Shumë afër kapjes së vrasësit, RENEA izolon Lezhën, itinerari që ndoqi pas krimit
Në përpjekje për t’u fshehur pas vrasjes së efektivit Saimir Hoxha në Kune-Vain të Lezhës, autori 21-vjeçar Aldi Rama fillimisht mësohet të jetë arratisur me mjetin “Volkswagen”, por më pas e braktisi atë. Kanë qenë banorët të cilët që e kanë pikasur dhe kanë dëshmuar se kanë parë një djalë të ri që u largua me shpejtësi.
Dyshohet se i riu është kthyer në zonën ku dhe kreu krimin dhe fshihet në një zonë me bimësi të dendur, por kontrolle po kryhen edhe në një vilë 3- katëshe në këtë zonë.
Policia nga terreni dhe me helikopter po përpiqet ta kapë, ndërkohë që për ta shpërqendruar autorin, po hidhen zhurmuese të ngjashme më të shtënat.
Aldi Rama ende nuk është dorëzuar dhe vijon të qëndrojë i fshehur.
Ministri Çuçi nuk siguron jetën e policëve, por bën gjyqtarin: Autori do marrë dënimin më të ashpër
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar për vrasjen e oficerit të Policisë në Lezhë, nënkomisarit Saimir Hoxha. Ngjarja e rëndë mund të ishte parandaluar, nëse qeveria do të angazhohej më shumë në sigurimin e punonjësve të policisë, në krye të detyrës.
Ministri Çuçi bën rolin e gjyqtarit duke thënë se autori duhet të marrë dënimin më të ashpër, ndërsa detyra e tij është të parandalojë zhvillimin e krimit në vend e rrjedhimisht të sigurojë rendin e qetësinë duke mbrojtur edhe punonjësit e policisë. Por si personi më me përgjegjësi në këtë ngjarje, ai zgjedh tu bashkohet i pa shqetësuar gjithë zyrtarëve të tjerë duke shprehur “ngushëllimet” me anë të një postimi në rrjete sociale. “Sado të kërkoj me kujdes fjalët për të shprehur ngushëllim për familjen Hoxha, zor se mund të gjej të atë të duhurën për të zbutur sadopak peshën e rëndë të këtij akti kriminal. Kurajo dhe forcë brenda vetes! Lufta me krimin është e vazhdueshme dhe kurrsesi që ne nuk do të dorëzohemi përballë askujt. Kurrë!”, ka shkruar ai.
Teksa numri i policëve të vrarë që sakrifikohen në krye të detyrës shtohet, Çuçi “shpërfill” gjithë situatën duke u shprehur se nuk duhej që Policia të kishte një tjetër dëshmor në luftën e saj të vazhdueshme me paligjshmërinë.
Vrau policin me plumb në zemër, në fushatë bënte foto me kryeministrin Rama
I riu nga Elbasani, Aldi Rama, i cili është shpallur në kërkim nga policia për vrasjen e efektivit Saimir Hoxha në Lezhë, rezulton se ka qenë simpatizant i flaktë i Partisë Socialiste. Madje, në rrjetin e tij social gjenden foto, ku ai shihet shumë pranë kryeministrit Rama gjatë fushatës së zhvilluar në Elbasan 4 vite më parë.
21-vjeçari nga Elbasani, që rastësisht ka të njëjtin mbiemër me kryeministrin ka hedhur një foto, ku kreu i qeverisë shfaqet i lumtur me të. Por katër vite më vonë, teksa Edi Rama takonte drejtuesen e Komisionit Europian që vizitoi Shqipërinë, idhulli i tij do të vriste një punonjës policie, në tentativë për t’i shpëtuar burgut për drogë.
Madje, gjatë këtyre dy viteve, i riu Rama rezulton se nuk ka qenë aq djalë shembullor, siç Rama e ka trajtuar në fotografinë e disa viteve më parë, por është arrestuar dy herë nga policia. Sipas të dhënave të policisë, Aldi Rama ka qenë i ndaluar në vitin 2018 për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Ndërkohë në vitin 2020 ai është ndaluar sërish për mbajtjen e armëve të ftohta.
FOTO, Vrasja në Lezhë, autori qëlloi me armë drejt helikpoterit, lokalizohet në një vilë 3- katëshe
Autori i vrasjes së efektivit Saimir Hoxha në Lezhë Aldi Rama 21-vjec dyshohet se është fshehur në një vilë tre-katëshe në lagunën e Kune-Vainit. E gjithë vila 3-katëshe, është e rrethuar nga forca të Policisë, ndërkohë që një helikopter po qëndron mbi tarracën e saj.
