Kryeministri Edi Rama, i kthyer së fundmi në avokat mbrojtës për Belinda Ballukun, ka komentuar në një konferencë më gazetarët vendimin për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e kësaj të fundit. Sipas tij, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme nuk përmbushte asnjë kusht minimal që të merrej në konsideratë.
Rama deklaroi se përpjekjet për ta lidhur refuzimin e kësaj kërkese me motive të tjera politike apo institucionale janë të pabazuara.
“Do ta nis nga vendimi i djeshëm i parlamentit, për jehonën tërësisht të deformuar që iu dha atij vendimi. Ju me siguri e keni ndjekur vetë të gjithë rrjedhën e ditës. Keni ndjekur edhe prononcimin tim, që dua ta përsëris, lidhet me të vërtetën e madhe që kërkesa e SPAK nuk i përmbushte as kushtet minimale për tu marrë në konsideratë. Përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër, apo për ti dhënë përmasën e ndonjë fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë në BE apo do pengojë zbatimin e reformës në drejtësi, apo do pengojë drejtësinë është një përpjekje e shëmtuar”, tha Rama.
Rama ka pranuar përplasjet me faktorin ndërkombëtar për mbrojtjen ndaj Belinda Ballukut dhe mos heqjes së imunitetit të saj një ditë më parë në Kuvend, gjë që shkaktoi reagime nga disa përfaqësi diplomatike.
Rama tha se është e vërtetë që kanë pasur debat me disa nga partnerët e vendit lidhur me këtë çështje, por shtoi se “nuk pranoj të më shikojë njeri nga lart poshtë”.
“Një çështje korrupsioni se vetë prokuroria nuk ka ngritur akuzë por për një çështje në hetim, e cila mund të hetohet lirisht pa as më të voglën pengesë dhe e përsëris atë që thashë përpara grupit parlamentar, unë e inkurajoj prokurorinë që të ndjekë dhe të hetojë të gjitha pistat ku mund të mendohet se mund të shfaqet gjatë rrugës ferra e korrupsionit. Deri tani nuk jemi përballë një çështje korrupsioni.
Nga ana tjetër, është e vërtetë që kemi pasur debat me disa nga partnerët tanë lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje. Dhe sikundër besoj e dinë shumica, por bëjnë sikur s’e dinë pakica, unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët, interesin e vendit dhe një nga normat e pa diskutueshme të këtij përfaqësimi është t’i shikoj partnerët në sy, të më shikojnë në sy në të njëjtën lartësi. As unë nuk më shkon mendja të shikoj njeri nga lart poshtë po as nuk pranoj të më shikojë njeri nga lart poshtë. Përtej mënyrës se si është karikatura e pazarit politik, diskutimet tona kanë qenë konstruktive.
Nuk ka pasur asgjë si ato që janë thënë sa i përket tensionit apo presionit apo kërcënimit. Këto janë gjëra që nuk ndodhin në ato nivele ku bëhen këto diskutime. Dhe besoj se edhe deklaratat e bëra dje nga disa përfaqësi janë të qarta. “, tha Rama.










Discussion about this post