Me vendim të Këshillit të Ministrave, ditën e sotme është vendosur ngritja e Këshillit të Mbështetjes së Projekteve, i ngritur pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
Po ashtu, me këtë vendim të Këshillit të Ministrave janë miratuar kushtet dhe kërkesat për financimin e projekteve, dokumentacionin dhe procedurën e shqyrtimit dhe vlerësimit të projekteve për lojërat e fatit.
Ky Këshill i Posaçëm do të kryesohet nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, ndërsa anëtarë do të jenë edhe titullarët e disa ministrive dhe institucioneve të tjera.
Këshilli do të vendosë po ashtu se cilat projekte përfitojnë para (megjithëse nuk përcaktohet nëse do të financohen nga shteti dhe për çfarë arsyeje), bazuar në aplikime dhe konkurrim të hapur. Projektet duhet të aplikojnë brenda një afati minimal 30 ditë dhe do të përzgjidhen sipas transparencës dhe kapaciteteve për zbatim.
Financimi do të jepet me këste: një pjesë në fillim, pjesa më e madhe gjatë zbatimit dhe pjesa e fundit në fund të projektit:
20% e shumës së miratuar jepet fillimisht pas miratimit të projektpropozimit;
50% jepet pas dorëzimit dhe miratimit të raportit të monitorimit të performancës së projektit;
30% e fundit e fondeve jepet pas miratimit të raportit final të projektit.
Nëse projekti nuk zbatohet si duhet, fondet do të kthehen. Gjithashtu, do të ketë kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm.
Ndërkohë subjekti fitues, mban përgjegjësi të plotë për zbatimin e projektit dhe për raportimin para Këshillit, duke dorëzuar raportin e monitorimit të performancës së projektit, në përfundim të çdo faze financimi, por jo më vonë se çdo 6 muaj.
Përbërja e Këshillit
Këshilli kryesohet nga Zëvendëskryeministri dhe në përbërje ka anëtarë, titullarët e ministrive dhe institucioneve të mëposhtme:
- a) Ministrin përgjegjës për financat, anëtar;
- b) Ministrin përgjegjës për sportin, anëtar;
ç) Ministrin përgjegjës për kulturën, anëtar;
- c) Ministrin përgjegjës për inovacionin, anëtar;
- d) Ministrin përgjegjës për çështjet sociale, anëtar;
- dh) Titullarin e autoritetit përgjegjës për qeverisjen elektronike, anëtar.
Detyrat e Këshillit
- Këshilli ushtron detyrat e mëposhtme:
- a) Përcakton prioritetet vjetore të financimit;
- b) Miraton kriteret dhe procedurat e aplikimit;
- c) Shqyrton e miraton projektpropozimet;
ç) Miraton kontratat tip;
- d) Ndjek zbatimin dhe monitoron projektet.
- Kriteret, procedurat e aplikimit, si dhe kontratat tip, të parashikuara në këtë vendim, hartohen nga sekretariati teknik dhe i paraqiten Këshillit për miratim.
Kryetari dhe sekretariati teknik
- Komisioni i Licencave ushtron funksionin e sekretariatit teknik të Këshillit dhe e mbështet atë në përmbushjen e detyrave.
- Kryetari drejton mbledhjet, siguron zbatimin e dispozitave të ligjit dhe mbarëvajtjen e punës së Këshillit.
Deklarimi i konfliktit të interesit dhe deklarata e konfidencialitetit
- Kryetari dhe çdo anëtar i Këshillit, nëpërmjet një deklarate me shkrim, është i detyruar të heqë dorë nga pjesëmarrja në mbledhje, kur midis tij dhe personave fizikë ose subjekteve juridike që shqyrtohen, diskutohen ose vendosen çështje, ekziston konflikt interesi, sipas legjislacionit në fuqi për konfliktin e interesit.
- Kryetari dhe/ose çdo anëtari i Këshillit nuk marrin pjesë në procedurat e shqyrtimit, diskutimit dhe votimit për çdo çështje, ku kanë interes të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, i cili mund të cenojë paanësinë e tyre në vendimmarrje.
