GJKKO ka dënuar ish-kryebashkiakun socialist të Memaliajt, Gjolek Gucin, me 2 vite burg për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Vendimi u dha këtë të mërkurë nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtaret Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Engjëllushe Tahiri.
Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është ulur me 1/3 dhe përfundimisht Guci është dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim.
Gjykata ka vendosur gjithashtu heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Në të njëjtën çështje është shpallur fajtore edhe ish-nënkryetarja e Bashkisë Memaliaj, Edmonda Harizi, e cila është dënuar fillimisht me 1 vit burg.
Pas uljes me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i saj përfundimtar është 8 muaj burgim.
Edhe Harizit i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Vendimi i GJKKO-së
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata vendosi:
-Deklarimin fajtor të Gjolek Gucit dhe dënimin e tij me 2 vite burgim, që pas uljes me 1/3 u reduktua në 1 vit e 4 muaj burgim.
-Heqjen e së drejtës së Gjolek Gucit për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
-Deklarimin fajtore të Edmonda Harizit dhe dënimin e saj me 1 vit burgim, që pas uljes me 1/3 u reduktua në 8 muaj burgim.
-Heqjen e së drejtës së Edmonda Harizit për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Akuzat
Sipas SPAK, Gjolek Guci, Edmonda Harizi, Feta Hoxha, ish-drejtor i Shërbimeve Publike në Bashkinë Memaliaj, dhe Bersant Ylli, administrator i një subjekti privat, akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal.
Hetimet lidhen me tenderin e vitit 2021, me fond limit mbi 493 milionë lekë (rreth 4.1 milionë euro), për ndërtimin e ujësjellësit rajonal në qytetin e Memaliajt dhe tetë fshatra përreth.
Sipas hetimeve të SPAK, të pandehurit dyshohet se kanë bashkëpunuar për të favorizuar në mënyrë të padrejtë disa operatorë ekonomikë, duke cenuar barazinë e pjesëmarrësve në procedurën e prokurimit publik.









Discussion about this post