Muaji qershor ka filluar me një rritje të shpejtë të çmimeve, sidomos për karburantet. Dhe këto çmime tashmë vendosen nga Bordi i Transparencës, që u ngrit nga qeveria me qëllim rregullimin e çmimeve në treg. Në fakt që nga krijimi i këtij Bord çmimet nuk po rregullohen, por ka më shumë luhatje dhe rritje se më parë. Të gjithë pasojat bien mbi qytetarët, por përgjegjësit nuk duken askund. Për të folur më shumë mbi këtë çështje Gijotina.com ka kontaktuar me ekspertin e njohur të ekonomisë Koço Broka, i cili ka folur mbi detaje për situatën, si dhe ka analizuar rolin dhe vendimet e Bordit të Transparencës. Sipas Brokës, vendimet që po merr Bordi i Transparencë nuk janë të drejta, për faktin se nuk po vepron përmes analizave dhe hapave konkret që duhet të ndjekë. Sipas ekspertit, deri më tani është e dukshme që ky Bord nuk po rrit transparencën dhe çmimet nuk po ulen. Ndër të tjera, Broka tha se Bordi po pengon institucionet e tjera të veprojnë. Ndërsa shtoi në fund se, pasojat e masave të marra sot, do të jenë afatgjate.
Prej muajsh çmimet e shportës dhe ato të karburanteve po vendosen nga Bordi i Transparencës, i ngritur nga qeveria. A po jep efekt puna e Bordit në përballimin e situatës? A janë të drejta vendimet e Bordit?
Jo është mendimi im. Ndërkohë, kjo nuk përjashton por kërkon angazhimin për rritjen e transparencës si të qeverisë dhe institucioneve të saj, pse jo dhe medias. Për të dhënë një përgjigje sa më reale dhe objektive e rëndësishme është të mbahet parasysh periudha kur u ndërmor ngritja e të ashtuquajturve Borde të Transparencës, çfarë kish ndodhur dhe argumentet që u dhanë për ngritjen e tyre. Ato u ngritën 2-3 javë pasi filloi lufta dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia, kur u ndërmorën Aktet Normativë.
Kjo luftë u pasua me një përshpejtim e rritje të shpejtë të çmimeve por edhe panikut që e shoqëroi këtë situatë, në tregun ndërkombëtar por edhe vendas. çmimi i energjisë elektrike, karburanteve, apo drithërave arritën nivele pik që në fakt rezultojnë nga më të lartit gjatë 100 ditëve të fundit, por edhe nga paniku i reduktimit të përshpejtuar deri në mungesë i furnizimit prej tyre. Ishte koha kur krahas rritjes së çmimeve ndërkombëtare të importit , u zhvleftësua me të shpejtë me disa pikë përqindje leku ndaj Euros dhe Dollarit, duke përshpejtuar rritjen e çmimeve tej nivelit të tyre të importit .
A duhet të ndërhynte Qeveria në këtë situatë, pasi ministrja e Ekonomisë është shprehur se qeveria nuk ka ndikim mbi çmimet?!
Ka shumë pikëpyetje për këtë. A bëri mirë duke ndërhyrë me njërin prej instrumenteve kryesorë të politikës fiskale (por duke mos ndërhyrë në instrumentin tjetër atë të tatim- taksave, si mund të ketë ndodhure ka ndodhur në disa vende të tjera) atë të shpenzimeve qeveritare, duke ndryshuar buxhetin duke rritur më tej të ardhurat buxhetore për vitin 2022 nga njëra anë, duke ulur pothuajse po aq investimet kapitale, por duke shtuar fondin rezervë të Qeverisë e duke rritur dukshëm mbështetjen buxhetore për sektorin energjetik me 20 miliard lek të tjerë, por pa ndryshuar deficitin buxhetor nga ana tjetër!?
