Botërori 2026/ Trajneri Silvinjo e Gjimshiti: Sfida ndaj Anglisë e vështirë, por në futboll mund të ndodhë gjithçka

Kombëtarja shqiptare luan nesër ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës ndaj Anglisë, në stadiumin “Wembley”, në orën 20:45. Në prag të kësaj sfide të rëndësishme për kuqezinjtë, trajneri Silvinjo dhe kapiteni Berat Gjimshiti dolën në konferencën zyrtare për media nga stadiumi “Wembley” dhe folën për ndeshjen ndaj Anglisë.

Trajneri Silvinjo foli për përgatitjet e skuadrës për ndeshjen ndaj Anglisë dhe problemet në mbrojtje. Tekniku kuqezi theksoi se do të jetë një ndeshje e vështirë, por e gjitha për t’u shijuar. Pavarësisht kundërshtarit, trajneri i Kombëtares tha se lojtarët do të japin maksimumin në fushë, pasi në futboll mund të ndodhë gjithçka.

Problemet në mbrojtje? – Po, është e vërtetë, kemi pasur probleme të vogla gjatë javës. Pasditen e sotme do të kemi stërvitjen e fundit dhe kemi kohë edhe nesër paradite për të vlerësuar lojtarët. Kemi edhe opsione të tjera si Ajeti dhe Mihaj dhe do të marrim një vendim.

Përgatitja për ndeshjen me Anglinë? – Do të jetë një ndeshje e vështirë, por në të njëjtën kohë shumë e këndshme. Është e vërtetë që nuk kemi shumë kohë për t’u përgatitur, por besoj që kjo kohë duhet të mjaftojë për t’u përgatitur për një ndeshje të tillë. E kemi diskutuar këtë edhe në një mbledhje me trajnerët në FIFA. Sa e vështirë është të jesh trajner i një Kombëtareje, ke shumë pak kohë, dy ndeshje në tre ditë, ndërkohë duhet t’i menaxhosh të dyja ndeshjet. Mos të harrojmë që kemi një ndeshje tjetër ndaj Andorrës. Por kjo është ndeshja e parë dhe kemi menduar vetëm për Anglinë. Do të jetë e vështirë sepse nuk ka mjaftueshëm kohë, do të preferonim të kishim më shumë kohë për të bërë një stërvitje të gjatë, por kemi përdorur video dhe kemi folur me lojtarët. Mos të harrojmë një tjetër detaj: lojtarët shpesh vijnë të lodhur, jo vetëm nga Shqipëria, por nga të gjitha Kombëtaret, pasi sezoni është i gjatë. Por nuk duhet të ankohemi, sot do të zhvillojmë stërvitjen e fundit dhe nesër do të vendosim për formacionin.

Thomas Tuchel? – Futbolli është i pabesueshëm dhe gjatë 90 minutave mund të ndodhë gjithçka. Ne e kemi studiuar Tuchel-in, po ashtu edhe ekipin e Anglisë. E dimë si i pëlqen atij të luajë, ka shumë lojtarë të mirë në përbërje, por besoj se për të dyja ekipet, çdo gjë është shumë e qartë. Janë 90 minuta që duhen luajtur, për t’u shijuar, për të marrë përgjegjësi, por duke e respektuar gjithashtu kundërshtarin, pasi është një nga ekipet më të mira në botë. Por ne jemi të përqendruar dhe jemi përgatitur.

A keni presion në ndeshjen e nesërme dhe a do të ndryshoni diçka në mënyrën e lojës? – Tuchel është një trajner i mirë. Është i ri, por në të njëjtën kohë edhe fitues, ka shumë energji. Nuk ka rëndësi se si do të luajmë. Mund të luajmë me tre apo katër mbrojtës. Sistemi nuk ka shumë rëndësi sepse janë lojtarët ata që lëvizin në fushë. Janë një ekip me shumë cilësi të lartë fizike dhe teknike, luajnë mirë një kundër një. Ne do të tentojmë të bëjmë diçka të veçantë. Sigurisht që kemi punuar në aspektin e mbrojtjes dhe të sulmit. Do të tentojmë të bëjmë diçka të veçantë në aspektin e sulmit. Është ndeshja e parë, është sfiduese dhe e vështirë. Por le ta shijojmë, pasi jemi në një nga stadiumet më të bukura në botë. Është momenti për ta shijuar.

Eksperienca në Angli, nisur nga kjo sa e kuptoni futbollin anglez? – Po, kam luajtur në Angli kohë më parë. Zabaleta ka kaluar rreth 10 vjet në Angli. E kuptojmë ritmin e lartë që ka kampionati anglez. Është një nga ligat më të forta të botës, luajnë në nivele shumë të larta. Në ekipin Kombëtar ka lojtarë shumë të mirë me shumë cilësi. Këtu nuk flasim për konkurrencë, por duhet të tentojmë të punojmë në lidhje me sulmin, sepse me një ekip si Anglia nuk duhet të luash vetëm për të mbrojtur, por duhet të krijosh një lloj strategjie, pasi ritmi është shumë i ndryshëm. Ne kemi punuar, kemi folur me lojtarët, kemi përdorur videot dhe jemi përgatitur për 90 minutat nesër.

Lewis-Skelly i Arsenal? – Është lojtar shumë i mirë, mendoj që ka një të ardhme shumë të mirë. Është kënaqësi kur shikon lojtarë të rinj që thirren në Kombëtare dhe fillojnë të luajnë me një ekip si Arsenali. Dua ta uroj Artetën si trajner. Ka lojtarë shumë të mirë. E shijoj shumë punën dhe futbollin që ata bëjnë.

