Mati, garë e hapur mes demokratëve dhe socialistëve
Në vitin 2011, qyteti i vogël i Burrelit në krahinën e Matit bëri historinë dhe surprizën e atyre zgjedhjeve duke votuar Adelina Faricin, një mësuese, e cila garonte për Partinë Socialiste, përballë kryebashkiakut të mëparshëm, Skënder Lleshi, përfaqësues i Partisë Demokratike. Lleshi pati fituar zgjedhjet e vitit 2007 me 58% të votave. Farrici e mposhti atë me 54% të votave. Duke marrë parasysh se socialistët ishin në një pozicion të dobët më 2011 dhe garonin përballë koalicionit qeveritar të përbërë nga PD dhe LSI, suksesi i Faricit u konsiderua i jashtëzakonshëm. Për më shumë, Farici ishte një nga të paktat raste kur një grua konkurron me sukses kundrejt të gjitha gjasave, para një burri.
Farici i humbi zgjedhjet e vitit 2015 me një rezultat të ngushtë përballë kandidatit të Partisë Demokratike, Nezir Rizvani. Ky i fundit arriti të sigurojë fitoren në komunat përbërëse të bashkisë së re Mat, ndërsa qyteti i Burrelit votoi për Faricin sërish.
Mati në përgjithësi tradicionalisht konsiderohet si zonë e djathtë, por fitorja e Faricit dhe zgjedhjet e mëvona sugjerojnë se demokratët nuk e kanë të garantuar fitoren. Numri i votuesve në zonë ka rënë, si pasojë e dukshme e emigrimit, ndërsa numri i votuesve që mbështesin Partinë Socialiste duket se është stabël. Në zgjedhjet e vitit 2021, socialistët dhe aleatët e tyre, Partia Social Demokrate e Tom Doshit, arritën të fitojnë në nivel bashkie me rezultatin 49 me 44% ndërsa edhe në vitin 2019, socialistët duket se u paraqitën mirë në raport me vetveten, duke marrë afërsisht të njëjtat vota që patën marrë më 2015.
Në garën e 14 majit, socialistët garojnë me kryetarin aktual të bashkisë Agron Malaj, një ish-ushtarak. Përballë tij, Skënder Gjuci, i cili ka qenë më parë kryetar i komunës Macukull.
Në garë për 21 vendet e këshillit bashkiak janë 19 parti, të cilat kanë në listat e tyre të mbyllura 441 kandidatë.
Bashkia e Matit shtrihet në një zonë kodrinore dhe malore ndërsa në territorin e saj është zhvilluar gjatë kohës së komunizmit industria minerare. Qyteti i Burrelit u ndërtua si bazë për fabrikë pasurimi dhe një e tillë gjendet ende në komunën Komsi.
Zona është shumë e pasur me burime ujore dhe disa hidrocentrale të vegjël janë ndërtuar së fundmi krahas dy hidrocentraleve të mesëm të ndërtuar në kohën e komunizmit.
Selenica, bashkia me prirje të djathta në zemër të jugut
Në vitin 2015, Përparim Shametaj, kryetari jetëgjatë i ish-komunës Sevaster në rrethin e Vlorës, fitoi zgjedhjet për Partinë Demokratike në bashkinë e re të Selenicës, duke mposhtur një koalicion të fuqishëm të përbërë nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, koalicion që kishte qeverisjen qendrore dhe të gjithë pushtetin. Shametaj pati sukses pothuajse në të gjitha njësitë përbërëse të Bashkisë Selenicë, të krijuar nga reforma administrative dhe territoriale e vitit 2015, përballë kandidatit të koalicionit qeveritar Kasëm Cenaj, një ish-doganier dhe avokat i propozuar nga LSI.
Surpriza mundet ose mund të mos përsëritet në zgjedhjet e 14 majit 2023, nëse shikohet pesha e madhe e sektorit publik në këtë bashki bujqësore dhe minerare si dhe rezultati i zgjedhjeve të vitit 2021, kur socialistët arritën të rrëmbejnë 58% të votave në territorin e kësaj bashkie për zgjedhjet parlamentare të Qarkut Vlorë.