Është e vërtetë që deri në fund të 4 mujorit, nuk është prekur sado pak mbështetja buxhetore për sektorin energjik, përveç ezaurimit të fondeve të huas dhënë nga Qeveria për Energjinë që me buxhetin fillestar të vitit 2022; apo se Paketa e parë e Rezistencës Sociale, që gjithsesi u erdhi në ndihmë shtresave ekstremisht më nevojë, ishte në përmasa të tilla sa që nuk prekte në thelb treguesit e buxhetit të parashikuar në fillim.
A mund të konsiderohet e pasaktë kjo politikë se Qeveria vetëm për faktin se nuk përdori instrumentin e tatim-taksave, ose më saktë uljen e tyre si kanë menduar e sugjeruar mjaft opinionistë apo qytetarë duke iu referuar këtij apo atij shteti në botë?!
Duke iu përmbajtur idesë se qeveria duhet vlerësuar me atë që ka bërë dhe jo thjesht me atë se nuk iu përgjigjet gjithë sugjerimeve, kërkesave apo dëshirave, personalisht i vlerësoj pozitivisht këto ndërhyrje e angazhime të Qeverisë, që së bashku me ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë, dobësuan ose shuan të paktën panikun, duke shmangur situatën emergjente për të mos patur furnizimin me këto produkte.
Por duke evidentuar këtë nuk mund të them se është ezauruar përgjigja e pyetjes suaj. Kjo për faktin se. ekonomia është një organizëm i gjallë e tepër kompleks me kundërthënie dhe ashtu si ekonomitë dërmuese në botë dhe ekonomia jonë në pjesë më e madhe të saj (mbi 80-të %) është private, drejtohet nga privatë. Pavarësish nga perceptimi, mendimi, mentaliteti, dëshira apo kërkesa që qeveria të ndërhyjë më shumë, e vërteta është se shumica e vendimeve në ekonominë tonë merren në mënyrë të pavarur, në mënyrë të decentralizuar, nga biznese që luftojnë e kërkojnë fitime, që janë angazhuar për të ulur kostot, duke i shndërruar mundësitë në veprimtari biznesi, apo individët kërkojnë bonuse e mbështetje. Për rrjedhojë e rëndësishme është të monitorohet e ballafaqohet me atë çfarë ka ndodhur dhe po ndodh realisht në ekonomi e të sigurohet transparenca sa më e plotë.
A pritej ky qëndrim kur në vendin tonë, që në fillim të Marsit filloi paniku për furnizimin dhe shqetësimi për çmimet?!
Ndryshe nga perceptimi dhe pritshmëria e shumëkujt se me rritjen e çmimeve ndërkombëtare do të thellohej në nivele shumë të larta deficit tregtar, ai ka vazhduar të rritet por në përmasa dhe ritme shumë më të vogla se vitin paraardhës. Kjo konfirmon se pavarësisht nga perceptimet, rrjedha është e duhet të jetë, transparencë, informacion, analizë, diagnozë e më pas terapi dhe jo duke kapërcyer shumë nga këto faza te opinionizmi. Si për pikat që përmendëm më lartë, e njëjta gjë mund të thuhet për ecurinë e eksporteve. Ndonëse gjatë 4 mujorit të parë të vitit 2021, rritja e vëllimit të eksportit ishte 34.9 ndaj periudhës të një viti më parë, gjë që ishte e pritshme pas fillimit të Covid -19 në Mars 2020 , gjatë 4 mujorit janar-Prill 2022, rritja e eksporteve rezultoi me një rritje 48,8 %, ndaj së njëjtës periudhë të një viti më parë, kur ajo e importeve është 26,7 %, ose shtesa në terma absolute është respektivisht 53 dhe 60 miliard. Pra duke patur një rritje jo shumë të madhe të eksportit neto-deficit tregtar të mallrave, në sajë të një rritje mjaft të lartë të eksportit edhe në kushtet kur ekonomia jonë ka dobësi të theksuara strukturore. Ndërkohë nuk mund të mos shohësh , psh se megjithë efektin pozitiv në fazën e parë të bordeve për mosndërprejen e furnizimit me këto produkte jetike për qytetarët dhe ekonominë nga importi, duke mos u a lënë këtë angazhim vetëm bizneseve private por duke mundësuar një pjesëmarrje aktive e sa më të shpejtë në kohë të qeverisë, por edhe për mos rritje të pakontrolluar të inflacionit; në fakt të ashtuquajturat Borde të Transparencës pavarësisht nga emërtimi nga njëra anë po realizojnë vendosjen e çmimeve të disa grupeve të rëndësishme mallrash pothuajse çdo javë, për të mos lejuar një nivel të tillë tej të cilit nuk mund të tregtohen, ndërsa nga ana tjetër nuk po realizojnë transparencën.
