Industria e koncerteve në Shqipëri ka pasur rritje të dukshme në vitet e fundit, me artistë ndërkombëtarë dhe vendas që organizojnë koncerte.
Pandemia e ndali dhe dobësoi këtë industri kudo në botë, por duket se 2023 premton të rikthehet në nivelet parapandemike. Një numër i madh i koncerteve të organizuara në Shqipëri kanë treguar një kërkesë të lartë në mesin e publikut, e nisur që vitin e shkuar.
Por cila është mënyra më e mirë për të konkurruar në një industri në zhvillim, që nuk do të kthehet kurrë në mënyrën si ishte?
Edhe pse kompanitë e organizimit të eventeve, shitjeve të biletave, por edhe promovuesit e shfaqjeve janë ende duke gjetur metodat që të nxisin këtë industri, sidomos me zhvillimet teknologjike, rezultatet duken të kënaqshme. Në vitin 2023, shqiptarët rezervojnë dhe blejnë masivisht bileta online dhe pak syresh shkojnë drejt qendrave fizike të blerjes së biletave.
Në fillim të sezonit tradicional të festivaleve të muzikës verore dhe me shtimin e koncerteve, fansat po e bëjnë të qartë se janë gati për më shumë përvoja emocionuese.
Dhe uria po shfaqet në llogaritë bankare të operatorëve të ambienteve dhe artistëve.
Industria e koncerteve në Shqipëri ka pasur rritje të dukshme gjatë viteve të fundit, me artistë ndërkombëtarë dhe vendas që organizojnë koncerte në vend. Një numër i madh i koncerteve të organizuara në Shqipëri kanë treguar një kërkesë të lartë në mesin e publikut.
Sipas të dhënave të marra në treg dhe hulumtimet për organizimet e këtij viti, aktorët që mund të ndikojnë kërkesën për koncerte në Shqipëri përfshijnë popullaritetin e artistit, reputacionin e vendit për të organizuar koncerte, përkrahjen e sponsorëve, përfshirjen e influencuesve në fushatat marketuese, infrastrukturën për organizimin e koncerteve, si dhe interesin dhe aftësinë e publikut për të blerë bileta dhe për të marrë pjesë në ngjarje të tilla.
“Shi” në të ardhura biletash
Çmimi i biletave për koncerte në Shqipëri varet shumë nga artisti, reputacioni i tij, madhësia e vendit të koncertit, kërkesa e publikut etj.
Megjithatë, në përgjithësi, çmimet e biletave për koncerte në Shqipëri mund të ndryshojnë nga disa mijë lekë për koncerte më të vegjël e të pavarur, deri në disa dhjetëra mijë lekë për koncerte të mëdha dhe artistë të famshëm ndërkombëtarë.
Çmimet e biletave mund të ndryshojnë gjithashtu në varësi të vendndodhjes në arenën e koncertit (VIP, zonë e parë, zonë e dytë, etj.), dhe nga çmimet e vendosura nga organizatori, ose promovuesi.
A mund të flasim për biznes të mirëfilltë biletash në Shqipëri?
Xhani Demika, menaxher artistësh për koncerte e net live, thotë se çmimi i biletave për koncerte në Shqipëri varet shumë nga artisti, reputacioni i tij, kapaciteti i vendit ku do zhvillohet koncerti, si dhe nga faktorë të tjerë si lloji i koncertit dhe kërkesa e publikut.
Megjithatë, sipas tij, çmimet e biletave për koncerte në Shqipëri mund të ndryshojnë nga 1500-2000 lekë për koncerte më të vegjël e të pavarur, deri në disa dhjetëra mijë lekë për koncerte të mëdha dhe artistë të famshëm ndërkombëtarë.
Çmimet e biletave mund të ndryshojnë gjithashtu në varësi të vendndodhjes në arenën e koncertit (Vip, Zonë e parë, Zonë e dytë, etj.), dhe nga çmimet e vendosura nga organizatori ose promovuesi.
Nga MyTicket, kompani që vepron prej disa vitesh në fushën e shitjes së biletave online në vendin tonë, pohohet që tendenca e shqiptarëve për të rezervuar dhe për të blerë online është rritur vit pas viti. Nëse do t’u referohemi sidomos koncerteve që kanë një target grup të rinjsh kryesisht, atëherë nuk hasen më problematika, as me mendësinë e blerjeve online dhe as me mundësinë e pajisjet për ta bërë këtë.