- Kryetari dhe anëtarët e Këshillit nënshkruajnë gjithashtu deklaratën për ruajtjen e konfidencialitetit lidhur me të dhënat dhe informacionet, që u bëhen të njohura gjatë ushtrimit të detyrës.
Mbledhjet
- Kryetari vendos për datën dhe orën e mbledhjeve të radhës.
- Çdo ndryshim i datës ose i orës së mbledhjes u njoftohet të gjithë anëtarëve të Këshillit.
- Njoftimi për thirrjen e mbledhjes, duke përfshirë rendin e ditës dhe materialet përkatëse, duhet t’u dorëzohet të gjithë anëtarëve të Këshillit, të paktën 5 (pesë) ditë pune para mbledhjes.
- Mbledhja thirret brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pas paraqitjes së kërkesës nga 1/3 e anëtarëve, të paktën 48 (dyzet e tetë) orë para datës së thirrjes.
- Mbledhja e Këshillit është e vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij.
- Nëse në hapjen e mbledhjes nuk është e pranishme shumica e anëtarëve, Kryetari cakton një mbledhje të re të paktën 24 (njëzet e katër) orë pas mbledhjes së parë. Në këtë mbledhje të dytë, mbledhja është e vlefshme nëse janë të pranishëm të paktën gjysma e anëtarëve.
- Anëtarët e Këshillit, që janë të pranishëm në mbledhje dhe nuk kanë ndonjë pengesë ligjore për të votuar, nuk kanë të drejtë të abstenojnë. Kryetari voton i fundit.
- Në rastet kur rezultati i votimit është i barabartë, vota e Kryetarit është vendimtare.
- Vendimet merren me votim të hapur.
Rendi i ditës
- Kryetari përcakton rendin e ditës për çdo mbledhje të Këshillit. Rendi i ditës përfshin të gjitha çështjet, që janë propozuar me shkrim nga anëtarët dhe që hyjnë në kompetencën e Këshillit. Kërkesa për përfshirjen e një çështjeje në rendin e ditës paraqitet të paktën 5 (pesë) ditë pune përpara datës së mbledhjes.
- Njoftimi për thirrjen e mbledhjes, duke përfshirë rendin e ditës dhe materialet përkatëse, u dorëzohet të gjithë anëtarëve të Këshillit, të paktën 5 (pesë) ditë pune para mbledhjes.
- Rendi i ditës u shpërndahet të gjithë anëtarëve, të paktën 48 (dyzet e tetë) orë përpara datës dhe orës së mbledhjes.
Marrja e vendimeve
Këshilli merr vendime vetëm për çështjet e përfshira në rendin e ditës së mbledhjes, përveç rasteve kur të paktën 2/3 e anëtarëve vendosin të shqyrtojnë dhe të marrin vendime edhe për çështje, që nuk janë përfshirë në rendin e ditës.
Procesverbali i mbledhjes
- Në çdo mbledhje mbahet një procesverbal, i cili përmban datën dhe vendin e mbledhjes, anëtarët pjesëmarrës, çështjet dhe diskutimet e trajtuara, vendimet e marra, formën dhe rezultatin e votimeve, detyrat dhe personat përgjegjës për zbatimin e tyre.
- Procesverbali mbahet nga sekretariati teknik dhe i paraqitet të gjithë anëtarëve për miratim ose në fund të mbledhjes apo në fillim të mbledhjes pasardhëse. Pas miratimit, procesverbali nënshkruhet nga Kryetari dhe nga sekretariati teknik.
- Në rastet kur Këshilli e konsideron të nevojshme dhe mbledhja ndahet në seanca, procesverbali miratohet menjëherë pas përfundimit të secilës seancë përkatëse. Vendimet e Këshillit hyjnë në fuqi vetëm pasi të jetë miratuar procesverbali i mbledhjes.
KRITERET PËR PËRZGJEDHJEN E PROJEKTEVE
Parimet e përzgjedhjes
Gjatë procesit të shqyrtimit dhe të përzgjedhjes së aplikimeve për financimin e projekteve nga Këshilli garantohen parimet e mëposhtme:
- a) Liria e pjesëmarrjes dhe konkurrimi i barabartë;
- b) Mosdiskriminimi dhe trajtimi i njëjtë i të gjithë aplikuesve;
- c) Transparenca e procedurave të vendimmarrjes, duke siguruar që të gjithë aplikuesit të kenë akses në të dhënat dhe procedurat përkatëse;
ç) Paanësia në shqyrtimin e marrjen e vendimeve dhe parandalimi i çdo konflikti interesi.
