Kryeministri Edi Rama deklaron se BE e rendit Shqipërinë si të parën përsa i takon prokurimeve publike dhe Kryeministri theksoi se Bashkimi Europian nuk është gazetë gjermane, por i referohet të dhënave konkrete, që studiohen nga ekspertët. Ai ishte pjesë e takimit të nivelit të lartë me praninë e ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, për procesin e thellimit të reformave të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsioni.
“Prokurimet Publike janë pjesë e kapitullit të Themeloreve. BE e konsideron sistemin e Prokurimeve Publike si europian, pavarësisht se i duket e çuditshme atyre që e nisin ditën me korrupsionin, e barazojnë Shqipërinë me fjalën korrupsion, që një në 3 fjalë kanë korrupsion. Unë nuk e di se si mund të bashkohen bashkë këto të dyja. Kemi indeksin e Bazelit përsa i takon parave të zeza, që nuk janë as emisione italiane as gazeta gjermane, ku thuhet se kemi bërë një progres në luftën kundër parave të zeza, madje kemi bërë progres duke lënë pas 7-8 vende që janë anëtarë të BE-së”, tha Rama. Ai u shpreh se kjo ndodh sepse ata bazohen te faktet jo te perceptimet”, tha kryeministri. Më poshtë janë titujt e gazetave gjermane që e paskan shqetësuar Ramën.
Me sa duket, kryeministri e humb qetësinë kur flet për mediat, sepse lidhur me tenderat, në podcastin e vet, para disa javësh ka thënë se ato (prokurimet) janë burim korrupsioni, prandaj do të aplikohet AI për ta eliminuar fenomenin.
“Prokurimet që janë një problem që burojnë plot pasoja dhe nga ku buron edhe pjesa më e neveritshme e qelbit të korrupsionit. Bëjmë mijëra prokurime në vit dhe janë dhjetëra mijëra anëtar komisionesh, njerëz persona që duhet të marrin pjesë. Të gjithë këta njerëz duhet të disponojnë dijen e nevojshme ligjore për atë gjë që po bëjnë. Nuk mundet dot ata njerëz që futen në ata procedura janë njerëz që bëjnë punë tjetër por futen në procedurë.
Me modelin Inteligjencës Artificiale ne mund ta kapërcejmë komplet. Duke e kapërcyer komplet, s’kemi më nevojë për këtë konsum të madh energjish të bëjmë këto procese dhe nga ana tjetër neutralizojmë në një masë shumë të madhe atë burim qelbi. E kthejmë prokurimin e fondeve publike në një proces transparent dhe të thjeshtë dhe të lexueshëm. Tashmë ato të gjitha qindra mijëra veprime që duhet të bëjnë në këtë proces i bën algoritmi.
Nuk është vetëm kjo plot gjëra të tjera janë të mundura dhe po punojmë në disa drejtime që të përdorim Inteligjencën Artificiale dhe për t’i dhënë vetes mundësia që nuk do të mund t’i imagjinonim.’- ka deklaruar Rama më parë.
Sipas KLSH-së, në 4 vitet e fundit, totali i dëmit ekonomik për shkak të parregullsive në proceset e tenderimit, shkon në vlerën 2 miliardë e 550 milionë euro.
Prej kohës kur Shqipëria nisi procesin e integrimit europian, mungesa e konkurrencës në prokurimet publike, mbetet një ndër kritikat e vazhdueshme të organizatave ndërkombëtare, kritikë qe reflektohet edhe në progres-raportin e fundit të Bashkimi Europian.
Nga të dhënat e përpunuara nga Open Data Albania rezulton se një pjesë e madhe e 100 tenderave më të mëdhenj të organizuara nga institucionet publike rezultojnë me “red flag” ose ndryshe me flamur të kuq.
Flamuri i kuq vendoset automatikisht nga sistemi i Open Data Albania kur kemi vetëm një kompani që garon për tenderin ose janë skualifikuar të gjitha kompanitë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e kualifikuar.
Mungesa e garës praktikisht është si të marrësh pjesë në një konkurs, ku askush nuk paraqitet përveçse një pjesëmarrësi, i cili automatikisht shpallet fitues.
gijotina.com/
Discussion about this post