Kina nuk është e interesuar, shkruan The Economist
Dokumentari “Misteri i virusit”, i transmetuar më 12 gusht, tërhoqi vëmendje tepër të madhe për një dokumentar televiziv danez. Kjo për shkak se ai paraqiste Peter Ben Embarek, një ekspert në sigurinë ushqimore dhe sëmundjet zoonotike, i cili hidhte dyshime mbi përfundimet e një “studimi të përbashkët” mbi origjinën e pandemisë Covid-19, që ishte kryer në fillim të këtij viti nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Doktor Ben Embarek udhëtoi në Kinë si pjesë e atij studimi.
Në mars, studimi i përbashkët raportoi se ishte “jashtëzakonisht e pamundur” që virusi të kishte dalë si pasojë e një aksidenti laboratorik. Doktor Ben Embarek u shpreh se ky përfundim nuk erdhi si rezultat i një vlerësimi të balancuar të të gjitha dëshmive përkatëse, por u ndikua nga refuzimi i prerë i anëtarëve kinezë të studimit të përbashkët për të marrë në konsideratë një skenar të tillë.
Madje, ata e lejuan edhe këtë vlerësim minimal, me kusht që raporti të mos kërkonte hetime të mëtejshme mbi këtë çështje. Ai gjithashtu vuri në dukje se ideja se virusi kishte shpëtuar gjatë procesit të mbledhjes së mostrave të lakuriqëve të natës për qëllime kërkimore, ishte një mundësi, ashtu si mundësia e ndërveprimeve të tjera të njerëzve me lakuriqët e egër.
Një person brenda OBSH-së e përshkroi studimin si “të mbushur me kompromise dhe ngatërresa”. Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus, ishte i shqetësuar për mënyrën se si u krye studimi. Që atëherë, ka bërë thirrje për hetime të mëtejshme mbi këtë çështje.
Më shumë se një vit e gjysmë pas shpërthimit të Covid-19 në qytetin Wuhan, nuk është kryer asnjë hetim i plotë ndërkombëtar për të zbuluar sesi patogjeni sars-cov-2 depërtoi te njerëzit dhe u përhap në të gjithë botën. Numri i vdekjeve nga pandemia është rreth 9 – 18 m, sipas një modeli që ka ndërtuar The Economist në bazë të raporteve të vdekjeve shtesë dhe treguesve të tjerë.
Pyetja se si nisi virusi ka rëndësi si për të afërmit e të vdekurve, si dhe për ata që duan të parandalojnë që një shpërthim i tillë të ndodhë sërish. Përpjekjet e Kinës për të ndaluar botën që t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve, nuk janë aspak bindëse. Sa më shumë që duket se po fshihet e vërteta, aq më shumë rriten dyshimet.
Thirrjet për një hetim ndërkombëtar mbi origjinën e Covid-19 nisën në prill 2020, fillimisht nga Scott Morrison, kryeministri i Australisë. Muajin tjetër, Asambleja Botërore e Shëndetësisë, bëri gjithashtu thirrje për një studim mbi origjinën e pandemisë.
Por për të qenë e pranueshme për Kinën – e cila reagoi me zemërim ndaj sugjerimit të Morrison – puna u krijua si një projekt kërkimor i përbashkët midis dy ekipeve të shkencëtarëve, një ekipi kinez dhe një ndërkombëtar. Dhe puna do të bazohej në “misione shkencore dhe bashkëpunuese në terren”, dhe nuk do të ishte një hetim konkret kriminalistik për të gjitha rrethanat përkatëse.
Kushtet, të cilat u negociuan më pas me dyer të mbyllura, i lejuan kinezët që ta përshtasnin punën e studimit të përbashkët sipas mënyrës që dëshironin. Kështu, studimi u krijua për t’u mbështetur në hulumtimet ekzistuese kineze, dhe jo për të hetuar në të dhëna të pakontrolluara. Hetimi i laboratorëve që kishin punuar me koronaviruse si sars-cov-2 në Wuhan nuk ishte pjesë e kushteve.
