Gentian Gjyli, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) brenda 10 ditëve, në 18 dhe 28 shkurt 2025 i ka firmosur dy kontrata Arbër Abazit, nipit të politikanit të PS-së, Sadri Abazi. Vlera totale e dy kontratave të mirëmbajtjes rutinë të rrugëve është 314,827,740 lekë.
Menjëherë të shkon mendja se ky veprim është korruptiv. Si mundet të mbingarkohet një kompani me kaq shumë fonde publike? Nuk ka Shqipëria firma të tjera ndërtimi? “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e përshkruan tenderin e parë Open Data Albania.
Prokurimi është shënuar me “Flamurin e kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Ky është tenderi me objekt “Loti 6: Mirëmbajtje me performancë “Grekan-Dëshiran-Vlashuk, Belsh – Dragot – Vlashuk, Jeta e re – Kosovë, Belsh – Fierzë – Kosovë e Vogël” (52 km). Tenderi është zhvilluar më 29 korrik 2024, por pazaret me paratë e buxhetit të shtetit zgjasin. Kur tenderi ishte “harruar”, kontrata është nxjerrë nga sirtari i Gentian Gjylit më 28 shkurt 2025.
Fondi limit i tenderit është llogaritur në vlerën 136 911 783,00 lekë (pa llogaritur TVSH) dhe në këtë procedurë shfaqën interes 5 operatorë konkurrues.
Abazi kishte hyrë në tender me 2 kompani që i ka në emrin e tij, BOE “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” & “ALKO IMPEX GENERAL CONSTRUCTION”.
Abazi, fitues me ofertën më të shtrenjtë
Pasi komisioni i Gjylit eliminoi konkurrencën duke i shpallur kompanitë të skualifikuara, në fazën e vlerësimit mbeti vetëm bashkimi i operatorëve të Arbër Abazit dhe kompania “Curri” shpk.
Abazi kishte dhënë ofertën 136 326 869,00 lekë, ndërsa Curri propozonte ta kryente këtë punë me 127,533,934 lekë. Si magjistar, drejtor Gjyli ia dha fitoren ofertës më të shtrenjtë, të cilën e vlerësoi me më shumë pikë.
Pjesëmarrësit e kanë ditur qysh në fillim se tenderin do ta marrë nipi i Sadri Abazit, por paraqiten formalisht për të zënë radhën për ndonjë tender tjetër.
Sa lekë mori Arbri me firmën e Gjylit?
Ajo që na tërhoqi vëmendjen është se sa shumë rritet vlera e kontratës mbi fondin limit. Në njoftimin e tenderit jepet vlera e fondit pa TVSH. Dhe ne kuptojmë se në fund do të shtohen maksimumi 20%, që është tatimi mbi vlerën e shtuar. Por matematika e korrupsionit është me të panjohura që duhet t’i zbulosh.
Nga njoftimi zyrtar pas lidhjes së kontratës, 9 muaj pas zhvillimit të tenderit, mësojmë se “Vlera totale përfundimtare e kontratës (duke përfshirë lotët, opsionet dhe nënkontraktimin) për 4 vitet 31.12.2024 – 31.12.2028 është 163,592,243.42 Lekë me TVSH dhe për minikontratën e periudhës 28/02/2025-28/02/2027 Arbër Abazi ka marrë 91,064,861 lekë me TVSH.
Paratë jepen për mirëmbajtjen e katër rrugëve rurale që paraqiten në tabelën më poshtë:
Thela mbi bisht për nipin e “Rilindjes”
Këtë favorizim nuk do t’ia kishin bërë as nipit të Idriz Seferit. Por Abazi është i “Rilindjes” aktuale! Gjyli ia ka bërë qokën tamam nipit të politikanit të PS-së. Paralelisht i ka dhënë Arbër Abazit edhe një kontratë tjetër mirëmbajtje të rrugëve.
Objekti i kontratës është Loti 11: “Mirëmbajtje Rutinë me Performancë rruga K/Patos – Ballsh + rruga Ballsh – Fratar + rruga Ballsh – Aranitas + rruga Kr/Rruga Nacionale – Bylis 50.8 km”. Ky tender e ka fondin limit 151 430 433 leke pa tvsh.
Edhe ky tender ka marrë një ‘Flamur të kuq”, pasi janë skualifikuar të gjithë pjesëmarrësit, përveç Arbër Abazit.
Gjyli ia ka ndarë në disa minikontrata shumën e fituar, ndërsa në 28 shkurt i ka firmosur Abazit kontratën nr. 1 me vlerë 60 170 636 leke me tvsh.
Ndërsa në dokumentin më poshtë, tregohet se kontrata përmban një klauzolë që mund të zbriten investimet që do të kryejë ARRSH në këto segmente.
Po përse fondi limit është kaq i fryrë, ndërsa dihet se këto rrugë po rindërtohen. Paralelisht me zhvillimin e këtij tenderi të mirëmbajtjes, në tetor 2024, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar hapjen e procedurës së prokurimit për rehabilitimin e rrugën e vjetër nacionale Fier – Ballsh – Fratar, e cila ka një vlerë të fondit limit prej 35 miliardë lekësh të vjetra. Minimumi që duhej bërë, ishte që ky tender i mirëmbajtjes të shtyhej, të rillogaritej fondi limit dhe të rihapej kur të mbarojë rikonstruksioni.