Një panoramë krejt tjetër duket për mosha më të mëdha, të cilët kanë pak ose aspak njohuri për lundrimin online dhe blerjet online. Për këtë arsye, raportohet se thuajse për çdo event në Tiranë (përveç koncertit të Elvana Gjata) është mundësuar një sportel fizik për të blerë bileta dorazi.
Biletat këtu dhe në Europë
Çmimet e biletave të koncerteve për të njëjtin këngëtar ndryshojnë sipas vendeve. Në fakt, ka shumë faktorë që ndikojnë në çmimet e biletave të koncerteve.
Disa nga faktorët që mund të ndikojnë në ndryshimet e çmimeve të biletave për të njëjtin këngëtar në vende të ndryshme përfshijnë:
- a) Ekonomia vendase: Niveli i ardhurave dhe fuqia blerëse e vendit ku zhvillohet koncerti mund të ndikojë në përcaktimin e çmimeve të biletave. Në vende me ekonomi më të zhvilluara pritet që çmimet e biletave të jenë më të larta krahasuar me vende me ekonomi më të ulët.
Sipas Xhani Demika, kur një këngëtar i përmasave botërore pranon të mbajë koncerte në një vend më të vogël, shpesh nën potencialin e tij, kostot e këngëtarit mbulohen nga sponsorë.
- b) Niveli i kërkesës: Niveli i kërkesës për biletat e koncerteve për të njëjtin këngëtar ndryshon sipas vendit.
Në disa vende, ku artisti gëzon popullaritet të madh dhe ka një bazë të madhe fansash, kërkesa për biletat mund të jetë shumë e lartë, duke e bërë atë tërheqëse për organizatorët që të rrisin çmimet e biletave.
Por kjo panoramë nuk duket në Shqipëri. Biletat për koncertin e Elvana Gjata kanë nisur me 2000 lekë, ndonëse është një nga këngëtaret më të dashura për publikun shqiptar.
- c) Vendi dhe madhësia e arenës: Çmimet e biletave për të njëjtin këngëtar mund të ndryshojnë edhe në varësi të vendndodhjes dhe madhësisë së arenës së koncertit.
Arenat më të mëdha dhe prestigjioze zakonisht kanë bileta më të shtrenjta krahasuar me vende të mëdha të tjera.
Në këtë rast, në vendin tonë, arena e vetme është ajo e Air Albania, organizimet e tjera janë bërë kryesisht në ambiente të hapura si Sheshi Nënë Tereza, Skënderbej etj.
- d) Politikat vendore dhe taksat: Politikat vendore dhe taksat mbi shitjen e biletave mund të ndryshojnë nga vend në vend. Në disa vende, taksat dhe tarifat shtesë mund të shtohen në çmimin e biletave, duke i bërë ato më të larta për publikun.
Nikos Vertis është këngëtari i vetëm grek, i cili arriti të realizonte një koncert në Dolby Theatre.
Kënga e tij “Thelo na me noises” sot shënon 195 milionë klikime në YouTube, duke u bërë kënga greke më e dëgjuar ndonjëherë.
Vitin e shkuar, lajmi që bëri xhiron e botës ishte çmimi i tavolinës në ishullin luksoz Mykonos, gjatë koncertit treorësh të këngëtarit. Jo pak, por 15 mijë euro.
Sukseset për artistin nuk kanë fund, në mbarë botën me shfaqjet më të shitura në Izrael, Bullgari, Rumani, Turqi, Serbi, Qipro, SHBA, Kanada, Australi.
Këtë vit, këngëtari grek Nikos Vertis hapi siparin e koncerteve në dimensione të mëdha, në “Air Albania”, ku interesi ishte i lartë për ndjekjen e këtij koncerti.
Nisi rreth orës 9:00 të mbrëmjes dhe kapaciteti i stadiumit ishte i shitur tërësisht. Çmimi i biletave për këtë koncert niste me 3000 lekë dhe arrinte 100 euro në zonën VIP, më të afërt me skenën.
“Notre Dame” në Tiranë
“Notre Dame de Paris” është një nga shfaqjet më të njohura dhe më të suksesshme në nivel ndërkombëtar. Ajo është shfaqur në shumë vende dhe ka fituar vlerësime pozitive nga publiku dhe kritikët. Shfaqja njihet për muzikën e saj tërheqëse dhe historinë emocionuese.
Si çdo shfaqje, suksesi i saj në Tiranë varet nga faktorë si reklamimi i mirë, interesimi i publikut, cilësia e performancës, si dhe përshtatshmëria e vendit ku zhvillohet shfaqja. Në përgjithësi, shfaqjet e njohura dhe tërheqëse si “Notre Dame de Paris” kanë tendencë të marrin vëmendje të madhe dhe të jenë tërheqëse për publikun.