Ekipi ndërkombëtar mbërriti në Kinë në janar të këtij viti. Të dhënat në lidhje me rastet e para të raportuara të Covid-19, ato nga dhjetori 2019, ishin një subjekt fërkimi. Kinezët kishin raportuar 174 raste të tilla, por nuk pranonin të ndanin me të tjerët të dhënat themelore ku ishin mbështetur këto raporte.
Pasi mori vesh se këto të dhëna thelbësore nuk do të viheshin në dispozicion, doktor Tedros u shqetësua aq shumë, saqë i kërkoi qasje qeverisë kineze. Autoritetet nuk pranuan, duke dhënë si arsye shqetësimet për privatësinë e qytetarëve. Por të dhënat mund të ishin dhënë edhe në formë anonime.
Edhe në fusha të tjera, ekipi duket se nuk ka shkuar në drejtimin e duhur. Marrim për shembull, tregtinë e kafshëve të gjalla në tregun e frutave të detit në Wuhan, një vend ku janë raportuar rastet më të hershme të Covid-19. Në raportin përfundimtar, grupi i studimit i mori si të mirëqena pretendimet se nuk kishte dëshmi të besueshme se në këtë treg janë shitur gjitarë të gjallë në vitin 2019. Por shumë dëshmitarë okularë e hedhin poshtë këtë pretendim.
Vetëm një raport dhe asnjë më shumë
Tregu nuk është mënyra e vetme që kafshët dhe patogjenët që ata mbartin mund të hyjnë në Wuhan. Lloji i lakuriqëve që besohet se kanë qenë transmetuesit më të hershëm të sars-cov-2, nuk jetojnë në qytet, por dy laboratorët që ndodhen atje dhe që dihej se ishin angazhuar në hulumtimin e koronaviruseve, merrnin mostra nga shpellat e lakuriqëve të natës në të gjithë vendin. Ekipi i studimit të përbashkët nuk u lejua të hetonte procedurat rreth dokumentimit të këtij kërkimi; kur vizitoi laboratorët, ekipit iu prezantuan procedurat e sigurisë, por asgjë më shumë.
Kur studiuesit u larguan nga Wuhan, selia e OBSH-së në Gjenevë u tha se raporti i tyre duhej të paraqitej shkencërisht dhe mund të shprehte mendime kundërshtuese; nuk ishte e nevojshme që anëtarët ndërkombëtarë dhe anëtarët kinezë të arrinin në një konsensus.
Sidoqoftë, sipas disa burimeve të brendshme, ekipi u përkushtua për të përgatitur një raport të përbashkët me homologët kinezë. Doktor Tedros ishte aq i pakënaqur me rezultatet, saqë e hodhi poshtë pohimin e studimit se një rrjedhje laboratorike nuk kishte nevojë për hetime të mëtejshme.
Më 26 maj, presidenti Joe Biden i urdhëroi shërbimet e inteligjencës amerikane të raportonin mbi origjinën e pandemisë në 90 ditë (afati mbaron më 24 gusht). Kur ai dhe udhëheqësit e tjerë të G7 u takuan në qershor, bënë një thirrje të përbashkët për një studim transparent dhe të bazuar në shkencë. Më 16 korrik, doktor Tedros parashtroi hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerreshin. Ato përfshijnë një punë të mëtejshme në tregjet e kafshëve në Wuhan, studime të rasteve të hershme dhe auditime të laboratorëve lokalë.
Qeveria kineze ka reaguar me zemërim ndaj idesë së studimeve të mëtejshme në territorin e saj. Zeng Yixin, zëvendësministri i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë në Kinë, tha se ishte “i tronditur” nga plani për të hetuar një rrjedhje laboratorike, duke thënë se ishte “e pamundur” që kjo të pranohej. Sipas Global Times, një gazetë e drejtuar nga Partia Komuniste, 55 vende kanë dërguar ankesa me shkrim për propozimin për hetime të mëtejshme tek OBSH-ja.
Në mungesë të çdo shprese se Kina do të bashkëpunojë, burimet e të dhënave jashtë kontrollit të saj janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme. Një fushë me interes janë të dhënat e sekuencës gjenetike. Një tjetër janë rastet e hershme të eksportuara nga Kina.
