Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, po abuzon hapur me fondet e zgjedhjeve duke manipuluar tenderët. Pavarësisht një sërë ankesash që janë bërë në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) për KQZ-në, Celibashi vazhdon të zhvillojë tenderë korruptivë, ku luhen dhjetëra milionë lekë. Prokurimi i fundit na tregon skemën abuzive që kurdis Celibashi në favor të njërit prej oligarkëve më të mëdhenj.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Blerje bexhe plastike (mbajtëse ID) dhe rripa për bexhet, për administratën zgjedhore”. Duhet të kujtojmë këtu se Celibashi e ka hapur dhe më parë një tender të tillë me vlerë 195 milionë lekë dhe u denoncua dy herë në KPP për shkeljet e tjera.
KPP, për të ia thënë sa më butë zyrtarit që i duhet PS-së për vulosjen e zgjedhjeve, shprehej se nuk mund të ndërhyjë në vendimet që merr KQZ. Kështu ndërsa “macja fle, minjtë hedhin valle”. Edhe Celibashi i ka këputur një tender tjetër për këto bexhat, tani me vlerë 73 milionë lekë që është publikuar sot në APP. “E ka ulur Celibashi fondin limit, ka kursyer lekët e shtetit”, menduam në fillim.
Në tender kanë marrë pjesë 8 firma, por fituese është shpallur kompania “Gjergji Kompjuter” sh.p.k, në pronësi të Grigor Jotit. Në fakt, tashmë administrohet nga Pier Joti, por komandat i jep themeluesi dhe pronari i vërtetë Grigori.
Ky tender duket sikur është hartuar posaçërisht për Jotin.
Është një tender fasadë, tipik nga ata ku janë paracaktuar fituesit. Për të qenë i sigurtë, Joti ka marrë pjesë me dy firma që janë në pronësinë e tij. Konkretisht, Joto paraqitet me firmën fituese “Gjergji Kompjuter”, me të cilën ka paraqitur ofertën 73 milionë lekë dhe me firmën “InfoSoft Office” Sh.p.k me të cilën ka paraqitur ofertën me vlerë 55 milionë lekë. Si ka mundësi i njëjti pronar mund ta bëjë këtë punë edhe me 20 milionë lekë më pak?!
Pra ofertat nga kompanitë me të njëjtin pronarë kanë një diferencë me vlerë rreth 20 milionë lekë. Joti i ka rënë mirë llogarisë duke paraqitur një ofertë më të lartë dhe një ofertë më të ulët se të gjitha ofertat e tjera. Kështu i siguroi fitoren vetes.
Edhe Celibashi si për ta mbuluar këtë strategji në shkelje të ligjit, ka skualifikuar ofertën e firmës “InfoSoft Office” Sh.p.k, se nuk paska paraqitur mostrat e bexhave. Kështu Celibashi ia dha në dorë fitoren Jotit me ofertën më të shtrenjtë. Për këto 20 milionët që janë diferencë, lind dyshimi i arsyeshëm për korrupsion. A do ta nuhasë SPAK-u erën e keqe?!
Vjedhjet e Jotit
Kjo lloj strategjie përdoret shpesh nga Grigor Joti për përfituar tenderë në kundërshtim me ligjin, e për të përvetësuar kështu në bashkëpunim me zyrtarët, milionat nga xhepat e taksapaguesve. Kujtojmë se në vitin që lamë pas u denoncua se Grigor Joti ka vjedhur 4.5 milionë Euro TVSH me fatura false.
Asaj kohe, Prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj e dërgoi dosjen për gjykim qysh më 1 mars 2022. Por shefat e Gjykatës së Tiranës nuk e dorëzuan për nisje procedure e vendim te Dhoma Penale, me qëllimin e vetëm që të kalohej afati ligjor e çështja të pushohet. Ndërkohë që 143 dosje pas saj u shqyrtuan dhe u futën në proces gjykimi. Sidoqoftë, nuk pati vendim pafajësie, por pushim për arsye proceduriale.
Konkretisht, bëhet fjalë për dosjen “Çështja Penale Nr. 828.2020”, në ngarkim të grupit “Joti” që ka vjedhur 4.5 milionë Euro, me lëshim faturash tatimore false për TVSH e shitjes së cigareve.
Këto fatura, janë lëshuar nga dy bizneset fantazma “Inter Distribution Services” dhe “INTER TRADE& DISTRIBUTION” të oligarkut Grigor Joti.
Këto janë kapur në vitin 2021 dhe janë kallëzuar penalisht nga KLSH edhe për çokollatat dhe akulloret e importit me etiketa false, të skaduara dhe me substanca kimike të rrezikshme.
Për 4.5 milionë Euro që dy firmat e Grigor Jotit të “InfoSoft” i kanë vjedhur shtetit me mashtrim tatimor, prokuroria e Tiranës ka konstatuar se faturat hartoheshin nga vëllai i tij Roland Joti, nga familjarja e tyre Ana Zervoi administratore dhe dy punonjës të firmave përkatëse.
Faturat janë lëshuar në emër të një subjekti privat me emrin “Lindita Spaho” e Nipt: L322170441I;, e cila sipas regjistrit të tatimeve, rezulton e vetëpunësuar shitëse në treg, jashtë detyrimit të taksimit me sistemin e TVSH.
Kjo çështje u mbyll pa asnjë përgjegjës, ndërkohë përgjegjësi i vërtetë vazhdon të bëjë kërdinë me paratë e taksapaguesve. Tashmë nuk ka gjetur një shitëse për ta përdorur, por Kryekomisionerin e Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashin.
Lexo edhe:Denoncim i ri për Celibashin/ Tenderi 195 mln lekë për bexhat e KQZ shkon në KPP
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post