Nga Douglas MacKinnon
Në kohën kur punoja në Pentagon, një kolonel në zyrën time pyeste shpesh, “Si mundet kaq shumë njerëz të mos e shohin atë që është e dukshme si blici i aparatit?”
Ajo pyetje tashmë i shkon për shtat Arabisë Saudite në ngritje, por disa zgjedhin të mos e shohin “blicin”, për t’u përqëndruar në çështje që heqin vëmendjen ndaj zhvendosjes së pushtetit në rang global, me implikime të drejtpërdrejta për Shtetet e Bashkuara.
Për shembull, është bërë e zakonshme që disa gazetarë dhe portale mediatike të krahut të majtë t’i bien Mbretërisë së Arabisë Saudite për “sportswashing”. Koncepti i referohet vendeve apo regjimeve që përdorin sportet për të përmirësuar imazhet e tyre të njollosura. Javën e kaluar, CNBC iu rikthye kësaj retorike me një artikull të quajtur “Princi i kurorës Saudite thotë se do të vijojë ‘sportswashing’ edhe pse po shtohen kritikat ndaj praktikës”.
Artikulli i referohet një intervistë që Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman dha për Fox News, që u transmetua javën e kaluar. CNBC u përqëndrua në dy citime. Princi i kurorës tha, “Nëse sportswashing to të vijojë të rrisë PBB-në time me një përqind, do të vijoj të bëj sportswashing”. Ai më pas vijoi, “Nuk më intereson… Po tentoj për një tjetër përqindje e gjysmë. Quajeni si të doni, ne do ta arrijmë atë përqindje”.
Ndoshta, në përpjekje për t’i rënë Arabisë Saudite, gazetari dhe redaktorët e tij nuk e dalluan sarkazmën në zërin e princit të kurorës. Ai dhe qeveria e tij janë përballur me këtë akuzë prej disa vitesh.
Kritikët nga krahu i majtë prej kohësh thonë se Arabia Saudite i ka përdorur investimet në rritje në botën e madhe të sportit si një mënyrë për të fituar ndikim politik, duke rregulluar reputacionin e Mbretërisë nga abuzimet me të drejtat e njeriut, si vrasja e gazetarit të Washington Post, Jamal Khashoggi. Teksa shumë në krahun e majtë janë të fiksuar me atë akuzë, po sikur të jetë aq e thjeshtë sa princi i kurorës e shpjegoi – që investimet në sport që po kryen Arabia Saudite janë praktika të shëndosha biznesi që po i sjellin përfitime të mëdha Mbretërisë?
Por, nëse CNBC është vërtet e shqetësuar për përdorimin e “sportswashing” si një vello për rastet e abuzimit me të drejtat e njeriut, atëherë do të sugjeroja të shihnin kompaninë e tyre mëmë, ndërkohë që kërkojnë për përkufizimin e fjalës “hipokrizi”. Në shkurt 2022, NBC dhe NBC Sports transmetuan Lojërat Olimpike Dimërore nga Kina, duke arkëtuar dhjetëra miliona dollarë përfitime.
A janë gazetarët dhe redaktorët e CNBC të interesuar për abuzimet me të drejtat e njeriut që ndodhin në Kinë? Siç janë burgosja, tortura dhe vrasja e mijëra Ujgurëve dhe myslimanëve të tjerë – përfshi këtu grad he fëmijë – në kampe të punës me detyrim në provicën e Xinjiangut? A kanë bërë CNBC, NBC dhe NBC Sports ndonjë raportim të thelluar për këto mizori në atë komb?
A do të thoshte NCBC se Kina përdori NBC dhe NBC Sports si mjete për “sportswashing”? Kjo është e njëjta Kinë që Drejtori i FBI, Christopher Wray paralajmëroi gjatë një fjalimi vitin e kaluar në Bibliotekën dhe Muzeun Presidencial të Ronald Reagan, duke thënë, “kërcënimi që vjen nga qeveria kineze në sigurinë tonë ekonomike dhe liritë tona ka arritur një nivel të ri – më të pacipë, më të dëmshëm se kurrë më parë, dhe është thelbësore – thelbësore – që të gjithë ne të përqëndrohemi bashkarisht te ky kërcënim”.