Kjo shfaqje ishte produksion i organizuar nga kantautori i mirënjohur italian Riccardo Cocciante.
Me trupa artistësh shumëkombësh dhe soliste këngëtaren Elhaida Dani, shfaqja e organizuar në stadiumin “Air Albania” mori zemrat dhe “paratë” e shqiptarëve. Biletat nisën me 2500 lekë deri në 10 mijë lekë zona VIP më afër skenës. I gjithë kapaciteti i stadiumit ishte shitur tërësisht.
Elvana Gjata është një nga artistet më të suksesshme dhe të dashura në industrinë muzikore shqiptare. Ajo ka popullaritet të madh në Shqipëri dhe në rajon për shkak të talentit, stilit të muzikës dhe prezencës në skenë. Dashuria dhe përkrahja ndaj saj shfaqet përmes pjesëmarrjes së publikut në koncerte dhe mbështetjes së tyre në rrjet.
Por kësaj here, i pari në këtë dimension, koncerti i saj u organizua në stadiumin “Air Albania”. Sipas të dhënave të website që administron shitjen e biletave, çmimi i tyre nisi nga 2000 lekë dhe arriti 10 mijë lekë në tribunat VIP.
Biletat ishin të gjitha të shitura tre ditë përpara shfaqjes e cila gëzoi suksesin e pritshëm edhe falë stafit menaxherial dhe marketingut në rrjete sociale të vetë këngëtares dhe të bashkëpunëtorëve e miqve të saj të ngushtë.
Jo çdo koncert mund të ketë sukses sipas Xhani Demika. Ai thotë ka shumë rëndësi kualiteti i këngëtarit po aq sa menaxhimi që i bëhet.
Në rastin e Elvana Gjatës, sipas tij i hapet rruga shumë këngëtarëve që në vijim të organizojmë koncerte edhe më të mëdha, për të rritur popullaritetin e për të konkurruar fshehtas mes tyre.
Sipas tij, gara në klikime është bërë “e mërzitshme”, live do të marrë më shumë jehonë vitet e ardhshme. Për të, live do të diferencojë këngëtarët dhe sukseset e tyre.
Emra botërorë – Enrique Iglesias, Ricky Martin, Plácido Domingo
Lajm i cili çuditi ditët e fundit shqiptarët ishte padyshim njoftimi për koncerte të dy këngëtarëve me famë botërore Ricky Martin dhe Enrique Iglesias.
Koncerti i Enrique Iglesias, yllit të këngës “Hero”, do të mbahet në datën 30 qershor në Sheshin “Skënderbej” dhe çmimet e biletave nisin nga 60 euro deri në 188 euro zona VIP.
Koncerti i Ricky Martin do të mbahet në datën 20 korrik në Sheshin “Skënderbej”. Sipas informacioneve të marra në website backstage.al, biletat nisin nga 42 euro dhe arrijnë 139 euro, në varësi të administrimit të vendeve, afërsisë nga skena etj.
Për këdo që do të blejë bileta për koncertin e parë të Iglesias, do t’i ofrohet një kupon ulje prej 20% në koncertin e Ricky Martin.
Të dy këta këngëtarë kanë koncerte të përmasave gjigante, me administrim nga kompanitë më në zë të fushës në botë dhe çmimet e biletave në Shqipëri janë rreth 30% më lirë se sa një koncert në Spanjë apo Zvicër.
Një tjetër artist, Placido Domingo, ndonëse jo për herë të parë në Tiranë, rikthehet për një tjetër shfaqje. Tenori dhe dirigjenti do të shoqërohet në këtë koncert nga artistët Jenifer Rowey, Jonatan Antoine dhe Christina Ramos.
Takimi me këtë legjendë të muzikës operistike është 7 shtatori. Çmimi i biletave, sipas Backstage, luhatet nga 50 deri në 250 euro, duke qenë artisti më i shtrenjtë në këtë sezon në Shqipëri.
Në një komunikim me organizuesit e eventit për të dy këngëtarët, Login Production, pohohet se Enrique Iglesias dhe Ricky Martin janë dy artistë të shquar ndërkombëtarë që gëzojnë një bazë të gjerë fansash në të gjithë botën. Ata kanë karriera të suksesshme dhe kanë sjellë koncerte të mëdha dhe tërheqëse në shumë vende.
