Faqe online dhe zyra të posaçme ofrojnë për studentët diploma të gatshme kundrejt pagesës. AI po përdoret gjithnjë e më shumë nga studentët, ndërkohë që në universitetet publike mungojnë platformat anti-plagjiaturë.
Në rrjetet sociale dhe në zyrat e posaçme po lulëzon biznesi i diplomave të rreme. Mjafton të ketë para dhe një student mund të ketë në dorë një diplomë, që për nga cilësia meriton notën 10. Problemi i vetëm është se studenti nuk është autori i saj.
Sipas një hulumtimi të realizuar nga “shteg.org”, me përdorimin e fjalëve kyçe si “diplomë” ose “detyrë kursi” në rrjetin social “Instagram”, identifikohen të paktën 15 faqe që ofrojnë shërbime të tilla.
Studentët kanë mundësinë të blejnë punime të gatshme të shkruara nga “ekspertë”, duke u dhënë studentëve mundësinë të vendosin emrin e tyre mbi një diplomë të gatshme.
Përveç shitjes së diplomave, një tjetër shqetësim është përdorimi i Inteligjencës Artificiale (AI) nga studentët për realizimin e detyrave ose tezave të diplomës. Sipas “Qendrës Qytetare”, 7 nga 11 universitete publike në Shqipëri nuk kanë një platformë elektronike anti-plagjiaturë, duke e bërë të vështirë për pedagogët të verifikojnë nëse një punim është origjinal apo i krijuar nga AI.
Ekspertët e thonë se ky ”biznes” mund të ketë pasoja në formimin e studentëve. Një edukim i mangët do të reflektohet më vonë në performancën e tyre në vendin e punës, duke sjellë sfida për tregun e punës dhe nivelin e përgjithshëm të profesionalizmit në sektorë të ndryshëm. Ky fenomen pritet të ndikojë mbi 120 mijë studentë në të gjithë Shqipërinë.
Një treg që po lulëzon
orenci është njëri prej studentëve të nivelit master në një nga universitetet private të kryeqytetit. Dita e tij nis në orën 7 të mëngjesit dhe mbyllet në orën 9 të mbrëmjes.
Gjatë studimeve në nivelin bachelor si arriti të ruante mesataren 9.9 dhe të diplomohej me notën 10.
“Dua të ruaj një mesatare të mirë dhe po mendoj të porosis dikë që ta bëjë diplomën time kundrejt pagesës,” – thotë ai, duke na treguar gjithashtu se pranë fakultetit të tij ndodhen disa pika fizike ku ai mund të porosisë diplomën, e cila do të ketë emrin e tij dhe do të vlerësohet me notë nga pedagogët.
Pranë tre godinave të ndryshme universitare, dy publike dhe një private, ndodhen postera ku thuhen: “Punojmë: Tema Diplome, Detyra Kursi, Redaktime, Korrektime”. Ambienti i brendshëm i ngjan një kancelarie ku studentët mund të blejnë mjete shkollore, megjithatë aty çdo student mund “të porosisë” diplomën e tij.
Aty çdo student mund të porosisë temën e tij të diplomës e cila kushton 300 mijë lekë të vjetra nëse do të jetë punim i një teme të re që shkruesi nuk e ka në dispozicion, ndërkohë që një punim i prezantuar më parë nga në tjetër student kushton 150 mijë lekë të vjetra. Pagesa realizohet pasi diploma është përfunduar, ndërkohë që prezantimi në power point “përfshihet në çmim”.
“Vjet kam bërë një punim, ka qenë shumë e bukur si temë … e kam bërë një punim super, por ajo vajza mezi e mbrojti dhe mori 8”, – thotë me keqardhje autorja e vërtetë e diplomës duke shtuar se deri në muajin shkurt është shumë e ngarkuar me porositë e studentëve.
Njoftimet që bëjnë me dije 120 mijë studentëve se ku mund të blejnë diplomat ose detyrat e tyre të kursit i gjen masivisht edhe në rrjetet sociale.
“Akoma peng i diplomës????? Kërko ndihmë dhe përfundoje tani” – lexohet në njërin prej postimeve të faqes “punime_diplomash” në rrjetin social “Instagram” ku ndër të tjera theksohet se ka mbi 10 vite eksperiencë në këtë fushë.