Më herët, nga ana e Policisë u raportua se Aldi Rama kishte qëlluar me armë zjarri ndaj mjetit fluturues, duke zbuluar kështu edhe vendin se ku ishte fshehur.
Plumb në zemër policit, kush është autori 21-vjeçar. Duhej të ishte në arrest shtëpie
Një krim i rëndë mafioz ka tronditur vendin, ku një oficer policie ka mbetur i vrarë me plumb në zemër, nga një person që dyshohet se kultivonte bimë narkotike në zonën e Kune Vainit. Efektivi Saimir Hoxha, i cili rezulton se është vëllai i kryetares së Gjykatës së Pukës, Flutura Hoxha, është qëlluar për vdekje nga një 21-vjeçari i identifikuar si Aldi Rama, me precedentë të mëparshëm penalë, i cili është shpallur në kërkim dhe policia ka vënë në dispozicion 20 mijë euro për çdo informacion që çon në kapjen e tij.
Viktima ka qenë në krye të detyrës bashkë me disa kolegë të tij, ndërsa nuk dihet ende nëse në momentin e ekzekutimit ka qenë i shoqëruar me ndonjërin prej tyre. Por, sipas burimeve policore, efektivi Hoxha ka ndaluar një automjet të panjohur për kontroll. Ky është momenti ku autori që ndodhej brenda ka qëlluar me pistoletë ndaj tij dhe një plumb në zemër ka shkaktuar vdekjen fatale të 44-vjeçarit. Pra ka qenë gjuajtje nga një distancë e afërt, ndërsa duhet të theksojmë se nuk ka pasur shkëmbim zjarri. Menjëherë pas krimit, mësohet se autori i identifikuar si Aldi Rama, 21 vjeç ka braktisur makinën rreth 1 km nga vendi ku qëlloi policin dhe dyshohet se fshihet në zonë. Për këtë arsye, forcat speciale po kryejnë kërkime dhe me helikopter për kapjen e tij. Gjithashtu Policia e Shtetit i është drejtuar edhe qytetarëve të thjeshtë për gjetjen e autorit për vrasjen e efektivit me një ofertë prej 20 mijë eurosh.
Theksojmë se autori Aldi Rama 21 vjeç nuk është një emër i panjohur për drejtësinë pasi ai ndodhej në masë arresti në shtëpi për drogë. Në 2018 i riu ka qenë për herë të parë i dënuar për prodhim dhe shitje narkotikësh, ndërsa në vitin 2020 është ndaluar sërish për armë mbajtje pa leje e armëve të ftohta.
Viktima Saimir Hoxha ishte me origjinë nga Puka, babai i dy fëmijëve dhe vëllai i kryetares së Gjykatës së Pukës, Flutura Hoxha. Disa javë më parë, efektivi Saimir Hoxha ishte pajisur me certifikatën e Sigurisë. Theksojmë se në momentin e ekzekutimit, Hoxha ka qenë me jelek identifikues të punonjësit të policisë, por jo me antiplumb
Vrasja në Lezhë, efektivi vëllai i gjyqtares në Pukë
Viktima 44- vjeçari Saimir Hoxha, konfirmohet se është vëllai i kryetares së Gjykatës së Pukës, Flutura Hoxha.
Hoxha ishte me origjinë nga Puka dhe prej vitesh ishte punonjës policie në Lezhë dhe Shëngjin. Ai ishte baba i dy fëmijëve, dhe jetonte në Tiranë.
Disa javë më parë, efektivi Saimir Hoxha ishte pajisur me certifikatën e Sigurisë. 45-vjeçari, mendohet se është qëlluar nga një distancë e afrët duke humbur jetën në mënyrë të menjëhershme. Polici i vrarë dyshohet se kishte informacione se brenda lagunës Kune-Vain kishte kultivim të parcelave me kanabis.
“Anonimat të plotë”, Vrasja në Lezhë, policia: Shpërblim 20 mijë euro për banorët që do ndihmojnë me gjetjen e autorit
Policia e Shtetit i është drejtuar qytetarëve të thjeshtë për gjetjen e autorit për vrasjen e efektivit Saimir Hoxha me një ofertë prej 20 mijë eurosh. Policia ndër të tjera për të siguruar këta qytetar do të ruajë anonimat të plotë.
Sakaq, në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe një helikopter i policisë së shtetit, që pritet të kryejë hetime më të specializuara në vendin e krimit.
Theksojmë sërish se autori i dyshuar është Aldo Rama, 21 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, i cili është larguar me automjet nga vendngjarja.
Disa javë më parë, efektivi Saimir Hoxha ishte pajisur me certifikatën e Sigurisë. 45-vjeçari, mendohet se është qëlluar nga një distancë e afërt duke humbur jetën në mënyrë të menjëhershme.