Procedura e njoftimit dhe afatet e aplikimit
- Këshilli përcakton me vendim periudhën e hapjes së thirrjes/thirrjeve dhe shumën e fondeve në dispozicion për financimin e projekteve.
- Shpallja e njoftimit për pjesëmarrje në një procedurë konkurrimi, e udhëzimeve për pjesëmarrjen dhe kontratës tip kryhet në faqen e internetit të Ministrisë së Financave
- Këshilli përcakton dhe përfshin në njoftimin për pjesëmarrje afatin e dorëzimit të projektpropozimeve. Ky afat nuk mund të jetë më i shkurtër se 30 (tridhjetë) ditë pune nga data e botimit të njoftimit.
- Afati i ri publikohet në faqen zyrtare të internetit dhe nuk mund të shtyhet më shumë se 30 (tridhjetë) ditë pune.
Kushtet për aplikuesit
- Institucionet shtetërore, për projektet e propozuara nga subjektet aplikuese, paraqesin për shqyrtim pranë sekretariatit teknik të Këshillit projektpropozimin dhe dokumentacionin shoqërues, sipas këtij vendimi.
- Subjektet aplikuese, me qëllim përfitimin e financimit, duhet të plotësojnë këto kushte:
- a) Të kenë raporte financiare të audituara të vitit të fundit, pa opinion negativ;
- b) Të kenë të garantuara, në momentin e aplikimit, kapacitetet njerëzore të nevojshme për zbatimin e projektit, duke përfshirë të paktën 5 (pesë) persona të dedikuar, të cilët kanë realizuar të paktën një projekt ose veprimtari të ngjashme në fushën përkatëse gjatë tri viteve të fundit;
- c) Të mos jenë në procedurë falimenti ose likuidimi;
ç) Të kenë përmbushur të gjitha detyrimet kontraktuale me natyrë financiare ndaj punonjësve;
- d) Të mos kenë detyrime tatimore apo gjoba të papaguara.
Llojet e financimit
Këshilli miraton financime për dy periudha kohore:
- a) Fonde për periudha afatshkurtra deri në 1 (një) vit kalendarik;
- b) Fonde për periudha afatgjata deri në 3 (tri) vite kalendarike.
Aplikimi për financim dhe dokumentacioni shoqërues
- Aplikimi për financim paraqitet sipas formularit tip, të publikuar në thirrjen për aplikim, dhe shoqërohet me dokumentacionin e përcaktuar në këtë vendim.
- Formulari i aplikimit përmban informacionin e mëposhtëm:
- a) Të dhënat identifikuese të institucionit aplikues dhe fusha e veprimit;
- b) përshkrimin e projektit;
- c) Objektivat, rezultatet dhe treguesit e pritshëm;
ç) Përfituesit dhe ndikimin e projektit;
- d) Planin e zbatimit;
- dh) Planin financiar me shpenzime të detajuara dhe të shpërndara sipas periudhave kohore;
- e) Analizën e rreziqeve dhe masat për qëndrueshmërinë e projektit.
- Dokumentacioni shoqërues i aplikimit përbëhet, detyrimisht, nga:
- a) raportet financiare të vitit të fundit, të audituara;
- b) vërtetimi nga organi kompetent, që institucioni nuk është në procedurë falimenti ose likuidimi;
- c) lista e stafit të përfshirë në projekt, së bashku me cv-të dhe dokumentimin e përvojës;
ç) deklarata për përmbushjen e detyrimeve kontraktuale ndaj punonjësve;
- d) buxheti i detajuar i projektit;
- dh) deklarata për mungesën e konfliktit të interesit.
- Aplikimet pranohen vetëm për projekte që zbatohen në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Procedura e përzgjedhjes së projekteve
- Për çdo procedurë konkurrimi, Këshilli përcakton një kalendar të qartë të procesit të përzgjedhjes, duke përcaktuar afatet e dorëzimit të projektpropozimeve, shqyrtimin e pranueshmërisë, vlerësimin e projekteve, dhe fillimin e projektit.