Kush ia siguron Arbrit tenderat?
Arbër Abazi futet në 10 përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike. Këtë e ka arritur me ndërhyrjet politike të Sadri Abazit. Më poshtë po ju citojmë nga teksti i një letre të ish-deputetit në 2020, drejtuar kryeministrit Edi Rama, për një tender ku ankohej për skualifikimin e nipit të tij.
Pjesë nga e-maili i Sadriut drejtuar Ramës:
“Autoriteti Rrugor Shqiptar ka zhvilluar procedurat e tenderit me objekt : Mirëmbajtje me performancë të rrugëve…
Vetëm bashkimi operatoreve ekonomik “Alko Impex General Construction dshh & Alko Impex Construction shpk” ka marrë pjesë në shumicën e këtyre procedurave, pa u skualifikuar. Në të gjitha lotet që ka marrë pjesë është kualifikuar. Dhe në fazën e dytë ka ofertuar me vlerën më të lartë financiare dhe në disa raste ka hyrë si “mbushës”. Autoriteti kontraktor ARRSH e ka klasifikuar në vend te parë me pike në të paktën 6 lote, dhe vetëm për njërin lot ka lidhur kontratë:
Loti VI : “Mirëmbajtje me performancë Shirgjan – Kaçivel – Drizë, Mjekës – Uzinë, Elbasan – Gjinar, Gramsh – Kodovjat – Mollë Grabovë, Drizë – Poroçan “, REF-65715-07- 16-2020 . Vlera: 301.101.555 Leke (referuar buletinit te Agjencisë Prokurimit Publik)
Dhe po vonon qëllimisht shpalljen fitues në lotet e tjera të këtij operatori, në mënyre qe të kalojë afati i ankesave të operatorëve të tjerë ekonomik qe janë para kualifikuar në fazën e parë…
…Dhe abuzimi i ARRSH qëndron në faktin se në kriterin (i) Çmimi më i ulët vendos piket me diferenca te vogla midis shoqërive pjesëmarrëse, kurse në dy kriteret e tjera të vlerësimit (ii) Përvoja në punë e kompanisë dhe (iii)…Akoma me abuziv është fakti që këto procedura prokurimi janë parashikuar për të lidhur kontrata 4-vjecare, dhe shoqëritë që SKUALIFIKOHEN në ketë moment, mbas 4 vjetësh nuk mund të marrin pjesë në asnjë procedurë me objekt mirëmbajtje rrugore, pasi kriteri i vendosur ne ligjin nr.9643 “Për Prokurimit Publik” është eksperienca e ngjashme vetëm 3 vitet e fundit. Pra të gjithë operatoret e tjerë ekonomik nuk mund të marrin më pjesë ne procedurat me këtë objekt shërbimi. ARRSH me këtë veprim po monopolizon këto tendera në duart e pak shoqërive.
Me dashuri
Sadri Abazi”.
Merr paratë dhe bën punë pa cilësi
Supozohet që sheshet të kenë një jetëgjatësi mesatare nga 50 deri në 100 vite, por vetëm tetë vite më pas bulevardi i Peshkopisë është shkatërruar plotësisht dhe po i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje rehabilituese, që përfshin heqjen e pllakave si pasojë e degradimit dhe zëvendësimin e tyre nga e para.
Zv. kryetari i Bashkisë Dibër, Rahim Deda fund të vitit të kaluar sqaroi për mediat se bulevardi u dëmtua sepse materialet e vendosura ishin të cilësisë së dobët dhe rinovimi po bëhet për shkak të ankesave nga banorët.
Po cila kompani e ndërtoi bulevardin “Elez Isufi”? Tenderin e përfitoi në mënyrë të padrejtë nipi i Sadri Abazit. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në vitin 2018 ka denoncuar në Prokurorinë e Dibrës ish kryetarin e bashkisë Hatem Fida dhe 4 drejtues të tjerë që kanë qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë e Dibrës.
Ndërkohë nga KLSH u gjetën shkelje në tenderin e bulevardit “Elez Isufi”, por edhe të tenderit tjetër për infrastrukturën dhe rregullimin e hapësirave te Pallati i Kulturës në Peshkopi.
Sipas audituesve, për tenderin e bulevardit, kompania “Alko-Impex General Construction” është shpallur fituese në shkelje të ligjit sepse ka pasur mungesa të theksuara në dokumentacion.
Por dhuaratat e Bashkisë Dibër vazhdojnë për nipin e “Rilindjes’. Më 15 gusht 2016, ish kryetar i Bashkisë Dibër, Hatem Fida do të shpallte fituesin për tenderin “Përmirësim i infrastrukturës vendore dhe Rivitalizimi i hapësirave publike në zonën pranë Pallatit të Kulturës”, me vlerë rreth 1.3 milionë euro. Edhe për këtë tender do të shpallej fituese kompania “ALKO-IMPEX General Construction”. Në këtë rast, audituesit deklarojnë se kjo kompani ka fituar tenderin pa plotësuar kriteret, në shkelje të ligjit për Prokurimin Publik.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post