Bledi Shkëmbi, ish-futbollist i njohur dhe tashmë trajner, ka analizuar situatën në Kategorinë Superiore në javët e fundi para mbylljes së sezonit.
Në Intervistën e tij për emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”, Shkëmbi ka bërë të qartë se aj që e bënte të bukur kampionatin këtë vit ishte pasiguria deri në javën e fundit rreth atyre ekipeve që do të shpalleshin kampionë, shkonin në Europë apo binin nga kategoria.
“E rëndësishme është që deri në fund është garë shumë e fortë. Ka skuadra që po bëjnë shumë mirë, ka nga ato larg pritshmërisë. Por e theksoj që në një kampionat, e rëndësishme është gara e fortë, ky kampionat e ka treguar dhe po e tregon deri në javën e fundit.
Egnatia është ekipi surprizues i kampionatit. Jo për lojtarët që ka, por për emrin e ri që ka në Superiore. Kishte synim Kupat e Europës, por mendoj se ka bërë goxha më mirë si në mënyrën se si luan futboll, por edhe ka arritur objektivin, është në finalen e Kupës dhe është shumë afër një trofeu që për një klub të ri si Egnatia, duhen kohë e vite. Me meritë e ka arritur.
Mendoj pozitivisht edhe për Tiranën, ka pasur një vit me probleme, flas për largime lojtarësh. Ndeshjet e fundit ka qenë me shumë mungesa e probleme në formacion, por deri tani ia ka dalë shumë mirë t’ia arrijë qëllimit e të kryesojë me meritë.
Mendoj që të dyja bënë detyrën, ndoshta u duk pak më e thjeshtë për Tiranën, por kjo është arsyeja pse Tirana është pak më lart se Partizani. Se arriti në momente të vështira të administrojë situatat, si në derbi, në një fushë të vështirë si ndaj Laçit ia doli të diktojë lojën. Patjetër pa lënë pas dore Partizanin që kishte kundërshtar më të vështirë se Tirana.
Vllaznia ka skuadër shumë të mirë, por Partizani ia doli të fitojë e bëjë presion te Tirana deri në javën e fundit. Edhe në derbi Partizani u mundua më shumë por Tirana mori atë që kërkonte. Partizani nuk u tregua shumë cinik në momentin që ishte në avantazh, duhej të administronte më mirë situata, ndoshta stafi, por për mendimin tim edhe lojtarët, Ka lojtarë me eksperiencë dhe duhet të dinë si të sillen kur ekipi është në avantazh dhe ka vështirësi.
Erzeni në këtë sezon e kam parë me admirim nga fillimi, e shoh me kënaqësi. Ka bërë kampionat të mirë, ka pasur vështirësi kur janë dëmtuar lojtarët. Lëvizja e trajnerit nuk më duket normale, që dy javë para fundit të ndryshohet trajneri. Por në Shqipëri jemi mësuar, nuk na bën surprizë kjo pjesë. Jam i bindur që nëse do të ishte Kapllani, për skuadrën e klubin do ishte më mirë. Nuk ishte faji i trajnerit, ne flisnim me superlativa për të dhe është i njëjti trajner edhe tani. Ne ndoshta si sportdashës, edhe njerëzit që udhëheqin klubet, jemi të padurueshëm dhe në momentin kur ka probleme e shkarkojmë te trajneri. Por për Erzenin kam mendime pozitive, pavarësisht situatës.
Vllaznia? Nuk më pëlqen shumë fjala zhgënjim në futboll se në futboll mund të fitosh e humbasësh, nuk është e thjeshtë të gjesh fajtorë e gabime. Por duhet të them që Vllaznia patjetër duhej të kishte më shumë pikë me lojtarët cilësorë e grupin që ka, minimumi duhej të ishte në garën për titull me Partizanin e Tiranën. Nuk ka arritur ta bëjë. Në javët e fundit shoh Vllazninë që nuk po bën as atë futbollin e bukur, mundohet të jetë më cinike. Mua nuk më pëlqen si po luan, por këto janë vendime që i bëjnë stafet e skuadrave dhe në rastin konkret të Vllaznisë.
Si do shkojë gara? Në futboll nuk mund të parashikosh se është shumë e vështirë. Në këtë kampionat kushdo mund të të mposhtë e ndaj kujtdo mund të fitosh. Këto ndeshje janë goxha të vështira, edhe unë pres të shoh si do të dalin këto ndeshje. Por realisht, me Tiranën që ka pasur shumë momente të vështira dhe ka arritur t’i kalojë me sukses, edhe këto dy javë do i kalojë me sukses.
Kush është përpara ka më shumë shanse për të fituar kampionatin, por shpresojmë që edhe këto dy javë të jenë të bukura e të luftuara, ku të gjithë të japin maksimumin. Dhe në fund ai që e merr kampionatin, del nga kategoria apo shkon në Europë, të gjithë marrin atë që meritojnë, Tirana, nëse do të gabojë, atëherë ndoshta nuk do të mund t’i themi në dy javët e fundit këto fjalë të mira. Por me dy pikë avantazh, Tirana është më e avantazhuar.
Gara e hapur tregon që skuadrat nuk kanë ndonjë diferencë të madhe nga njëra-tjetra. Kjo nuk po ndodh më si vite më parë, pa përmendur klube apo skuadra, që dukeshin qartë që ishin më të forta 1 apo 2 skuadra dhe e dinim si do të shkonte deri në fund. Shumë skuadra kanë ndryshuar vendet, disa skuadra mendonin për Europën dhe tani kanë objektiva të tjera dhe e kundërta. Shumë skuadra që mendonin Europën, po e mendojnë të tjera. Kampionati ka nevojë për cilësi, por bukuria e këtij kampionati është lufta dhe ajo që thamë që dy javë para fundit nuk dihet ende asgjë.
Planet për të ardhmen? Patjetër që dëshira ime dhe objektiv është të vazhdoj trajningun. Në këto momente është paksa shpejt. Deri në këto momente, vetëm fjalë, por ofertë konkrete jo”, tha Shkëmbi në intervistën e tij./PanoramaSport
Discussion about this post