“Kemi pritshmëri të larta për këto koncerte, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës janë aleatët tanë që ta bëjmë sa më të dashur për publikun. Presim të kenë pritje dhe sukses të madh, duke marrë parasysh popullaritetin e tyre global dhe reputacionin e krijuar nëpër skena koncertesh.
Shqiptarët kanë treguar interes të madh për koncerte të artistëve të njohur ndërkombëtarë, kështu që pritshmëria për sukses të tillë është e lartë”, – pohojnë nga Login Production.
Për sa i përket suksesit të tyre në Tiranë, kjo varet nga disa faktorë si popullariteti i tyre në Shqipëri, reklamimi i mirë, vendndodhja e koncertit, përkrahja e sponsorëve dhe interesimi dhe aftësia e publikut për të blerë bileta dhe për të marrë pjesë në koncerte të tyre.
Ekipet e të tre artistëve ndërkombëtarë për koncertet e tyre kanë nisur punën. Mbrëmjet festive do të marrin jetë në sheshin “Skënderbej”, që ndonëse i hapur, do të jetë në një pjesë të tij i rezervuar për të gjithë ata që duan ta ndjekin nga afër secilin prej këngëtarëve. Ricky Martin do të jetë i shoqëruar nga instrumentistët me të cilët bashkëpunon prej vitesh.
Në vitet e fundit, ka pasur rritje në organizimin e koncerteve dhe ndërtimin e arenave për evenimente kulturore. Një nga arenat kryesore për koncerte në Tiranë është Arena Kombëtare e Shqipërisë, e cila ka kapacitet për mijëra njerëz dhe është e pajisur me teknologji të avancuar për të organizuar koncerte të mëdha.
Përveç Arenës Kombëtare, Tirana ka edhe hapësira të tjera të përshtatshme për koncerte të mëdha.
Në të njëjtën kohë, infrastruktura për akustikë dhe sistem zëri është rritur, duke ofruar një përvojë më të mirë dëgjimi për të pranishmit në koncerte.
Andi Islamaj, producent, pohon se tashmë në vendin tonë ka një numër organizatorësh dhe kompanish të specializuara në organizimin e koncerteve në Tiranë, të cilat kanë përvojë dhe kapacitet për të menaxhuar evenimente të mëdha. Dhe priten përmirësime dhe organizime të mëvonshme sa i përket jetës së natës e muzikës, jo vetëm brenda një klubi.
Ndërtimi dhe zhvillimi i infrastrukturës për koncerte në Tiranë vazhdon, duke synuar të ofrojë një përvojë të përsosur për publikun dhe të tërheqë artistët dhe koncertet e tyre në kryeqytetin shqiptar.
Organizimi i koncerteve në Shqipëri mund të përballet me disa problematika. Sipas Andi Islamaj, disa prej tyre janë:
-Mungesa e hapësirave të mjaftueshme dhe infrastrukturës: Një sfidë kryesore është mungesa e hapësirave të mjaftueshme dhe infrastrukturës të përshtatshme për të mbajtur koncerte të mëdha. Ndonjëherë, kufizimet e hapësirave ekzistuese, si arena, stadiume dhe sheshe, mund të kufizojnë numrin e koncerteve dhe madhësinë e tyre.
-Procedurat dhe lejet e nevojshme: Organizimi i një koncerti në Shqipëri kërkon të përmbushë procedurat e lejes dhe të miratojë lejet e nevojshme nga autoritetet vendore dhe qendrore. Kjo mund të përfshijë lejet për sigurinë, zbatimin e ligjit për zhurmën, lejet e planifikimit urban, etj. Procesi i fitimit të lejes dhe miratimit të dokumentacionit mund të jetë sfidues dhe të zgjasë kohë.
-Mungesa e përvojës në organizimin e koncerteve të mëdha: Organizimi i koncerteve të mëdha kërkon ekspertizë të veçantë dhe njohuri të detajuara në menaxhimin e evenimenteve. Në disa raste, mungesa e përvojës në organizimin e koncerteve të mëdha mund të çojë në sfida në lidhje me logjistikën, planifikimin e detajuar dhe menaxhimin e rreziqeve të mundshme.
-Kostot e organizimit: Organizimi i koncerteve të mëdha ka kostot e veta, përfshirë pagesat për artistët, shpenzimet e infrastrukturës, marketingun dhe promovimin, sigurinë, teknikën dhe shërbimet e tjera të nevojshme. Përfitimet financiare të organizatorëve mund të jenë të kufizuara, veçanërisht nëse nuk ka një bazë të madhe fansash dhe kërkesë të fortë për bileta.