Në zgjedhjet e 14 majit, Nertil Bellaj garon për Partinë Socialiste pasi ka punuar më parë si drejtor në Agjencinë Kombëtare të Ushqimit në Vlorë si dhe në ndërmarrjen e naftës në Gorisht. Përballë tij, Leonard Rakipaj nga koalicioni Bashkë Fitojmë, i cili është diplomuar në ekonomi në Universitetin e Vlorës dhe ka punuar në biznes privat.
Bashkia e re e Selenicës shtrihet në një zonë kodrinore në bregun e majtë të lumit Vjosa si dhe përgjatë lumit Shushicë, i cili është tributar i Vjosës. Bashkia e re ka në territorin e saj minierën historike të bitumit në Selenicë, ku punësohen edhe banorët e fshatrave përreth, si dhe zonën naftëmbajtëse të Vllahinës, vendburimet Gorisht, Kocul dhe Amonucë, ku nafta është drejt shterimit duke lënë pas një zonë të madhe të ndotur.
Bashkia e re përbëhet nga disa komuna të cilat nuk kanë lidhje organike me qytetin e Selenicës, si dhe nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë rrugore me këtë qytet, duke vështirësuar në këtë mënyrë komunikimin mes tyre.
Bujqësia dhe blegtoria është aktiviteti kryesor ekonomik i bashkisë së re, popullsia e të cilës bazohet veçanërisht shumë te remitancat nga emigracioni për të siguruar të ardhurat e saj.
Kjo bashki përbëhet nga 6 njësi administrative, të cilat janë: Selenicë, Armen, Vllahinë, Kotë, Sevaster dhe Brataj. Disa nga fshatrat e zonës kanë qenë baza të forta të Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe zona të konsideruara “të deklasuara” gjatë regjimit komunist.
Në zgjedhjet e viteve 2007 e 2011, në njësitë përbërëse të bashkisë Selenicë votuan në masë në favor të Partisë Demokratike, ndërsa PD arriti të mbajë pushtetin edhe në vitin 2015, kur PS dhe LSI garuan bashkë. Numri i qytetarëve me të drejtë vote ka njohur një rritje të lehtë përgjatë viteve të fundit ndërsa numri i votuesve ka rënë, duke reflektuar shkallën e lartë të emigrimit. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 sugjerojnë se votat e pakësuara nga emigrimi i mungojnë në fakt partive opozitare ndërsa Partia Socialiste ka arritur të ruajë e madje edhe të përmirësojë rezultatet e saj të mëparshme duke sjellë fitore të konsiderueshme në përqindje.
Numri i votuesve në lista është rritur nga 26,500 në vitin 2011, në 27 mijë në vitin 2021. Numri i votuesve pjesëmarrës në zgjedhje ka rënë nga gati 13 mijë në pak më shumë se 10 mijë. Votat për partinë demokratike janë përgjysmuar ndërsa votat për PS-në janë rritur lehtë.
Garë me tre kandidatë për bashkinë e Mallakastrës
Banorët e Mallakastrës pritet të zgjedhin më 14 maj mes tre kandidatëve për kryetar bashkie, ku kandidati i PS-së është kryebashkiaku aktual Qerim Ismailaj, ndërsa përballë tij garon Resmi Shanaj nga koalicioni Bashkë Fitojmë. Për Partinë Demokratike zyrtare garon biznesmeni Agron Kapllanaj, i cili drejtoi Bashkinë Mallakastër në periudhën 2015-2019 pasi pati drejtuar komunën Qendër që nga viti 2007. Ismailaj është dënuar për mosdeklarimin e një dënimi në Greqi me vendim të gjykatës së shkallës së parë.