A po tregohet transparent dhe i saktë Bordi?
Le të ndalem në dy elementë kryesorë të të ashtuquajturve “Borde të Transparencës”. Për gjykimin tim ky epitet, është dhe ka mbetur vetëm retorikë. Madje mund të thuhet pa hezitim, se ndërsa pritej që transparenca të rritej e të përforcohej janë zhbërë dhe disa aspekte të asaj që ka qenë praktikë e zakonshme në këtë aspekt. P.sh. nëpërmjet statistikave të Doganës, Buletinit të TREGTISË SË JASHTME dhe Buletinit Fiskal, jepej informacion jo vetëm për sasinë e mallrave por dhe vlerën e për rrjedhojë edhe çmimin e mallrave kryesore të importit. Ndërsa pritej të rritej gama e këtyre mallrave dhe të rikthej publikimi mujor i tyre, si e kërkon kjo gjendje jo e zakonshme e rritjes së çmimeve në tregun ndërkombëtar, ose të ripërtëritje praktika e publikimit të përditshëm edhe në media, ka ndodhur e kundërta. Publikimi më i fundit i Buletinit Fiskal dhe atij të TREGTISË SË JASHTME nga Drejtoria e Përgjithshme Doganave në varësi të Ministrisë së Financave është shtatori 2021, megjithëse drejtori i këtij institucioni është anëtar i Bordit të Transparencës!?
Këtu ka rolin e saj edhe media. Këtu ndoshta ja vlen të mos anashkalohet dhe një dukuri jo pozitive e medias. Reporterët e lajmeve janë bërë gjithnjë e më tepër të rrallë, për të marrë dhe shpërndarë informacion nga institucionet për tema dhe çështje që ata mendojnë dhe puna e tyre është zëvendësuar, para së gjithash dhe mbi të gjitha me copy past të publikimeve që u dërgohen nga disa institucioneve, nga ndonjë media të specializuar në ekonomi, ose duke u përqendruar në emisione opinionistësh, duke kërkuar më tepër opinionin e tyre, se sa gjykimin dhe analizën mbi çështjen.
A nuk ka ndodhur kështu me daljen e Kryeminisrit me Ministren të Financave dhe Ekonomisë dhe një nga zv/Ministret më 16 Maj të këtij viti lidhur me “Anti-informaliteti, reflektim pozitiv i bizneseve në lidhje me pagat e punonjësve” !? Personalisht kam qënë i interesuar të di se, sa është sipas institucioneve shqiptare shkalla e informalitetit në vendin tonë, cilat janë përmasat konkrete në sektorë të ndryshëm të saj apo metodikën e llogarritjes të treguesit që i referohen opinionistët. Mendoj se për këtë temë nuk është kurrë e tepërt të kujtohet kur Kryeministri aktual 10 vjet më parë, do ngrinte alarmin “ se 1 milionë shqiptarë janë të papunë. 1 në çdo dy shqiptare rezulton të jetë i papunë dhe vetëm 2 në 10 të rinj kanë arritur të sigurojnë një punë.”