-Kërkesat logjistike dhe teknike: Koncertet e mëdha kërkojnë përgatitje të rreptë logjistike dhe teknike për të siguruar zërin, dritat, skenën, transportin, akomodimin dhe shërbimet e tjera për artistët, stafin dhe publikun. Mungesa e një infrastrukture të mjaftueshme dhe njohurive teknike mund të krijojë sfida në organizimin e koncerteve.
-Siguria dhe kontrolli i publikut: Siguria e publikut dhe kontrolli i qarkullimit të të pranishmëve është tejet thelbësore. E imagjinoni çfarë imazhi do të krijonte për vendin tonë?
A është fitimprurëse?
Fitimet e biznesit të biletave në Shqipëri varen nga shumë faktorë, siç janë tregu i synuar, konkurrenca, efikasiteti operacional dhe strategjitë e marketingut të zbatuara. Sipas Xhani Demika, bizneset e biletave mund të kenë fitime të mëdha nëse menaxhohen me sukses.
Fitimet e biznesit të biletave varen edhe nga marzhi i fitimit që mund të realizoni për çdo biletë të shitur, i cili varet nga çmimi i blerjes së biletave nga organizatorët dhe çmimi i shitjes së tyre për klientët. Mund të ketë faktorë të tjerë që ndikojnë në fitim ose jo, siç janë kostot operative, pagesat për partnerët dhe reklamat.
Një faktor tjetër që ndikon në të qenët fitimprurës është numri i biletave të shitura dhe lloji i eventit.
“Nëse arrini të ofroni ngjarje të kërkuara dhe tërheqëse për publikun, mund të rrisni numrin e biletave të shitura dhe, rrjedhimisht, të rrisni fitimet. Logjika është e tillë por në realitet ka shumë gjëra të tjera që ndikojnë.
Koha, shpeshtia mes koncerteve, moti në rastet e mjediseve të hapura, format e menaxhimit dhe marketingut. Shpesh organizatorë eventesh bashkëpunojnë me persona apo influencues që nuk kanë lidhje me muzikën dhe ndikimi i tyre në publik është minimal” – thotë z. Demika.
Festivalet verore, “kartëvizitë” për turizmin
Përveç koncerteve, Shqipëria ka potencialin të zhvillohet si një destinacion turistik tërheqës përmes festivaleve verore që organizon. Festivalet e muzikës, kulturës dhe artit janë një mënyrë e mirë për të promovuar turizmin dhe për të tërhequr vizitorë nga jashtë.
Në këtë rast, marketingu i realizuar përmes instancave shtetërore si Agjenci Turizmi Kombëtare, ashtu si operatorë privatë të ofrimit të paketave e pushimeve në vend, po ashtu dhe fuqia e mediave sociale, do të sillnin një kartolinë të plotë se çfarë mund të bëjnë eventet për turizmin.
Në vitet e fundit është rritur interesi për festivalet verore në Shqipëri, të cilat ofrojnë një kombinim të muzikës, shfaqjeve, gastronomisë dhe kulturës vendase, duke krijuar një përvojë unike për vizitorët.
Disa prej festivaleve më të njohura në Shqipëri janë Festivali i Këngës në Kukës, Festivali i Këngës Popullore në Gjirokastër, Festivali i Gjirokastrës, Festivali i Butrintit, Festivali i Kalamarës në Vlorë, Peza n’fest, Turtle Festival etj. Këto festivale ofrojnë muzikë, shfaqje artistike, tregtim dhe promovim të produkteve vendase dhe aktivitete të tjera kulturore.
Ka edhe festivale muzikore të tjera, siç është “Unum Festival” në Shëngjin, “Soundwave Albania” në Dhërmi dhe “Parku i Skeletave” në Tiranë, të cilat janë tërheqëse për turistët që kërkojnë muzikë dhe argëtim.
Një nga festivalet më të njohura dhe më të suksesshme është “Kala Festival” që zhvillohet në Gjirin e Himarës. Ky festival ka fituar reputacion të mirë për muzikën e kualitetit të lartë dhe vendit të mrekullueshëm buzë detit Jon.
Një tjetër organizim, para sezonit veror ishte ai SouthDoor Festival. Eventet janë kryesisht me bileta, por ka edhe me pjesëmarrje të lirë, vetëm rezervim dhe konsum në netët që mbahen eventet./MONITOR
Discussion about this post