Kombëtarja shqiptare nisi zyrtarisht këtë të hënë grumbullimin në kuadër të ndeshjes së parë ndaj Polonisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’. Dy futbollistët kuqezi, Sokol Cikalleshi dhe Jasir Asani dolën mesditën e sotme në një konferencë për media, ku folën për objektivat që kanë për sfidën ndaj polakëve, që do të luhet në Varshavë më 27 mars.
Sulmuesi Sokol Cikalleshi u shpreh se ndeshja kundër Polonisë është shumë e vështirë, por kuqezinjtë do të tentojnë të marrin pikët maksimale dhe ta nisin mbarë këtë fushatë kualifikuesesh. Cikalleshi foli edhe për trajnerin e ri të Kombëtares, Silvinjon, sa do ta penalizojnë grupin dëmtimet, ndërsa nënvizoi kuqezinjtë duhet të funksionojnë si grup dhe të kenë harmoni me njëri-tjetrin.
Polonia – Tani fillon një edicion i ri për ne. Aq më tepër që ndeshja e parë është një nga ndeshjet më të vështira. Polonia është ekipi më i fortë në grup. Besoj që duke u nisur edhe nga kualifikueset e kaluara, që i nisëm në Portugali dhe që arritëm të marrim një rezultat pozitiv në ato kohë dhe u kualifikuam. Uroj të kemi të njëjtën vazhdimësi. Nuk besoj se jam i vetëm në majën e sulmit, por ai lojtar që do luajë, të bëjë maksimumin, si një grup, si një ekip që të tregojmë shpirtin e garës dhe në këtë ndeshje ta nisim mbarë. Siç është edhe ajo shprehja, fillimi i mbarë, gjysma e punës. Dhe nëse marrim rezultat pozitiv në Poloni, gjërat mund të thjeshtësohen disi.
Stafi i ri i trajnerëve – Ata sapo kanë ardhur dhe do të ketë kohën e nevojshme këtë javë. Si ata me ne, por edhe ne me ata, që të njihemi mirë. koha është paksa e shkurtër, por besoj që si ne, edhe trajneri, jemi të gatshëm që në këtë kohë të shkurtër të bëjmë më të mirën dhe të shkojmë në ndeshjen e Varshavës sa më të përgatitur. E thashë që është ndeshja më e vështirë e këtij edicioni. E nisim në Varshavë. Është një nga ndeshjet më të vështira, por mund të bëhet një nga ndeshjet që mund të na japë shtysën për të arritur kualifikimin në fund dhe të na japë vetëbesim që nëse fitojmë aty, rruga mund të bëhet më e lehtë më pas.
Dëmtimet dhe grupi jo i plotë – Dëmtimet dhe lojtarët që mungojnë janë nga më të rëndësishmit e Kombëtares sepse e kanë treguar në fushë këtë gjë. Na ka qëlluar edhe më parë me Poloninë, në ndeshjen e 12 tetorit këtu, që ishte shumë e rëndësishme për kualifikueset e Botërorit. Nëse do ta fitonim atë ndeshje këtu, kishim shanse për t’u kualifikuar dhe në atë takim kemi pasur shumë mungesa. Po na ndodh e njëjta situatë tani, por nuk dua të fokusohemi këtu, dua të shohim anët pozitive sepse grupi është 23 lojtarë. Diferencat mes lojtarëve nuk janë shumë të mëdha dhe besoj se kushdo që do të jetë në fushë, do të bëjë më të mirën për t’i zëvendësuar këto lojtarë.
Ndeshjet e kaluara ndaj Polonisë – Ndeshjen e parë ndaj Polonisë e kemi bërë shumë të mirë, edhe pse rezultati nuk e tregon. Pas rezultatit 2-1, kemi pasur një penallti neto dhe gjërat mund të kishin ndryshuar. Ajo që mund të them sot, është që duke qenë se kemi dalë nga dy ndeshje me pishman, të bëjmë një analizë të thellë dhe ato gabime që kemi bërë mos t’i përsërisim sepse vetëm kështu mund të mos dalim sërish me pishman.