Ndryshe nga perceptimi për Mallakastrën si zonë tradicionalisht e majtë, rezultatet e së shkuarës në fakt sugjerojnë se Partia Demokratike ka qenë konkurrente e fortë vazhdimisht. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, votuesit në territorin e bashkisë në fakt favorizuan me një avantazh të lehtë Partinë Demokratike dhe aleatët e tyre aktualë, Lëvizjen Socialiste për Integrim, përballë Partisë Socialiste.
Numri i votuesve në bashki është 31 mijë dhe ky numër është rritur lehtë përgjatë dekadës së fundit. Numri i pjesëmarrësve në votime ka rënë, duke reflektuar shkallën e emigrimit.
Mallakastra është një zonë kodrinore dhe malore në Shqipërinë qendrore ku popullsia ka rënë ndjeshëm përgjatë tre dekadave të fundit për shkak të emigrimit. Me një sipërfaqe prej 329 kilometrash katrore dhe 41 fshatra, kjo bashki përbëhet nga 9 njësi administrative, të cilat janë: Ballsh, Qendër Dukas, Greshicë, Aranitas, Hekal, Ngraçan, Kutë, Fratar dhe Selitë.
Qyteti i Ballshit u ndërtua me punë të detyruar të të burgosurve gjatë kohës së komunizmit në funksion të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës, një rafineri që u ngrit me synimin e përpunimit të naftës në zonën naftëmbajtëse Cakran-Mollaj, e cila shtrihet pjesërisht në territorin e bashkisë Mallakastër. Rafineria është mbyllur tashmë prej vitesh dhe është shkrirë për skrap, duke sjellë transformimin e bashkisë në thuajse tërësisht rurale.
Ndotja nga industria e dikurshme e naftës është një shqetësim serioz ndërsa rrugët kombëtare që përshkruajnë krahinën janë në përgjithësi të pamirëmbajtura.
Lezha, bashki e djathtë me surpriza
Në zgjedhjet e vitit 2007, Viktor Tushaj, një biznesmen fitoi zgjedhjet në bashkinë e qytetit të Lezhës përballë demokratëve, pasi garoi në emër të një koalicioni ku në atë kohë bënin pjesë Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës. Tushaj e përsëriti suksesin në vitin 2011, kësaj here me rezultat shumë të ngushtë, kur garoi sërish në emër të LSI, e cila ishte bërë pjesë e koalicionit të Partisë Demokratike.
Tushaj doli me sukses në zgjedhjet e vitit 2015, kur partia e tij ishte bërë pjesë e koalicionit të PS-së, së paku për votimin në qytetin e Lezhës, por kundërshtari i tij, Fran Frrokaj, një kryekomunar jetëgjatë i Shënkollit, arriti të fitojë me shumicë dërrmuese pjesën më të madhe të ish-komunave në këtë bashki, ku qyteti zë vetëm 28% të votuesve.
Socialistët fituan bashkinë Lezhë në zgjedhjet njëpartiake të vitit 2019 me ish-zyrtarin e policisë, Pjerin Ndreu. Ndreu po garon kësaj here për një mandat të dytë, ndërsa përballë tij është një mjek i qytetit, Pashk Gjoni. Ky i fundit ka punuar në spitalin e qytetit prej njëzet e pesë vitesh.
Në vitin 2021, rezultati për socialistët ishte katastrofik. PD fitoi 43% të votave dhe LSI 10%, duke lënë socialistët me 43%. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, më 2021 edhe qyteti i Lezhës i dha shumë më pak vota socialistëve nga sa u dha dy partive të koalicionit opozitar aktual, PD dhe LSI.
Bashkia e Lezhës ka 90 mijë votues këtë vit dhe numri i votuesve është rritur në mënyrë të vazhdueshme përgjatë dekadës së fundit. Në zgjedhjet e vitit 2011, në territorin aktual të bashkisë Lezhë kishte 75 mijë votues të regjistruar.