A mund të jetë Silvinjo një Kristofer Kolombi që do të zbulojë Amerikën? – Ne punojmë së bashku. Nuk ka rrugë tjetër. Duhet të vendosim zemrën dhe shpirtin në fushë. Ka vetëm një rrugë, duhet të luftojmë për çdo pikë. Çdo metër në fushë është i rëndësishëm. Ne kemi lojtarë të mirë, nga aspekti fizik dhe me përvojë. Duhet të luftojmë që të ecim përpara.

Çfarë mendoni ju se i mungon Anglisë? – Është një pyetje e vështirë. Unë e respektoj shumë ekipin anglez. Më kujtohet në vitet 2000-2001 një ndeshje mes Anglisë dhe Brazilit 1-1 këtu në Wembley, një atmosferë fantastike e tifozëve. Është e vërtetë që i ka munguar një performancë e mirë në ndeshjet finale, por kemi parë performanca shumë të mira në Europian dhe Botëror. Futbolli është i tillë, keni lojtarë shumë të mirë dhe perspektivë për të fituar.

Kapiteni i ekipit tonë kombëtar, Berat Gjimshiti rikthehet në skuadër pas një mungese në Nations League, teksa shprehet se e ka gjetur ekipin me një atmosferë mjaft pozitive. Ai nënvizoi në konferencën për media se Shqipëria do të provojë gjithçka nesër në fushë ndaj Anglisë, ndërsa vlerësoi me nota të larta kundërshtarin.

Gjimshiti tha ndër të tjera se ekipi është përgatitur mirë gjatë këtyre ditëve dhe do të luftojë si grup për të ndalur ishullorët.

Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, rikthehet në skuadër pas mungesës në Nations League dhe u shpreh se ka gjetur një atmosferë mjaft pozitive. Në konferencën për media, kapiteni kuqezi vlerësoi kundërshtarin me nota të larta, por theksoi se Shqipëria do të provojë gjithçka në fushë ndaj Anglisë. Gjimshiti tha ndër të tjera se ekipi është përgatitur mirë gjatë këtyre ditëve dhe do të luftojë si grup për të ndalur ishullorët.

Si e gjetët atmosferën në skuadër pas rikthimit – Gjeta një atmosferë shumë të mirë. Një frymë të re, ka disa lojtarë të rinj, janë talente, përmirësojnë ekipin. Në stërvitje kam parë që çdokush jep maksimumin në fushë që të arrijë një qëllim që nuk ka ndodhur kurrë. Besoj kjo është gjëja më e rëndësishme.

A mund të arrihet kualifikimi në Botëror? – Thonë që ëndrrat nuk janë të mundura, por besoj që disa ëndrra edhe realizohen. Dhe pse jo. Nuk besoj që më herët njerëzit mendonin se Shqipëria do të kualifikohet dy herë në Europian. Ne jemi një ekip më i vogël se Anglia, por kemi një qëllim. Duhet të provojmë sepse mundësitë i kemi, të japim gjithçka dhe në fund shikohet rezultati. Por duhet të japim gjithçka në fushë dhe pastaj nëse arrijmë, është një sukses.

Sa e vlerësoni ndeshjen duke pasur parasysh kundërshtarin? – Forca e Anglisë dihet, nuk dua të flas për lojtarët individualisht. Ne jemi përgatitur mirë, trajneri na ka thënë se çfarë duhet të bëjmë në fushë dhe do jemi të përgatitur të japim gjithçka në fushë. Ajo që është më e rëndësishme është që ekipi të bëjë atë që di të bëjë në fushë. Kemi pasur pak ditë në dispozicion për t’u përgatitur, por jemi përgatitur shumë mirë dhe do të shohim nesër.

Do ia dilni të bllokoni Harry Kane? – Individualisht nuk besoj se duhet të flasim për lojtarët e Anglisë. Ekipi ka një punë të vështirë nesër, jo vetëm Gjimshiti apo kush do luajë nesër. Si ekip duhet të ndalim sulmin e Anglisë. Nuk do jenë duele individuale, por do jete duel skuadrash dhe besoj se nëse e përballojmë mirë, do e kenë të vështirë.

Sa mendon që do e përballojë Shqipëria sfidën e nesërme, duke marrë parasysh që Anglia hyn si favorite? – Besoj se Anglia jo vetëm kundër nesh, por edhe ndaj ekipeve të tjera hyn favorite në fushë për të fituar. Nuk besoj se Anglia do të na nënvlerësojë sepse edhe ata e dinë që kemi bërë disa gjëra të mira si kombëtare. Futbollit nuk i dihet, besoj se nuk do të na nënvlerësojnë.

Çfarë keni mësuar nga Europiani dhe që do ta aplikoni në ndeshjen e nesërme? – Besoj se kemi bërë një Europian të mirë, edhe pse nuk kaluam më tej. Kishim kundërshtarë shumë të fortë, të nivelit botëror, si Anglia nesër. Duhet të kemi përqëndrim 100% gjatë gjithë ndeshjes. Në Europian pësuam gola shpejt në ndeshjet ndaj Italisë dhe Kroacisë për shkak të pa përqëndrimit 100% në fushë.

Sa i keni shanset për të kaluar grupin? – Është herët për të folur për shanset. Ndoshta pas katër ndeshjesh mund të përcaktohet më mirë. Por ne nuk do të hyjmë në fushë pa një qëllim. Ne do të japim gjithçka në fushë.

Lajme të lidhura

Para

Discussion about this post

TË FUNDIT