Në kërkim të përgjigjes
Një grup online i inteligjencës, me emrin Drastic, ka kontrolluar të dhënat e sekuencave për të marrë njohuri mbi aktivitetet në Institutin e Virologjisë në Wuhan (WIV). Kur studiuesit publikojnë sekuenca, ata zakonisht postojnë të dhënat e papërpunuara nga mblidhen ato sekuenca në bazat e të dhënave publike, siç është arkivi nga sekuenca në Qendrën Kombëtare Amerikane për Informacionin Bioteknologjik.
Ngjarjet e kontaminimit në laborator, ose brenda vetë makinave të sekuencimit, nënkuptojnë se këto të dhëna ndonjëherë përmbajnë sekuenca që nuk duhet të jenë atje. Në teori, prova të tilla mund të zbulojnë veprime të këqija.
Një punë e tillë, megjithëse duket premtuese, kërkon shumë burime. Gilles Demaneuf, një shkencëtar i të dhënave që punon me Drastic, thotë se mendon se komuniteti i inteligjencës amerikane po punon në të njëjtin drejtim. Është e imagjinueshme që shërbimet e inteligjencës mund të kenë qenë në gjendje të nxjerrin sekuenca të papërpunuara nga makinat e sekuencimit kinez, duke mbledhur kështu edhe më shumë të dhëna.
Sekuencimi i të dhënave është vetëm një rrugë për të zbuluar nëse virusi ka dalë me të vërtetë nga një laborator, diçka që mbetet si mundësi, por që nuk është vërtetuar aspak. Sa më shumë që afrohemi për të kuptuar se kur dhe ku ka kaluar virusi nga kafsha tek njeriu, aq më e lehtë do të jetë për të mësuar se si ka ndodhur.
Bazuar në informacionin e mundësuar nga Kina, studimi i përbashkët arriti në përfundimin se nuk kishte gjasa që të kishte pasur ndonjë transmetim në Wuhan para dhjetorit 2019. Por kjo nuk ka gjasa të jetë e vërtetë. South China Morning Post, një gazetë me seli në Hong Kong, mori në dispozicion dokumente qeveritare në vitin 2020, të cilat tregonin se kishte një deri në pesë raste të reja në ditë në Wuhan nga 17 nëntori 2019 e tutje. Provat e mëtejshme kanë forcuar mundësinë që virusi të ketë qenë në qarkullim shumë më herët sesa tregojnë autoritetet zyrtare.
Ky qarkullim mund të mos ketë qenë i kufizuar vetëm në Kinë. Ka dëshmi në rritje që tregojnë se ka pasur infeksione të hershme diku tjetër. Këto raste do të ishin eksportuar nga Kina; asnjë virolog nuk dyshon se Hubei ishte vendi ku u përhap virusi tek njerëzit. Por nëse qarkullimi në Hubei ka qenë më i hershëm sesa mendohej, prania e rasteve diku tjetër ofron një mënyrë alternative për të krijuar një ide mbi kohën.
Një studim i kohëve të fundit i mostrave të gjakut nga 9,144 të rritur në 12 rajone të Francës, zbuloi shtatë mostra të cilat përmbanin antitrupa kundër sars-cov-2, të gjitha të marra në nëntor 2019. Një studim italian që shqyrton kancerin e mushkërive ka zbuluar mostra të marra në shtator 2019 të cilat duket se përmbajnë antitrupa anti-sars-cov-2.
Një studim tjetër i antitrupave tregon se në të njëjtën kohë, virusi po qarkullonte në një nivel të ulët në veri të Italisë, veçanërisht në Lombardi, një rajon i cili ka lidhje të ngushta me Wuhan përmes tregtisë së veshjeve, dhe aty ndodhi shpërthimi i parë i madh europian i Covid-19, në mars 2020.
Testet e antitrupave mund të japin pozitivë të rremë. Në një studim të botuar më 6 gusht nga Lancet, studiuesit në Lombardi, duke ekzaminuar 289 tampona dhe analiza të urinës të marra nga njerëzit që vuanin nga skuqje të lëkurës në periudhën rreth gjysmës së dytë të vitit 2019, zbuluan sekuenca sars-cov-2 në 13 prej tyre, më të hershmet prej të cilave u morën më 12 shtator.