Natyrshëm psh lind pyetja: Sa është informaliteti sot në bujqësi apo në sigurimet shoqërore?! Kjo kërkon që edhe media të angazhohet më mirë drejt informimit. Në se media në këtë kohë inflacioni jo të zakonshëm p.sh. do do t’i kërkonte apo do i kërkojë INSTAT vëllimin dhe çmimin e 50 apo 100 mallrave kryesorë të importit dhe eksportit, në muajin paraardhës dhe progresivisht çka është një praktikë pune në vendet e tjera, do të realizohej vërtet një transparencë jo e vogël për publikun.
Në se do merrte një informacion i përditshëm për çmimin e zhdoganimit të karburantit, drithit apo shumë shumë10 produkteve më me peshë atëherë mund të pohohej se ishte realizuar një transparencë si për institucionet, ashtu dhe publikun e gjerë. Vite më parë më ka ndodhur të kërkoj nga INSTAT vëllimin në natyrë dhe në vlerë të 10 produkteve kryesore të eksportit dhe importit, për x periudhë, dhe në fakt ky institucion më është përgjigjur pozitivisht. Nuk ka arsye të mos u përgjigjet reporterëve të lajmit kur diçitalizimi dhe interneti e kanë lehtësuar dukshëm këtë proces. Informimi është e nevojshme të marrë peshën e rolin e vet ndaj opinionizmit.
Si e shihni ju faktin që, në shumë raste Bordi vendos çmime shumë të larta nga se ishin më parë dhe madje më lart se rajoni?
Le t’i kthehem aspektit tjetër të Bordeve të Transparencës atë të caktimit të çmimeve. Në një ekonomi tregu Qeveria nuk mund t’u përcaktojnë bizneseve sa do të prodhohet, sa punëtorë do të marrin apo me çfarë çmimesh do shesin produktet, përveç asaj që është përcaktuar në Kushtetutë se “1. Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike….3. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike.” Mjafton të bëhet një krahasim i vogël midis Aktit Normativ Nr 5 dhe atij Nr 7 për Bordet e Transparencës. Sipas të parit ” Situata e veçanta 1. Situatë e veçantë, në kuptim të këtij kreu, janë të gjitha ato situata të cilat krijojnë situatë emergjente kur tregu hidrokarbur karakterizohet nga: a) reduktimi i përshpejtuar deri në mungesë i furnizimit me naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre; b) rritja e ndjeshme e çmimit të tyre në treg…;
Ndërsa sipas të dytit i njëjti emërtim situatë e veçantë përcaktohet “Situata e veçantë
- Situatë e veçantë, në kuptim të këtij akti normativ, janë të gjitha ato raste, të cilat krijojnë
situatë emergjente kur tregu i disa produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura
me to, sipas listës së përcaktuar nga Bordi, karakterizohet nga:
- rritja e ndjeshme e çmimit të tyre në treg;…”
Besoj se është e qartë se tjetër është situata që vërtet mund të konsiderohet e veçantë ku ndodh reduktimi i përshpejtuar deri në mungesë i furnizimit dhe tjetër gjë është situata rritja e ndjeshme e çmimit të tyre në treg. Veprimtaria e Bordeve për gjykimin tim është e justifikuar për rastin e parë të situatës së veçantë, që kërkon angazhimin e institucioneve shtetërore për mosndërpreje të furnizimit, ose në se në rastin e dytë veprimtaria e Bordeve do kufizohej me monitorimin e posaçëm të çmimeve kur ka rritje të ndjeshme të tyre Një aspekt tjetër është efektiviteti në parandalimin ose ndalimin e rritjes se çmimeve. Ky i fundit nuk është bërë dhe nuk mund të realizohet nëpërmjet të ashtuquajturve Borde të Transparencës. Për këtë mjafton të krahasohet Vendimi i Bordit të Transparencës datë 01. 06. 2022, me vendimet e tjera paraardhëse të tij.