Sipas një hulumtimi të realizuar nga “shteg.org” rezulton se me anë të një kërkimi të thjeshtë në opsionin “kërko” me fjalë-kyçet “diplomë” ose “detyrë kursi” 15 faqe të ndryshme ofrojnë realizimin e temave të diplomave për studentë të të gjitha degëve, nga juridiku e deri te arkitektura.
Kundrejt pagesës studentë të degëve të ndryshme në institucionet e larta të arsimit arrijnë të blejnë të përfunduar temën e tyre të diplomës ose të detyrave të kursit pa u takuar asnjëherë fizikisht me autorin e vërtetë të punimit.
Për të realizuar një punim diplome prej 60 faqesh studentët duhet të paguajnë 150 mijë lekë të vjetra, ndërsa për një punim prej 100 faqesh pagesa është 210 mijë lekë të vjetra.
Çmimi i vendosur për mbrojtjen e një teze diplome nuk ndryshon në varësi të gjuhës që kërkohet, ndërkohë që “diplomë-shkruesit” thonë se garantojnë dhe autenticitetin e punimit.
“Për cilësinë dhe origjinalitetin e punimit mbajmë ne përgjegjësi deri në fund” – tha për “shteg.org” një prej personave që punon artikujt për studentët.
Përveç përgjegjësisë, këto faqe ndjekin politikat e tyre për të nxitur konsumatorin “për të blerë” produktin e tyre.
Për atë student që kujtohet “të porosisë” shumë më herët autorët e vërtetë ofrojnë dhe ulje çmimi.
Në njërën prej faqeve studentët janë njoftuar se për ata që porosisin temën e diplomës së bachelor-it gjatë datave 21-22 shtator pagesa do të zbritet deri në 170 mijë lekë të vjetra.
Ndërsa në një tjetër studentët informohen se do të përfitojnë 20% ulje nëse rezervojnë punimet e tyre në datat 15-30 qershor, 30% zbritje do të kenë studentët që e rezervojnë temën që në muajin korrik dhe 40% ulje nga çmimi real do të kenë studentët që do të mund të udhëzojnë një tjetër student se në cilën faqe duhet “të porosisin” temën e tyre të diplomës.
Migen Qiraxhi, përfaqësues i “Qëndresës Qytetare” thotë se ekzistenca e këtyre hapësirave online dhe fizike është kthyer në një problem serioz për arsimin.
“Faktikisht një gangrenë e madhe është edhe lulëzimi i ‘bizneseve’ që, pranë universiteteve, ofrojnë shërbime për realizimin e detyrave të kursit, temave të diplomave dhe, në disa raste, edhe punimeve të doktoraturave” – thotë Qiraxhiu duke shtuar se shtrirja e këtij fenomeni lidhet me pamundësinë e pedagogut për të kuptuar autorësinë e punimit, ndërkohë që problematike në vërtetësinë e punimit mbetet edhe përdorimi i inteligjencës artificiale.
“Shteg.org” i drejtoi Ministrisë së Arsimit kërkesën për koment rreth masave që mund të merren për të ndaluar këtë fenomen. Deri në realizimin e këtij shkrimi MAS nuk ka kthyer një përgjigje zyrtare.
Universitete publike pa platforma anti-plagjiaturë
Eriona Çela, pedagoge prej gati një dekade në disa universitete private dhe publike të vendit, thotë për “shteg.org” se mbrojtja e temës së diplomës nga studenti është një proces shumë i rëndësishëm dhe kërkon një kujdes të veçantë, sepse pavarësisht profesionit, realizimi dhe mbrojtja e temës së diplomës shërben si një përmbledhje të njohurive që studentët kanë përfituar ndër vite.
“Secili komision i mbrojtjes së diplomës harton kritere të vlerësimit jo vetëm në shkrimin e temës së diplomës, por edhe në prezantimin e punimit. Shpeshherë ndodh që studentët gjejnë tema të gatshme të cilat nuk mund t’i prezantojnë. Në këtë rast jemi përpara dy problematikave: plagjaturës dhe mungesës së testimit të njohurive” – thotë Çela, duke shtuar se një pedagog është i aftë të kuptojë nëse një punim është realizuar nga vetë studenti ose jo.