Sudhir Kumar nga Universiteti Temple në Filadelfia, thotë se ky studim ka të ngjarë të nxisë hetuesit e tjerë që të shikojnë mostrat spitalore në retrospektivë. Kjo duhet të ndihmojë kërkimin mbi origjinën e virusit. Maria Van Kerkhove, kreu i sëmundjeve infektive, thotë se mund të jetë e mundur që t’i jepet përparësi punës në zonat që përjetuan shpërthimet më të hershme të virusit në Amerikë, Francë, Itali dhe Spanjë. “Unë mendoj se portat do të hapen një ditë”, thotë Dr. Kumar.
Një dritë në horizont
Një rrjedhje laboratorike nuk është e vetmja mundësi. Personi i parë i infektuar mund të ketë qenë dikush që është punësuar nga Instituti i Virologjisë në Wuhan ose një laborator tjetër, për të mbledhur lakuriqë dhe mostra, një perspektivë të cilën doktor Ben Embarek e theksoi në intervistën e tij televizive.
Dhe është e rëndësishme të kihet parasysh se mund të kemi të bëjmë edhe me ndonjë formë tjetër të rrjedhjes jashtë laboratorit, qoftë drejtpërdrejt nga lakuriqi i natës, ose përmes disa specieve të tjera.
Është e qartë se Kina nuk dëshiron që hetimet e rrjedhjeve të laboratorit të kryhen; por kjo nuk do të thotë se ajo e di që një gjë e tillë ka ndodhur. Kina gjithashtu nuk po tregohet e sinqertë në lidhje me tregun në Wuhan, duke mohuar qasjen në të dhënat e rasteve të hershme. Shpjegimi më i qartë është se qeveria nuk dëshiron ndonjë përgjigje përfundimtare për pyetjen.
Një treg josanitar apo një kapës i pakujdesshëm i lakuriqëve të natës nuk do të ishte një skenar aq i keq sa ideja e burimit nga një laborator qeveritar. Por çdo përgjigje ndaj pyetjes mbi origjinën e virusit, e bën Kinën të duket keq, vetëm nëse kjo e fundit do të gjente ndonjë mënyrë për të fajësuar dikë tjetër. Për këtë qëllim, Kina ka bërë thirrje për një hetim të Fort Detrick në Maryland, që historikisht ka qenë qendra e kërkimit amerikan të armëve biologjike; mediat shtetërore publikojnë rregullisht spekulime për përfshirjen e saj.
Mundësia e transmetimit nga lakuriqët e egër nuk duhet të studiohet në Kinë. Yunnan kufizohet me Laosin, Mianmarin dhe Vietnamin, dhe lakuriqët e natës udhëtojnë gjithandej. Mostrat e marra jashtë Kinës mund të na japin një ide të mirë të diversitetit viral në anën tjetër të kufirit. Një vlerësim i plotë i tregtisë ekzistuese të kafshëve të egra në rajon do të ishte gjithashtu i dobishëm.
Sidoqoftë, ekziston një rrezik që duhet të merret parasysh. Përpjekjet për të zbuluar rrënjët e Covid-19 duke kërkuar një rezervuar natyror të diçkaje shumë të ngjashme me sars-cov-2, do t’i ekspozonin njerëzit ndaj rreziqeve që mund të përhapin pandemitë. Ironikisht, vetë mundësia e një rrjedhjeje laboratorike, ngre pyetje në lidhje me mënyrën më të sigurt për të vazhduar hetimet mbi mundësitë e tjera.
Kur bëri thirrje për hetime të mëtejshme në korrik, doktor Tedros njoftoi gjithashtu formimin e një grupi të ri të përhershëm të studimit të patogjenëve, Grupi Këshillimor Shkencor Ndërkombëtar për Origjinat e Patogjenëve të Rinj (SAGO). Ai dëshiron që grupi të organizojë studime të mëtejshme mbi sars-cov-2. Por gjithashtu duhet të kryejë kërkime edhe në lidhje me pyetje më të përgjithshme për të ardhmen – për shembull, si të sigurohemi që studimet e patogjenëve të përfshirë në shpërthimet e sëmundjeve të kaluara, të mos krijojnë shpërthime të reja të viruseve./Monitor