Cikalleshi, lider i skuadrës? – Grumbullimi filloi vetëm dje dhe unë dje kam ardhur në grumbullim dhe kam pasur një bisedë të thjeshtë me trajnerin. Nuk dua ta konsideroj veten asnjëherë lider sepse lider i mirë është ai që e tregon me vepra dhe jo me shumë fjalë. Unë si brenda fushës dhe jashtë e kam bërë dhe jam munduar të ndihmoj çdo lojtar që të ndihet mire, sa herë të jetë afër meje. Kështu që mund të vijë dhe pak nga eksperienca. Jam i gatshëm që ta bëj më së miri këtë gjë. Kam qenë mbështetje. Dhe jo vetëm unë, por ka dhe disa lojtarë të tjerë që kanë vite që kontribuojnë për lojtarët. Duhet të japim më shumë rëndësi, duke qenë se jemi kombëtare e vogël, duhet të jemi në harmoni dhe grup me njëri-tjetrin. Është i rëndësishëm grupi, sepse aty del në pah edhe shpirti i garës, forca në grup.
I kënaqur me një pikë? – Pavarësisht se kush është kundërshtari në fushë, duhet të futesh për të fituar ndeshjen. Opsioni i parë është për ta fituar ndeshjen, por duke qenë se është kundërshtar që e kemi direkt për vendin e parë, edhe një plan B mund të jetë dhe barazimi. Unë nuk e kam menduar edhe kur kemi luajtur edhe me ekipe më të forta si me Francën ose Anglia, kemi shkuar për të fituar. Këto janë plane që duke tentuar më të mirën, pastaj të marrin gjysmën e të keqes. Do të shkojmë për të fituar ndeshjen. Është një grup shumë i fortë, por me grupin që kemi dhe me shpirtin e garës, mendoj se mund të marrim një rezultat pozitiv.”
Ndërkaq, i ftuar rishtaz nga Kombëtarja, Jasir Asani nuk e fshehu kënaqësinë që është pjesë e grupit kuqezi dhe që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë sfidë të rëndësishme. I pyetur nga gazetarët, Asani u shpreh se ftesën e pret prej shumë kohësh, ndërsa komentoi edhe timonierin e ri të Kombëtares shqiptare. Ndër të tjera, Jasir Asani foli edhe për takimin ndaj Polonisë, ku nënvizoi se kuqezinjtë do të bëjnë të pamundurën të dalin me pikë dhe se ai do të bëjë maksimumin të bëjë atë që di më mirë… golin!
Ftesa nga Kombëtarja shqiptare – Jam shumë i lumtur sepse çdo shqiptar nga Maqedonia mezi e pret ftesën nga Kombëtarja. Jemi shqiptarë dhe duhet të japim më shumë se 200% nga vetja. Çdo futbollist e ka ëndërr të përfaqësojë Shqipërinë. e kam pritur me shumë gëzim dhe shumë dëshirë. Kur erdhi ftesa isha shumë i gëzuar dhe do të jap maksimumin që të arrijmë një rezultat pozitiv.
Sa gjatë ke pritur për ftesën dhe golat – Ftesën e kam pritur gjithmonë dhe kam dëshiruar që të luaj për Kombëtaren shqiptare. E kam pranuar me shumë dëshirë, edhe familja ime ka qenë shumë e lumtur. Do jap maksimumin për Kombëtaren, do tentojmë të fitojmë dhe shpresojmë të dalim me një rezultat pozitiv.
Impakti i parë me trajnerin e ri Kombëtares – Kam biseduar pak kur arrita dje dhe është një trajner për të cilin më kanë folur shumë mirë shokët. Besoj se do shkojmë mirë dhe të arrijmë objektivat me trajnerin.
Cilës skuadër në grup mund t’i marrësh më lehtë pikët – Çdo kundërshtar është i fortë. Ne do japim maksimumin tonë në çdo ndeshje, pasi asnjë prej tyre nuk është e lehtë për t’u fituar. Na presin ndeshje të vështira. Por jemi të fokusuar te ndeshja me Poloninë dhe duhet të japim maksimumin që në ndeshjen e parë dhe të dalim me rezultat pozitiv.
Çfarë mund t’i jap unë Kombëtares? – Do të jap maksimumin për Kombëtaren në çdo ndeshje dhe si çdo lojtar tjetër, edhe unë kam shumë qejf të shënoj gola. Do jap maksimumin të shënoj gola dhe të ndihmoj skuadrën të marrë pikët e duhura. Disa lojtarë të Kombëtares i njoh prej shumë kohësh dhe më kanë pritur shumë mirë. Jam i lumtur që për herë të parë erdha në Kombëtare dhe është një emocion shumë i madh. Jam ndjerë shumë mirë, jam i lumtur që jam këtu.
Sfida me Poloninë dhe pritshmëritë – Mendoj që duhet të përgatitemi për ndeshjen e parë kundër Polonisë, është një ndeshje e vështirë dhe është ndeshja e parë në grup. Duhet të futemi për fitore dhe shikojmë për një rezultat pozitiv.
Discussion about this post