Ilirjan Celibashi dhe Jonaid Myzyri, kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik janë duke bërë një lojë me tenderin e vulave të zgjedhjeve, që t’ia japin paratë Sokol Topçiut, të njohur si oligarku i Shëndetësisë. Pronari i “Farma Net Albania” është mik i vjetër i Celibashit dhe Ogerta Manastirliut.
Bëhet fjalë për tenderin e hapur më 2 dhjetor 2025, me objekt: “Blerje vula-kode dhe etiketa sigurie për zgjedhje për në Kuvend 2025”, me fond limit 67,003,500.00 lekë pa TVSH. Në se llogarisim TVSH, vlera e kontratës shkon në afro 805 milionë lekë.
Prokurimi ishte parashikuar për t’u zhvilluar më datë 28.02.2025, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por tashmë ishte shtyrë për të shkak të një ankese në KPP. Pronari i “Farma net Albania”, Sokol Topçiu ankohet për kriteret! Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi do t’ia kishte dhënë menjëherë tenderin Topçiut siç ka bërë edhe herë të tjera, por i trembur nga hetimet e SPAK, ka vendosur të kërkojë ndihmën e Jonaid Myzyrit në Komisionin e Prokurimit Publik. Skema është e thjeshtë: KPP detyron komisionin e tenderit të KQZ t’i bëjë kriteret ashtu siç i kërkon Sokol Topçiu. Më pas, Celibashi mund të marrë një vendim si Ponc Pilati dhe të mos mbajë përgjegjësi direkte për tenderin.
Në mbledhjen e datës 4 mars 2025, mësohet se nga KPP është marrë vendim të pranohet ankesa e firmës “Farma Net Albania” shpk. Biznesi ankohet se specifikimet e vendosura nga KQZ për vulat duhen ndryshuar. Një pjesë e ndryshimeve të kërkuara është pranuar nga KQZ, por KPP kërkon të bëhet ndryshim thuajse i plotë i formulimit të specifikimeve teknike për vulat.
Me shkresën e datës 17 mars 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, informon se ka zbatuar vendimin Nr. 330/2025, datë 04.03.2025, të Komisionit të Prokurimit Publik, për prokurimin me objekt: “Blerje vula-kode dhe etiketa sigurie për zgjedhje për kuvend 2025”. Mirëpo Topçiu ka kërkuar sërish të ndryshohen kriteret e prokurimit.
Në këto kushte, Komisioni i Myzyrit, ka kryer verifikimet dhe i rezulton se KQZ nuk ka kryer modifikimet e duhura për artikullin nr.6 dhe nr.7 në lidhje më gjatësinë e vulës dhe etiketave, të cilat ishin objekt ankimi. Rrjedhimisht del se nuk është zbatuar vendimi i datës 04.03.2025 i Komisionit të Prokurimit Publik. Dhe pason vendimi që urdhëron të mos hiqet pezullimi i tenderit. Nënteksti është i qartë, tenderin duhet ta fitojë Topçiu.
Topçiu dhe Celibashi të njohur në tenderat e bojës timbruese
Mashtrimi me bojën që shënjon gishtin për të mos votuar më shumë se një herë në zgjedhjet e 14 majit 2024, mban emrin e Sokol Topçiut, i cili me kompaninë e tij Farma Net Albania ka marrë rreth 150 mijë euro nga kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Boja timbruese për zgjedhësit fshihej mbi gisht brenda disa minutash, tregues i një produkti të skaduar ose fals: ujë me ngjyrë.
Mijëra qytetarë denoncuan me foto se si boja mbi gishtin e tyre fshihej lehtësisht me një letër të lagur.
Boja është pjesë e garancive për një proces zgjedhor të rregullt. Për cilësinë e bojës kryhen disa analiza dhe teste paraprake, në përputhje ne protokollet dhe dokumentet e tenderit.
Celibashi 800 mijë euro Topçiut për kodet e sigurisë
Përveç bojës, Ilirjan Celibashi ka organizuar edhe një tender sekret për blerje vulash (kode) sigurie për zgjedhjet e 14 majit, duke paracaktuar si fitues pikërisht kompaninë e Sokol Topçiut.
Themi “sekret” pasi procedura e tenderit është e tipit me negocim, pa njoftim. Pra askush nuk ka patur informacion përveç vetë Celibashit të KQZ dhe firmave pjesëmarrëse.
Topçiu, i arrestuar për kontrabandë ilaçesh
Sokol Topçiu, një nga përfituesit e parave publike në Shëndetësi, u arrestua me urdhër të Prokurorisë në tetor të vitit 2021, si pjesë e një grupi të organizuar me natyrë kriminale, i cili kishte ngritur një skemë për shitjen e ilaçeve kontrabandë gjatë pandemisë së COVID.
Më pas gjykata caktoi masën e arrestit shtëpiak.
Vetëm disa ditë para të se të arrestohej, Topçiu ka marrë nga ministrja Ogerta Manastirliu një tender me vlerë rreth 2 milionë USD, për furnizim me materiale mbrojtëse anti-Covid.
Pasi Rama zëvendësoi në atë kohë Ilir Beqjan me Ogerta Manastituliun, Sokol Topçiu u kthye në një nga përfituesit kryesor të parave në Shëndetësi.
Frut i lidhjes së biznesmenit me ministren solli rreth 200 tendera të dyshimtë nga Manastirliu dhe njerëzit e saj, ndërkohë që po zbatonte një skemë të shitjes së ilaçeve kontrabandë gjatë pandemisë.
Pikërisht këtë personazh ka gjetur Ilirjan Celibashi për të bërë pazare me tenderat e KQZ-së.
Një kompani farmaceotike, e skeduar për kontrabandë, klientelizëm dhe mashtrim, befas bëhet kliente e KQZ-së për materialet zgjedhore, duke ofruar produkte të skaduara.
Krahas hetimit të Prokurorisë së Tiranës për kontrabandë ilaçesh, ‘Farma Net Albania’ është hetuar edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, gjatë vitit 2021, për pazare dhe marrëveshje të ndaluara me oligarkët e tjetër të shëndetësisë, me qëllim për të fiksuar çmimet për barnat dhe produktet paramjekësore.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post