- Procedura e përzgjedhjes përfshin:
- a) botimin e planit vjetor të veprimit në faqen zyrtare të AMLF-së;
- b) njoftimin paraprak dhe publikimin e çdo procedure konkurrimi, duke përfshirë afatet dhe dokumentet që duhen dorëzuar;
- c) vënien në dispozicion të dokumenteve dhe informacionit të nevojshëm për aplikuesit;
ç) sigurimin e sqarimeve dhe ndryshimeve gjatë procedurës, me shpjegimin e ndikimit të tyre në kriteret e vlerësimit;
- d) regjistrimin e aplikimeve dhe identifikimin e institucioneve aplikuese;
- dh) shqyrtimin e aplikimeve për të siguruar që plotësojnë kushtet e pranimit (kapacitetet teknike dhe financiare, dokumentacioni dhe përputhshmëria e stafit të dedikuar);
- e) vlerësimin e projektpropozimeve dhe dokumentimin e çdo faze;
ë) njoftimin e rezultateve të vlerësimit, duke përfshirë kërkesat për sqarime ose rregullime kur është e nevojshme;
- f) njoftimin e arsyes për refuzimin e aplikimeve të skualifikuara;
- g) negociimin e mundshëm të ndryshimeve, si kusht për miratimin e projektpropozimit fitues;
- gj) nënshkrimin e kontratës me aplikuesin fitues, sipas kritereve të përcaktuara dhe ligjit në fuqi për lojërat e fatit.
- Projektpropozimet që përmbushin kriteret e pranueshmërisë vlerësohen në bazë të sistemit të pikëve, të përcaktuar në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Kriteret e vlerësimit të projekteve
- Projektet që kalojnë fazën e pranueshmërisë vlerësohen në bazë të përputhshmërisë me qëllimet e vendimit për financim, kapaciteteve të aplikuesit, efektivitetit të aktiviteteve të propozuara, rezultateve të matshme dhe arsyeshmërisë së kostove të propozuara.
- Për vlerësimin e projektpropozimeve merren parasysh kriteret e përcaktuara, si më poshtë vijon:
- a) Ndikimi në komunitet dhe në grupe të cenueshme, i dokumentuar nëpërmjet përshkrimit të aktiviteteve dhe përfitimeve të pritshme për këto grupe (p.sh. fëmijë, të moshuar, persona me aftësi të kufizuara, të papunë, shtresa të margjinalizuara);
- b) Karakteri jokomercial i projektit, i dokumentuar me qëllimet dhe planin financiar;
- c) Rezultatet e pritshme dhe ndikimi i matshëm, të treguar me indikatorë dhe tregues të arritjeve;
ç) Përputhshmëria me dokumentet strategjike lokale e kombëtare, në përputhje me prioritetet dhe qëllimet e përcaktuara në to;
- d) Kapacitetet e stafit për zbatimin e projektit, të verifikuara me cv, duke përfshirë përvojën dhe njohuritë e nevojshme për realizimin e aktiviteteve të propozuara;
- dh) Bashkëpunimi me organizata ose institucione të tjera, të dokumentuar me marrëveshje bashkëpunimi ose referenca;
- e) Inovacioni dhe qasja krijuese ose zgjidhje konkrete, që projekti propozon;
ë) Efikasiteti financiar dhe arsyeshmëria e kostove, të dokumentuara me buxhet të detajuar;
- f) Qëndrueshmëria e rezultateve pas përfundimit të projektit, e dokumentuar me plan veprimi;
- g) Përfshirja e grupeve të cenueshme, promovimi i barazisë gjinore dhe diversitetit, të dokumentuara me aktivitetet konkrete dhe përfituesit e projektit;
- gj) Përvoja dhe rezultatet e mëparshme të subjektit në projekte të ngjashme, të dokumentuara me referenca ose me raporte të mëparshme.
- Vendimi për përzgjedhjen e projekteve bazohet në përputhshmërinë e vlerësimeve me kriteret e mësipërme, të dokumentuara e të arsyetuara në raportin e vlerësimit, i përgatitur nga sekretariati teknik dhe i miratuar nga Këshilli.
