Përplasje të forta janë regjistruar në Komisionin e Ligjeve mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe socialistëve, në ditën e 15-të të protestës së studentëve dhe gjimnazistëve kundër qeverisë së Edi Ramës.
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi kërkoi dorëheqjen e kryeministrit dhe vetëshpërndarjen e Parlamentit, duke akuzuar Policinë e Shtetit për përdorim joproporcional të forcës ndaj protestuesve.
Bylykbashi kërkoi hetimin e zinxhirit komandues të policisë dhe largimin e efektivëve që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve.
Ai theksoi se kërkesat e protestuesve janë dorëheqja e Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore, ndërsa u bëri thirrje deputetëve të mazhorancës të mos miratojnë masat ndëshkuese ndaj protestuesve.
Nga ana tjetër, deputeti socialist Ulsi Manja iu përgjigj me ironi kërkesave të opozitës, duke u shprehur: “Vazhdoni të shihni ëndrra”.
Pjesë nga diksutimi:
Bylykbashi: Dita e 15-të që studentët dhe gjimnazistët janë në protestë, përballen me dhunë nga policia, njërit i nxorën syrin. Dhunë joproporcionale, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit. Arrestimi është përdorur si mjet intimidimi.
Qindra kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore nga plumbat e gomës. Duhej hetim për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit. Duhet spastrim i policisë nga efektivët kriminelë që rrahin në mënyrë shtazarake protestuesit. I gjëmojnë nëpër rrugica, i rrahin dhe i lënë në shesh.
Ka dy kërkesa: Rama të japë dorëheqjen, është kërkesa e atyre në shesh, edhe e juaja nga brenda. Dhe një qeveri tranzitore. Kuvendi ka detyrimin moral të vetëshpërndahet. Mos u bëni me atë bandit, nëse Kuvendi nuk shpërndahet, turpi do të jetë i juaji. Provoni t’i takoni ata atje dhe do ta shihni faturën.
Manja: Vazhdoni të shihni ëndrra, por kur dilni te Lana, vishuni me plastmas. Mos i mbroni ata të dhunës në selinë tuaj. Për të qenë të ndershëm deri në fund, duhet të dënohet dhuna nga të gjitha anët. Nëse ka tejkalim nga policia, le të bëhet hetim.










Discussion about this post