2023 duket se lidhet me krizën ekonomike që mund të vijë nga ngërçi i kredive.
Shqiptarët si individë nuk janë të mbingarkuar me borxhe. Përkundrazi, kreditë e individëve dhe bizneseve ishin të barabarta me 47% të depozitave në nëntor të këtij viti, ndërsa kanë qenë 55% në vitin 2015 dhe 60% në vitin 2010. Problemi është se shqiptarët janë huamarrës në banka jo vetëm si individë apo si biznese, por edhe si tatimpagues. Ndërsa familjet dhe bizneset kishin 724 miliardë lekë borxhe, qeveria shqiptare ka dyfishin e kësaj borxh të brendshëm dhe të jashtëm.
Interesat e borxhit publik dhe privat u rritën në mënyrë marramendëse gjatë këtij viti. Në janar, interesi i bonove të thesarit 12 mujore ishte 1.6%, ndërsa në nëntor arriti në 5.8%. Ndërsa kostoja e borxhit publik rritet, po kështu rriten edhe interesat e kredive të familjeve dhe bizneseve, duke krijuar një situatë në të cilën, disa qindramilionë euro do të duhet të ndryshojnë duar, nga taksapaguesit apo huamarrësit, te bankat.
Ndërsa qeveria dhe familjet do të duhet të shtrëngojnë rripin për të paguar këstet e kredive apo interesat e borxhit, konsumi i munguar ka gjasë do të sjellë rënie të konsiderueshme ekonomike. Ndonëse shtrëngimi i kushteve të huamarrjes është një e keqe e domosdoshme për të zbutur inflacionin, në rastin e Shqipërisë, ku shumica e inflacionit është shkaktuar nga mallrat e importit, vuajtjet ka gjasa do të jenë të panevojshme dhe pa sjellë reduktim të inflacionit.
Politika normale në këtë situatë është reduktimi i huamarrjes nga sektori publik dhe zbutja e fuqisë së bankave për të ekstraktuar interesa më të larta nga borxhi publik afatshkurtër. Por duke qenë se Shqipëria pritet të ketë zgjedhje të pushtetit vendor vitin e ardhshëm, gjasat janë që qeveria do të mbajë borxh publik të lartë duke e përkeqësuar situatën, në vend që ta përmirësojë atë./Reporter.al
Discussion about this post