Nga ky krahasim bëhet e qartë e se këto borde nuk mund të ndalojnë efektin e rritjes e çmimeve në tregun ndërkombëtar dhe transmetimin e tij në tregun vendas . Në se çmimi i karburantit është në nivele të tilla apo çmimi i vajit të lulediellit është në tregun me pakicë 380 lek litri, është e qartë se efektiviteti i këtyre bordeve në këtë aspekt është minimal. Me një qëndrim të tillë duke përcaktuar çmimin e shumicës dhe atë të pakicës në fakt i është vënë bërryli konkurrencës në treg, dhe Autoriteti i Konkurrencës, është shndërrua në një “qen plak që fle”, duke e nxjerrë jashtë loje atë por dhe Ligjin mbi të cilin funksionon ky institucion. Me atrofizimin e konkurrencës dëmi që i shkaktohet ekonomisë por dhe qytetarëve është i pallogaritshëm.
Pasojat mbi qytetarët dhe ekonominë e vendit?
Jo rastësisht ka një konsensus gjithnjë e më të gjerë rreth asaj se të ashtuquajturat Borde të Transparencës, t ë cil ët favorizojnë biznese klientë dhe favorite të qeverisë. Në funksion të kësaj flet dhe fakti se rimbursimi i TVSH-së për periudhën 4 mujore Janar -Prill 2022 është vetëm 3,863 milion lekë nga 10,475 milion lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duke i krijuar vështirësi reale biznesit. Mbështetja e këtij të fundit për efektet negative të rritjes së madhe të çmimeve nuk përjashton, por kërkon të paraprihet nga rimbursimi në kohë i TVSH-së sipas akteve në fuqi, edhe si rrugë për të luftuar klientelizmin dhe pse jo korrupsionin.
Siç dihet gjatë muajit Dhjetor, Janar, Shkurt, Mars, rritja e të ardhurave buxhetore ka qenë respektivisht 20.9%, 29.8%, 22.3 % dhe 29.6 përqind, pra një rritje tepër xheneroze. Natyrisht krahas efektit të fiskalizimit, efektit i mosrimbursimit në kohën e masën duhur, efekti i çmimeve është evident, dhe ky i fundit është përkthyer më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit.
Është e tepërt të thuhet se qëndrimet e tilla me dashje ose pa dashje synojnë të mjegullojnë hapësirat që ka Buxheti i vitit 2022, dhe sidomos ai i realizuar në fakt gjatë tremujorit të parë, për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë. Mjafton të thuhet se vetëm shtesa e të ardhurave buxhetore të realizuar gjatë kësaj periudhe, në tremujorin e parë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë me 29.9 miliard, kishte tejkaluar shtesën e të ardhurave të Buxhetit fillestar të 2022. Pra hapësirat e buxhetit të realizuar janë të tilla që mundësojnë mbështetjen e qytetarve dhe ekonomisë. Qeveria nuk mund të atakohet se me ndryshimet në buxhet vendosi që 20 miliard lekë shtesë të adresohen për sektorin e energjisë elektrike, si një instrument për të mbrojtur gjithë qytetarët përfshi ata në zonat rurale.
Aq më tepër që paketa e parë e rezistences sociale, ndonëse e dobishme rezultoi pamjaftueshme me trendin e Inflacionit. Ecuria e inflacionit dëshmon se rritja e mbështetjes të qytetarve dhe ekonomisë tej paketës së parë të Rezistencës Sociale është bërë imperataive. Për këtë flasin dhe të dhënat e mëposhtme e krahasimi i tyre me rritjen e pensioneve, pagave apo të ardhurave të shtresave të ndryshme të
popullsisë.
Indeksi i çmimeve të konsumit (IÇK) Dhjetor 2020=100,
Burimi Banka e Shqipërisë
Si mund të shihet dhe nga pamja grafike rezulton se Indeksi i çmimeve të konsumit (IÇK) me bazë Dhjetor 2020=100,është rritur nga 104% në Dhjetor 2021 në 110 %, në Prill 2022. Pavarësisht nga ulja e çmimit të disa produkteve të tilla bujqësore si patate, kastravec apo qershi ditët e fundit, krahas rritjes së ndjeshme çmimeve me pakicë të produkteve blegtorale në vendin tonë, rritja e inflacionit në BE dhe Euroznë gjatë Majit apo, vazhdimi i luftës në Ukrainë dhe rritja e saknkisoneve ndaj Rusisë, sinjalizojnë se ky tregues do jetë në rritje në muajt në vazhdim. Pra, shkurt veprimtarinë aktuale të ashtuquajturave Bordeve të Transparencës, pas zgjidhjes së problemit të vazhdimësisë së furnizimit, të fokusuar në vendosjen e çmimeve të shumicës dhe pakicës unë e gjykoj jo të drejtë, të gabuar, të dëmshme.