Debat në komisionin e Sigurisë për vrasjen e oficerit në Lezhë, Salianji: Atentat ndaj shtetit
Vrasja e oficerit të Krimeve në Kune Vain të Lezhës e cila ka ndodhur në një hark kohor paralel me mbledhjen e komisionit të Sigurisë ka shkaktuar debat.
Ndërsa kreu i Komisionit të Sigurisë Nasip aço ka çelur mbledhjen online, sipas rendit të ditës, deputeti i PD Ervin Salianji i pranishëm në mbledhje ka kërkuar ndërprerjen e saj e mbajtjen e një minut heshtje për efektivin e vrarë në Lezhë. Ndërsa debatonte me socialistin Naço, Salianji e ka konsideruar ngjarjen një atentat ndaj shtetit.
“Sot ka ndodhur një nga ngjarjet më të renda, atentat ndaj shtetit. Humbja e jetës në krye të detyrës e një efektivi të ndershëm, nga të paktët që lufton realisht krimin dhe gjendjen e përhapur të kanabisit dhe drogës anë embanë Shqipërisë”, është shprehur ai.
Po ashtu ka shtuar se: Kushdo që bie në luftë me krimin është Dëshmor i Atdheut dhe ne që jemi të pranishëm fizikisht nuk mund të bëjmë sikur nuk ekzistojmë ashtu sic fshihen ngjarjet dhe mbulohen me propogandë. Ne ekzistojmë sic ekziston edhe kriminaliteti, vrasjet, droga, mungesa e rendit dhe sigurisë publike.
Meta i tronditur për vrasjen e efektivit në Lezhë: Autorët sa më parë para drejtësisë
Presidenti Ilir Meta ka reaguar i tronditur lidhur me vrasjen e oficerit të krimeve në Kune Vain të Lezhës, Saimir Hoxha 44- vjeç. Nëpërmjet një postimi në facebook ka shprehur ngushëllimet për familjen dhe kolegëve të viktimës.
“Thellësisht i tronditur nga ngjarja tepër e rëndë e vrasjes, në krye të detyrës, të zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, Saimir Hoxha, gjatë një operacioni kundër kultivimit të lëndëve narkotike në zonën e Lezhës. Në këto momente të vështira bashkëndaj dhembjen dhe ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes, kolegëve dhe të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit”, ka shkruar ai.
Për ngjarjen e rëndë presidenti ka kërkuar me angazhimin maksimal të organeve ligjvënëse që duhet të venë para drejtësisë autorët.
“Nxis organet ligjzbatuese, në veçanti Prokurorinë për hetimin e rrethanave dhe intensifikimin e përpjekjeve për kapjen sa më parë të autorëve të këtij akti kriminal, për t’i nxjerrë ata para drejtësisë dhe dhënien e një ndëshkimi të ashpër ligjor”, ka shkruar ai.
Shkrimin e tij Meta e ka mbyllur me një mesazh të fortë, ku sipas tij “Lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe kanabizimit të Shqipërisë, që ka dëmtuar seriozisht vitet e fundit imazhin e vendit dhe ka marrë aq shumë jetë njerëzish, duhet të jetë një prioritet absolut dhe të mbështetet nga të gjithë!”.
Rindërtohet dinamika, ndaloi për kontroll mjetin e autorit, efektivi u qëllua me 1 plumb në zemër
Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e oficerit të krimeve në Lezhë, në Kunë Vain. Në zbardhje të dinamikës së ngjarjes, është shtuar edhe dyshimi se efektivi ka ndaluar një automjet që dyshohej që mund të jetë përdorur për veprime të kundraligjshme dhe në moment që e kontrollit autori i dyshuar ka hapur zjarr, ku një plumb në zemër, i ka marrë jetën 44- vjeçarit.
Në terren kanë qenë 5 veta, por oficeri Saimir Hoxha është afruar pasi ka mbërritur në zonë për të bërë patrullime në zonë.
Sakaq, në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe një helikopter i policisë së shtetit, që pritet të kryejë hetime më të specializuara në vendin e krimit.
Autori i dyshuar është Aldo Rama, 21 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, i cili është larguar me automjet nga vendngjarja.
Disa javë më parë, efektivi Saimir Hoxha ishte pajisur me certifikatën e Sigurisë. 44-vjeçari, mendohet se është qëlluar nga një distancë e afërt duke humbur jetën në mënyrë të menjëhershme.
FOTO, Ekzekutimi i efektivit në Lezhë, shpallet në kërkim autori kryesor i dyshuar, policia: Me precedent kriminal
Policia ka shpallur në kërkim autorin kryesor të dyshuar për vrasjen e oficerit të Policisë në Komisariatin e Policisë Lezhë.