Por ndërsa votuesit e regjistruar janë shtuar, pjesëmarrja në votime ka shënuar rënie të konsiderueshme. Në vitin 2021, pjesëmarrja ishte vetëm 43% nga 29% që ishte në zgjedhjet e viteve 2011 dhe 2015. Votuesit i janë pakësuar të dy blloqeve të mëdha të politikës, por për socialistët, rënia është shumë më e madhe se sa për demokratët.
Lezha është një bashki që shtrihet nga bregu i detit deri në male, në një nga zonat më pjellore të vendit sa i përket bujqësisë. Turizmi bregdetar është i zhvilluar përreth qytetit të Shëngjinit si dhe në ish-Komunën Shënkoll, të njohur më së shumti si Plazhi i Tales. Turizmi i natyrës gjendet në zonën kënetore të Ishull-Lezhës.
Kjo bashki përbëhet nga 10 njësi administrative, të cilat janë: Lezha, Shëngjini, Zejmeni, Shënkolli, Balldreni, Kallmeti, Blinishti, Dajçi, Ungreji dhe Kolshi.
Zgjedhje pa garë për Vlorën
Më 14 prill të këtij viti, një muaj larg ditës së zgjedhjeve, kryetari aktual i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli i dha dorën në mënyrë ceremoniale kandidatit socialist, Ermal Dredha dhe e publikoi atë në faqen e tij në Facebook. Media e cilësoi momentin si “dorëzim stafete”, pavarësisht se zgjedhjet nuk janë zhvilluar ende.
Ermal Dredha, një diplomat karriere që ka shërbyer në Ministrinë e Punëve të Jashtme nën të dyja qeveritë, pra nën atë demokrate, 2005-2013 dhe nën atë socialiste pas vitit 2013, la postin e diplomatit për të hyrë në garën e Vlorës, përballë kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë Hysni Sharra, një ekonomist.
Opozita e djathtë nuk ka pasur shumë shanse me Vlorën që nga viti 1997, kur rrëzimi i skemave piramidale e ktheu qytetin në epiqendër të protestave të dhunshme që sollën rrëzimin e shtetit.
Në zgjedhjet pasuese, Vlora si bashki u qeveris nga socialistët në vijimësi, ndërsa demokratët patën suksese të vogla në disa nga ish-komunat përbërëse të bashkisë së re, të cilat kanë një numër të vogël popullsie dhe nuk ngrenë peshë.
Nurmi i votuesve në territorin e Bashkisë Vlorë është rritur shumë, nga 143 mijë në vitin 2011, në 168 mijë në vitin 2023. Nga ana tjetër, pjesëmarrja në zgjedhje ka mbetur thuajse njësoj. Ajo është rritur nga 60 mijë në vitin 2011 në 61 mijë në vitin 2021. Votat për socialistët janë shtuar me rreth 6 mijë gjatë kësaj periudhe, ndërsa votat për demokratët janë ulur me rreth 4 mijë.
Vlora është një nga zonat me pjesëmarrjen më të ulët në zgjedhje në rang kombëtar dhe ka qenë kështu prej kohësh. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, pjesëmarrja në territorin e bashkisë Vlorë ishte 37% nga 43% që ishte mesatarja kombëtare.
Vlora është gjithashtu pjesë e qarkut me të njëjtin emër që është një nga qarqet kyçe në strategjinë e socialistëve për zgjedhjet parlamentare dhe kjo vërehet si në investimet publike ashtu edhe në përdorimin në shkallë të gjerë të makinerisë elektorale socialiste.
Bashkia e Vlorës shtrihet përgjatë bregut të detit në Gjirin e Vlorës dhe në bregun jugor të Vlosës, ndërsa përfshin edhe zonat rurale Qendër Vlorë, Novoselë dhe Shushicë. Njësia bashkiake e Orikumit, ka karakter miks, qytet turistik dhe zona rurale malësore me drejtim blegtorinë e imët. Bashkia ka një sipërfaqe prej 617 kilometrash katrore.