Çfarë sugjeroni ju në këto kushte që jemi?
Mbështetje t ë mëtejshme e qytetareve dhe ekonomisë, me një paketë t ë dytë t ë Rezistencës Sociale. Rritja jo e zakontë e çmimeve, kërkon transparencë, monitorimin por edhe marrjen e masave të nevojshme mbështetëse për qytetarët, punonjësit, apo bizneset për indeksimin e inflacionit çka është një kërkesë adekuate me ekonominë e tregut. Natyrisht përcaktimi i këtyre masave mbështetës nuk është një punë e lehtë.
Duhet marr ë n ë konsiderata sfida reale e frenimit të rënies së ritmit të rritjes së PBB-së . Por sidoqoftë kjo ndërhyrje dhe mbështetje për qytetarët dhe ekonominë po bëhet imperative edhe për shkak të të simptomave fillimit të rënies së GDP, për shkak të inflacionit të lartë. Mjafton t’u referohesh të dhënave të Prillit dhe 4 mujorit që janë bërë publike nga institucionet përkatëse. Ato flasin qartë për një rënie të konsumit, por edhe të më shumë se përgjysmimit të shtesës të të ardhurave buxhetore në muajin Prill, krahasuar me muajt paraardhës.
Për rënien e konsumit dëshmon dhe mospërputhja e rritjes së inflacionit nga njëra anë dhe rritjes së pensioneve, pagave, të ardhurave të fermerëve, nga ana tjetër, ngadalësimi i rritjes së depozitave dhe luhatje e tyre pas muajit shkurt, fillimi i rënies së importit të karburanteve pas muajit shkurt etj. Rënie e importit të shtesës së Makineri, Paisje dhe Pjesë Këmbimi, gjatë 4 mujorit të Janar -Prill 2022, krahasuar me një vit më parë deri në nivelin vetëm prej 4 % nga 54% përqind që ishte ky tregues për periudhën e vitit 2021; është një tregues që flet dhe për rënien e komponentit të investimeve. Në këto kushte rënia e ritmeve të rritjes të Produktit të Brendshëm Bruto, në përmasa jo të vogla gjatë këtij viti është e pritshme, megjithëse një rritje të kënaqshme të kreditit bankar.
Ndërkohë, ekonomia shqiptare është ndeshur me rënien e ritmeve të rritjes të Produktit të Brendshëm Bruto, në afatgjatë Ndërkohë vendi ka hyrë në një tkurrje afatgjatë të popullsisë gjithsej e për rrjedhojë të tregut të brendshëm, që ka filluar të intesifikohet. Kjo është shoqëruar me një rënie të popullsisë në moshë që nuk ishte prezente para vitit 2018. Ndërsa gjatë vitit të kaluar filloi dukuria e të rënies së punësimit të popullsisë 15-64 vjeç .Në periudhë afatmesme dhe afatgjatë kjo ka për të qenë një dukuri i përgjithshme dhe ka tepër të përfshirë punësimin gjithsej. Pra rritja e PBB që këtë vit dhe sidomos në vitet e ardhshme do kërkohet të realizohet në kushtet kur numri i të punësuarve do pakësohet, pra do të duhet të realizohet vetëm nga rritja e produktivitetit të punës Si e tregon përvoja e një shteti nga më novatorët në botë Japonia, në kushtet kur punësimi pakësohet kjo reflektohet në rënien e ritmeve të rritjes së PBB e gjithë dhe pavarësisht rritjes së produktivitetit të punës. Por të mos harrohet se sJaponia, ka rënie dhe plakje të popullsisë, pakësim të punësimit por nuk ka atë emigracion neto të popullsisë në moshë pune. Kjo kërkon që të harmonizohet mbështetja e qytetarëve dhe ekonomisë për të përballuar sfidën e inflacionit, krahas me përballimin e sfidës të mos rënies së ndjeshme të ritmeve të rritjes së PBB gjatë këtij viti por edhe më pas e jo thjesht kthimin e syve drejt një ngritje të shpejtuar e të lartë të tatim- taksave, qoftë dhe të profesioneve të lira .
