Kombëtarja shqiptare e futbollit është grumbulluar për ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit ‘Katar 2022’ kundër Anglisë dhe Andorës.
Teksa ka folur në konferencë për mediat, trajneri Edoardo Reja është shprehur se për aq kohë sa e lejon matematika, Kombëtarja do japë maksimumin për të marrë tre pikët edhe ndaj Anglisë.
“Objektivi ynë është gjithmonë që të shkojmë në Wembley për të dhënë dhe për të marrë maksimumin. Sigurisht që humbja në shtëpi ndaj Polonisë na preku, por sidoqoftë jemi ende në garë përderisa na e lejon matematika. Na pret një ndeshje shumë e vështirë siç është ajo me Anglinë, por ne do japim maksimumin.”-u shpreh ai.
Duke folur me tej për mungesën e Rei Manajt në këto ndeshje, Reja u shpreh se ai nuk ndjehet shumë mirë fizikisht, teksa për Ivan Balliun theksoi se as ai nuk është në formën e tij optimale, ashtu siç shtoi edhe për Abrashin dhe Gjimshitin.
“Për sa i përket Manajt dhe Balliut, me Manajn kam folur ka pasur disa probleme shëndetësore menduam të bënte pak pushim, si dhe nuk ka pasur shumë minuta te klubi e nuk ishte në formën më të mirë. Edhe Balliu ka një problem, me saktësisht me muskujt e barkut madje do të bëjë dhe injeksione dhe është një mundësi që ai të rikuperohet. Kisha shumë dëshirë që ta kisha Balliun. Do duhet ta shtyjmë për një herë tjetër mbase vitin e ardhshëm. Kemi dhe mungesa të tjera si Abrashi dhe Gjimshiti, por do mundohemi të bëjmë më të mirën me këta që kemi.”-vijoi ai.
Më tej italiani ka shtuar se peng për të janë ndeshjet me Poloninë, pasi nuk kishte lojtarë në gjendje për shkak të dëmtimeve dhe Covid-it, ndaj dhe pavarësisht lojës së mirë tre pikët nuk morën dot.
“Ne do të impenjohemi maksimalisht në dy ndeshjet e mbetura për të marrë maksimumin dhe për të shpresuar si dhe të shpresojmë që Hungaria do të ndalë Poloninë. Lojtarëve do u kërkoj maksimumin dhe pas të mbarojmë këto dy ndeshje do analizojmë çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë kemi bërë gabim. Ndërsa peng janë dy ndeshjet me Poloninë nuk i meritonim ato rezultate, por patëm shumë probleme me dëmtimet dhe Covid-in dhe ende jam i irrituar që nuk kisha shumë lojtarë dhe mundësi zgjedhjeje.”-tha Reja.
Sa i përket ecurisë së deri më tanishme dhe rritjes së skuadrës, Reja u shpreh se tani ka një ekip shumë të fort dhe që është rritur me kalimin e kohës.
“Lojtarët e kanë të qartë sepse e kanë parë që kanë mundësi për të bërë më shumë dhe për të arritur objektiva të mëdha. Është kënaqësi e madhe për mua të shoh këtë skuadër të rritet shumë. Kemi bërë dy ndeshje të bukura me Poloninë, kemi fituar dy ndeshje me Hungarinë, më përpara nuk e kishim menduar, por ja që ia dolëm. Ne jemi rritur ky është një fakt. Sigurisht nëse do e mbyllim me 18 pikë do ishim të kënaqur, megjithatë do më vinte keq nëse do e mbyllnim këtu këtë eksperiencë të Botërorit. Jemi penalizuar nga disa gabime individuale dhe mund të kishim bërë shumë më mirë. Jam i bindur se nëse do të kishim pasur të gjithë lojtarët në ndeshjen e fundit me Poloninë mund të kishim marrë minimumi një barazim, por edhe fitoren besoj. Ndërsa shpresoj të bëjmë më të mirën në vazhdim.”-shtoi ai.
Ndërsa i pyetur për portën, duke ditur se si Berisha ashtu dhe Strakosha nuk kanë luajtur shumë me skuadrat e tyre Torinon dhe Lazion, tekniku theksoi se porta është problemi më i vogël i ekipit të tij.
“Sigurisht unë pres gjithmonë përmirësime në të gjitha repartet, por për portën jam i qetë pasi i kam parë si Berishën dhe Strakoshën janë shumë të qetë, shumë në formë dhe punojnë shumë mirë. Nuk kam merak për pjesën e portës, jam i shqetësuar për reparte të tjera ku duhet të shmangim gabimet. Kemi thënë gjithmonë që kemi mbrojtje të mirë, pro edhe aty kemi pasur probleme. Portierët janë dy lojtarët që sa vijnë dhe bëjnë lojë të mirë. Ajo që duhet të përmirësohet është pjesa e mesfushës e lartë. Mos harrojmë edhe Selmanin që është portieri ynë i tretë, sa herë i kemi kërkuar që të zbresë në fushë ka treguar një formë shumë të mirë dhe e ka mbrojtur portën mirë. Për të mos harruar edhe Hoxhën, i cili sa herë që ka qenë me Kombëtaren ka treguar vlerat e tij dhe ka ndihmuar skuadrës, si në vitin e kaluar kundër Kazakhistanit. Të katërt portierët kanë treguar që e duan shumë skuadrën dhe janë treguar shumë profesionist.”-theksoi Edoardo Reja.
I pyetur për gjendjen jo të mirë të Kumbullës te ekipi i Romës dhe për kritikat e trajnerit Jose Mourinho ndaj tij, italiani theksoi
“Kumbulla duhet të përmirësohet në aspektin karakterial pasi është një moment i vështirë për të te Roma, por unë mendoj se ky presion mund ta ndihmoj atë që të rritet. Kumbulla kur vjen me Kombëtaren e kam parë shumë të qetë, ndoshta ngaqë ndihet mirë dhe ka besimin e të gjithëve dhe ka bërë ndeshje shumë të mira. Ai luan me një klub të madh si Roma që është i nxehtë dhe ka kritika dhe sigurisht Kumbulla është i ri për t’u përballur me kritika, por ai nuk duhet të mendojë shumë , por vetëm të punojë e të rritet. Në ndeshjen me Poloninë ai ishte me i miri dhe e tregoi me përballjen me Lewandowskin dhe besoj se ai duhet të ketë më shumë minuta, por te Roma është pak e vështirë, ndaj them që duhet të punojë fortë që të fitojë sa më shumë minuta.”-deklaroi tekniku.
Theksojmë se më 12 nëntor Kombëtarja jonë do të përballet me Anglinë në transfertë dhe 15 nëntor me Andorën në ‘Air Albania’, të dyja takime që do të luhen në orën 20:45.
Ndërsa për t’u kualifikuar për Botërorin ‘Katar 2022’, Shqipërisë i duhen dy fitore dhe në të njëjtën kohë një disfatë e Polonisë, pasi aktualisht ne renditemi në vendin e tretë të Grupit I me 15 pikë, ndërsa polakët qëndrojnë në vend të dytë me 17 pikë./K.T/Gijtoina.com
Discussion about this post