Autori i dyshuar është Aldo Rama, 21 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, i cili është larguar me automjet nga vendngjarja.
FOTO, U qëllua për vdekje nga trafikantët, ky është oficeri i Krimeve që u vra në Lezhë
Personi që shihni në foton e siguruar nga gijotina.com është oficeri i Krimeve që u vra para pak minutash në Lezhë.
Hoxha ishte me origjinë nga Puka dhe prej vitesh ishte punonjës policie në Lezhë dhe Shëngjin. Ai ishte baba i dy fëmijëve, dhe jetonte në Tiranë.
Çfarë pa që u qëllua për vdekje? Detaje nga vrasja e efektivit në Lezhë, u vra me breshëri plumbash nga makina
Efektivi i policisë Saimir Hoxha 44- vjeç që u qëllua për vdekje me armë zjarri pak minuta më parë është qëlluar teksa patrullonte me makinën tip “Ford Focus”. Mësohet se xhami i pasagjerit të makinës ka qenë i hapur nga ky ngihen dyshimet se Hoxha është qëlluar nga një distancë e afërt. Megjithatë ngelet ende e paqartë pjesa e dinamikës paraprake të kësaj ngjarjeje të rëndë, nëse efektivi është qëlluar brenda mjetit të tij, e më pas është hedhur nga atentatorët në kanal.
Burime nga policia bëjnë me dije se një grup efektivësh të anti-drogës në Policinë e Lezhës po kontrollonin gjatë orëve të para të mëngjesit në zonë e Vainit, kur janë sulmuar me breshëri armësh zjarri nga trafikantët. Për pasojë i vdekur ka mbetur oficeri i krimeve Saimir Hoxha, 44 vjeç, trupi i të cilit është gjetur nga kolegët e tij në një kanal të zonës.
44-vjeçari, mendohet se ai është qëlluar nga një distancë e afërt duke humbur jetën në mënyrë të menjëhershme. Polici i vrarë dyshohet se kishte informacione se brenda lagunës Kune-Vain kishte kultivim të parcelave me kanabis.
Hoxha ishte me origjinë nga Puka dhe prej vitesh ishte punonjës policie në Lezhë dhe Shëngjin. Ai ishte baba i dy fëmijëve, dhe jetonte në Tiranë.
EMRI, Vrasja e efektivit në Lezhë gjatë operacionit anti-kanabis, shpallet në kërkim dy vëllezër
Zbardhen detaje të reja nga vrasja e policit në Lezhë. Është konfirmuar se polici i vrarë ishte me detyrë nën/komisar. Ai u qëllua me armë zjarri për vdekje gjatë operacionit anti-kanabis Saimir Hoxha në zonën e mbrojtur Kune-Vain.
Theksojmë se kontrollet janë në të gjithë territorin, por nuk është raportuar më parë që në këtë zonë të ketë pasur kultivim kanabisi.
Ndërsa është shpallur në kërkim një i dyshuar me inicialet Aldo Rama.
Hoxha është qëlluar me armë zjarri dhe është gjetur në një kanal në Ishull Lezhë.
44- vjeçari është babai i dy fëmijëve dhe jetonte në Tiranë.
EMRI, U qëllua me armë zjarri, vdes në krye të detyrës oficeri i policisë në Lezhë
Oficeri i policisë i cili disa minuta më parë u qëllua me armë zjarri ka ndërruar jetë. Viktima është identifikuar me emrin Saimir Hoxha 44- vjeç, ndërsa ngjarja ka ndodhur pranë hotelit të Gjuetisë në Lezhë. Nga të dhënat paraprake dyshohet se kishte pikasur një parcelë të kultivuar me kanabis. Theksojmë sërish se Hoxha është qëlluar me armë zjarri dhe është gjetur në një kanal në Ishull Lezhë.
Krimi ka ndodhur, teksa oficeri ishte në operacion në krye të detyrës.
Mendohet se ndaj tij kanë qëlluar personat që ruanin parcelën. Drejt Lezhës ndërkohë është nisur edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Viktima është 44-vjeç, babai i dy fëmijëve, dhe jetonte në Tiranë.
Të shtëna me armë ndaj efektivit në Lezhë, rrethanat të paqarta
Një oficer policie është vrarë në Lezhë. Burime pranë gijotina.com bëjnë me dije se ndaj oficerit te policisë është qëlluar me armë.
Rrethanat janë ende të paqarta, por nga të dhënat paraprake dyshohet se kishte pikasur një parcelë të kultivuar me kanabis. Mendohet se ndaj tij kanë qëlluar personat që ruanin parcelën. Deri më tani nuk dihet ende identiteti i tij.
Drejt Lezhës ndërkohe është nisur edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.