Turizmi është aktiviteti kryesor ekonomik i bashkisë krahas ndërtimit, industrisë ushqimore dhe të lehtë, si dhe peshkimit. Tregtia e paktë e jashtme e Vlorës përmes portit të saj ka shkuar drejt asgjësimit pasi porti mbeti i pazhvilluar dhe aktualisht është dhënë me koncesion për ndërtim pallatesh.
Vlora si qark ka nivelin e dytë më të lartë të papunësisë në Shqipëri pas Lezhës, sipas gjetjeve të Institutit të Statistikave. Papunësia në qark është gati 20%, ku gratë kanë një normë papunësie 24%.
‘Zgjedhje pa zgjidhje’: Tropoja voton mes dy kandidatëve që i ka provuar
“Këto nuk janë zgjedhje për zgjidhje,” thotë Catherine Bohne, një aktiviste amerikane që jeton prej vitesh në Tropojë.
“Asnjëra nga partitë apo kandidatët që i përfaqësojnë nuk ka paraqitë programe. Nuk kam vënë re ndonjë zgjedhës që të thotë se unë do votoj për këtë kandidat, se ai ka bërë diçka për të më përmirësuar jetën,” shtoi ajo.
Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, skepticizmi i Bohne nuk është i pavend.
Kandidatët për kryebashkiakë të Tropojës, Rexhë Byberi nga Partia Socialiste dhe Besnik Dushaj nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” janë të dy të sprovuar në pushtetin lokal, fillimisht si kryekomunarë dhe më pas si kryetarë bashkie.
Dushaj e drejtoi bashkinë e Tropojës në vitet 2015-2019, ndërsa Byberi u zgjodh kryetar bashkie nga Partia Socialiste, pasi kishte qenë për 15 vjet kryetar i komunës Margegaj për llogari të Partisë Demokratike. Ai u zgjodh kryetar bashkie në zgjedhjet pa garë të vitit 2019.
Tropoja është një bastion historik i së djathtës, por Byberi nuk duket i demoralizuar. Ai thotë se është në kërkim të një mandati të dytë me moton: “Partia ime është Tropoja”.
Byberi përdor si kartvizitë për sukses në këto zgjedhje punët e kryera gjatë mandatit të parë si dhe faktin që rrjedh nga një familje e madhe.
“Bastionet kanë filluar të bien” tha Byberi për BIRN. “Unë hyj në garë me rreth 1000 vota plus vetëm të gjakut tim, pasi jemi një familje e madhe. Babai im ka 11 vëllezër,” shtoi ai.
Në kampin tjetër, Besnik Dushaj nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” e ka bazuar gjithashtu fushatën te puna e kryer në kohën që drejtonte bashkinë e Tropojës si dhe te dobësitë e rivalit të tij.
“Kemi kryer shumë punë me një qeveri të majtë, por edhe kemi thithur shumë investime nga donatorë të ndryshëm deri në 3 milionë euro,” thotë Dushaj duke iu referuar mandatit të tij të viteve 2015-2019.
“Kryetari aktual i bashkisë, që kandidon sërish, është provuar për keq,” shtoi Dushaj.
Akuzat për keqqeverisje
Dy kandidatët në garë, Besnik Dushaj dhe Rexhë Byberi e kanë drejtuar bashkinë e Tropojës njëri pas tjetrit dhe ndajnë reciprokisht kritika për punën e kryer nga secili. Megjithatë, ata nuk kanë ndryshime thelbësore në premtimet e tyre.
Byberi i tha BIRN se e gjeti bashkinë “në reanimacion” dhe bëri të mundur menaxhimin, duke realizuar 18 projekte me buxhetin e bashkisë përgjatë një mandati me një vlerë prej 510 milionë lekësh. Ai rendit gjithashtu katër projekte të përfunduara të Fondit Shqiptar të Zhvillimit në vlerën e mbi 772 milionë lekëve.
Për mandatin e dytë, Byberi premton se do të frenojë emigracionin, shpreson se do të fillojë projekti i hekurudhës Mjedë-Gjakovë- Prishtinë si dhe do të zhvillojë më tej turizmin.