A u përqëndrua NBC tek ai kërcënim? A mos vallë Apple dhe kompani të tjera të mëdha të teknologjisë përqëndrohen në atë kërcënim kur fitojnë miliarda dollarë në Kinë? Po Hollywood? A po përqëndrohen drejtuesit e studiove atje te rreziku që i kanoset Amerikës nga Kina ndërsa bëjnë partneritet të vazhdueshëm me atë komb? Po për shumë kolegjet dhe universitetet amerikane që marrin qindra miliona dollarë nga Kina?
Kur bëhet fjalë për “sportswashing”, “entertainment-washing” dhe “business-washing”, disa në media ose bëjnë një sy qorr ose nuk duan të hetojnë një komb që disa e shohin si kryepaguesin për shumë e shumë gjëra në botë.
Me siguri, vrasja e një gazetari nga kushdo, ose cilado qeveri, është e tmerrshme. Por të supozosh se të gjithë ne biem dakord me këtë, si duhet ta quajmë burgosjen, torturën dhe vrasjen e mijëra burrave, grave dhe fëmijëve në kampet e punës së detyruar në Kinë?
Ashtu siç disa në media përqëndrohen me fiksim në “sportswashing” që po kryen Arabia Saudite, unë do të thoja se ata nuk po e shohin kontekstin më të gjerë. Mbretëria jo vetëm po bëhet një nga kombet më të fuqishme dhe më me ndikim në botë, por po i largohet Shteteve të Bashkuara në mënyra shumë të vërteta për të shmangur dështimet.
Pyetja më e drejtë për disa në media mund të ishte: “Çfarë sheh princi i kurorës së Arabisë Saudite, 38 vjeç, që të tjerët nuk e shohin kur bëhet fjalë për pozicionimin dhe sigurinë e kombit të tij?”
A sheh ai një SHBA në rënie? A sheh ai një rritje në Kinë si dhe një Rusi që mbijeton? A përfaqëson kombi i tij kontrolin kritik ndaj Iranit ndërsa shtohen përpjekjet e tyre për të destabilizuar Lindjen e Mesme? A sheh Mohammed bin Salman një partneritet në rritje mes kombit të tij dhe Izraelit? A sheh princi i kurorës një të ardhme për “energjinë e gjelbër” të qëndrueshme, ndërsa lëndët djegëse do të jenë motor i botës për të ardhmen e parashikueshme?
Më e rëndësishmja, a po i qasen gjithnjë e më shumë udhëheqës kombëtarë dhe të korporatave Princit të Kurorës Mohammed bin Salman sepse ata tani e shohin Arabinë Saudite – me ekonominë më të madhe në rritje të shpejtë në botë – si një central global energjie, bazuar në reformat që ai ka ndërmarrë? Dhe për shkak të këtij suksesi dhe të tjerave, a e shohin gjithnjë e më shumë udhëheqës princin e kurorës si një nga zërat më me ndikim në botë tani?
Në fund të viteve 1970 dhe në fillim të viteve ’80, transmetohej rregullisht një nga reklamat më të famshme të të gjitha kohërave. Ishte për një firmë investimesh me sloganin “Kur E.F. Hutton flet, njerëzit dëgjojnë”.
“Dhoma hesht menjëherë kur dëgjon fjalë të mençura” tanimë po ndodh në rang global. Kur Mohammed bin Salman flet, disa shtetarë vërtet heshtin dhe i dëgjojnë çdo fjalë. Përse?
Bota po ndryshon. Pushteti po zhvendoset. Aleancat po krijohen ose rikonceptohenn, dhe Arabia Saudite dhe princi i kurorës janë pas shumicës dërrmuese të këtij ndryshimi. Është koha të përqëndrohemi te blici.
Douglas MacKinnon, këshilltar politik dhe i komunikimit, ishte shkrimtar në Shtëpinë e Bardhë për Presidentët Ronald Reagan dhe George H.W. Bush, dhe ish-asistent i posaçëm për politikat dhe komunikimin në Pentagon gjatë tre viteve të fundit të administratës Bush. /Euronews Albania/
Discussion about this post