Rreziqet që na kanosen n ë vazhdimësi?
Rritja e papunësisë do të jetë problem i vazhdueshëm. Çka do të sjellë probleme në fondet për mbështetje sociale dhe për pensionet. Për vitin e kaluar personat e punësuar të moshës 15-64 vjeç kanë rënë me 4263 vetë , ndonëse numri i të punësuarve gjithsej është shtuar me 5405. Por, janë shtuar punonjësit e mbi moshën e punës prej 9,668 vetë, duke arritur sipas INSTAT që në vendin tonë të ketë 72,368 persona, pensionistë të punësuar. Kjo nuk është e rastit, po të kemi parasysh nivelin e ulët të pensionit mesatar në vendin tonë. Në këto kushte një pjesë e konsiderueshme e tyre, detyrohen të punojnë për të përballuar shpenzimet që nuk i mbulojnë dot me pensionin.
Por këtu nuk mund të mos shihet edhe një kontradiktë tjetër. Në se të gjithë pensionistët e punësuar aktualisht paguajnë dhe duhet të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, vetëm një pjesë e vogël prej tyre, ky kontribut i derdhur nuk i u rikthehet nëpërmjet rritjes së pensionit, por vetëm atyre që nuk e ndërpresin punën kur mbushin moshën për të dalë në pension, dhe që kanë një periudhë kontributesh të sigurimeve shoqërore më të madhe se sa vjetërsia kontributive që kërkohet në atë vit.
Ndërsa të tjerë, që rifillojnë punën pas daljes në pension ose vazhdojnë punën pas mbushjes së moshës së punës për daljen në pension, por që nuk plotësojnë vitet e vjetërsisë kontributive nuk iu rikthehet mbrasht ky kontribut. Ka njerësz që thonë se ata që kanë fituar statusin e pensionistit, por që vazhdojnë të punojnë, nuk duhet, të paguajnë kontribute shoqërore. Megjithatë deri tani nuk është ndërmarrë ndonjë veprim konkret. Ndërkohë unë po shndërrohem në pozicionin tënd të intervistuesit.
Çfarë e pengon një gazetar që të kërkojë informacion nga ISSH dhe ti bëjë të ditur, transparencën publikut psh: se sa nga 72 mijë pensionistët që punojnë e paguajnë kontributet, sa prej tyre ai iu rikthehet mbrapsht ky kontribut nëpërmjet rritjes së pensionit dhe sa prej tyre nuk iu rikthehet mbrapsht qoftë në bazë të legjislacionit në fuqi!? Në se një ndër problemet më të mëdha në fushën e sigurimeve shoqërore është niveli i ulët i pagës mbi të cilën derdhen kontributet e të siguruarve në sektorin privat, të ndarë në firmat private e të vetpunësuarit në zonën urbane e rurale, a nuk ka ardhur koha që të bëhet transparenca? Pra mund të them se nuk shqiptareve nuk iu nevojitem thjesht emërtime retorike apo epiteti transparencë, por një transparencë reale për të ravijëzuar diagnozën dhe terapinë sa më të saktë, për përballimin sa më të mirë, të sfidave reale me të cilat ndeshen qytetarët dhe ekonomia jonë.
Intervistoi Esmeralda Hida
Discussion about this post