“Hapi i parë është verifikimi i punimit në programe specifike. Nëse në universitet mungon një platformë e tillë sërish identifikimi është i mundur kjo pasi pedagogu ka për detyrë ta ndjekë studentin gjatë gjithë punimit të diplomës duke e orientuar drejt asaj që duhet të shkruajë dhe si ta shkruajë. Së fundmi, udhëheqës të temës së diplomës për studentët janë pedagogët me të cilët kanë punuar gjatë viteve të studimit. Thënë kjo, pedagogu e njeh mirë studentin, mënyrën e të mësuarit, aftësitë, mënyrën e të shkruarit apo veçori të tjera të cilat janë lehtësisht të evidentueshme në temën e diplomës” thotë ajo.
Ndërkohë, për pedagogun e shkencave të komunikimit, Erlis Çela pasojat afatgjata të kësaj qasjeje nga ana e studentëve lidhen me kulturën që ata marrin për të zgjidhur një problem.
“Problemi qëndron te kultura që merr një student dhe më pas një specialist i ri një shoqëri, sepse normalisht do të marrë një diplomë, do të krijojë marrëdhënie pune në të ardhmen dhe kultura që merr në këtë rast është që mund të arrihet diçka edhe pa punuar, mjafton që ti të kesh një vlerë monetare në dorë. Kjo nuk përputhet me realitetin. Mund të kalosh një hap në këtë formë, por më pas diku do të ngecësh dhe për mua ky është shqetësimi kryesor”- thotë ai duke shtruar se pedagogët ndodhen përballë “diplomave të gatshme” të studentëve dhe përdorimit të inteligjencës artificiale në diplomë.
Ai thotë se identifikimi i autorësisë së punimit të realizuar me anë të inteligjencës artificiale krijon një ambient sfidues për Shqipërinë, pasi pjesa më e madhe e institucioneve arsimore nuk janë të pajisur me platformat e nevojshme për të identifikuar plagjiaturën.
“Në dijeninë time nuk është se ka platforma që janë në dispozicion të pedagogëve apo të stafeve akademike. Ne, në universitet jopublik kemi, por dhe këto janë kosto për institucionin, do të duhet që institucionet të lidhin një kontratë me platforma të tilla siç është ‘Turn it in’ apo dhe platforma të tjera të cilat tani janë përditësuar duke shtuar mundësi të reja për të identifikuar dhe rastet e përdorimit të AI-së”- thotë Çela.
Të dy pedagogët shprehen se në universitet jopublike ku ata zhvillojnë ligjëratat u janë vendosur në dispozicion përdorimi i platformës “Turn it in”, çka mundëson evidentimin e plagjiaturës dhe të realizimit të punës së studentëve nga inteligjenca artificiale. Ndërkohë, kjo mundësi nuk u ofrohet pedagogëve në universitetet publike, sipas një monitorimi të realizuar nga “Qëndresa Qytetare” në nëntor të vitit të kaluar, 2024.
Sipas informacionit të marrë nga Qëndresa Qytetare, Universiteti i Tiranës, Universiteti i Sporteve, Universiteti i Durrësit, Universiteti i Korçës dhe Universiteti i Vlorës nuk janë shprehur të posedojnë një program elektronik anti-plagjiaturë. Universiteti i Mjekësisë, Universiteti i Arteve dhe Universiteti Politeknik i Tiranës përdorin platformën “Akademia”, ndërkohë që Universiteti i Shkodrës është shprehur se përdor një platformë online për të kryer verifikimet anti-plagjiaturë, por nuk e ka specifikuar atë.
“Në kushtet ku 7 nga 11 universitete nuk shprehen të posedojnë një platformë elektronike anti-plagjiaturë, mund të konkludojmë se rruga për të përdorur plagjiaturën dhe AI-në është e hapur për këdo, duke krijuar efektin e kundërt, ku përdoruesit e këtyre sjelljeve jo vetëm që nuk ndëshkohen, por vlerësohen, duke vendosur standarde të paarritshme për ata që janë meritore”- thotë Migen Qiraxhi, ndërkohë që Eriona Çela tregon se pavarësisht orientimit të pedagogëve se si studentët mund ta përdorin në mënyrë korrekte Inteligjencën artificiale për t’u ardhur atyre në ndihmë gjatë kryerjes së detyrave ose temës së diplomës, sërish tendenca e studentëve është të marrin materiale të gatshme ose t’ia kërkojnë AI-së realizimin e detyrës.
Discussion about this post