Vendimmarrja dhe nënshkrimi i kontratave për financimin e projekteve
- Vendimmarrja për financimin e projekteve realizohet, si më poshtë vijon:
- a) Çdo anëtar i Këshillit shqyrton projektpropozimet dhe jep vlerësimin e tij pas një diskutimi të përbashkët;
- b) Këshilli merr vendimin për projektet që do të financohen me shumicë votash të anëtarëve pjesëmarrës në votim, në bazë të kritereve të vlerësimit dhe raportit të vlerësimit, brenda tridhjetë (30) ditëve punë nga mbyllja e procedurës së aplikimit;
- c) Sekretariati teknik i Këshillit njofton të gjitha institucionet aplikuese për vendimin, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga marrja e vendimit;
ç) Këshilli ndërmerr dhe përmbyll procesin e negociimit me institucionet aplikuese për projektpropozimet e përzgjedhura me kusht, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë. Institucioni aplikues, që nuk shprehet apo refuzon të rishikojë projektpropozimin e përzgjedhur me kusht, brenda këtij afati, skualifikohet dhe humb të drejtën e mbështetjes financiare për projektpropozimin.
- Çdo subjekt përfitues nënshkruan kontratë me drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, brenda 30 (tridhjetë) ditëve punë nga përfundimi i vlerësimit të projektpropozimeve.
- Në kontratë përcaktohen kushtet e përgjithshme dhe të veçanta, përfshirë fondet e miratuara dhe aktivitetet që do të realizohen.
- Projektet fituese, vlera e fondeve dhe mënyra e shpërndarjes së tyre njoftohen nga sekretariati teknik i Këshillit dhe bëhen publike në faqen zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
Shpërndarja e fondeve dhe përgjegjësitë për mospërmbushjen e zbatimit të projekteve
- Fondet për projektet fituese shpërndahen në këto faza:
- a) 20% e shumës së miratuar jepet fillimisht pas miratimit të projektpropozimit;
- b) 50% jepet pas dorëzimit dhe miratimit të raportit të monitorimit të performancës së projektit;
- c) 30% e fundit e fondeve jepet pas miratimit të raportit final të projektit.
- Çdo pagesë, referuar pikës 1, të këtij neni, kryhet me vendim të Këshillit.
- Në rast të mospërmbushjes së aktiviteteve të projektit dhe/ose detyrimeve kontraktuale, pjesa përkatëse e financimit të akorduar kthehet nga subjekti përfitues në llogarinë e fondit të posaçëm.
MONITORIMI I ZBATIMIT TË PROJEKTEVE
Monitorimi dhe raportimi i projekteve të financuara
- Subjekti fitues, palë në kontratë me Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, mban përgjegjësi të plotë për zbatimin e projektit dhe për raportimin para Këshillit, duke dorëzuar raportin e monitorimit të performancës së projektit, në përfundim të çdo faze financimi, por jo më vonë se çdo 6 (gjashtë) muaj.
- Monitorimi i zbatimit të projektit kryhet nga Njësia e Zbatimit të Projektit, e cila ngrihet me vendim të Këshillit për çdo projekt të financuar, ku përcaktohen detyrat, përgjegjësitë dhe përbërja e njësisë.
- Njësia e Zbatimit të Projektit përbëhet nga përfaqësues të:
- a) institucionit përfitues të financimit;
- b) subjektit zbatues të kontratës;
- c) Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
- Përfaqësuesit caktohen nga titullari i secilit institucion/subjekt përkatës, si më poshtë vijon:
- a) Përfaqësues të nivelit drejtues;
- b) Përfaqësues nga struktura përgjegjëse për çështjet juridike;
- c) Përfaqësues nga struktura përgjegjëse për çështjet financiare.
- Raporti i monitorimit hartohet nga Njësia e Zbatimit të Projektit mbi baza periodike dhe i përcillet Këshillit për vlerësim të ecurisë së zbatimit dhe performancës së projektit.
DISPOZITA TË FUNDIT
Zbatimi
Ngarkohen Ministria e Financave, Këshilli i Mbështetjes së Projekteve, Komisioni i Licencave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”
gijotina.com/










Discussion about this post