Biznesi ka ulur përdorimin e energjisë elektrike në tremujorin e dytë të vitit.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave lidhur me bilancin energjetik në tremujorin e dytë tregojnë për një rënie me 3.5 për qind në total të përdorimit të energjisë gjatë kësaj periudhe ku vetëm bizneset kanë një rënie me 7.3 për qind.
“Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e dytë të vitit 2023, u ul me 3,5% duke arritur vlerën 1.479 GWh nga 1.533 GWh që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2022. Në rënien e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët kanë ndikuar konsumatorët jo familjarë, ku kemi një ulje të konsumit të energjisë elektrike me 7,3%, ndërsa energjia e konsumuar nga konsumatorët familjarë është rritur me 1,2%”, thuhet në publikim.
Rënia e përdorimit të energjisë sinjalizon zakonisht për uljen e ritmit të prodhimit nga bizneset vendase të cilat që nga pandemia e në vijim kanë treguar një tendencë të paqëndrueshme shpesh me ulje dhe rritje të përdorimit në varësi të vështirësive me të cilat përballen.
Të tilla kanë qenë rritje e dukshme e kostove të energjisë dhe lëndëve të para, ulja e porosive në grupin e eksportuesve. Të dhënat e tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT vetëm pak kohë më parë treguan një rënie me 7 për qind në total ku në grupin materiale ndërtimi dhe metale pati një rënie me 30 për qind. Peshën më të madhe në këtë rënie e mban Kurum i cili është përpunuesi i çelikut në vend.
Ndërkohë të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu për një panoramë të relaksuar të vendit sa i takon prodhimit dhe eksportit në përgjithësi edhe pse gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023, energjia elektrike në dispozicion u ul me 3,0%.
“Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u rrit me 37,8% duke arritur vlerën 2.269 GWh nga 1.647 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2022. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 52,3%, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 46,5% dhe nga të tjerë prodhues (Fotovoltaik) në masën 1,2% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e dytë të vitit 2023, arriti vlerën 355 GWh nga 664 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rënie me 46,5%. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 786 GWh nga 415 GWh duke shënuar një rritje me 89.4%.
Hidrocentralet publike, në tremujorin e dytë të vitit 2023, prodhuan 1.186 GWh nga 631 GWh të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2022, duke shënuar kështu një rritje të prodhimit me 88,0%.
Hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 1.057 GWh nga 1.002 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 5,4%. Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në tremujorin e dytë të vitit 2023 ka arritur vlerën pozitive prej 431 GWh, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022 ku kishte një vlerë negative prej 249 GWh.
Humbjet në rrjet arritën vlerën 359 GWh nga 363 GWh duke shënuar kështu një rënie me 1,0%. Humbjet në transmetim janë rritur me 2,8% ndërsa humbjet në shpërndarje kanë rënë me 1,7%. Humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rritje me 0,2%, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 5,7%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022”.
Discussion about this post