Pesë pikë në pesë ndeshje duhet të riku perojë Partizani për të arritur suksesin e madh të titullit kampion, në një duel të ethshëm që nga nisja e sezonit me kundërshtarët më të mëdhenj, Tiranën. Dorian Bylykbashi, ish-kapiten dhe ishfantazist i të kuqve, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, e sheh ende të hapur çështjen e titullit. Ai shprehet se Partizani mund ta fitojë derbin, sepse ia ka marrë dorën. Bylykbashi veçon Hasanin dhe Mbanë, por thekson se ekipet duhet të mbështeten te grupi.
Janë 5 pikë larg, në 5 ndeshje të mbetura. Sa i arritshëm është titulli?
Partizani nuk e ka vetë në dorë. Ata duhet vetëm të mendojnë të fitojnë të gjitha ndeshjet e mbetura dhe më pas të presin që Tirana të bëjë ndonjë gabim.
Ju duket se Tirana mund të gabojë rrugës deri në fund?
Mendoj se ka mundësi që të gabojë, sepse e pamë edhe në ndeshjen e shkuar ndaj Kastriotit, që shënoi në minutën e 90-të. Prandaj futbolli është i bukur, sepse ka të papritura. Shpresoj që të gabojnë, që titulli të ngjyroset i kuq.
Ndeshja e radhës luhet ndaj Kukësit, një përballje e vështirë për faktin se Kukësi ka ditur të krijojë probleme. Si e prisni?
Sigurisht që është një ndeshje e vështirë. Siç thamë më lart, Tirana fitoi vetëm në minutën e fundit ndaj Kastriotit, që është në vendin e fundit, çka do të thotë se çdo ndeshje është e vështirë. Jemi vetëm 5 ndeshje nga fundi dhe të gjitha ekipet janë në garë për objektivat e tyre. Kukësi kërkon ta sigurojë sa më shpejt çështjen e mbijetesës. Partizani nga ana tjetër do titullin, kështu që prisni një ndeshje shumë të luftuar.
Kush e ka më të lehtë, Tirana ndaj Teutës apo Partizani ndaj Kukësit?
Edhe Tirana ndaj Teutës do të jetë një ndeshje e fortë. Të dyjave u duhen pikët me patjetër. Mendoj se Teuta do të luftojë fort. Do të jetë edhe kjo një ndeshje shumë e ekuilibruar, që si gjithnjë, vendoset nga episodet.
Partizani dhe Tirana janë treguar më të qëndrueshme në ndeshjet e fundit. Çfarë ka ndikuar që në këto javë po e ndjekin njëra-tjetrën këmba-këmbës?
Kemi mbërritur në fazën finale të kampionatit dhe çdo gabim kushton gjithë sezonin. Nëse Partizani gabon edhe një herë, çështja e titullit më pas quhet e mbyllur. Kështu që duhet të bëjë të pamundurën për të fituar ndeshjet e tyre dhe të presë gabimet e rivalëve.
Çfarë po i tërheq Tiranën dhe Partizanin drejt titullit në këtë fund të sezonit?
Të dyja ekipet, përderisa janë në garë për titullin, tregon se janë më të mirat e këtij sezoni. Padyshim, kanë pasur edhe luhatje gjatë sezonit dhe kanë vuajtur. Të dyja ekipet mbështeten më së shumti te grupi dhe kanë formuar skuadra simpatike. Nuk ka shumë diferenca mes lojtarëve. Të vetmit që mund t’i veçojmë janë Mba dhe Hasani, që kanë arritur të bëjnë mirë detyrën e tyre dhe kanë shënuar gola të rëndësishëm. Ata të dy mund ta bëjnë diferencën. Pjesa tjetër është grupi, sepse ndryshe nuk ecet. Kemi parë edhe nëpër botë që kanë marrë lojtarë të mëdhenj dhe nuk kanë arritur gjë. Çelsi ka bërë blerje pafund dhe është në mesin e Premier Ligës.
Mendoni se gjithçka mbi titullin vendoset në derbi?
Duhen marrë me radhë. Duhet të shohim ndeshjet e radhës, sepse Tirana luan ndeshje të vështirë me Teutën. Nëse Partizani fiton dhe Tirana ngecet, atëherë derbi është ndeshja që vendos gjithçka. Por Partizani ia ka marrë dorën derbit dhe nuk besoj se do ta ketë problem ta fitojë sërish. Kam besim te skuadra.
Pas humbjes me Laçin, Kolela tha se tashmë gara për titullin është mbyllur. Përse i bën trajneri këto deklarata?
Është strategji e tij për të vënë në gjumë kundërshtarin, por nuk besoj se nuk do të luftojë deri në fund për titullin, sepse ata tentojnë gjithnjë titullin kampion. Kjo besoj se është një skemë e Kolelës.
Hoti po qëndron më së shumti në stol dhe kjo mund të jetë një teknikë e klubit për ta bërë që të rinovojë. Çfarë opinioni keni për këtë situatë?
Këto janë çështje të brendshme të klubit, që ne nuk i dimë dhe maksimumi mund të japim mendime nga jashtë, të drejta ose të gabuara. Nëse Hoti ka ndonjë ofertë të mirë nga jashtë dhe dëshiron të bëjë një hap më të madh, mendoj se drejtuesit e Partizanit nuk duhet të bëhen pengesë. Për sa i përket Shqipërisë, Partizani është një ekip, që nuk ke me kë ta ndërrosh. Nëse nuk ikën jashtë, mendoj se Hoti do të qëndrojë te Partizani, sepse mund të gjendet shumë mirë gjuha e përbashkët.
Elbasani u ngjit në Kategorinë e Parë, teksa ka dy vite që nuk humbet. Si ndiheni që më në fund qyteti i Elbasanit po përfaqësohet në arenat e mëdha të futbollit shqiptar?
Sigurisht, një falënderim e meriton bashkia, që bëri të mundur krijimin e këtij ekipi. Më pas të gjithë stafin dhe lojtarët, që kanë bërë punë të jashtëzakonshme. Kanë arritur një rekord të madh, sepse që nga themelimi nuk janë mundur asnjëherë. Shpresoj që të vazhdojnë sa më gjatë kështu. Gjithashtu, dua t’u bëj thirrje biznesmenëve të Elbasanit, që të afrohen për të investuar në këtë klub, sepse është një qytet, që e do shumë sportin dhe ka tifozëri të zjarrtë. Me këtë rast dua të përshëndes edhe “Tigrat Verdheblu” që janë pjesë e pandashme e Elbasanit dhe e kanë ndjekur në ekipin në çdo qytet të mundshëm. Vitin tjetër do të jenë akoma më të shumtë.
Discussion about this post