“Shpresoj që këtë mandat t’ia kushtoj rinisë, pasi pa rini nuk ka të ardhme. Do mbështesim me fonde rininë. I kemi kërkuar ambasadorit britanik që të ndihmojë që të rinjtë të favorizohen për marrje kredie në banka si për strehim, por edhe për biznes,” tha Byberi në një intervistë për BIRN.
Byberi është gjithashtu i ndërgjegjshëm për vështirësitë e udhëtimit nga Tropoja drejt Tiranës, ku shumica e udhëtarëve kalojnë përmes dy doganave në Qafë-Morinë dhe Morinë, ndërsa shton se projekti i rrugës së Komanit dhe rruga e trenit Tiranë- Prishtinë do ta zgjidhin këtë problem.
Ai thekson gjithashtu se resurset turistike janë një pasuri e jashtëzakonshme për Tropojën dhe shpresë për zhvillim dhe mburret me faktin se vitin e kaluar, Alpet u vizituan nga 170 mijë turistë dhe nuk u shënua asnjë incident.
“Kam dalë nga një parti politike, por ju kam shërbyer të gjithëve njëlloj. Për këtë kam dhënë prova dhe do vazhdoj prapë. Duke qenë bir i Tropojës, këtë vend e dua shumë,” tha Byberi.
Megjithatë, Besnik Dushaj nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” beson se bashkia ka ecur mbrapsht nën drejtimin e Byberit. Dushaj thotë se bashkia ka akumuluar 6 milionë euro borxhe, se nuk i ka paguar ende punët e kryera sipas tij “shkel e shko” dhe ka përkeqësuar situatën e furnizimit me ujë.
“Në fund të mandatit tim, Tropoja është furnizuar me 24 orë ujë të pijshëm, ndërsa verën e kaluar ra deri në 3-4 orë në ditë për shkak të keqmenaxhimit. U shkatërruan matësat e instaluar. Administrata e militantëve e nxorri ujësjellësin në krizë,” tha Dushaj për BIRN.
Ai e mbështet kandidimin e tij te mbështetja që thotë se e ka nga qytetarët e Tropojës si dhe nga programi i tij për zhvillimin e zonës. Ai premton zgjidhjen e problemit të ujit në Valbonë si dhe promovimin e turizmit, veçanërisht të kullave dhe shtëpive të vjetra.
“Prioritet është turizmi. Synojmë që turizmi në Tropojë të jetë në të katër stinët,” tha Dushaj, i cili ka gjithashtu një plan për promovimin e valles së Tropojës dhe Eposin e Kreshnikëve për të bërë të mundur futjen e tyre nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Dushaj beson se zgjedhjet e 14 majit do ta nxjerrin atë fitues, por e shqetëson borxhi që bashkia do të trashëgojë.
“Borxhin e madh të bashkisë do e kemi problem. Duhet menaxhuar borxhi me qeverinë. Besoj se do merrem vesh me qeverinë si në mandatin e viteve 2015-2019,” tha ai.
Dushaj është i vetmi kandidat i së djathtës në Tropojë, por duket se nuk do ta ketë mbështetjen e Partisë Demokratike zyrtare, e cila garon me kandidatë vetëm për këshillin bashkiak.
Azgan Haklaj, kryetar i PD-së lokale i tha BIRN se ata mbështesin vetëm kandidatët e tyre për këshillin bashkiak.
“Është vendimi i kryesisë që atje ku nuk kemi kandidatë, nuk mbështesim asnjë kandidat të treshes Berisha-Meta-Rama,” tha Haklaj.
Kandidati Besnik Dushaj nuk është dakord me këtë deklaratë.
“Pavarësisht se çfarë deklaron zoti Haklaj, jemi të informuar se PD-ja zyrtare do mbështesë kandidatin e PS-së në Tropojë,” përfundoi Dushaj. /BIRN
Discussion about this post